PUSHKA E “JASHARAJVE” QËLLOI JO VETËM MBI SHOVINIZMIN SERB POR EDHE MBI ILUZIONISTËT E “FITORES ME RRUGË PAQËSORE”

09/03/2023 06:21

OPINION

 

 

PUSHKA E “JASHARAJVE” QËLLOI JO VETËM MBI SHOVINIZMIN SERB POR EDHE MBI ILUZIONISTËT E “FITORES ME RRUGË PAQËSORE”

 

Nga Ylli MEÇE

 

 

Tashmë dihet se epopeja tre ditore e fisit “jasharaj” të Prekazit ,ishte preludi që do të trondiste jo vetëm Serbinë por dhe krejt Kosovën, do të habiste dhe vet Evropën e cila si e përgjumur as nuk mund ta merrte me mënd dhe kurrë nuk do e besonte se prej një kulle e cila ishte shndërruar në një kështjellë heroike, do të ngrinte në alarm gjithë kancelaritë e saj madje dhe përtej Atlantikut. Dihet historikisht se trojet shqiptare kanë qenë objekt jo vetëm i lakmisë së fqinjëve, por shpesh duke i njohur këto lakmi dhe vet fuqitë e mëdha, janë futur në pazare te fshehta e të hapura, për të kënaqur dhe zgjeruar orekset shoviniste të tyre, mbi kurrizin e popullit shqiptar. Mbarimi i luftës ruso- turke do të finalizohej me traktatin e “Shen Stefanit”( 1878) traktat ky, që gjunjëzonte Turqinë por dhe pjesë të ish Perandorisë së saj, ku përfshihej dhe Shqipëria nga ku do tu ndaheshin shteteve sllave të Ballkanit duke zgjeruar Malin e zi, (Plave -Guci- Ulqin etj), Serbinë (Kosovën) dhe Bullgarinë (pjesën e Maqedonisë së sotme Ohrin Strugën Manastirin), pa folur këtu dhe për Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, e cila konfirmoi dhe një herë egërsinë e saj ndaj çështjes shqiptare. Lufta e dytë botërore dhe pse ishte një luftë e cila në fazën e parë te saj filloi si një lufte agresive dhe pushtuese; në fazën e dytë ajo u kthye në luftë çlirimtare duke u bërë shpresë për popujt për të qenë të lirë e të pavarur dhe me të drejtën e tyre për vetëvendosje. Megjithëse ”Karta e Atlantikut” e kodifikonte këtë si një vendim të karakterit ndërkombëtar, përsëri po ato fuqi të mëdha do të vendosnin, që mbas përfundimit të luftës, vendet, shtetet dhe nacionet do të ruanin po ato kufij që kishin përpara lufte, që do të thoshte kjo, se Kosova duhej t’i ngelej Jugosllavisë dhe pse Titua gjate lufte e kishte premtuar se Kosova do t’i bashkëngjitej Shqipërisë sepse ishte territor i saj. Dredhia e Titos ishte me larg hedhje, ngaqë ai, jo që vetëm nuk do e jepet Kosovën, por jashtë çdo parashikimi kishte projektuar dhe marrjen Shqipërisë në federatën e vet duke e bërë atë si republike te shtate te saj. Titua e dinte mirë se atdhetaret shqiptare të Kosovës aga pikëpamja nacionale kokën e kishin të kthyer nga Shqipëria. Kështu e me qëllim për mbjellur terror fill mbas lufte dhe për t’i mbajtur shqiptaret e gjithë këtyre trevave të nënshtruar në marsin e vitit 1945 ai organizoi dhe masakrën e Tivarit, që është masakra më e madhe e organizuar kundër rinisë shqiptare gjate luftës së dytë botërore në trevat tona. Gjithësesi dhe pse nën Federatën jugosllave të “bashkim- vëllazërimit”, shpirti kryengritës i shqiptarëve të trojeve dardane mbeti i pa nënshtruar dhe pse në krye të tyre për qëllime dhe konsum publik Titua zgjidhte dhe emëronte servilë dhe sahan lëpirsa shqiptare, të cilët i shërbenin me zell qe nga F. Hoxha S. Hasani e deri te A.Vllasi e I. Rugova. Kryengritjet e rinisë së Kosovës dhe demonstratat masive te pranverës se viteve 80-të të shekullit të kaluar, zgjuan dhe ngritën në një shkallë më të lartë ndërgjegjen kombëtare duke tronditur seriozisht themelet artificiale të“bashkim vëllazërimit”, për të ardhur në fillesat e viteve 90-të që përkojnë me tronditjen e themeleve të gjithë Federatës jugosllave, e cila po gërryhej nga kontradiktat nacionale. Lufta sapo kishte filluar. Me radhe në Kroaci, Slloveni, Bosnjë filluan veprimet luftarake të këtyre popujve,për çlirim kombëtar, teksa Kosova nanurisej nga teoritë e “pacifizmit rugovian” për të ruajtur frymën revolucionare, por pa veprimtari luftarake dhe pa aksione revolucionare, duke i ardhur në ndihmë forcave represive te milicisë dhe paramilitarëve të Serbisë .Edhe pse nën përndjekjen nga forcat represive te ushtrisë dhe milicisë Jugosllave si dhe nën trysninë e një propagandë “rugoviste” kundër luftës çlirimtare, bijtë më të mirë të tokës shqiptare te Dardanisë krijuan embrionet e para luftarake nga ku promotor i tyre pa dyshim ishte e ngelet A. Jashari prej Prekazi. Jasharajt, si shumë familje të tokës së Arbërit kishin kohë që përndiqeshin nga forcat serbe por dhe ata milicë shqiptare, të cilët ishin kthyer në qen roje të shovinizmit të egër serb, madje ata (Jasharajt)përpara se të arrijmë te akti i tyre heroik me përmasat e një legjende, ishin përballur dhe me forcën e armëve duke patur të rënë nga të dyja palët. Datat 5, 6 dhe 7 Mars të vitit 1998, brenda konakëve “Jasharaj”, që formonin një kompleks kullash ,përkojnë me një nga betejat jo të një individi, as të një familje, por të një fisi të tërë burra gra fëmijë të gjithë nën armë e të rrethuar. E rrallë ,shumë e rrallë në histori. Një federate e tërë shovinizmi lufton me nje fis, por që në fakt brenda atij fisi, brenda asaj kulle ishte e tërë Kosova. Kulla e Jasharajve u bë simbol si kalaja e Krujës. Tre ditë e rrethuar, tre ditë beteje e përgjakshme që do të trondiste nga themelet krejt shovinizmin e Serbisë, luftë kjo që do rrëqethte dhe vet Evropën e alarmuar sepse Evropa nuk i do aspak luftërat çlirimtare. Ata ranë të gjithë, 56 burra gra e fëmijë për të mos vdekur kurrë , përjashto Besianën e vogël e cila dhe kjo, do të ngelej e vetmja dëshmitare e kullës e asaj lufte epopeje me përmasa epike, luftë kjo, që do të ngrinte në këmbë një popull të tërë, luftë kjo, që do të ngrinte në këmbë dhe ata që deri dje kishin shfaqur shenja pasigurie për luftën dhe fitoren. Akti heroik i Jasharajve do të pasohej me dëshmorë të tjerë që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës duke derdhur gjakun për liri. Veç amaneti i tyre ende nuk është plotësuar mbi bazën e betimit të bërë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë...dhe amanetin nuk tret dot as dheu , ndaj është e ngelet detyre e çdo gjenerate që amanetin e Jasharajve dhe gjithë dëshmorëve të tjerë të tokës së lashtë shqiptare të Dardanisë, ta çojmë në vend. Shqipëria kurrë nuk duhet të ndihet e qetë nëse nuk vendos në vend padrejtësitë historike që i janë bërë në shekuj dhe herë mbas here. Nuk jemi revanshistë e as ultranacionalistë të sëmurë, që të ngrejmë lumturinë tonë mbi fatkeqësitë e popujve fqinjë, por kërkojmë të shërojmë plagët nacionale të Nënëmadhes Shqipëri. Lavdi për jetë e mot jetës dhe veprës së A.Jasharit dhe gjithe dëshmorëve “Jasharaj”. Lavdi gjithë heronjve dhe dëshmorëve të tokës arbërore të Dardanisë. Lavdi gjithë dëshmoreve te Kombit shqiptar!

 

SOT

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode