ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME / RRUGËT E JETËS

01/07/2020 07:05

ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME

 

 

Rrugët e jetës

Roman

 

 

Qëndresa e popullit, shton qëndresën e të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të lirisë

 

 Gjatë jetës sime, kam lexuar me qindra libra, nga autorë të dy gjinive, dhe, atë, nga të gjitha këndet e botës. Të gjitha bënin fjalë për trajtimin e të burgosurve politikë dhe moralin e luftëtarëve që sakrifikoheshin për liri. Në mesin e tyre, kam shkruar edhe unë. Të gjithë kanë trajtuar problemin, që nga arrestimi, hetuesia dhe vuajtja e dënimit, por, edhe, që nga krismat e para të guerilëve dhe rritën e saj. Ata janë munduar të paraqesin tortura të llojllojshme, që i ka bërë pushteti jugosllav ndaj tyre. Varësisht nga koha, qëndresa e tyre nga torturat gjatë hetuesisë, vuajtjes së dënimit, për të nxjerrë informata, që i janë nevojitur pushtetit jugosllav, për t’i ndjekur më lehtë luftëtarët për çlirim kombëtar. Në anën tjetër, pushtuesi ka ndërmarrë veprime shtazarake, në vendin ku është kryer atentati, ka futur frikën, në mënyrë që qytetarët të mos ua hapin derën, për t’i strehuar. Madje, edhe në rast të vrasjes, në hetuesi, burg, në aksion, e të ngjashme, ka penguar varrimet e dinjitetshme, me anën e frikësimit të familjes apo rrethin e tij.

Nuk më ka ndodhur të lexoj, e, ndoshta, ka libra të tillë, se çka i bënte të burgosurit, t’i përballonin gjithë ato vuajtje dhe gjithë atë kohë të vuajtjes së dënimit, herë duke pritur vizitorë, herë pa ta; herë duke pritur ndonjë paketë ushqimi e rrobash, por, edhe pa to. Gjithashtu, më ka ndodhur shumë pak të lexoj, se cili ishte faktori shtytës i rritës së gueriles dhe shndërrimit të saj në formacione luftarake dhe arritjes së çlirimit të atdheut.

Jam munduar që ta trajtoj veprimin e gueriles atdhetare, në ilegalitet të thellë, ndonjëherë edhe duke bërë thirrje publike, për të shpëtuar nga çizmja okupuese. Për pengesat që i dilnin nga bashkëkombësit e vet, siç ishin veglat e pushtuesit, të cilët i gjurmonin veprimtarët më lehtë se sa armiku. Të tillët shfrytëzonin ndonjë lidhje familjare apo shoqërore, me, e, pa pagesë, prandaj, pjesa dërmuese binin viktimë e këtij sorollopi, siç jam i bindur unë, por, edhe shokët e mi. Në mesin e tyre asnjëherë nuk kanë pasur bashkëpunëtor armik, apo të përkatësisë së tyre kombëtare. Këta, më lehtë i kanë zbuluar dhe mundësuar armikut për t’i burgosur e luftuar, e, pas kryerjes së detyrës, janë angazhuar të zbulojnë grupe tjera ilegale, politike dhe guerile.

Solidariteti i familjes, rrethit familjar, shokëve, jo vetëm të bashkëveprimit, bënin forcën shtytëse morale për veprim e rritje. Ndodhte shpesh, që, edhe ata të ndëshkohen në forma të ndryshme, siç ishte largimi nga puna, përjashtimi nga studimet, së fundit, edhe marrja e pasaportave, për të mos lëvizur jashtë. Veprimet e tilla i bënin të burgosurit politikë të jenë shumë këmbëngulës në idealet e tyre, në qëndresën e tyre në hetuesi e vuajtje dënimi, të mos mposhteshin. Të gjithë qëndronin të pathyer, duke e ditur, se jashtë luftohej jo vetëm për lirinë e popullit shqiptar, por, edhe për lirinë e tyre. E njëjta gjë ndodhte edhe me guerilen, e cila, pas aksioneve, gjente mbështetje, për të mos rënë në dorën e armikut.

