“RECIPROCITETI” I MUSTAFËS

11/01/2017 09:49

OPINION

 

 

“RECIPROCITETI” I MUSTAFËS

Nga Afrim MORINA

 

 

            Edhe më herët kam shkruar për njohjet formale që i kanë arritur Kosovës, me rastin e shpalljes së “pavarësisë”. Kjo ka ndodhur se, vetë akti i shpalljes ka qenë më tepër formal. Nga sygjerimet për shpallje, ka ndodhur që të mos diskutohet Kushtetuta, të mos diskutohet pamja e flamurit, të mos shikohet se kjo shpallje plotësonte kriteret e shtetit sovran dhe pasojat që do të dalin gjatë zbatimit të Kushtetutës. Mu për këtë, flamuri është prezentuar në Kuvend, pa pasur mundësi të shfaqet asnjë mendim, “për” apo “kundër”.

            Njohjet e njëmenda rezultojnë me prapësimin apo mospranimin e asnjë akti kundërshtues me gjendjen politike, sociale, ndërkombëtare, të shtetit që e ka njohur, nga shteti i cili e ka pasur në robëri. Siç dihet, të gjitha shteteve u kanë shkuar fletëarrestet për ish ushtarët e lirisë (UÇK-së), madje, edhe Shqipërisë londineze, dhe nuk ka ndodhur asnjë prapësim i tyre drejt Interpolit, me arsyetimin se gjendja ka ndryshuar në terren. Kjo dëshmon, se shtetet që e kanë njohur Kosovën, ende zbatojnë politikën e Millosheviçit kundër shqiptarëve dhe përmes kësaj e fuqizojnë pushtetin e Serbisë, si produkt i politikës maltusiane. Mali i Zi, nëse me të vërtetë e pranon Kosëvën shtet, e pranon realitetin e krijuar, duhet t’i dërgojë një letër Interpolit dhe ta tërheq emrin e vet nga fletëarrestet, por, edhe atij po i konvenon.

            Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, krekoset se kanë ndihmuar kalimin e disa personaliteteve në shtetet tjera. Kalimet ilegale kanë ndodhur dhe do të ndodhin, por, a ka më tragjike, kur këtë e bëjnë personalitetet institucionale dhe këtë e quan diplomaci të mençur. Kjo dëshmon edhe “efektin” diplomatik që e bën ky Ministër dhe nuk ndërrmerr veprime konform situatave të krijuara në terren. Pse ky Ministër nuk i dërgon notë proteste Francës, për arrestimin e z. Haradinaj. Ky do të ishte reagimi më i ulët, se një shtet normal, me fuqi juridike, do t’ia largonte ambasadorin dhe i kishte ngrirë marrëdhëniet diplomatike, deri në lirimin e z. Haradinaj.

            Se sa është e interesuar Qeveria për çështjen Haradinaj, këtë e ka dëshmuar Kryeministri, me artikulimin e masave që do të ndërrmerren. Kjo është sa qesharake, jashtë kohe, jashtë logjike dhe kjo jep për të kuptuar, se nuk kemi diplomaci të formësuar, nuk kemi qeveri artikuluese të problemeve, se nuk kemi kabinet qeveritar që rezonon drejtë. Togfjalëshi “Do të përdorim reciprocitet me Serbinë”, po ta analizonte me kujdes dhe shkencërisht, akëcili individ, inteletual, kuvendar, do të vinte në përfundim, se ky Kryeministër, ky kabinet qeveritar, kjo Ministri e Punëve të jashtme, nuk e meritojnë të na përfaqësojnë as brenda, e as jashtë. Çka është reciprociteti?! Askush nuk e pyeti se cilat masa reciprociteti do të ndërmerren kundër Serbisë? A ka reciprocitet në këtë rast, por, ai, kokën e ka me problem të realizimit të fondit, i aprovuar nga Kuvendi dhe ka menduar se diku duhet përdor “reciprocitet”. Po, Isa Mustafa, nuk di ta dallojë lëkurën e pulës me atë të buallit, pra, vazhdon ta hajë këtë të fundit, pasi edhe suitën e ka të tillë!

            Mustafa, si Kryeministër, i ka rehabilituar të gjithë kriminelët serbë, të cilët ishin koncentruar te ura e Ibrit dhe do të kishte logjikë ky mendim, sikur ata të mos ishin rehabilituar dhe t’i arrestonte, se, nuk ka të drejtë për të lëshuar fletarrest ndërkombëtar. Edhe sot, kriminelët serbë kthehen në vendin e krimit, me autobusa “pelegrinësh” dhe nuk kontrollohen e arrestohen, por, policia e Kosovës merr udhëra arresti për ata që ende i kanë plagët e pashëruara dhe nuk i indentifikojnë kriminelët nëpër autobusë “pelegrinësh”. Si do ta jetësojë mesazhin e dërguar qytetarëve, se do të përdorë “reciprocitet”. Ai dhe kabineti i tij qeveritar, disa herë janë takuar dhe kanë biseduar me akterët e krimint, në kohën e luftës, për rirregullimin e territorit të Kosovës, por, edhe me ata që sot e mbështesin këtë politikë!

Z. Haradinaj dhe gjithë luftëtarët e lirisë duhet analizuar këtë togfjalësh, jo nga këndi partiak, por nga logjika e kthjellët dhe ta vë gishtin në kokë: çka nënkupton ky togfjalësh. Ai, shqip e tha, po, Haradinaj është kriminel dhe ne do t’i arrestojmë kriminelët e Serbisë. Pra, luftëtarër e UÇK-sç janë kriminelë, e, të tillët (serbë) ne do t’i arestojmë. Ky është “reciprociteti” i Mustafës dhe mediat e informimit i japin një vend meritor, duke mos analizuar porosinë e saktë që i përcolli diplomacisë ndërkombëtare, Francës dhe qytetarëve të vet, me theks të veçantë shlirimtarëve shqiptarë.

 Se sa janë serioze njohjet, dëshmon edhe fakti tjetër. Me insistimin e ndërkombëtarëve, është krijuar Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte. Në atë gjykatë (Hagë) u ulën në bankën e të akuzuarve disa ushtarakë, në mesin e tyre edhe Ramush Haradinaj, dhe, atë, dy herë. Në të dyja proceset u shpall i pafajshëm. Kjo iu duke pak ndërkombëtarëve, sa i detyruan Qevrinë dhe Kuvendin e Kosovës, me insistimin e Serbisë, për krijimin Gjykatës Spaciale, vetëm për shlirimtarët e Kosovës. Mostra e dënimeve, në atë gjykatë është marrë, me rastin e Sami Lushtakut, përgjegjësia komanduese. Prandaj, shtetet inicuese të këtyre gjykatave, sidomos, kësaj të fundit, ka qenë dashtë t’i shpallin fletarrestet e Serbisë të pavlefshme, të kundërtën,  kjo nënkupton ndikimin politik në gjykatë, që do ta kenë akterët e veprimit, në bazë të fletarresteve të Serbisë dhe Malit të Zi. Interpollit, duhet sugjeruar, se vlejnë vetëm ato fletarreste të lëshuara nga kjo gjykatë dhe të gjitha të tjerat, duhet shpallur inekzistente.

Prishtinë, 07. 1. 2017

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode