RECENSION: Tafil Duraku / Trekëndësh malli, poezi
21/06/2023 20:27
RECENSION
Tafil Duraku / Trekëndësh malli, poezi
Tafil Duraku
I lexova me vëmendje këto vargje titulluar kështu, vargje që lindin në një KOHË NJERKË, e po të pajtohet poeti, i propozoj edhe ta shohin dritën me këtë titull sepse, më thotë mendja se ky titull është adekuat dhe flet shumë edhe si figurë edhe si simbolikë e njeriut tonë dhe rropatjet e tij për të mbetur gjallë në këtë kohë njerkë, e cila, për fat të keq e tillë qe dhe pa fije turpi e tillë mbeti.
“mbështjellë me lutje
për një kafshatë
asnjë shekull nuk të heq nga udha…”
Pra, ja edhe dëshmia nga vjersha “BUZË UDHE”, që flet më së miri për fatin e njeriut tonë.
Në këtë vëllim ka realizime, vargje, kryesisht në vjersha të shkurtëra, vargje të lira që bindshëm vajtojnë për fatin tonë nga e kaluara, e tashmja e hidhur. Megjithatë, lirika dhe jo vetëm ajo fekson shpresë për të ardhmen. Vetë fakti që në këtë vëllim janë përfshirë, e më parë janë realizuar lirikat e dashurisë, dëshmon më së miri që koha njerkë, që s’pati dashuri për ne, bën të vetën, ushtron dhunë mbi ne, por, ne, patjetër që dashurojmë sepse kjo na mban në jetë: dashuria dhe shpresa.
Vargjet, pos të tjerash, afrojnë nga largësia në horizont edhe një tis të dritësuar, një shpresë për të ardhmen. Autori, në shumë vargje qesendisë jetën, njerëzit dhe fatin. Pulson në këtë poezi absurdi, ironia por edhe mospërfillja e njeriut tonë, sepse, mbase, është mësuar me tragjedinë dhe mynxyrës së kohës sonë sikur i thotë tërthorazi: “Kot e ke!”
Preokupimi i Durakut, pra, është fati ynë, njësoj si i shumë krijuesve tanë, por origjinaliteti e bën të jetë i pavarur. Përpiqet por edhe arrin ta vë pikën ku duhet, ku mbaron vjersha e cila nuk duron shpjegim.
Mendoj gjithsesi që T. Duraku, si gjurmues temash e idesh, këtë herë ia ka arritur që këto t’i ngrisë në subjekte që me pak fjalë thonë mjaft dhe tingëllojnë poetikisht.
Këtë vëllim me poezi e propozoj për botim.
Prishtinë, më 21 prill 1992
Me nderime,
Rifat Kukaj
(Nënshkrimi)