QË JANË MULLI ME UJË E MORA VESH, POR UJI NGA JU VJEN?
04/03/2019 06:19
OPINION
QË JANË MULLI ME UJË E MORA VESH,
POR UJI NGA JU VJEN?
Kristo MËRTIRI
Le të mirëkuptohemi qysh në fillim : Nuk është fjala vetëm për ajkën a gardën e Opozitës, por edhe për atë të Maxhorancës. Dhe as thjesht për parlamentarët e sotëm dhe zyrtarët e tjerë të lartë në metropol a në provinca. Më shqip, edhe për posterënët që nga majat e Shtetit e të Pushtetit, të Polit(h)ikës e të Ekonomisë, të Legjislativit e të Ekzekutivit. Tashmë shumicën e tyre i njohim me zë e me figurë. Majtas e Djathtas ! 3 dekada nuk janë pak në krijimin e një rrethi vicioz tragjikomik, rreth që po ngjan përditë e më tepër me një rrotullame litari që të kall datën në qafën e sfilitur të popullit fukara. Popull që shushatet e tulatet nga daullet e çara të moralit të ndryshkur nëpër tribuna, foltore sallash e në sheshe ku shiten përsheshe me okë “përgjërimesh”, betimesh, deklarimesh e përgjimesh pa fund. Rrofshin mjetet elektronike që hargalisin e gudulisin Prokuroritë, Policitë, Partitë, Median mediokre e përtace, vetë opinionin e çartallosur përballë ekraneve të mbarsur nga dosjet “sekrete” të mirëpaguara nëpër skutat e Drejtësisë uloke e marroke. Drejtësi që ngopet e velet me volumet madhore me përgjime e thërrime, me dialogje rondokope e harakope, me ordinerë e kalanderë që mbajnë gjallë borderotë e pagave me gjyqtarë e prokurorë qyqarë. Kur i shikon volumet e fryra mbi tavolina, në pamje të parë i thua vetes: O boboo, çfarë pune titanike hetimore e gjyqësore është bërë, hallall u qoftë! Dhe të bëhet sikur dëgjon dhjetra e qindra dëshmitarë (të gjallë e të vdekur) nëpër ballafaqimet sy më sy në zyra e qelira. Por, përgjithësisht, kjo ndjesi njerëzore mbetet thjesht një ëndërr a përrallë nazike në të dalë të dimrit. Dhe përgjimet lumë, shpesh mbulojnë paaftësinë, profesionalizmin e vetë gjurmët pa gjurmë të korrupsionit galopant e sfidant. Mirëpo, ato vërshime paradoksale një ditë kthehen në ortekë thashethemnajash juridike, mediatike e politike. Ama, kur hyn e ulet këmbëkryq kjo e fundit, hetimi dhe gjykimi i vërtetë marrin porropinë. Nëpër sallat e Gjykatave fryn e shfryn era e rëndë e Polit(h)ikës së ditës, erë që lëkund si kallam Drejtësinë dhe jep mesazhe të qarta anësie, larg ndershmërisë profesionale, intelektuale e qytetare. Në ato salla hije e fasada shkëlqimtare, ndoshta ndihet mungesa e thirrjeve të hapura mitingashe e partiake.
- Ore babam, për ne miqtë e tu që jetojmë te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit, protestat më mbushamendëse e më të pastra për çdo shqiptar të zakonshëm do të ishin ato që rrethojnë vilat private të pushtetarëve e opozitarëve; pallatet e tyre; dyqanet e apartamentet e shumta luksoze; bankat që mbajnë me kimet kartat e tyre me llogari të majmura mbi kurrizin e “shtresave të paprivilegjuara” etj. Pa përmendur këtu sojin e sorollopin e tyre ku fshihen mjaft pisllëqe të dukshme e të padukshme, duke groposur Transparencën për të cilën bëjnë sikur hidhen në “zjarr” përditë! Se pacipëria e këtij Tranzicioni rrumpallë po arrin kulme të padëgjuara: Nga balli i mitingjeve partiake e fluturake, por edhe nga podiumi i tempullit të demokracisë në Parlament, u drejtohen fukarenjve rripshtrënguar e të uritur me një fjalor përulësie e hipokrizie të pashoqe, i furnizojnë me shashka e bujashka elektorale për të ruajtur me thonj e me dhëmbë favoret e privilegjet vetiake e familjare. Dhe pas çdo zallamahie, ecin me kokën lart përmes turmës dhe mbyllen nëpër vila e apartamente vezulluese europiane. Ndërsa njerëzia e thjeshtë plot halle që përleshet me ruajtësit e Rendit Publik, i heqin këmbët zvarrë e të uritur dhe mbyllen zëngjirur e të sfilitur nëpër shtëpitë e mbytura nga varfëria! Vallë, vërtet i besojnë ende politikanët e kamur me rroga shteti ?...Tjetër. Fjala vjen, 5 ditë më parë si s’na ra damllaja, kur kënduam një haber-zezonë në media. Vetëm një fjali që mund të plasarisë gurin e drurin, por edhe çdo njeri me mish e me gjak në këtë botë jallane: “Në katër vitet e fundit në vend janë vetëvrarë mbi 650 persona, kurse dukuria e flijimeve në burgjet shqiptare ka nisur të bëhet shqetësuese”(?!). Asnjë politikan e shtetar nuk pipëtiu. As nëpër fejsbuqe e ulluqe. Të gjithë vrapojnë për të kapur e mbajtur pushtete ku burojnë para të thata e të njoma, paçka se qelben kokë e këmbë. Me sa duket, shifra të tilla ulërimë, për kupolën e sotme politike të Shqipërizës tonë do jenë bërë si “bukë e djathë”. Gjer më sot (larg qoftë!), asnjë politikan nuk ia ka hequr vetes! Megjithëse idealit të vërtetë mëmëdhetar i kanë falur me kohë arratinë dhe mjaft punonjës të Drejtësisë janë katandisur si limonë të shtrydhur në karakter, jo në pasuri…
Gurët e mullirit të Pseudodemokracisë shqiptare po punojnë më tepër në boshllëk. Hajdutëria, mjerisht po bëhet mënyrë jetese e pushteteve që vijnë e shkojnë kaluar ! Pandëshkueshmëria e krerëve të kupolës pluraliste u ka futur thikën në kockë fukarenjve, djalërisë që po ikën nga sytë këmbët nëpër udhët e botës, nëpër detet e zhgënjimit e të dëshpërimit biblik. Duke lënë prapa halle të mëdha në familje e në shoqëri, duke u ndarë për së gjalli me prindërit që u dridhen buzët dhe duart nëpër tregje e kafenera dhe belbëzojnë hidhur me veten. Parmbrëmë, dy miq të mi zagoritë te Brryli, shkrepën një polemikë për mullinjtë me erë dhe ata me ujë në politikë, për shpenzimet e mëdha e pa bukë në fasada pedonalesh, në mitingje e lobingje brenda e jashtë vendit, në varavingot me taborë show nëpër rrethe(majtas e djathtas). Më në fund, plasi pakëz humor i natyrshëm. Më thinjoshi i vuri kapak muhabetit me një tip të shkurtër anekdote :
- “Njëri, kur pa një mulli me erë, u çudit ngaqë s’kishte parë ndonjëherë dhe pyeti se çfarë ishte.
- Mulli me erë, - iu përgjigjën.
- More, që është mulli me erë e mora vesh, po nga i vjen uji?...”.
Gënjeshtra, jo gjithmonë i ka këmbët të shkurtra. Mungesa e shtetit të vërtetë ligjor në praktikë, sidomos përballë politikanëve të çdo ngjyre e istikami, po e than realisht besimin popullor që shpërtheu optimist e gjer në ekstazë 30 vite më parë. Me këtë kupolë drejtuese, Shqipëria e jonë do të lëngojë gjatë! Dhe nuk është vetëm bindja ime personale. Përkundrazi. Atë që ata mbollën në vite, po e korrin njerëzit e thjeshtë hallexhinj. Një amanet i Hygoit të pavdekshëm, nuk harrohet: “ Miqtë e mi, mbajeni mend mirë: nuk ka as barëra të këqija, as njerëz të këqij, ka vetëm kultivues të këqij!”. Mirëpo, mbi këtë tokë lahen si të mirat dhe të ligat në jetë e në politikë. Por, më mirë se kushdo i pastron Shteti i së Drejtës që ëndërrojmë. Përshembull, a e dini cila ishte një nga akuzat ditët e fundit ndaj një ish politikani italian 72 vjeçar? “Dreka dhe darka luksoze, shëtitje me jaht dhe një vilë në Sardenjë”(!) E tha saktë një analisti ynë, “vështirë të ketë kushtuar më shumë se disa vila në Gjirin e Lalëzit apo në rrethinat e Tiranës”. Po sa u dënua në këtë fundshkurti? 5 vjetë e 10 muaj burg! Në emër të një “reforme spitalore” në Lombardi, rrihte gjoksin e kapardisej si maçoku në thekër vite me radhë. Veçse “nëpërmjet fondacioneve dhe shoqërive të regjistruara jashtë vendit, i kishte rrëmbyer arkës së shtetit mbi 78 milionë euro”!? Mashtrues jo dosido që dikur ia hodhi paq deri edhe stuhisë së mirënjohur “Duar të Pastra”. E morët vesh nga i buronin paratë? E deklaroi një prokurore trime: “Paratë vinin nga ilaçet e hequra të të sëmurëve”. Krahasojeni me Prokurorinë tonë topalle që nuk i ngre hiç sytë nga tavani ! Dashuri e dhembshuri, apo paaftësi e hipokrizi lapidare? Minimalisht, le të dëgjojnë atë aforizmën e bukur agolliane: Po të kujdesesh vetëm për tavanin, kalbet dyshemeja…
TemA