ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME / RRUGËT E JETËS, 11

11/07/2020 06:44

ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME, 11

 

Rrugët e jetës

Roman

 

 

2

 

“- U zbulua shtabi ushtarak i separatistëve shqiptarë!” - U dha lajmi në mediat e informimit, nga LLazar Mojsovi.

Kur e dëgjoi lajmin, Jetoni, tha me vete:

“- Një plan kanë, këta. Mendojnë se do ta bëjnë goditjen e fundit. Por, jemi kockë e fortë ne, o Mojsov! E kanë provuar edhe tjerët para teje, por, ja ku jemi.”

Doli jashtë. Shkoi për ta pirë një kafe. Gjeti një tryezë të zbrazët. Ulet. I lëshoi një sy të pranishmëve. Pastaj, hodhi shikimin jashtë dhe shikonte kalimtarët, nga dritarja. Gjithçka e zakonshme i dukej, thua se nuk e kishin dëgjuar Mojsovin. Dritat e neonit ishin ndezur në qytezë, të cilat ndriçonin atë pak trotuar, ku ishin tubuar disa të rinj.

“- Do t’ju shkojë edhe këtyre jeta sikurse neve. Ndoshta, edhe më keq. Po, më keq, se pa luftë me këta, nuk mund të kusuritemi”.

Ashtu, siç ishte thelluar në kujtime, pranë tij u afrua Bardhoshi. U përshëndetën dhe u ulë pranë tij.

- Nëse nuk e pret dikë tjetër?

- Jo, por, ndoshta, ti, po kërkon dikë tjetër.

- Jo. Më treguan se ke dalë, prandaj, erdha.

- E dëgjove Mojsovin?

- Po.

- Ne kurrkund, e, ai përmend shtabin ushtarak.

- Më treguan shokët se çfarë kishte ndodhur. Duhet ta diskutojmë këtë çështje. Ne kemi nevojë për ty.

- Unë, nuk do të jem aty ku nuk veprohet. Sot, flasin të gjithë. Madje, edhe këtu, i dëgjon? Serbia, më, nuk merret me pallavrat tona. Këto, nuk po çojnë peshë për të. Duhet treguar ku e ka vendin dhe si e meriton, për t’ua siguruar ardhmërinë rinisë dhe pasardhësve. - Bëri me gisht në drejtim të atyre të rinjve, që ishin tubuar nën dritën e neonit. – Shih, sa hapësirë u ka mbetur atyre.

- Për këtë do të bisedojmë në Kryeqytet. Del, kur të jepet mundësia.

- Që nga ky moment, unë jam i gatshëm, vetëm duhet të lëvizin gjërat.

- Mirë, e lëmë nesër.

Biseduan edhe për probleme tjera të jetës. Dikur, u ngritën dhe dolën.

Siç i kishin lënë fjalët, Jetoni, udhëtoi për në kryeqytet. U takua me Bardhoshin dhe disa shokë dhe i diskutuan gjërat shtruar. Ky vërejti, se vrasja e dy shokëve, kishte krijuar boshllëk në kryesi dhe nuk ishte ai guximi i mëhershëm, për të krijuar njësite guerile, që, për çdo rast, të jenë të gatshëm për të vepruar. Sidoqoftë, pranoi të aktivizohet përsëri, për të parë në do të bindeshin, se, fjalëve u kishte kaluar koha, tash, kërkohej përgatitje ushtarake dhe nuk kishte nevojë, që, natën, të tuboheshin dhe të bisedonin për fatin e kombit, e, ditën, të vepronin bashkë me autonomistët.

Në të kthyer takoi Vetëtimën. Pasi u përshëndetën, hipën në autobus, për t’u kthyer.

- Jeton, mësova për zënkën që pate, me disa shokë, - i tha Vetëtima.

- Nuk ishte zënkë për interesa vetjake, por, këto kanë qenë dhe do të jenë parimet e mia.

- Edhe unë, pajtohem me këtë. E diskutuam edhe me disa shokë të tjerë. Kishte që e mbështesnin këtë ide, por, kishte edhe nga ata që e kundërshtonin.

- Kah anonte shumica?

- Shumica, ishte për të hedhur vallen, në të cilën janë futur.

- Çuditem për zbehjen e revolucionaritetit të shokëve! Ne, more vëlla, e kishim autonominë dhe atë e kemi hedhur në demonstrata, në procese gjyqësore dhe kemi përgatitur popullin për revolucion. Dhe, tash, kur dy republikat janë gati të dalin nga kjo krijesë artificiale, ne, të jemi ata që do ta mbrojmë rikthimin e autonomisë substanciale?

- Shumë larg paske shkuar në analiza? - E shikoi, sikur e dëgjonte për herë të parë.

Jetoni, u befasua pak, me Vetëtimën, por, nuk e çoi më gjatë.

Ditët kalonin, e, takimet e natës nuk ndaleshin. Debatonin, hidhnin mendime, kundërshtoheshin, por, në fund, sikur të dyja palët, mundoheshin ta mbanin të njëjtin përkushtim. Jetoni mori sinjal nga një shok, se, duhet të takoheshin dhe ta mendonin punën e përgatitjes ushtarake dhe ta shpërndanin këtë ide, aty ku mundnin.

 

3

 

- Jeton! Jeton! - E dëgjoi zërin e Besës, dhe, u kthye prapa. Ajo, vraponte me të shpejtë, për ta zënë.

- Ç’ke që ngutesh, moj Besë?

- Qëndrimin e kanë lëshuar nga spitali, - i dha lajmin, e mbushur frymë.

- Kur?

- Para katër ditësh dhe ka dalë në Zvicër, me ndihmën e disa shokëve.

- Po thua, se është shëruar tërësisht? – Pyeti Jetoni.

- Do të çalojë në këmbën e majtë, por, mirë është. Sa për bisedën që ke pasur me shokët, rreth riorganizimit, të mbështet dhe të përshëndet, që nuk e ke mbajtur përbrenda, por, ua ke thënë haptas.

- Nga i di, të gjitha këto? – Vazhdoi të pyesë Jetoni me habi.

- Kështu më erdhi porosia sot… - tha Besa. Fytyra iu skuq, me gjithë veshët.

- Ti…?

- Po. Nuk e kemi pasur rastin për të treguar. Ai donte të tregonte për këtë, por, ndodhi si ndodhi.

- Urime!

- Faleminderit… Je për kafe apo për akullore?

- E di Shqipja?

- Po.

- Duket se Atletetit ia mbushën mendjen…? - Vuri buzën në gaz.

- Jo. – Në këtë rast, Besa, e mbuloi fytyrën me duar dhe buzëqeshi pak me zë, se, iu kujtua se çfarë porosie i dha Shqipja, për të. - Po, eja.

Shkuan në ëmbëltore dhe nuk dinte se si t’i thoshte, se, me të vërtetë, u gëzua shumë. Më shumë e gëzoi fakti, se ajo e dinte gjendjen shëndetësore të tij dhe me kaq kënaqësi ia dha lajmin. Derisa ecnin, herë-herë, Besës, i duhej të mbahej për dorë të Jetonit, që të mos rrëzohej.

Përsëri u dha kushtrimi. Demonstratat filluan në të gjitha trojet e robëruara shqiptare. Organizatorët, dhe, i gjithë populli, ishin ngritur në këmbë. Lajmet, shpërthyen me vrull, në të gjitha mediat e botës. Serbia, më, nuk mundi t’i shtjerë nën kontroll mediat e informimit edhe përbrenda saj. Gjithë këtë lëvizje të masave nuk do ta kishte marrë me mend askush. Demonstrohej edhe në fshatra më të lagëta. Këtu, i kishin përfshirë të gjitha moshat, gjinitë, kualifikimet. Nga turma, u rrahën edhe disa spiunë e udbashë. Ranë edhe dëshmorë. Tash, nuk fshihej asgjë. Secili qytetar informohej, për të gjitha sa ndodhnin. Për t’i qetësuar ato, në ekranin televiziv dolën disa personalitete, që u bënin thirrje qytetarëve, për të pushuar ato, se, do të fillonin bisedimet me Serbinë. Sipas demonstruesve, këto thirrje nuk çonin peshë, sepse, bëheshin nga autonomistët dhe nuk donin që fatin e kombit t’ua lenin atyre.

