“PSE KJO TOKA JONË KAQ E PASUR NË TALENTE QË TË BËJNË KRENAR, NUK OFRON MUNDËSINË QË ATA TË LULËZOJNË KËTU?”
31/10/2022 19:45
OPINION
“PSE KJO TOKA JONË KAQ E PASUR NË TALENTE QË TË BËJNË KRENAR, NUK OFRON MUNDËSINË QË ATA TË LULËZOJNË KËTU?”
Nga Edona LLUKAÇAJ
Këto ditë, kantautori i famshëm shqiptaro-italian Ermal Meta ndodhej sërish në Shqipëri. Por këtë herë, jo për ndonjë koncert me një publik të dashur, por për të promovuar në shqip romanin e tij të parë.
Botuar në maj të këtij viti, në Itali romani i tij voluminoz “Domani e per sempre” vjen në shqip si “Nesër e përgjithmonë” përmes një numër aktivitetesh promovuese nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës.
Si vetë autori shprehet, romani është fillimisht fryt i dëshirës së tij t’i tregojë publikut të përtej Adriatikut një histori ndryshe të shqiptarëve. Dhe, në të vërtetë, romani thur një histori që fillon kohë para ’91-shit, vitit të një rizgjimi jo fort të thjeshtë. Një histori që nuk mban në vete vetëm ngjyrat e dehumanizimit, që shtypja e varfëria fal pamëshirshëm.
Si tekstet e këngëve të Ermal Metës paralajmërojnë, edhe romani i tij është i ndjerë dhe dhimbshëm njerëzor. Të befason pozitivisht.
Por, ndërsa sheh Ermal Metën të prezantojë romanin e tij të parë, të bëjë foto e të flasë me dashamirësit e vet, mendon për rrugëtimin e tij. Dukshëm ka qenë i vështirë dhe i mundimshëm. I ngjashëm me atë të shumë shqiptarëve të tjerë që ia kanë dalë të shpalosin potencialin e vet në një tjetër tokë.
Dhe mendon se pse kjo toka jonë kaq e pasur në talente që frymëzojnë e bëjnë krenar, nuk ofron mundësinë që ata të lulëzojnë këtu. Të mundon se përse përpjekjet e të talentuarve tanë, këtu, nuk kurorëzohen me afirmimin e merituar. Të duket se ose Shqipëria ekziston për të provuar vërtetësinë e frazës biblike se “Askush nuk bëhet profet në vendin e vet,” ose po vuan mallkimin e të gjithë atyrëve që u detyruan të marrin rrugët.
Do ishte disi ngushëlluese, më pak e dhimbshme, më e pranueshme për ne që ikja e talenteve, e të aftëve, e atyre që do mund të bënin ndryshimin të ishte profeci a mallkim i thyeshëm.
Por të gjithë e dimë – me siguri e di edhe Ermal Meta që do të lidhet me rrënjët e veta përmes letërsisë – se etiketa e mërgimtarit mbi shqiptarët, më shumë sot se dje, është pasojë e pashmangshme e frymës meskine. Shqiptarët e mirë, të bukur, të aftë për të kontribuar, e për ta bërë këtë vend të jetueshëm munden e mbyten përditë nga kjo frymë.
E shprehur në nivele të ndryshme hierarkike, minimalisht, si mungesë përfitimi personal të drejtpërdrejt apo frikë prej konkurrencës së tjetrit ose, në rangjë më të larta, si luftë kahesh e promovim të bindurish gojëkyçur, fryma është kundërthënëse me meritokracinë dhe mundësinë.
Shqiptarët e dinë se ikja e pandalshme e tyre apo e më të dashurve të tyre nuk është as biblike as përmbushje profecishë. Nuk është as braktisje e vendit të dashur, si shembulli i Ermal Metës e mjaft të tjerëve që ngulmojnë të vazhdojnë të identifikohen dhe me vendin e lindjes, tregon. Nuk është as dorëzim para presionit të refrenit: “Pse nuk ikën? Ti ke mundësi të…”
Është zgjidhje, zakonisht e vetmja, pasi çdo derë në të cilën troket mbyllet me vrazhdësi të pakuptimtë. Është lodhja psikologjike kur duhet të bësh varavingo të palezetshme në zyra a me telefonata për të marrë atë që me të drejtë e me ligj të takon. Është mosvlerësim kronik i punës dhe intelektit dhe mbivlerësimi i servilit e tëpaskrupulltit. Është mospajtimi me të jetuarit pa integritet. E padyshim është politika e zhytur, ku tre-katër veta bëjnë si model i ri politikanësh, kur dihet botërisht se janë pikërisht ata përgjegjësit kryesor të degradimit në çdo fushë.
Por ndoshta libri i Ermal Metës është ogur i mirë. Ndoshta do krijohen mundësi të ndërtojnë ura integrimi për vendin edhe shqiptarët këtu, jo vetëm shqiptarët e ikur. Patrotizmi e puna e vyer për Shqipërinë ndoshta një ditë s’do jetë më “luks i rezervuar” vetëm për bijtë e larguar. Ndoshta “nesër e përgjithmonë”.
DITA