RESPEKTI PËR PRINDËRIT, MËSUESIN, PUNËN VS PARAJA, PUSHTETI, SEKSI... NJË VIZITË NË MUZEUN E SENDEVE TË ZHVLERËSUARA
19/06/2023 07:51
OPINION
RESPEKTI PËR PRINDËRIT, MËSUESIN, PUNËN VS PARAJA, PUSHTETI, SEKSI... NJË VIZITË NË MUZEUN E SENDEVE TË ZHVLERËSUARA
Nga Viktor MALAJ
Një miku im, i cili e ndjek me vëmendje tregun shoqëror dhe prirjet e tij, më propozoi të bënim së bashku një vizitë në Muzeun e Sendeve të Zhvlerësuara. Meqë e pikasi ngurrimin tim, më nxiti duke thënë se hyrja dhe krejt vizita janë falas për hir të promovimit të vlerave të zhvlerësimit.
Kur hymë në ndërtesën e muzeut, na u shfaq përpara ciceroni i cili, me shumë pasion dhe zhdërvjelltësi, u përpoq të na shpjegojë arsyet dhe vlerat e zhvlerësimit të disa objekteve që njerëzimit i ishin dashur shekuj t’i formonte dhe ruante.
E filluam vizitën në Pavijonin e Respektit për Prindërit. Ciceroni nisi të na shpjegonte se prej shekujsh ka qenë zakon dhe virtyt që fëmijët t’i dëgjonin me vëmendje prindërit e tyre, t’iu bindeshin këshillave dhe porosive të tyre dhe, më në fund, sa më tepër plakeshin prindërit aq më shumë shtohej kujdesi i fëmijëve apo edhe nipërve e mbesave për ta.
Mirëpo, vuri në dukje ai, koha provoi se një zakon dhe virtyt i tillë ishte vjetruar dhe ka nisur të dalë nga moda si diçka e gabuar dhe e pavlerë. Tani, në kohët moderne, prindërit shihen më shumë si shërbëtorë, njerëz që e kanë pasur dhe e kanë detyrim mirërritjen e fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre, deri në sakrifica sublime.
Duke qenë se prindërit s’iu kishin marrë pëlqimin paraprak fëmijëve për lindjen e tyre, konkludohet se detyrimet janë vetëm të njëanshme dhe se prindërit nuk meritojnë kurrfarë mirënjohjeje dhe respekti apo kujdesi nga pasardhësit. Në pleqëri, prindërit duhen dërguar në Shtëpitë e Pleqve ose, në rastin më të mirë, lejohen të banojnë në shtëpitë që kanë blerë apo ndërtuar vetë por me kusht që të mos i besdisin fëmijët duke iu shkuar për vizita apo duke iu telefonuar shpesh për të marrë vesh për shëndetin e tyre.
Meqë secili ka jetën e tij dhe qejfet e veta, respekti për prindërit ka filluar të zhvlerësohet dhe pakkush zgjedh ta ruaj gjatë gjithë jetës.
Pavijonin e dytë të muzeut e zinin stendat ku shfaqeshin format moderne të Zhvlerësimit të Respektit për Mësuesit. Dikur, na shpjegoi ciceroni, fëmijët dhe të rinjtë i vlerësonin mësuesit si prindërit e dytë, i dëgjonin me vëmendje, përpiqeshin t’u plotësonin porositë dhe silleshin me respekt përpara tyre.
Madje, edhe iu dërgonin lule në Ditën e Mësuesit, apo iu dërgonin kartolina edhe pasi kishin mbaruar shkollat.
Tani gjërat kanë ndryshuar pasi mësuesit shihen thjesht si rrogëtarë dhe njerëz të bezdisshëm që iu marrin fëmijëve dhe të rinjve shumë kohë nga jeta, kohë të cilën këta të rinj mund ta përdornin për të luajtur lojëra të ndryshme në telefon a kompjuter, për të shëtitur, thithur pak drogë, pirë duhan, për të shkuar nëpër klube nate apo duke ngacmuar vajzat rrugëve.
Kur mësuesit shpjegojnë mësimin, shumica e nxënësve e sheh më të arsyeshme të komunikojë nëpërmjet celularëve me shokët e shoqet jashtë klasës ose shikojnë video “interesante dhe edukuese” në Tiktok dhe rrjete të tjera sociale. Nëse ndonjë mësues nopran e ngre zërin dhe kërkon vëmendje e rregull në orët e mësimit, mund të marrë si përgjigje dhe shpërblim dhjetëra lloj epitetesh dhe kërcënimesh nga nxënësit në frymën e mirëkuptimit dhe mirëzbatimit në respekt të lirisë së individit për të cilën flasin dhe japin shembull baballarët në Kuvendin e Republikës.
Në ndryshim nga dikur që nxënëset vinin në shkollë me një lloj uniforme dhe hyhej në mësim me rresht, tani sekush mund të vishet e të zhvishet sipas dëshirës së vet dhe hyrje-daljet në mësim mbesin çështje dëshirash të vetë nxënësve. Kjo formë e re e marrëdhënieve nxënës-mësues po jep rezultatet e veta të dukshme në ndërtimin e një shoqërie gjithnjë e më të shëndoshë dhe më të virtytshme.
Pavijoni i tretë emërtohej Respekti për të Vjetrit. Siç shkruhej në disa nga stendat, dhe sipas shpjegimeve të ciceronit, kishte qenë zakon i hershëm të tregohej kujdes dhe respekt ndaj të moshuarve, pavarësisht nëse ishin të afërm apo edhe të panjohur.
Shumica e të rinjve ua lëshonin dikur vendin në autobus, tren etj. të moshuarve, i ndihmonin të transportonin çantat apo valixhet e rënda, iu lëshonin rrugën kur kalonin apo i përshëndesnin të parët në rrugë, treg etj..
Tani, vazhdoi ciceroni, ky zakon i vjetër konsiderohet një marrëzi dhe pakkush e ndjek sepse respekti dhe dashuria duhen shfaqur vetëm kundrejt personave VIP, kundrejt të pasurve dhe të fortëve. Meqenëse ne të gjithë e dimë tashmë se me sa mund e ndershmëri ia kanë arritur të pasurit dhe të fortët, ashtu si edhe VIP-at, të bëhen të tillë në kohën tonë gjykohet me të drejtë se respekti dhe nderimi për këto kategori duhet të ushqehet dhe rritet çdo ditë.
Në fund të fundit, përfundoi ciceroni, kujt i nevojiten të vjetrit, as Dreqit. Ne duhet të respektojmë ata prej të cilëve mund të përfitojmë ndonjë gjë, apo të cilëve dëshirojmë t’iu ngjajmë. Vlera e respektit për të moshuarit po shkon me shpejtësi drejt zeros, sepse ashtu e kërkojnë nevojat e kohës.
Solidariteti Shoqëror shkruhej në pavijonin e katërt, ku shpjegohej se edhe ky zakon i vjetër, i konsideruar si virtyt për shekuj të tërë, po zhvlerësohej dhe, gjithnjë e më shumë po ia zinte vendin indiferentizmi dhe moskokëçarja ndaj njerëzve në nevojë. Bota është në zhvillim dhe ecën me shpejtësi, shpjegoi ciceroni, dhe askush nuk ka kohë të merret me të tjerët. Dikur, thuajse të gjithë e njihnin njëri-tjetrin në pallat apo lagje, e përshëndesnin kur e ndeshnin në shkallë apo në rrugë, i shkonin për ngushëllime apo ditëlindje dhe, sipas rastit dhe mundësive, tregoheshin të gatshëm t’i ofronin ndonjë ndihmë financiare në raste nevoje, megjithëse të gjithë ishin të skamur, dhe rrjedhimisht, ia dinin hallet tjetrit.
Tani që një pjesë kanë shumë, mendojnë se të tjerët përreth nuk kanë nevoja, ose, në më të shumtën e rasteve, i shohin skamnorët me përçmim si njerëz të pazotë dhe që nuk meritojnë as mëshirë dhe as ndihmë. Fqinjët nuk njohin njëri-tjetrin, megjithëse banojnë në një shkallë apo kat, pa lëre më ata të pallatit ngjitur. Thuajse askush nuk e përshëndet tjetrin kur e takon në shkallë, rrugë apo treg.
Nëse ndodh, larg qoftë, të rrëzohesh aksidentalisht në rrugë apo hyrje të pallatit, askush s’të ka vënë re dhe nuk ta ngjit dorën edhe pse njëzet vetë mund të jenë duke kaluar aty pranë…
Në pavijonin e pestë flitej për Interesin e Përgjithshëm Shoqëror. Ky pavijon paraqitej si prurje komuniste e cila jo vetëm nuk duhej respektuar e shërbyer, por duhej braktisur e mallkuar, pasi sjell vetëm dëme. Individualizmi, egoizmi dhe ekzibicionizmi ia kishin zënë vendin me shpejtësi e krenari.
Këto ushqeheshin pa pushim nga media dhe shtypi si virtyte fitimprurëse dhe burime të pashtershme zhvillimi. Kur ndërhyra t’i kujtoj ciceronit shembullin e Nënë Terezës dhe vetëmohimin e saj, ai më ndërpreu duke thënë se kjo i përkiste të shkuarës dhe do të ishte mëkat t’ua ofronim rinisë si shembull për t’u ndjekur. Nuk e zgjata sepse nisa të kuptoj ku ndodhesha.
Respekti për Punën dhe Punëtorin, quhej pavijoni i radhës. Në të shpjegohej se dikur ekzistonte një parullë e gabuar dhe e pamend, e cila thoshte se “puna është nder dhe burim i të mirave materiale”. Gjithashtu, thuhej se klasa punëtore zinte vend të rëndësishëm në letërsi, pikturë, skulpturë, kinematografi etj. por ky kishte qenë një budallallëk dhe tregues i prapambetjes së shoqërisë, madje njëri nga shkaqet që na kishte lënë mbrapa.
Tani, shpjegoi ciceroni, ne po shohim përditë e më qartë se me punë nuk arrihet thuajse asgjë përveç stërmundimeve të kota. A nuk kanë shënuar arritjet më të mëdha ekonomiko-financiare pikërisht individët që s’iu ka thënë kush asnjëherë “puna e mbarë!”?- pyeti ai i ngazëllyer.
Shikoni, vazhdoi me krenari, politikanët, biznesmenët që e filluan nga hiçi (unë pyesja veten se si mund të fillohet pasurimi material nga “hiçi”), guximtarët që u morën me drogë, prostitucion apo, ata më të mençurit, me korrupsion, se si përbëjnë sot elitën ekonomike të vendit dhe forcën kryesore të zhvillimit e zbukurimit material të Shqipërisë. Ç’do të kishin arritur ata po t’i përmbaheshin parullës së vjetër të lartpërmendur apo të besonin në vlerat e punës? Asgjë, iu përgjigj pyetjes së vet ciceroni.
Zhvlerësimi i Mendimit dhe i Dijes. Kështu emërtohej pavijoni i shtatë. Cilin e bëri shkolla të pasur?- pyeti me ironi ciceroni dhe vazhdoi: Duke qenë një vend i lirë dhe demokratik, mendimet mund t’i shprehë cilido lirisht, edhe kush di pak ose aspak. Duke pasur inflacion të mendimit, kemi edhe rënie të vlerës së tij, ndërsa vlerat e dijeve po bien gradualisht sepse po shihet mirëfilli se janë të panevojshme për t’u bërë i pasur dhe jetuar në luks, çka është edhe qëllimi i pjesës më të madhe të shoqërisë.
Ne kemi tani dhjetëra universitete dhe cilido, me pak mund dhe shumë para, mund të sigurojë një ose më shumë diploma dhe, madje, edhe tituj shkencorë. A s’kemi pasur ne deputetë me tetë klasë shkollë, ministra, madje të suksesshëm, që kanë mbetur në 2-3 lëndë apo që kanë përfunduar studimet me mesatare diku midis 6 dhe 7?! Madje, ne kemi akademikë që na mësojnë se emri Amerikë vjen nga bashkimi i fjalëve shqipe ha, merr, ik.
A ju kujtohet konkursi midis VIP-ave në Big Brother ku doli fituese vajza që zotëronte një diplomë universiteti dhe që iu përgjigj vetëm 10 për qind të pyetjeve dhe pohoi se Skënderbeu kishte lindur në vitin 1956?! A e dini ju se 90 për qind e më të pasurve të Shqipërisë kanë përfunduar realisht vetëm shkollat tetëvjeçare e të mesme, ndonëse zotërojnë nga 2-3 diploma universitare të marra në Shqipëri dhe Ballkan pa dhënë asnjë provim?! Atëherë, përfundoi shpjegimin e tij ciceroni, çfarë vlerash kanë dija dhe mendimi kur mund të bëhesh qeveritar, oligark dhe Person Shumë i Rëndësishëm (VIP) pa e lodhur fare trurin dhe trupin?!
E vërteta dhe Zhvlerësimi i Saj, zinin vend në pavijonin e parafundit që ne vizituam. Meqenëse e vërteta është relative, e nisi shpjegimin e vet ciceroni, gjithkush mund të zotërojë të vërtetën e vet, pavarësisht fakteve dhe arsyes. Pra, mund të ketë aq të vërteta rreth një ngjarjeje apo historie sa ka individë, në varësi të kulturës, interesave apo pasioneve të tyre.
Në fund të fundit, jemi në demokraci dhe vlerat e së vërtetës qëndrojnë në dobishmërinë e saj. Një e vërtetë mund të zhvlerësohet sepse nuk i shërben kohës apo individit që e trajton atë dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Ne duhet të udhëhiqemi nga parimi se e vërtetë është ajo që më shërben mua dhe jo ajo që ka ndodhur vërtetë.
