QË TË MOS FLASIM PËR TURPIN TONË
01/06/2010 17:37
QË TË MOS FLASIM PËR TURPIN TONË...
NGA PREÇ ZOGAJ
"Le të flasin të tjerët për turpin e tyre, unë flas për timin", shkruante 70 vjet më parë shkrimtari gjerman Bertold Breht. Ishte një nga kritikët dhe kundërshtarët më të mëdhenj të nazizmit në atdheun e tij. Për ketë shkak qe detyruar të jetonte në mërgim deri në përfundimin e luftës; librat e tij qenë djegur si në mesjetë me urdhër të Hitlerit. Nuk kishte pra asnjë lidhje me regjimin, përkundrazi. E megjithatë, në një kuptim me të lartë, ndihej i përfshirë, i vinte turp, ndihej pjesë dhe përgjegjës për krimet, shkatërrimet, agresionin dhe holakaustin. Sepse ishte gjerman, intelektual, poet, dramaturg...
Shembullin e Brehtit, si ndërgjegje kritike dhe njëherësh bashkëpërgjegjëse të kohës së tij, e gjejmë të shprehur në forma të ndryshme në çdo komb. Edhe në Shqipëri. Sipas Ismail Kadaresë, Lasgush Poradeci e tregonte dënimin e shkrimtarit Vinçens Prendushi në numrin shumës, si të kishte qenë prokurori dhe gjykatësi i tij, madje me shumë, si të kishte qenë pjesë e kupolës politike ku merreshin vendimet për likuidimin e kundërshtarëve. Pse thua "kur e dënuam"? e kishte pyetur Kadare. "Sepse poeti është përgjegjës për gjithçka", ishte përgjigjur Poradeci me të folurën e tij të qartë dhe mistike njëkohësisht. Intelektuali, edhe kur nuk ka gisht, edhe kur lufton, edhe kur distancohet nga e keqja, ndihet i mundur në kredon e tij nëse e keqja triumfon. Këtu e ka fillesën ndjenja e tij e përgjegjësisë, e bashkëfajësisë, që është njëkohësisht ndjenja e një reflektimi aktiv, me vlera të veçanta frymëzuese dhe emancipuese për mbarë shoqërinë.
"Njësimi" me të keqen e vendit është një nga mënyrat që përdorin intelektualët dhe politikanët e ndriçuar për ta luftuar me zemër dhe me vizion të gjerë këtë të keqe, si një diçka që nuk bie papritur nga qielli, që nuk është thjesht "pronë" e disa të këqijve, që nuk mbetet thjesht te ata që e shkaktojnë, por u shpërndahet të gjithëve. Nuk kemi shumë intelektualë të tillë që kanë aftësitë "për të vënë në dyshim sisteme dhe zgjidhje", siç thoshte Vasllav Havel. Por kemi aq sa duhet, sepse nuk mund të jenë shumë dhe askund nuk janë shumë. Vendi i pret dhe i kërkon gjithmonë, sidomos në ditë të këqija, kur qeveritë dhe drejtuesit politike përfshihen në ngjarje që jo vetëm prishin imazhin e kombit, por, më keq akoma, e shtyjnë vendin verbërisht drejt humnerës dhe turpit. Nuk ka alarm më të madh për mendjet e përgjegjshme të elitës intelektuale, sikurse edhe për më të rinjtë, që janë duke e ndërtuar personalitetin e tyre si profesionistë dhe njerëz të lirë.
A është tani momenti, a është sot dita, a është kjo që po jetojmë një periudhë e keqe, dëshpëruese, e padenjë, e errët, e rrezikshme dhe madje edhe e turpshme për mbarë politikën shqiptare? E vërteta është se sidomos në dy-tre javët e fundit, rastësisht apo jo rastësisht, Tirana dhe Prishtina politike janë gjendur në syrin e ciklonit, në kuptimin që Europa dhe SHBA-ja po merren si rrallë herë me problemet e tyre të pazgjidhura, me punët e tyre të dyshimta, me naivitetin dhe marrëzinë e ca të tjerëve bashkëkombës që kanë dëshirë të sillen si cuba.
Të sqarohemi: SHBA dhe Europa na kanë ndihmuar këto dy dekada, aq sa nuk na kanë ndihmuar përgjatë disa shekujve me radhë. SHBA dhe Europa e sotme janë fati ynë i kthyer mbarë. Ne u dedikojmë atyre këtë demokraci që kemi, e cila, me gjithë mangësitë e mëdha, ndryshon si nata me ditën me diktaturën komuniste; u dedikojmë ruajtjen e shtetit dhe integritetit tonë në vitin 1997, u dedikojmë çlirimin e Kosovës nga pushtimi dhe represioni shekullor serb, hyrjen e Shqipërisë në NATO, shpalljen, njohjen dhe forcimin e pavarësisë së Kosovës, marrëveshjen e Ohrit për të drejtat e popullit shqiptar në shtetin multietnik të Maqedonisë... Janë kontribute të mëdha që kanë përcaktuar historinë e re të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Ballkanit, sikurse kanë gdhendur mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar për miqtë perëndimorë.
Pikërisht për këtë arsye, qeveritë dhe partitë shqiptare do të duhej të ishin shembull i respektimit të vlerave perëndimore. Shqipërisë i shkon të jetë nxënësja e mirë e Perëndimit. I shkon Kosovës. U shkon partive shqiptare në Maqedoni. E gjithë kjo nuk vjen në kundërshtim me dinjitetin njerëzor dhe kombëtar. Përkundrazi. Tiparet tona me të mira vetëm spikasin në një shoqëri të lirë dhe në një botë të lirë. Këto janë të qarta.
Por me dëshpërim vëmë re se këto javët e fundit Europa dhe SHBA nuk janë marrë me ne si me një partner të respektuar, por si me një nxënës problematik, zevzek, të paparashikueshëm, që nuk di ta çmojë ndihmën, që është gati të sakrifikojë aspirata dhe deri edhe kursin e politikës së jashtme në emër të pushtetit dhe interesave vetjake që burojnë prej tij.
Shqipëria po rrezikon shumë me mungesën e një marrëveshjeje për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Një gjë aq e zakonshme në botën demokratike është ndërlikuar në atë shkallë sa i ka njollosur zgjedhjet më shumë se sa do t'i kishin njollosur manipulimet e gjendura në kuti. Takimi i Strasburgut ka hapur një spirale për zgjidhjen e krizës, por hija e hileve dhe prapamendimeve vjen rrotull me nijetin për të sfiduar afatin që kanë venë europianët dhe amerikanët për gjetjen e zgjidhjes. Pasojat e dështimit janë shqiptuar me një gjakftohtësi kasandrash: dosja e integrimit të Shqipërisë në Europë do të pezullohet, derisa ta çlirojnë vetë shqiptarët; zgjidhja do të përfundojë sërish në mëshirën e palëve si një ndëshkim për palët. Tashmë vetëtransferimi i zgjidhjes së krizës jashtë Shqipërisë përbën një kthim të madh prapa të demokracisë shqiptare. Merret me mend se sa shumë do të na kushtojë dështimi në Strasburg. Mund të imagjinojmë se sa shumë do të shtohen vështirësitë dhe të papriturat nëse dorëzohen diplomatët, ekspertët, politikanët që po përpiqen akoma.
Kryeministri Berisha mund t'ia kishte kursyer e mund t'ia kursejë akoma vendit të tij koston e bllokimit të transparencës sipas standardeve europiane. Ndokush mund të më thotë: pse jo dhe Rama? Përgjigja: Që nga vjeshta e vitit të kaluar Rama ka hedhur e vazhdon të hedhë disa hapa prapa, që në fakt janë hapa para drejt marrëveshjes. Ndërkaq, midis transparencës së vërtetë dhe transparencës fiktive jashtë kutive, unë zgjedh të parën. Po të heqin dorë Rama dhe opozita nga transparenca e vërtetë, veç tradhtojnë misionin e opozitës në demokraci.