Demonstrimi dhe varrimi i dëshmorëve, ishin bërë përditshmëri. Organizatorët, përcillnin situatën, organizonin varrimin e dëshmorëve, ndërsa, në ekranin televiziv defilonin figura politike, që bënin thirrje për ndaljen e tyre. Kur e panë se nuk kishin ndikim te masa, shpikën edhe ditën tragjike, të supozuar, për frikësimin e demonstruesve dhe organizatorëve.

- Qytetarë të nderuar! - Defilonin në ekranin televiziv, njëri pas tjetrit. - Duhet të ndaleni dhe të qetësoheni, se, po planifikohet e Marta e përgjakshme. Serbia do të zbrazë gjithë arsenalin e vet për ta qetësuar situatën. Prandaj, më mirë të tërhiqeni nga rrugët dhe të na e leni, neve, në dorë, çështjen e Republikës.

Jetoni me shokë, i diskutuan edhe këto thirrje, që filluan të kishin efekt në masë, por, ndau mendjen, se, demonstrata do të vazhdojë, gjersa Serbia të nxjerrë edhe ushtrinë nga kazermat, dhe, bota ta kuptojë realitetin e krijuar, se, shqiptarët ishin të pushtuar dhe këtij pushtimi duhet dhënë fund.

Ditën e martë, vetëm në tri qendra pati demonstrim, por, aq ishin të fuqishme, sa, për çudi, nuk u vra e plagos askush. Kjo, u dha jehonë të fuqishme ngjarjeve të asaj dite. Ditëve tjera, të gjitha rrugët ishin të mbushur përplot demonstrues. Kudo, ishin të pranishëm gazetarët me kamera. Pati të vrarë e të plagosur.

Në një varrim të një dëshmori, ku merrte pjesë edhe Jetoni me Sokolin, Besën e Shqipen, dëgjoi thirrjen e Profesorit të tij.

- Ka ardhur koha, ta kemi ushtrinë tonë! Pa këtë mekanizëm mbrojtës, nuk do të kemi liri!

Gjithë masa e tumiri mendimin e tij, duke e mbështetur me thirrje.

- Na duhet ushtria! Duhet ta kemi ushtrinë! Ushtria është shpëtimi ynë!

Shqipja, ia shtrëngoi dorën Jetonit, duke i dhënë për të kuptuar, se, në veprimet e tij, nuk ishte i vetëm.

Ditën e fundit të demonstrimit, tanket mbushën rrugët e qyteteve dhe fshatrave. Demonstruesit, u larguan. Jetoni, posa ishte kthyer ne shtëpi, me një grup vajzash, të trullosura nga gazi lotsjellës, të cilave u shërbente Shqipja, me nga një gotë kos. Një qytetar, hyri dhe e ftoi atë, se, po e kërkonte një gazetar italian. Doli, me vrap. Shkoi në vendin e strehimit, ku e kishin dërguar. E njohu menjëherë, atë, se, i kishte dhënë një intervistë në Lubjanë, me rastin e zhvillimeve politike atje, të krijuara pas burgosjes së Janshas. Intervista kishte dalë pa kurrfarë ndryshimi, ku, kishte folur më shumë për situatën politike të shqiptarëve. Nuk përtoi t’i jepte intervistë, dhe, i shpjegoi gjithë situatën në të cilën gjendeshin shqiptarët. I shpjegoi edhe pse nuk i kishin dëgjuar zërat e liderëve të rinj politikë dhe disa profesorëve universitarë, dhe, qëllimi ishte arritur.

- Tash po i sheh edhe tanket, të cilat flasin më shumë se gjithçka. Kjo është Jugosllavia vetëqeverisëse, për të cilën është folur shumë, madje, edhe sot po merret nga qeveria e juaj dhe të tjerat, si shtet, ku respektohen të drejtat e kombeve dhe kombësive. Për nga numri, jemi të tretët, ndërsa, për të drejta, sot, flasin zinxhirët e tankeve, nëpër rrugët tona. - I tha Jetoni, në fund të bisedës.

Gazetari e përshëndeti ngrohtësisht, Jetonin, dhe, i përcjellë nga dy të rinj, doli jashtë, për t’i përcjellë pamjet dhe intervistën në televizionin ku punonte.

Edhe ata, të cilët gjendeshin aty, u befasuan me shkoqitjen e problemit politik e kombëtar, që bëri Jetoni, sepse, asnjëherë, nuk e kishin dëgjuar.

Derisa bëhej bilanci i ngjarjeve të demonstratave, duke llogaritur të vrarët, të plagosurit, të arrestuarit dhe disa që kishin dalë jashtë, për të marrë strehim politik, në anën tjetër, filloi jehona e thirrjeve për zhurmë teneqesh, ndezje qirinjsh, fishkëllima të bilbilave, fikje dritash me kohë të caktuar, një formë e re, e shpikur, ku di se ku, për tërheqjen e vëmendjes së qytetarëve, për të mos e dëgjuar më ilegalen, për thirrjen e ndonjë demonstrate shumë më të fuqishme, se ajo që kishte ndodhur.

Jetoni me shokë, menjëherë, e diskutuan situatën e krijuar dhe u bënë analizë veprimeve të reja. I bënë analizë edhe varrosjes së dhunës, një arkivol pa kufomë, që bartej rrugëve të kryeqytetit, për ta varrosur, po ku… Kjo ishte hera e fundit që Jetoni, bashkë me shokët e ilegales, po i diskutonin problemet e kombit, sepse, sipas Jetonit, kjo e nxirrte jashtë loje atë dhe zhvillimet politike po merrnin një kahe tjetër.

- Nëse ju, shokë, i mbështetni këto veprime, po ju tregoj, se, unë, përfundimisht, do të ndahem nga ju.

- Këto po i mbështet masa, - i tha Juristi, - prandaj, ne, duhet dëgjuar vullnetin e tyre.

- Kjo masë, për të cilën po thua ti, për një kohë të gjatë e ka mbështetur Titon dhe Millosheviçin. Mos të harrojmë, në zgjedhjet e vitit të kaluar, se, sa përqind ishin ata që nuk iu përgjigjen thirrjes për zgjedhje. Atëherë, mund të numëroheshin në gishtërinjtë e duarve familjet që i bojkotuan ato.

- Po, edhe ata që dolën në zgjidhje, nuk ia dhanë votën të gjithë, - u përgjigj njëri.

- Ka ardhur koha, kur duhet të ndahet shapi nga sheqeri. Se, këtë e kanë filluar vetë autonomistët. Për ta arsyetuar vasalitetin e vet ndaj Beogradit, e, për t’ua plotësuar apetitet edhe më tutje, si servilë që janë, e, do mbeten, thonë se demonstratat i kanë organizuar marksist-leninistët, enveristët, të kuqët. Shokët tanë, që ende janë në vuajtje të dënimit, këta mundohen t’i akuzojnë edhe më tepër, duke ua mohuar veprimtarinë atdhetare, duke mohuar gjakun e dëshmorëve, duke mohuar plagët e tyre dhe keqtrajtimin e familjeve, nga organet e udbës, gjoja, se gjithë kjo është bërë për shkaqe ideologjike. Të mos flasim për afro gjysmën e popullsisë së moshës madhore, që ka kaluar nëpër organet e udbës.

- Nuk e kanë këtë qëllim, por, ka ardhur koha që duhet ikur disa thirrjeve, si marksist- leninist, enverist, e, përshëndetjet me grusht. Këto le të mbesin vetëm për ne, e, jo t’u japim shkas të përgojohemi dhe të na marrë në sy faktori i jashtëm, i cili, po i mbështet, - tha Juristi.

- Atë që ju do ta bëni natën, nga dy e tre veta, unë do ta bëjë ditën, dhe, nuk do të lejoj të nëpërkëmbën dëshmorët dhe shokët. Natën e mirë! Mirupafshim, në barrikada! - Doli gjithë nervozë Jetoni.

 

Vijon

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode