ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME / RRUGËT E JETËS, 16
16/07/2020 09:01
ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME, 16

Rrugët e jetës
Roman
6
- Jeton, është mirë të ndërmerret diçka, - i tha një student, që, kishte shkuar te ai, me disa shokë.
- Mirë e ke. Kjo situatë nuk duhet të kalojë në heshtje. Duhet thyer mendimin e propagandës së Beogradit, se ata kanë qenë terroristë.
- Këtë ne e dimë, por, duhet treguar botës të vërtetën, - i tha i dyti.
- Këtë duhet t’ia themi vetes.
- Nuk po të kuptoj, - i tha i pari.
- Duhet treguar kombit për të vërtetën dhe mos të harrojmë, edhe, zyrtarisht, duhet treguar se ata ndërruan epokën, - u tha Jetoni.
- Epokën! - E pyeti i treti.
- Po, epokën, - vazhdoi, - ata përmbysen epokën e heshtjes dhe frikës. Ata krijuan epokën e re, atë të qëndresës dhe guximit, të përballimit. Këtë nuk e di populli i ynë. Politika e autonomistëve po mundohet ta fusë në margjina. Kjo nuk duhet të ndodhë. - Ua shpjegoi, Jetoni.
- Këtu mirë e ke. Shoh në mesin e studentëve rritje morali, për të mbështetur guerilen e UÇK-së, - tha i dyti.
- Edhe në fshatin ku jetoj, kishte dhimbje të madhe dhe u takuam me disa shokë në një kafene dhe ua shpjegova. Edhe ata kishin të njëjtën përshtypje me bashkëfshatarët e tyre, nga vinin, - tha i katërti.
- Po, në mesin e kreut të studentëve e keni diskutuar këtë?
- Po, - tha i pari. - Edhe ata janë të mendimit për të ndërmarrë diçka, madje, kanë propozuar ta thirrin një tryezë të rrumbullakët dhe të diskutohet për këtë.
- Mendim i qëlluar, - e miratoi Jetoni, - mirëpo, këtë nismë duhet ta merrni ju studentët, se, subjektet politike, nuk i kanë raportet e mira ndër vete dhe cilado që e organizon një tryezë të tillë nga kampi ynë, pala tjetër nuk do t’i përgjigjet. Po dihet qëllimi i tyre, që, sot, më, edhe nuk munden për ta fshehur. Ka dalë e gjitha në shesh, mirëpo, po kanë ndikim të madh, sepse, rrjetin e propagandës e kanë të konsoliduar. Zaten, këtë e kanë pasur edhe më herët, gjatë viteve tetëdhjeta dhe tash, me njerëz profesionalë, po e mbajnë në nivel.
- Me siguri edhe do të veprohet ashtu. Organizimi i një proteste popullore, në mbështetje të Komandantit, do ta çmontojë edhe propagandën e tyre, sa do që është e konsoliduar dhe e shtrirë në terren, - tha i dyti.
- Unë, do të jem aty.
Biseduan edhe për hamendjet e disave dhe përafërsisht përcaktuan taborët për po dhe kundër demonstrimit.
Filluan përgatitjet për tryezë. Afati ishte shumë i shkurtër.
Të gjithë iu kishin përgjigjur thirrjes së studentëve për tryezë të rrumbullakët.
Kryesuesi, pasi i përshëndeti dhe lexoi një regjistër, për të parë në ishin të pranishëm të gjithë të ftuarit, konstatoi se të gjithë iu kishin përgjigjur ftesës.
- Zotërinj, - iu drejtua, - situata politike është bukur e rëndë. Serbia nuk po ndalet së vepruari dhe masakrat tashmë janë bërë përditshmëri e saj, prandaj, ju kemi ftuar që ta diskutojmë këtë dhe të shohim çfarë mund të bëjmë.
- Na vjen mirë që na ftuat, dhe, përnjëmend, ka ardhur koha që të flasim me një gojë. Jemi të vetëdijshëm për situatën e krijuar dhe ndjejmë dhimbjen me familjarët e viktimave, - e mori fjalën Sekretari i autonomistëve. - Situatën duhet ta mbajmë nën kontroll, se, mund të kemi edhe masakra tjera, e, ne, nuk mund të përballemi me Serbinë, kur e dimë se çfarë force ushtarake është, jo vetëm për ne, por edhe në Evropë.
- Me sa mora vesh, ne, këtu, nuk jemi thirrur për t’i shpallur luftë Serbisë, por, ta diskutojmë gjendjen e krijuar nga regjimi serb, i cili, përveç masave administrative që i ka marrë, tash, ka filluar edhe me vrasje makabre, duke mos i kursyer as fëmijët, - foli Bukuroshi.
- Këta kanë humbur arsyen, - vazhdoi Simboli, - dhe nga frika e dytë e pushkëve i bëri këto tri masakra, por, kjo e fundit nuk guxon të mos ndëshkohet dhe duhet treguar botës për qëllimet e saj.
- Kritiku, në konferencë për shtyp, dërgoi mesazhin te ndërkombëtarët, e çka mund të bëjë më tepër.
- Konferencat për shtyp janë fjalë që i merr era. U ka dërguar diçka me shkrim, për ta bindur faktorin ndërkombëtar, se këtu po bëhet gjenocid? - E pyeti Penalisti.
- Faktori ndërkombëtar e ka pa vetë situatën dhe ka qenë në vend të ngjarjes, - dha përgjigje Rrapi.
- Se çka ka parë faktori ndërkombëtar, ne, nuk jemi tubuar të diskutojmë këtu, - mori fjalën Jetoni. - Ne jemi tubuar të diskutojmë, se çka mund të bëjmë ne dhe këtu duhet të orientohet tema e diskutimeve.
- Këtu është qëllimi i kësaj tryeze, - ndërhyri studenti i parë. Si e vlerësojmë ne situatën dhe a mund të ndërmarrim diçka, që edhe populli ta dijë, se, ne, qajmë hallet e tyre.
- Populli i di se çka ka ndodhur. Ne kemi dërguar mesazh në të gjitha fshatrat, përmes organeve tona partiake dhe kemi kërkuar të kenë durim…
- Durim! - ia ndërpreu fjalën Sekretarit, Simboli, - deri kur me ato pallavra. E dinë se çfarë masakre është bërë në Kullë! Jo nuk e dini, sepse, keni ndarë mendjen të heshtni! - Foli me nervozë.
- Ne duhet t’i tregojmë botës dhe qytetarëve tanë për të vërtetën që ka ndodhur në Kullë. Të zotët e Kullës e kishin mbytur frikën shumë kohë para neve. Ka ardhur koha që këtë frikë ta mbysim edhe ne. Ka ardhur koha, që gjërat të thuhen ashtu siç janë, dhe, atë, publikisht, jo nëpër tryeza të rrumbullakëta, duke i mëshuar njëri thumbit e tjetri patkoit. Koha nuk pret dhe më duket se studentët kanë një propozim konkret dhe kërkoj që të na prezantojnë, - u tha Jetoni.
- Ashtu është, - e mori fjalën Kryesuesi, - ne kemi diskutuar gjatë këtyre ditëve dhe kemi ardhur në përfundim, të organizojmë një demonstratë dhe përmes saj, jo vetëm botës e qytetarëve tanë, por t’i tregojmë edhe Beogradit, se nuk durohet më dhe ka ardhur fundi i durimit.
- Pajtohem me mendimin e Jetonit dhe propozimin e Kryesuesit, - i mbështeti Simboli, - koha nuk pret, duhet vepruar, boll me ndeja dhe duke i gënjyer njerëzit se punët i kemi mirë.
- Mirë është ta marrim edhe mendimin e Kritikut, - tha Rrapi.
- Ai i ka përfaqësuesit këtu, le të flasin ata, - ndërhyri Mjekërbardhi.
- Ne, nuk e japim mendimin e tij. Pse mos ta pyesim? - Parashtroi pyetjen Nënkryetari.
- Patjetër që duhet ta marrim mendimin e tij, - tha në mënyrë të prerë Zonja.
E diskutuan dhe caktuan një delegacion të shkonte te Kritiku, për ta marrë mendimin e tij. Në delegacion shkoi Mjekërbardhi, Zonja dhe Nënkryetari. Të tjerët bënë pushim, sa për të tymosur cigare.
- Jeton, çfarë mendimi ke? - E pyeti Kryesuesi.
- Ju e keni ndarë mendimin, unë jam me ju.
- Po, sikur të mos pranojë ai?
- Edhe me një tetor nuk pranoi, madje, as këta që janë këtu, por, ju ia dolët. Mos ngurroni.
- Ashtu?
- Në fund të fundit, deshi apo nuk deshi Kritiku, unë, do të bëj thirrje për demonstrim, t’i qesim para aktit të kryer dhe menjëherë caktojeni datën, orën dhe vendin.
Ndërkohë, erdhi delegacioni, hynë brenda për ta vazhduar takimin.
- Biseduat me Kritikun? - Pyeti Kryesuesi.
- Po. Ai nuk është i mendimit për këtë. Ka shprehur mendimin, se mund të presin, pasi të qetësohet situata, - dha përgjigjen Zonja.
- Nuk është e thënë që të jemi të gjithë të një mendimi. Ne mund ta organizojmë, se edhe ashtu jemi vonuar, - tha Kryesuesi.
- Mund të demonstrojmë edhe pa atë, - tha Simboli.
- Mos e merrni me të nxehtë, - ndërhyri Rrapi.
- Nuk po e marrim me të nxehtë, por koha nuk pret, - iu përgjigj Jetoni.
- Ashtu është, - tha Kryesuesi.
- Merruni vesh për orën, vendin dhe datën, - u tha preras Simboli.
- Mirë, veç mos e përmendni emrin e Kritikut, - tha Nënkryetari.
- Do ta kursejmë, - tha me ironi Kryesuesi.
U morën vesh për orën, datën dhe vendin e fillimit të demonstratës dhe cilat parulla do të viheshin.
Qytetarët kishin filluar të afrohen në vendtubimin për fillimin e demonstratës, në mbështetje të Drenicës dhe Komandant Adem Jasharit. Pjesa dërmuese ishin të rinj dhe ajo që i karakterizonte, pothuaj, gjysma ishin femra. Duke kaluar koha, sheshi, gjithnjë e më tepër, mbushej. Secili filloi për ta shikuar orën, por, organizatorët, ende nuk kishin filluar të dilnin në ballë të tyre, për të filluar demonstrata. Dikur masa filloi të lëvizë dhe të marrë formën e kolonës. Parullat u ngritën, ndërsa, milicia kishte zënë pozicionet e veta, madje, në kulmet e ndërtesës shiheshin edhe snajperistët. Mbi qytet fluturonte helikopteri, e incizonte situatën.
Jetoni u ngrit në këmbë, për të parë se ku ishin shokët e tij, organizatorë. Nga ta që duhej të ishin, nuk i shihte, por, shihte shumë figura, që i njihte nga studentët, në mesin e tyre edhe disa nga organizatorët, të cilët ishin përgatitur të marshonin. Duke e parë këtë gjendje, u vu në ballë të tyre dhe këtij iu bashkëngjitën, Rrapi, Profesoresha dhe Historiani. Filloi marshi dhe reporterët e huaj përcillnin çdo lëvizje të tyre.
Brohoritej për Drenicën, Adem Jasharin dhe UÇK-në. Masa shkoi deri te Fakulteti Filozofik dhe u kthye në vendfillimin e demonstratës. Gjatë shkuarjes dhe kthimit, Jetoni, pa t’i bashkëngjiten edhe organizatorët, kush në fillim, kush në gjysmë të rrugës, por, pati të tillë që iu bashkëngjitën në fund të demonstrimit.
Milicia nuk ndërmori asnjë veprim. Kur këta e panë të rrugës se ishte arritur efekti, u shpërndanë dhe shkuan për ta analizuar situatën, në vendin ku edhe ishte marrë vendimi për demonstrim. Kur u tubuan të gjithë, filluan edhe ta komentonin.
- Nuk e kam pritur, që edhe Kritiku të dalë në demonstrim, - tha me buzëqeshje Plaku i Nënsqetullave.
- Unë, u çudita, kur ma shtini dorën dhe më dha kurajë. – Zonja, u shpejtua ta vërtetonte atë që tha parafolësi.
- Po, e vërtetë është, e përforcoi Rrapi, - bashkë kemi ecur.
- Ishe me mua, apo me Kritikun? - E pyeti Jetoni.
Të gjithë u ndalën dhe shikuan Rapin. Edhe të tjerët nuk e besonin, por, ky ishte momenti më tronditës, se asnjëri prej tyre nuk e hapi gojën.
- Ta ndezim televizorin, se me siguri CNN do të paraqet pamjet dhe ndoshta na e paraqet edhe Kritikun, se, po të ketë dalë, rreth tij do të jenë kamerat, - tha Kryesuesi.
Dolën pamjet e para. Në fokus të kamerave, ishin katër të parët dhe askund nuk shihej Kritiku. Sidoqoftë, Kryesuesi i përgëzoi për pjesëmarrje në demonstrim.
- Ju faleminderit që u përgjigjet në thirrjen tonë. Ky ishte një sukses bukur i madh dhe kemi dërguar një mesazh bukur të fortë, te të gjithë.
Demonstrimi i dytë, që u parapa, po nga e njëjta strukturë, por, në emër të studentëve, u mbajt në një lagje të Kryeqytetit. Në ballkonin e një shtëpie private ishin tubuar organizatorët dhe merrnin fjalën sipas radhës. Në një moment Jetoni dha shenja që të nxirren parulla, ku shkruhej UÇK. Gjithë masa brohoriti me të madhe këtë parullë, por, edhe “Drenicë e Adem Jashar! Jemi me ju!”. Edhe kësaj here, milicia, nuk ndërhyri. Protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.
Këshilli organizativ vendosi, që të mbahet protesta e radhës. Për te, u vendosë që të mbahet në qendër të Kryeqytetit, por, edhe në qendrat tjera të Kosovës.
Ditën e protestës, filloi të tubohet, masa, por, tash, milicia kishte zënë të gjitha rrugët afër qendrës dhe i kanalizonte demonstruesit, të shkonin drejt qendrës, pa pasur mundësi të shmangen. Posa u tubuan, pothuaj mbi gjysma, pa paralajmërim filluan gazsjellësit, kërbaçët dhe krismat nga tytat e armëve. U krijua një tollovi e madhe dhe disa që nuk e dinin terrenin, mësynë për në banesat e eprorëve ushtarakë, të cilët ishin mobilizuar, që, në emër të vetëmbrojtjes, edhe të qëllonin me armë mbi demonstruesit. Jetoni, që e njihte mirë terrenin, bashkë me disa shokë, zunë hyrjet, duke ua shpjeguar masës për rrezikun që i priste. Pakkush, shpëtoi nga kërbaçët, se, nga tymi i gazsjellësve askush, madje, edhe ata që ishin nëpër banesa e shtëpia, sepse, kjo mësymje e milicisë arriti deri në pikat më të largëta të qytetit. Nëpër rrugë kudo shiheshin parullat për UÇK-në, fotografitë e Komandantit, e të Ideologut.
Jetoni me shokë, u ulën, po atë ditë për ta analizuar ngjarjen dhe raportet nga terreni vinin, se, autonomistët, kishin tentuar t’i hiqnin fotografitë dhe parullat e UÇK-së. Aty kishte ndodhur edhe përplasje në mes të demonstruesve, por, pa pasoja, vetëm kishin ruajtur fotografitë dhe parullën dhe e kishin vazhduar demonstrimin.
7
Një ditë, Jetoni, hyri në një shitore dhe pa disa që kishin përpara një paket kartoni, që e përdornin si tryezë. Në dorë kishin secili nga një birrë e mbi kuti kishin të hapura disa konserva. I përshëndeti. E lutën t’ju bënte shoqëri, por, u arsyetua se nuk kishte kohë. Por, dëgjoi të flisnin.
- U dërguat ndihma? - Pyeti njëri.
- Po. Morëm miell, vaj, sheqer, e artikuj tjerë ushqimorë, më tepër për t’i parë, se t’ua dërgonim ndihmat, - u përgjigj ai që ishte përballë.
- Takuat ndonjërin me uniformë? - Pyeti tjetri me kureshtje.
- I pamë dy vetë, - u përgjigj, - në një vend. Ata e quanin pikë kontrolli, komunikimi me bazën, apo ku ta di unë.
- Dhe? - U interesua i treti.
- Çka të shohësh. E kishin nga një kallash, madje, njëri, e kishte lidhur me një tojë, në vend të rripit. Teshat i kishin zhul, të papastra. Edhe ata ishin të papastër, thua se nuk gjendet ujë askund… Vetëm i pamë, se kishin vu një emblemë në cep të krahut dhe në një kapelë, por, jo ushtarake. Na ndalën. Ne u treguam pse kemi shkuar. Me radiolidhje e morën bazën dhe menjëherë erdhi një tjetër, pasi mësoi pse kishim shkuar, i hipi kamionetës dhe shkoi.
- Pastaj? - E pyeti i pari.
- Ne deshëm të bisedonim me rojet, por, ata, as që na përfillnin, apo, nuk dinin çfarë të thoshin. Nëse edhe ata të tjerët janë si ata, mos pyet për ne.
- Pse? - U interesua i treti.
- Po, edhe ai që erdhi ta merr kamionetën, nuk foli fare me ne, madje, as që na përshëndeti.
- Po, si ishte ai? - Pyeti i katërti.
- Njësoj. I kishte flokët e palarë dhe mjekra i rrinte si një cjapi. Mu duk tepër mendjemadh. Ata ta luftojnë Serbinë? Jo, kurrë.
- Thjesht…
- Mundet me qenë gjithçka, por, ushtri, jo. Unë kam qenë ushtar, por, dihet qëndrimi i ushtarit, sjellja e tij, komunikimi, etj. Ne, në fund të fundit, kishim shkuar për ta. Bile, kur u nisa, kryetari, më tha: “Interesohu kush janë e çfarë janë, se kam dëgjuar se ushtarë nuk janë dhe eja e na trego”. Ashtu më doli. E solli kamionetën burri i botës dhe as faleminderit nuk na tha.