Përderisa kemi vënë në qendër individin dhe nevojat e tij dhe jo interesat shoqërore, atëherë duhet të gjejmë dhe pranojmë vetëm ato të vërteta që i shërbejnë individit, sidomos individëve të pasur dhe të fuqishëm ekonomikisht e politikisht, vazhdonte ciceroni që e përdorte thikën sarkastike pa mëshirë. A s’ka thënë dikur, me të drejtë, zonja e nderuar Margaret Theçër se nuk ka shoqëri por ka vetëm individë? Utilitarizmi dhe jo idealizmi e realizmi duhet të na udhëheqë në punën shkencore dhe në zbulimin e pohimin e së vërtetës.
Muzeu kishte shumë pavijone të tjerë por ne vizituam edhe pavijonin e Zhvlerësimit të Martesës dhe Familjes dhe u ndalëm. Ciceroni na shpjegoi se, siç dihet tashmë, institucioni i martesës dhe familjes po zhvlerësohen e dalin jashtë mode. Në Librat e Shenjtë dhe ato të iluministëve këto institucione janë vlerësuar lart, mirëpo kohët e reja dhe kuptimi i ri i lirisë individuale po i zhvlerësojnë ato çdo ditë.
Pse është e domosdoshme që të rinjtë të martohen, të bëjnë shpenzime apo përbetime besnikërie në kishat e xhamitë e shumta të atdheut apo në zyrat e gjendjes civile, tha ciceroni, kur mund të bashkëjetojnë lirshëm për aq kohë sa duan dhe t’i kthejnë shpinën njëri-tjetrit lehtësisht, në mënyrë të njëanshme apo me mirëkuptim, pa pasur nevojë t’i drejtohen gjykatës?!
Gjithashtu, vazhdoi ciceroni i palodhshëm, Librat e Shenjtë dhe kodet zakonore e kanë përcaktuar martesën si bashkim midis mashkullit dhe femrës, por me përparimin dhe zhvillimin e shoqërisë dhe me përparësinë që kanë marrë të drejtat dhe liritë individuale, edhe martesa e familja po transformohen, duke zhvlerësuar kështu kuptimet e vjetra e të gabuara të së kaluarës.
Gjithnjë e më shumë po zë rrënjë dhe po zhvillohet mendimi progresist, i cili na mëson se në martesë mund të lidhen njerëzit pa dallime gjinore, dy meshkuj apo dy femra. Mjafton që të jenë në një mendje, të shkojnë vullnetarisht në zyrat e Gjendjes Civile, të shkëmbejnë disa puthje para zyrtarëve, t’iu shpërndajnë karamele e çokollata të pranishmëve dhe kështu formohet familja e re moderne.
Madje, po gjen zbatim mendimi se familje të tilla mund të adoptojnë edhe fëmijë dhe termat “nënë” e “baba” do të zhvlerësohen. Pas zhvlerësimit do dalin nga përdorimi dhe do të zëvendësohen në mënyra të reja, ndoshta emërimi më i goditur do të jetë “prindi një, prindi dy” etj.
Nuk përjashtohet mundësia, – vazhdoi ciceroni i papërtuar,- që në të ardhmen fëmijët e adoptuar të kenë më shumë se dy “prindër “, pra mund të kenë edhe “prindi tre” apo “prindi katër”, nëse njerëzit e lirë do të vendosin të jetojnë edhe në tufa të të njëjtës gjini. Gjithashtu, po shihet mundësia që njerëzit të martohen edhe me kafshët, siç kërkoi një zonjë në Perëndim të martohej me qenin e saj pasi, siç tha ajo, ishte më besnik se çdo burrë.
-Po mirë,- e ndërpreva unë, duke dashur t’i imponohem me dijet e mia për filozofët e lashtë- a nuk ju duket se kjo e ashtuquajtur “liri” po shkon aq larg sa ta shpërfytyrojë qenien njerëzore dhe ta shpjerë shoqërinë njerëzore në degradim të plotë dhe, siç thoshte Aristoteli se “Atje ku lejohet liria absolute, asgjë nuk mund ta përmbajë të keqen e pranishme tek çdo njeri”?
-Jo, jo,- u përgjigj ciceroni ynë,- këto janë mendime dhe koncepte të vjetruara dhe të zhvlerësuara tashmë. Dhe një këshillë e kam edhe për ty, këto që the mos i thua në publik në qoftë se nuk do të të quajnë komunist.
Pasi dolëm nga muzeu, miku im më premtoi se herën tjetër do të më shpinte në Ekspozitën e Sendeve më të Vlefshme të sotme si paraja, pushteti, seksi, droga, prostitucioni, ryshfeti, korrupsioni, egoizmi etj.
DITA