Mu kësaj pjese ia kushtoj këtë roman historik, se, një lëvizje gjithëkombëtare, siç ka ndodhur tek ne, domosdo është historike, sipas normave që lejohen në letërsi. Burgosjet që kanë ndodhur, gjatë gjithë procesit të luftës për liri, kanë ndikuar edhe te masa e gjerë, dhe, kështu, janë shtuar radhët e luftëtarëve të lirisë. Duke mësuar për të gjitha këto, përmes vizitave, lajmeve dhe formave të tjera, të burgosurit i bënte më të qëndrueshëm, se mundi i tyre nuk po shkonte kot. Këtë ndjenjë e kanë kuptuar të gjithë, prandaj, edhe janë bërë qëndresa shumë të fuqishme, herë-herë, edhe me greva urie, kundër torturimit të shokëve bashkëvuajtës. Për dallim nga të burgosurit politikë, guerilasit, e, më vonë, ushtarët e rreshtuar pas emblemës së UÇK-së, e shihnin dhe e përjetonin përditë, pa pasur nevojë askush, që përmes grilave t’i tregonte për zhvillimet e jashtme.

Kjo lidhshmëri nga jashtë brenda, ka dërguar mesazhe të fuqishme për të burgosurit politikë, të cilët, edhe i ka bërë më të qëndrueshëm, që ta kalojnë jetën me dinjitet brenda grilave të burgut. Duke e ditur, se kur të dalin nga aty, do të jenë krenarë, e jo kokulur. Radhëve të tyre i bashkëngjiteshin, jo vetëm moshatarët e tyre, ndoshta edhe më të vjetër, por, me rëndësi, se në veprimtarinë e tyre, gjithnjë e më tepër, kyçeshin edhe mosha të reja dhe çka është karakteristike, shtoheshin radhët edhe nga gjinia femërore.

Edhe guerilja e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përmes veprimeve të veta, dërgonte mesazh te bashkëkombësit e vet, kudo që ishin, të rreshtoheshin me ta, se vetëm arma e siguronte lirinë. Mbështetja, gjithnjë më e madhe, e qytetarëve, i bënte më të qëndrueshëm, më luftarakë, ishin të bindur, se të gjitha vuajtjet e kombit do të merrnin fund.

Si të burgosurit politikë, që ishin në shënjestër të armikut dhe shërbëtorëve të tyre shqipfolës, nga foltoret, përmes shkrimeve “analitike”, komenteve dhe reprezaljeve të armikut, e njëjta gjë u ndodhi edhe guerilasve, që mundoheshin ta ndalojnë rritën e saj. Në të dyja rastet, jo që zvogëlohej numri, por, ato merrnin përmasa të mëdha dhe faktori ndërkombëtar, varësisht prej veprimeve brendashqiptare, bënte angazhimin e vet.

Me qëllim, u kam ikur zyrave të hetuesisë, torturave nëpër to, për ta paraqitur qëndresën e të burgosurve politikë, përballimin me vdekjen, për të mos dhënë emra dhe plotësuar apetitet e armikut, për ndërprerjen dhe rritën e lëvizjes kombëtare. Po ashtu, i kam ikur vendit të ngjarjes së atentateve, përballjes së gueriles dhe vendeve ku janë kryer aksionet, rritës së saj, krenarisë në radhët e saj, shndërrimin në ushtri dhe aksionet frontale të UÇK-së.

Epopeja e zhvilluar jashtë është epope e mundësisë së bashkimit dhe shtuarjes së radhëve të luftëtarëve të lirisë, është epope sinjalizuese, se liria do të vij, siç thotë populli, kupa do të mbushet dhe kjo mbushje e kupës kombëtare, domosdo do të dërgojë në përballim me armikun deri në rrokjen e armëve. Vetë arma nënkupton lirinë, e, liria e kombit nënkupton edhe zbrazjen e burgjeve nga të burgosurit politikë shqiptarë.

Autori

 

 

 

Formimi kombëtar

1

Jeton! – Kumboi zëri në korridor.

Në një dhomë përpëlitej të merrte frymën. Ishte shumë vështirë dhe dëgjonte zëra përreth dhe një zë paksa i veçantë, që thirri me zë të butë, por kumbues.

- Jeton! – Kumboi përsëri zëri.

Nuk dinte në e thërritnin atë, apo lajmëronin për jetën e tij. Zëri aq ishte kumbues dhe alarmues dhe kjo ia turbullonte perceptimin e thirrjes, sepse, kjo, jo vetëm se kishte dy kuptime, që, për momentin, nuk i dallonte, në ishte emri i tij, që thirrej me aq forcë, apo lajmërimin e ardhjes në jetë. Sidoqoftë, që të dyja e kishin kuptimin e gëzimit që shprehte lajmëtari.

- Jetoonnn! – Vazhdoi thirrja më e fortë.

Dëgjoi për të tretën herë jehun e atij zëri, sa ky bëri përpjekjet e para për të lëvizur dhe teshtiu njëherë dhe ia dha vajit.

Askush nuk e kuptoi pse ia dha vajit me gjithë fuqinë që pati. Për çudi, nuk kishte lot dhe, ata, përreth e shikonin me hare, tejet të gëzuar. Po, gëzoheshin me vajin e tij!?

Këtij iu duk sikur ra një mjegull e madhe. Ama, shumë e madhe, sa gishtin në sy me ta shti, nuk e shihje, derisa e ndjente objektin ngacmues dhe përpëlitjen instiktive të qepallave.

- Jeton! – Vazhdoi thërritja me zë të ulët.

Ndjeu një zë miklues. Nuk ishte zë i mëhershëm dhe i lartë. Iu duk zë i njohur, i ëmbël, ngushëllues për atë që e thërriste.  

Pse ndryshoi ai zë?!

Dy duar filluan ta përkëdhelin. Filluan edhe puthjet në fytyrë, duar, qafë…

Kur u shpërnda mjegulla, iu shfaqën disa fytyra para syve, të cilat nuk i dallonte, por shihte gëzimin në sytë e tyre. Secili, mundohej të dukej më i dashur se tjetri dhe nuk dinte te kush ta ndalte shikimin më shumë, por, i vështronte të gjithë njësoj. Dikur, ia nguli sytë njërës.

- Po më njeh! 

I mëshoi shuplakave një grua e re dhe menjëherë e rroku në përqafim. E shtrëngoi bukur shumë, por, për çudi, këtij i dukej si ledhatim dhe nuk ndjeu dhimbje, përkundrazi, një ngrohje ia përshkoi trupin. Shqetësimi iu hoq, dhe, me duar filloi të lëvizte, nuk dihej në kërkonte diçka apo dikë, sepse nuk ishin lëvizje të kontrolluara.

 

2

 

Shumë vonë e kuptoi se emrin e kishte Jeton. U gëzua që e kishin pagëzuar me këtë emër, pasi që kishte një simbolikë të fuqishme dhe nuk iu desh të shfletonte fjalor për ta kuptuar, prandaj, e kuptoi ende pa e mësuar alfabetin. Më vonë i treguan për mjedisin, zërat e gëzimit… Përkundër këtij shpjegimi, vështirë e kishte ta kuptonte. I folën edhe për rrugët e jetës. Çka ishin ato rrugë dhe çka ishte jeta. Për emrin që kishte e kuptoi, por për rrugët…? Cilat ishin ato rrugë? Çfarë ishte ajo rrugë? Duhet nisur nga ai moment, kur përherë të parë ia shqiptuan emrin, apo…? Si të orientohej? Çka mund t’i ndihmonte ta zgjidhte këtë enigmë, që ishte e vështirë për të rriturit, e lë më për te, që veç kishte mësuar emrin e vet. Nga emri kishte kuptuar se duhet të jetojë, dhe, kaq. Pra, jetën e kishte përpara dhe ndoshta ky ishte edhe fillimi i rrugëtimit.

Rruga… ç’kuptim kishte kjo rrugë? Të ecte me hapat e vegjël, siç i kishte, apo duhej pritur,  të rritej, dhe të ecte me hapa të mëdhenj? Edhe hapat i nxorën problem. Ende nuk e kuptonte, çka ishin hapat, sa për ecje e kishte mësuar nëna dhe gjithë të tjerët, që të lëvizte këmbët një nga një, për të shkuar deri te caku, të cilin ia kishin caktuar dhe e pritnin me duar të hapura dhe me buzëqeshje. Ndoshta kjo ishte rruga nëpër të cilin duhej kaluar, për ta arritur cakun. Kishte ndonjë tjetër cak, apo ai të cilin duhej arritur, deri aty ku e prisnin? A do të ishin gjithnjë ata, apo do të ndërroheshin protagonistët. Do ta prisnin në të njëjtën largësi, apo do të rritej ajo?

Emrin, si enigmë të parë të jetës, e kishte zgjidhur. Kishte edhe enigma tjera. Çka ishte jeta dhe rrugët e saj? Kishin të bënin këto me emrin, apo ishte rastësi, Jetoni me jetën? Pse këto lidheshin aq shumë ndër vete? Ata që e emëruan me këtë emër, e dinin, apo kështu u kishte tingëlluar mëse miri, për ta dhënë lajmin e gëzuar, kur erdhi ky në jetë. Kishin llogaritur ata për dallgët e jetës, për rrugët e saj, apo… Me këtë emër filloi të rritej.