Jetoni e dëgjoi bisedën, duke marrë disa artikuj. Doli. Përmes lidhjes u përcolli shokëve, gjithë bisedën sa kishte dëgjuar.
- Jeton, shokët të porositin, që të përcillni, se çka flasin dhe a janë të njëjtët protagonistë, apo ndërrohen, - i tha lajmëtari.
Jetoni, i përcolli, për disa ditë. Aty ndërroheshin herë pas here. Ndërroheshin edhe ata të cilët u bënin shoqëri për të pirë. I lajmëroi për gjithçka kishte parë e dëgjuar. Aty ishte bërë një çerdhe përqeshëse për çlirimtarët, sa kjo propagandë filloi të dëgjohet edhe jashtë lokalit. Një ditë, derisa ishin duke pirë, u ndalë një veturë para dyerve të lokalit. Me të shpejtë zbritën katër burra, të maskuar e të veshur bukur, me kalashnikovë në duar, e revole në brez dhe hynë në lokal.
- Mirëmbrëma! - I përshëndetën të pranishmit.
- Mirëmbrëma! - U përgjigjen me zë të dridhur.
- Ti më kujtohesh. Na pate sjellë ndihma. Të jemi mirënjohës, dhe edhe një here, të falënderojmë.
- U ngacmon dikush? - Pyeti tjetri.
- Jo, - u përgjigj njëri më zë të ngulfatur në fyt, nga frika, e, jo nga natyra që kishte zëri i tij.
- Që sot rrini shlirë. Nuk do të guxojë më kush t’ju frikësojë, t’ju ngacmojë, as t’ju prekë me dorë, se, ne jemi këtu. Natën e mirë. - Dolën me po atë shpejtësi që hynë.
Pas pak, Jetoni, shkoi në shitore. Plotë ishin aty. Edhe ai që atë ditë foli si është më zi për ushtarët. Të gjithë ishin të heshtur.
-Mirëmbrëma!
Asnjëri nuk i ktheu përgjigjen. Ishin bërë si mumie. Iu afrua shitësit.
- Ma jep një birrë. Çka kanë këta? Mos ka ndodhur diçka?
- O bacë, - Iu çlirua goja njërit që rrinte te dera, mbështetur për muri, me shishe të birrës në dorë, - çka kemi parë sot ne… - iu ndal zëri.
- Çka keni parë?
- Ushtarët tanë.
- Ani?
- Kur kanë dalë nga vetura… shumë shpejt, veç nëpër filma i kam parë. Po ashtu, edhe kur dolën nga këtu.
- Ju kanë kërcënuar a fyer?
- Jo, more. Një sjellje shumë e mirë e tyre. Na përshëndetën, na pyetën për hallet tona, etj. Na thanë, se nga sot jemi të sigurt, se nuk guxon askush të na prekë e keqtrajtojë.
- Ani, çfarë të keqe ka?
- Po, sesi u rrinte uniforma. Sa të bukur e kishin. Po emblema e UÇK-së, sa hije u kishte, në lule të ballit, me t’u kënaqë shpirti. E nuk i doli ashtu siç po flet përnatë, ky zotëria, - dhe bëri me dorë nga ai. - Edhe ti ishe atë natë, kur foli për zdralana, pa uniformë, në vend të rripit të kallashit, toja… Fol tash. Bile, njëri të njohu dhe të falënderoi edhe një herë për ndihmat që ua keni dërguar.
Sikur u çliruan edhe të tjerët. Filluan të flasin, secili nga këndvështrimi i vet. Propaganduesi, le që nuk foli, por, vjedhurazi, doli nga shitorja.
- E pe si iku?
- Mos ia zini për të madhe, - u tha Jetoni. - Dikush ka dëshirë t’i shohë ashtu, por, me rëndësi është se si i sheh armiku. Armiku po i sheh tamam si ushtarë, kështu duhet t’i shohim edhe ne, e, të mos shërbehemi me propagandë.
- Veç nuk di ku të lajmërohem, se, menjëherë, iu kisha bashkëngjit. Ma mirë me ta se sa mos me guxue të dalësh i lirë, as në qendër të qytetit.
- I vjen radha secilit. - Nxori paratë për të paguar, por, ai që fliste nuk e la. – Pagoi edhe të tjerat, se, sot m’u ba zemra mal, edhe në vdeksha, ndashtë.
- Kemi kohë për të vdekur, - i tha Jetoni dhe pasi i përshëndeti, doli.
Vijon