Kur vinë të këqijat, hapu derën, thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Pikërisht në kohën kur Europa që po merret siç po merret me krizën e Tiranës, misioni i EULEX-it dhe zyra e Prokurorit Special në Kosovë ka ndërmarrë një valë bastisjesh e kontrollesh dhe po heton për përfshirje në korrupsion të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transportit të qeverisë së Kosovës. Rrezja e hetimeve duket se do të shtrihet edhe në institucione të tjera.
Lajmet janë tronditëse jo vetëm për shifrat e dyshuara të korrupsionit në një vend aq të vogël dhe në një shtet aq të ri siç është Kosova, por para së gjithash për kontekstin politik që kanë. Befasia e operacioneve të EULEX-it ndaj një anëtari të kabinetit të Hashim Thaçit tregon se diçka e rëndë po ndodh në Kosovë. Ministri në hetim, Fatmir Limaj, ka bërë mirë që ka deklaruar gatishmërinë për të bashkëpunuar me misionin europian të sundimit të ligjit. E njëjta gjë kërkohet nga gjithë institucionet e shtetit të ri të Kosovës. Edhe pse në pamjen e jashtme, sekreti i operacioneve të EULEX-it dukej sikur ishte në kufijtë e arrogancës dhe tendenciozitetit. Por, kjo nuk është e rëndësishme. Shteti i Kosovës ka nevojë të pastrohet nga dyshimet dhe akuzat e ngritura në forma të ndryshme ndaj zyrtarëve të saj. Kjo është thelbësore. Të gjithë shqiptarët e kanë të qartë në këtë moment se korrupsioni është armiku më i madh i Pavarësisë, është shpërdorimi më i madh i sakrificave për Kosovën e lirë, është pabesia më e madhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës. Prandaj transparenca është emergjencë edhe në Prishtinë.
Me keqardhje kemi vënë re se vitet e fundit kultura politike e drejtimit në Kosovë ka një prirje të lexueshme të imitojë dhe përvetësojë disa nga klishetë dhe antivlerat më të spikatura të kulturës së drejtimit në Tiranë. Mund të themi me plot gojën se "kulturat politike" të dy kryeqyteteve janë shkrirë në një, për sa i takon sjelljes plot mburrje dhe të folurit me slogane, që është gjuha e varfër e demagogjisë dhe abuzimeve. Në vijim, Kosova ka marrë e po merr nga Shqipëria edhe modele investimesh e shpenzimesh që do t'i kushtojnë rëndë ekonomisë së saj, edhe pse mund të kënaqin përkohësisht ekzigjencat e zyrtarëve të saj të lartë. Ndërkaq, megjithëse nuk e ka të mundur të imitojë Tiranën edhe në fushën e drejtësisë për shkak të pranisë së një fuqie indipendente siç është EULEX-i, Prishtina nuk duhet të tundohet në asnjë rrethanë të imitojë kulturën e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, që është vendosur në Shqipëri falë sundimit të Politikës mbi Ligjin.
Shqipëria ka paguar, po paguan e do të vazhdojë të paguajë për ketë. Vetë kriza e tanishme, që ka ngritur në këmbë Europën dhe SHBA-në, e ka origjinën te dhunimi flagrant i ligjit të zgjedhjeve për votimin, numërimin, ankimimin dhe rinumërimin.
Të bëjë Tirana transparencën e zgjedhjeve, të bëjë Prishtina transparencën e dyshimeve dhe akuzave për korrupsion, të mbajnë fort shqiptarët e Maqedonisë flamurin e Maqedonisë multietninë dhe euroatlantike - kjo është përgjigja e shqiptarëve ndaj sfidave të kësaj kohe. Kjo është thirrja dhe dëshira. Që të mos vazhdojmë të flasim për turpin tone. Që të mos na ndodhë siç i ndodhi Bertold Brehtit që shkroi dikur këto vargje të trishtuara për atdheun e tij: O Gjermani, o nënë e zbehtë/ si të paskan katandisur bijtë e tu...
(Marrë nga shekulli.com.al, më 29 maj 2010)