 

3

 

Jetoni, shumë shpejt e kishte mësuar alfabetin. Kishte lexuar edhe disa libra, me fotografi e fjalë, që i patën preferuar familja. Pati lexuar edhe disa libra për fëmijë. Leximi iu bë pasion, por edhe matematika me shkencat ekzakte i shkonin mirë.

Dukej se nuk do të ngopej së lexuari dhe bërje të detyrave në matematikë, fizikë, kimi, etj. Filloi, në të gjitha fushat, të hulumtonte me pasion dhe kjo bëri të ishte larg moshatarëve të tij, në mësime. Edhe mësimdhënësit e kishin vështirë ta shpjegonin, sepse, ku ishte i pranishëm Jetoni, nuk guxonin ta kalonin njësinë mësimore dosido. Nuk ishte nga ata që reagonte, por, mjaftonte t’i tharbëte buzët, siç shprehej një mësimdhënës dhe ta kuptonin se nuk ishin në temë. Kjo jepte për të kuptuar se duhej të korrigjoheshin, se, ose kishin lënë ndonjë pjesë mangut, ose e kishin tepruar dhe kishin dalë në një temë tjetër.

Një ditë, derisa po përgjigjej në një pyetje, Mësuesit iu duk se mund ta pyeste edhe nga një lëndë tjetër. Provoi. Përgjigjen e mori të saktë. Njërën pas tjetrës pyetje, që i bënte Mësuesi, ai përgjigjej pa problem. Filloi të shkonte me pyetje më të rënda, jo nga ato që kishin mësuar dhe përgjigjet i merrte shumë shpejt. U ndalë dhe e shikoi.

- Jeton, nuk ke për të pasur problem në jetë, nëse vazhdon kështu. Do t’i tejkalosh me lehtësi rrugët e jetës.  

- Sa rrugë i ka jeta? - E pyeti, pasi solli nëpër kokë, rrugët e jetës, që dikush ia kishte përmendur, ende pa e mësuar alfabetin.

- Nuk di! - U zu në befasi, sepse, nuk kishte llogaritur se mund t’i parashtronte një pyetje të tillë.

- Nuk i di? - U befasua, sepse, kishte krijuar bindjen se ky Mësues ishte më i afti në shkollë, dhe, kur nuk e di ky, kush mund ta dinte.

- Besoj se, vetë do t’i gjen, - I tha Mësuesi, kur e pa të ulej i dëshpëruar, nga përgjigja që i dha. – Ti vetëm puno dhe do të gjesh shumë rrugë të jetës. Me siguri, me këtë punë që bën, kanë për të dalë shumë rrugë përpara dhe do t’i tejkalosh më lehtë se unë, ato që i kam pasur, e, që, do të më dalin. 

- Sa rrugë keni pasur ju, shoku Mësues? Pse, a do të keni edhe rrugë tjera?

- Nuk di. Nuk i kam numëruar, por bukur shumë. Jeta e jonë na ka hapur rrugë të shumta. Po ashtu, kjo jetë, do të na hapë edhe rrugë të reja. Edhe e juaja do të ju hapë plotë rrugë, ndoshta, më shumë se tonat, e, ndoshta, edhe më të vështira. Ju do t’i zgjidhni se cilat do t’i merrni, siç i kam zgjedhur unë. Ju do të kaliteni më shumë se ne, se horizonti i ynë është më i vogël se i juaji.

- E, çka është horizonti?

- Horizonti?

- Ajo që shohim, – U nxitua Hakiu të jepte përgjigje.

- Jo! - Në mënyrë të prerë i mohoi Jetoni.

Mësuesi e shikoi me ngulmë Jotonin, dhe, me veta tha: - “Ku e ka gjithë këtë siguri? Ky djalë ka për të arritur shumë”.

- Jo, pëshpëriti edhe Mësuesi. Hakiu mbeti i mpirë nga përgjigja e Mësuesit, se, sa për Jetonin, nuk i hante palla. 

Të gjithë në klasë mbetën të ngrirë. Ishte enigma më e madhe për ta, kur panë sigurinë e përgjegjës së tij, që i dha Hakiut dhe kur iu dha mbështetja e menjëhershme e mësuesit.

- Jetoni ka të drejtë, - sqaroi Mësuesi. – Horizonti, që na del përpara, nuk paraqet një rrugë apo rrugët e jetës. Aq horizonte do të kemi në jetën e përditshme, dhe, nëse mësoni, përgatituni për t’i shikuar më herët dhe do ta merrni rrugën e duhur. Kështu mund të bëheni të vlefshëm për familjen dhe shoqërinë.

 

Vijon

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode