PROZË E THELLËSIVE TË SHPIRTIT NJERËZOR

24/03/2018 06:47

VËSHTRIM

 

PROZË E THELLËSIVE TË SHPIRTIT NJERËZOR

Qasje dhe shënime për romanin “Lulet e skajbotës” të Namik Dokles

Nga Dr. Ilir SHYTA

 

Koha dhe vendi ku zhvillohen ndodhitë në romanin “Lulet e skajbotës” të Namik Dokles mbeten interesante në këndvështrimin tërësor të tyre, mirëpo, nga këndvështrimi i autorit, janë gracka mjaft efektive në transmetimin e informacionit dhe nxitjen e reagimeve te lexuesi, të cilat, njëherazi, mund të arrihen me formën ekspresive të një leximi të kujdesshëm.

Objekti i qasjes sonë është kronotopia në prozën e shkrimtarit Namik Dokle. Përqendrimi kryesor i këtij shkrimi është analiza e përgjithshme e mesazhit letrar në sinkroni dhe diakroni, si elemente të rëndësishme të zbërthimit ideoartistik të tekstit. Koha në të cilën rrëfehen ngjarjet në këtë roman është e variueshme. Kur rrëfimi ndodh në retrospektivë, lexuesi fiton një siguri më të madhe në vërtetësinë e ngjarjeve të romanit. Kalimi në ardhmëri, në anën tjetër, nxit kureshtjen e lexuesit dhe e mban atë më aktiv gjatë leximit.

Arkivoli i emigrantit që vajtohet në shtëpinë e gabuar apo vrasja e partizanes së lirisë, që të kujton Ramize Gjebrenë dhe Zaho Kokën, Nexhmije Hoxhën apo Enver Hoxhën si motiv vëllavrasës gjatë LANÇ-it dhe rasti i hajdutit të pulave që do të bëhet deputet, vetmia, braktisja, gjakmarrja, grabitja e fëmijëve, armët, pasurimi i shpejtë dhe i padrejtë në demokraci, janë gjetje që vijnë në mënyrë origjinale dhe aspak të lodhura nga përsëritja e herëpashershme në prozën shqipe. (Këndvështrim origjinal te Petro Marko apo te Diana Çuli…) Sentenca e mëposhtme bëhet devizë në roman: “Fajësia kolektive, fajësi e përgjithshme… kur tjetri e pëson, ti hesht. Mos prit që të tjerët të ngrenë zërin për ty kur është radha jote, e kur ti ke heshtur për të tjerët…”.

Këto forma rrëfimi ndonjëherë bëjnë që të përftohet efekti suspansë, si për shembull, në rastet kur autori mund ta provokojë lexuesin duke e bërë veprën më interesante. Dokle, në këtë libër jep shumë detaje për kohën dhe vendin ku ndodhin ngjarjet. Edhe pse vendi ku kryesisht zhvillohen ngjarjet (krahina e Gorës) është fiksional, brenda veprës, në rrëfimet e tjera apo edhe gjatë lëvizjes së personazheve në këtë terren, vendi, pra, fiton një rëndësi më të qenësishme në kuadrin e së përgjithshmes. Paralelisht, gjatë përshkrimeve të herëpashershme, autori përdor kohën për të krijuar një pamje më të mirë të ambientit në të cilin zhvillohet ngjarja, qoftë me informacione të sakta për të, po ashtu edhe me simbolizimin më të gjerë të vazhdimësisë së jetës. Subjektet e veprës dhe personazhet e saj zhvillojnë ngjarjet e tyre në një hapësirë dhe në kohë. Për të mundësuar ekzistencën e tyre, në njëfarë forme, duhet të ekzistojë edhe hapësira. Namik Dokle, hapësirën e shfaq, kryesisht, në formë të pakufizuar. Ai nuk limiton subjektin dhe kështu lexuesi percepton një ndjenjë të madhe lirie. Mirëpo, edhe në rastin kur autori dëshiron të tregojë të kundërtën e saj, pra izolimin, ai luan me hapësirën, duke e zgjeruar atë në dimensione të lira gjatë receptimit të lexuesit.

Hapësira luan role kyç në romanin më të ri të Namik Dokles. Përshkrimet e hapësirës, por, edhe vetë ekzistenca dhe dimension i saj, detyrimisht krijojnë një imazh (forma e të cilit është shumë e rëndësishme) te lexuesi ynë gjatë kapitujve. Prerja e hapësirës së boshtit koordinativ me atë të kohës sjell përfitimin e kronotopisë koherente, që përcjell edhe tejçon mesazhet e një vepre letrare. Madje, ky roman shoqërohet edhe me përshkrime tipike rrëfenjash, në nivel të leximit kritik, pra, që shërbejnë si metatekste të mirëfillta të zbërthimit të veprës artistike në prozë, një modelim ky, i shkrimit të një libri me gjuhë të zhdërvjellët dhe të kuptueshme.

Ky botim është një vazhdim i mbarë i krijimtarisë në prozë i Namik Dokles, mes së cilës artikulohet vetëdija individuale e të qenët ekzistencë në republikën e letrave shqipe. Sigurisht, sot, këto elemente kronotopike të fituara në libër quhen të kapërcyera, mjafton për këtë të shohim që përditshmëria është e mbushur me elemente të dobëta krijuese që lënë për të dëshiruar. Me një fjalë, ky vëllim dëshmon përmes kronotopisë së prezantuar, se magjia e prozës të mbërthen e të prangon edhe përtej mesazheve që përftohen nga koha dhe hapësira e lirisë krijuese.

Deviza e tij, “arti letrar duhet të flasë gjuhën e së vërtetës”, dëshmon një krehje të plotë të ndërtimit të ngjarjeve dhe kohës në të cilën gëlojnë personazhet e romanit. Deri diku stoikë dhe të pathyeshëm dhe deri diku të brishtë dhe naivë, ata mbeten shembuj që fitojnë koherencë ekzistence. Krijimtaria në prozën e shkurtër dhe të gjatë të Namik Dokles është shumë e pasur me motive, mesazhe dhe mjete të procedimit artistik, për të shpalosur të plotë në të gjitha përmasat realitetin shqiptar në tërësinë e problemeve, sfidave dhe krizave shpirtërore të individit, për të ecur me ritmet e një ndryshimi të vazhdueshëm në hapësirë dhe kohë. Alegoria politike që shkon deri në sarkazëm e bën romanin tepër të lidhur me lexuesit. Proza e tij është një univers unik, krejt origjinal, një zë i fuqishëm artistik në korpusin e prozës bashkëkohore shqipe shkruar me dorën e djathtë, sikundër thuhet në opinionet e shprehura në libër, gjatë kompozicionit të jashtëm të romanit.

Ky libër është një prozë e thellësive të shpirtit njerëzor, që rrek ta përfshijë tërësisht botën, jetën dhe njeriun në sagën e mbijetesës. Njohja dhe depërtimi në shpirtin njerëzor merr shkas prej detajesh të thjeshta dhe elementesh të zakonshme që ne i hasim në përditshmërinë tonë. Optika e këndvështrimit të tij pëson një sërë metamorfozash shumë interesante dhe intriguese duke marrë shkas kështu të shpalosë gjithë gamën e ndjenjave njerëzore nga më të thjeshtat deri te më të ndërlikuarat, përmes një ligjërimi artistik sa të thjeshtë, aq edhe mbresëlënës, ndërtuar me struktura origjinale. Dokle operon me fuqinë e fjalës dhe i jep asaj dimensione të papara. Leximi i prozës së tij është, në vetvete, përjetimi i një kënaqësie sa estetike, aq edhe shpirtërore sepse, përmes një realizmi që shkon deri në natyralizëm, ai shpalos anë të ndryshme të këtij realiteti përmes një gjuhe sa të thjeshtë dhe të komunikueshme, aq edhe të thellë në nëntekstin e saj. Gjuhë artistike, detajet artistike, mjetet e ligjërimit artistik, pasuria dhe pastërtia e gjuhës shqipe të përftuara nga leximi i romanit, evidentojnë disa nga tendencat më bashkëkohore të ligjërimit artistik në prozën e sotme shqipe.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode