REAGIM / E VËRTETA E PRISHJES ME KINËN DHE VETËVRASJA E MEHMET SHEHUT (2)
21/06/2018 07:30
REAGIM
E VËRTETA E PRISHJES ME KINËN DHE VETËVRASJA E MEHMET SHEHUT (2)
(Pjesa e dytë e shkrimit replikë me profesorin e La Sapienzas, Luca Micheletta)

Muharrem XHAFA
Shkrimi – “Shqipëria Komuniste mes Lindjes dhe Perëndimit” – botuar më 12 qershor 2018 në “Dita”, mbyllej se për të plotësuar e kundërshtuar disa mendime për marrëdhëniet e Kinës me Shqipërinë, çështjen e bunkerëve “shqiptarë”, vetëvrasjen e Mehmet Shehut e ndonjë gjë tjetër, do të vijojë me një tjetër shkrim, mbase edhe duke përsëritur lehtë ndonjë ide.
1
Shqipëria, kur u prish me Kinën, italianët e perëndimorët në tërësi, nuk bënë gjë në dobi të saj. Ndodhi si më 1961-in, kur ajo u nda me hrushovianët.
Po, përse u mbajt ky qëndrim? E vërteta është se Perëndimi e Italia mbajtën qëndrim kundër Shqipërisë, sepse kjo vazhdonte të ishte një vend socialist i vërtetë. S’ka asnjë argument të italianëve e të perëndimorëve, që të mund të justifikojnë qëndrimin e tyre kundër Shqipërisë socialiste.
Pas vitit 1968-69 (më 1972 Mao priti në Pekin presidentin Nikson) Kina filloi të afrohet e të bëhet palë me amerikanët, të ndryshonte qëndrimin e saj, edhe pse ishte deklaruar më parë një vend komunist konsekuent, antiimperialist e antirevizionist. Ky ishte shkaku i prishjes së Shqipërisë me Kinën (marrëdhëniet diplomatike u mbajtën). Prof. Micheletta thote qartë se kinezët nisën të afroheshin e të kishin marrëdhënie shumë të mira me Jugosllavinë (dhe me Rumaninë), çka nuk u pëlqente shqiptarëve.
Sigurisht, kjo nuk u pëlqente shqiptarëve! Për më tepër që kinezët u lidhën me imperializmin amerikan, mbështetën shtetin serb (jugosllav) dhe pak më vonë do të deklaroheshin botërisht kundër Kosovës, duke thënë: “Kosovo is Serbia”! Enver Hoxha nuk mund ta pranonte këtë qëndrim të revizionistëve kinezë, ndaj, ua tha, po botërisht: “Kosova është Shqipëri”, jo Jugosllavi! Qëndrimit të italianëve pro Jugosllavisë si vend në shërbim të imperializmit, ia vë “vulën” ajo që thotë Micheletta: “Kinezët e amerikanët donin të mbështesnin vendet që ishin kundër BS”.
2
Shqiptarët e Shqipërisë socialiste nuk kanë pranuar që siguria e tyre si popull dhe e vendit të tyre të vinte nga NATO.
Profesori gabon kur thotë se shqiptarët (është fjala për atëherë) “pranojnë një realitet, i cili është i vështirë për t’u pranuar, që siguria e tyre vjen nga ana e NATO-s”! “Çuditërisht”, ai bën një tërheqje të mençur nga ky pohim, kur pyetet nëse Enver Hoxha e Mehmet Shehu “ishin të ndërgjegjshëm për këtë, e kuptonin këtë situatë”? “Nuk e di, thotë Micheletta, por mendoj që po”! Pra, e lë opinionin e tij në kuadër të një hamendjeje! I guximshëm, po edhe kontradiktor, është Prof. Micheletta, kur thotë se ata ishin “mjaft inteligjentë, dinakë e të aftë në politikë për të kuptuar këtë gjë”, ndonëse “nuk mund ta pranonin, pasi ishin në armiqësi ideologjike me perëndimin”! Ky vlerësim s’është i saktë, sepse Shqipëria socialiste s’ishte me Perëndimin (as me Lindjen) vetëm në armiqësi ideologjike, po më gjerë, sepse rrethimi e bllokada ekonomike e Perëndimit dhe Lindjes kundër Shqipërisë socialiste shprehnin jo vetëm armiqësi ideologjike!
“Kinezët në gjysmën e viteve ‘70 nuk kanë më raporte të privilegjuara me Shqipërinë”- thotë Profesori dhe, me që s’kanë raporte të këtilla, shton se “nga këndvështrimi i sigurisë dhe politikës ndërkombëtare nuk ka dyshim dhe nuk është e vështirë të nënkuptohet që dalëngadalë Shqipëria rrëshqet drejt perëndimit”? Hamendësime mund të bëhen plot, por ky është shtrembërim i së vërtetës historike! Micheletta kundërshton veten për çfarë ka thënë më parë. Perëndimi, ka thënë ai, e dinte që Kina e largët nuk mund ta mbronte Shqipërinë në brigjet e Adriatikut! Pas prishjes me Kinën thotë: “Kush e mbron Shqipërinë në këndvështrimin ndërkombëtar”? Pra, e paskan mbrojtur kinezët deri më tani dhe se pas prishjes me kinezët Shqipërinë nuk e mbronte më kush, veç Perëndimit! Të pavërteta! Krejt të pavërteta!
Që shteti shqiptar dhe Enver Hoxha e kishin Republikën Popullore të Kinës një mbështetje të fuqishme edhe për mbrojtjen e vendit, kjo nuk mund të mohohet. Po mbrojtja e Shqipërisë s’është bazuar asnjëherë në çfarë mund të bënte Kina për mbrojtjen e saj. Jashtë një realiteti konkret, Micheletta është edhe kur thotë se në këndvështrimin ndërkombëtar tani që u prish edhe me kinezët, Shqipërinë do ta mbronte “Perëndimi, NATO edhe pse nuk ishin aleatë me Tiranën, madje ishin si të themi armiq”. E përse do ta bënte perëndimi këtë? Profesori thotë “sepse perëndimi kishte interes që rusët të mos vinin në Adriatik” dhe se në atë kohë frika më e madhe e perëndimorëve ishin rusët, sovjetikët, të cilët trembeshin “se sovjetikët ndërhyjnë në Shqiperi duke kaluar nga Jugosllavia!”
S’po zgjatem më tej në këtë temë, që është e gjerë, komplekse e me shumë interes për t’u trajtuar më vete, po i sugjeroj prof. Michelettas të lexojë, kur të ketë kohë, çfarë thotë Enver Hoxha nëse rusët sulmojnë Jugosllavinë dhe si do të mbrohej Shqipëria!
4
Një shuplakë per politikën e shtetin e sotëm shqiptar është përgjigjja që Prof. Micheletta i jep gazetarit për bunkerët, nëse “a mund të justifikohet ndërtimi i tyre për t’u mbrojtur nga armiqtë e jashtëm”. Se, po të kishte pasur mendime të tjera për rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë ose për rusët a kinezët, Enveri do t’ia kishte bērë të ditur botës! Ai nuk ka heshtur kurrë!
Profesori i La Sapienza-s bën mirë që i përgjigjet pyetjes sa Enver Hoxha e kuptonte situatën, “po e pranonte apo jo, nuk e di”, por sidoqoftë “e kuptonte, pasi ishte një burrë me eksperiencë të madhe, dinte të bënte politikë”.
5
Për sa njohje ka, Prof. Micheletta e vlerëson figurën e Enver Hoxhes. Po burimet e përdorura prej tij për ta ndihmuar në njohjen e Enverit janë të njëanshme e të varfra. Për të njohur se cili është Enver Hoxha nuk mjaftojnë, i nderuar Profesor, raportet që shkruanin diplomatët e gazetarët italianë, dokumentet e amerikanëve, informacionet e CIA-s etj. Duhen studiuar e njohur edhe arkivat shqiptare, arkiva e Ministrisë së Jashtme të kohës së socializmit, veprat e Enver Hoxhës për marrëdhëniet me italianët, anglezët, amerikanët, rusët, kinezët, jugosllavët etj. Pa njohur këto nuk mund ta njohësh në kompleks personalitetin e Enver Hoxhës, sepse Enveri është njê personalitet komunist marksist-leninist i përmasave botërore, siç shkruan prof. Micheletta, “një burrë me eksperiencë politike dhe dinte të bënte politikë”. Dua ta përgëzoj profesor Micheletta-n, i cili e quan Shqipërinë socialiste të udhëhequr nga Enver Hoxha “garancia e sigurisë për perëndimin” dhe se “regjimi shqiptar ka qenë i aftë t’u japë shqiptarëve një shpirt atdhetar, duke organizuar ushtrinë shqiptare”, se të gjithë janë të bindur që “nëse do të kishte ndonjë sulm a luftë, shqiptarët do të luftonin kundër pushtuesit me disiplinë”. Sa lart qëndron Profesori i La Sapienza-s krahasuar me liliputët e borgjezisë shqiptare!
6
Micheletta-n, profesorin e La Sapienza-s, nuk mund ta mendojmë as një komunist e intelektual marksist-leninist, po as nuk mund ta anatemojmë kur shkruan se të dhënat e lexuara prej tij e paraqesin Enver Hoxhën “një komunist… një diktator”, që, gjithsesi “për perëndimorët, ishte më mirë Enver Hoxha se sa rusët në Shqipëri”..se Shqipëria, e kam thënë jo një herë, “garantonte mbrojtjen e perëndimit”, gjë kjo shumë e rëndësishme, shkruan Profesori, gjë tjetër që “nuk thuhet me zë të lartë” nga perëndimorët. Përforcoj se s’ka si të mos jetë kjo një shuplakë për politikanët e shtetarët borgjezë të vendit tonë, për borgjezinë e shtetin e saj. Kjo pamje bëhet më e plotë, kur lexon të thuhet që “regjimi, ndonëse ka shume pika negative (përçka s’jam i një mendimi, M. Xh), është ky që ka organizuar e disiplinuar popullin shqiptar, duke vendosur kulturën apo etikën e shtetit dhe shpirtin nacional. Janë shumë arritje të konsiderueshme në atë kohë dhe ju i dini se cilat janë ato”, pohon Profesori i La Sapienza-s. Si për të qortuar pjesëmarrësit e auditorit shqiptarë, italianê e të tjerë, Michelatta tërheq vëmendjen se “Ato arritje nuk duhen mohuar edhe pse ndodhën në kohën e diktaturës”. Profesori s’ka frikë të thotë e të pohojë se socializmi i ka dhënë vendit e popullit “arritje që nuk duhen mohuar”. Të lumtë Profesor! Vetëm Profesor Rexhep Qosja ka guxuar të flasë kështu!
7
Në intervistën e tij, Prof. Micheletta flet “në kalim” për vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe për disa çështje që nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë gjatë Luftës së Ftohtë, po me marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë pas vitit 1990, me opinionin e tij për pranimin e Shqipërisë në BE, Ramiz Alinë dhe Sali Berishën! Nuk do te ndalem në këto çështje, se janë thënë e përsëritur, po do te them diçka shkurt për vlerësimin e Profesorit lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut.
Prof. Luca Micheletta pyetjes së gazetarit “Si e konsideroni “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut në vitin 1981”, i përgjigjet me kujdes, duke thënë: “nuk e di, nuk kam asnjë ide të saktë e përfundimtare, nuk di ç’ka qenë, vrasje, vetëvrasje apo asistim në vetëvrasje!”, bën një kalim korrekt nëpër biografinë e tij, propozon të bëhet dhe një biografi për ‘të. Po, ai e di sepse, përgjigjet që Mehmet Shehu “ishte një emër i rëndësishëm i regjimit, po aq sa Enver Hoxha e ndoshta edhe më shumë se sa ai…”!!Ngjan të ketë qenë nën presion, sepse shton menjëherë që “ka qenë krahu i djathtë i Enver Hoxhës…” Pra, tejet kontradiktor: Edhe krahu i djathtë i Enverit, edhe më i rëndësishëm se Enveri??! Enver Hoxha tërë jetën ka qenë Komandant edhe i Mehmet Shehut.
DITA