“PROKURORIA E SHTETIT” DHE DEKLARATA SKANDALOZE E “PUTINIT TË PRISHTINËS”
22/03/2014 15:26
Reagim
“PROKURORIA E SHTETIT” DHE DEKLARATA SKANDALOZE E “PUTINIT TË PRISHTINËS”
Shkruan: Tafil DURAKU
Nuk duhet që njeriu të ketë shumë mend për t’i parë parregullsitë dhe skandalozitetit e njëpasnjëshme ordinere kriminale dhe të vazhdueshme shekullore të “udhëheqësve” tanë LKJ-isto –LDK-istë e shqiptaro-titistë&Co.
Ditë më parë, siç informon gazeta “Express” e Prishtinës, datë 20 mars 2014, ish-kryetari me duar në xhepa (me duar në xhepa e lanë votuesit) i komunës së Prishtinës dhe i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Serbisë e Kosovës, tash LDK-së, Isa Mustafa, ose Putini i Prishtinës, me shokun e tij të shkollës së hajnisë publike, njëfarë Ismet Beqirin, ose “Medvedevin e Prishtinës”, kanë filluar të jenë shumë të zëshëm, por, nëse arrijmë t’i lexojmë realisht e t’i kuptojmë drejt deklaratat e tyre “patriotike” e “kombëtare-shqiptare”, sikurse ato të prijësit e udhëheqësit të tyre shpirtëror, Dr. Ibrahim Rugova – në të cilin thirren ëndërrimisht, do shohim e kuptojmë shumë të fshehta brenda deklaratave të tyre skandaloze e antishqiptare. Do shohim e kuptojmë realisht “patriotizmin” dhe “shqiptarizmën” e tyre, si dhe dioptrinë e tyre shekullore “patriotike” e “kombëtare” që teledirigjohet nga qendra të njohura antishqiptare dhe antiShqipëri, siç janë Beogradi dhe Athina&Co e tyre rajonale e ndërkombëtare.
Deklarata skandaloze e Isa Mustafës, tregon bindshëm se ai dhe partia e tij qëndrojnë në krahun e krimit e të korrupsionit të organizuar “shtetëror” dhe manipulojnë me “institucionet” e “shtetit” njëpartiak shqiptaro-titist, “kosovar” e “kosovarist”, LKJ-isto – LDK-ist, tregon bindshëm se ata (si LDK) i kanë kapur peng të gjitha “institucionet” e “shtetit” dhe manipulojnë me to sikurse ato të ishin pjesë e familjes së tyre private, tok me buxhetin e popullit shqiptar në vatrat e veta shekullore, stërgjyshore, iliro-shqiptare.
Ja dhe deklarata, që niste titullin e gazetës “Express” të Prishtinës: “Isa Mustafa: Në krye të Prishtinës nuk është Prokuroria e Shtetit, por një subjekt politik (Video)”. Kjo deklaratë kryeskandaloze bën të kuptojmë se Isa Mustafa me të vetët e LDK-së ka kapur për kërpeshi “shtetin” dhe manipulon edhe me “Prokurorinë e Shtetit”, e cila mund të quhet çkado tjetër, vetëm se Prolurori e shtetit, JO. E themi këtë për faktin se edhe LDK është një subjekt politik, bile, me pasardhësi antishqiptare të LKJ-së e LKK-së, të cilën, po të kishte Prokurori shteti, do të duhej të merrej me krimin e organizuar “shtetëror” e ordiner të partisë së tij (LDK) në pushtetin real antiUÇK dhe antishqiptar.
Madje, edhe më skandaloze del fjalia tjetër e deklaratës së Putinit të Prishtinës, citojmë, gjithnjë sipas gazetës “Express” të Prishtinës: “Isa Mustafa thotë se nuk u trembet “hulumtimeve” të Shpend Ahmetit. Thotë se ato dokumente kanë qenë dhe janë publike”. Kësaj i thonë: Luaje mace, kryet e buallit!... Po, ky popull tashmë e di se krejt hajnia dhe krimi i organizuar (një e shumë)partiak e “shtetëror” po bëhen në mënyrë publike, duke u “mbuluar” trash me dokumente e takrravate tjera jonjerëzore e johumane e gjithë vija e trashë e krimit të organizuar ordiner e partiak LDK-ist&Co. Po, pse të trembet Isaja (Putini) kur “Prokurorinë e shtetit” e ka në dorë LDK-ja (si dhe institucionet e tjera kyçe) dhe ajo nuk nisë asnjë hap kushtetues e ligjor kundër krimit e korrupsionit të organizuar isabeqirist e ismetmustafist&Co…
Për ta provuar “Prokurorinë e shtetit” të Isa Mustafës, personalisht, unë, autori i këtij shkrimi, më 6 mars 2014, vajta në “Prokurorinë e shtetit”, duke menduar se vërtetë ajo është tamam Prokurori. Qëllimi i shkuarjes sime në atë “Prokurori”, i pari në jetën time, ishte të dëshmoja vullnetarisht kundër kriminelëve Astrit Haraçia&Valton Beqiri (LDK), pasi që kam shumë prova që dëshmojnë për kimin e tyre të organizuar LDK-ist, në kurriz të Ndërmarrjes Botuese – Edicionit “Rilindja”, për çka kam bërë dhe botuar dhjetra shkrime, të shoqëruara me prova, për çka është njoftuar edhe Njësia e Policisë për Kriminalitet të Lartë Ekonomik.
Në zyrën nr. 3 (kati I) të “Prokurorisë së shtetit”, më premtuan se do më ftojnë dhe do më njoftojnë me celuar (për çka ua lashë edhe numrin e celularit tim). Por, pritja ime qe e kotë. Nuk më ftuan. Atëherë, e kuptova qartë se “Prokuroria e shtetit” kontrollohet nga LDK-ja&Co, si dhe të gjitha “institucionet” e tjera të “shtetit” të “Republikës së Kosovës”, me pasardhësi të “institucioneve dhe institucionalistëve tanë të viteve të ’90-ta”. Nuk më ftuan me qëllim të caktuar, sepse, njerëzit kundër të cilëve dëshiroja të dëshmoja, me emër të plotë e mbiemër, duke disponuar shumë prova, ishin njerëz të partisë më kriminale antishqiptare, të LDK-së, në krye të të cilës parti janë Putini i Prishtinës (Isa) me Medvedevin e tij (Ismetin)&Co!...
Dhe, mendova më pas, se, po të kisha shkuar të gënjeja çkadoqoftë kundër UÇK-së dhe kundër luftëtarëve e komandantëve të saj, me siguri, “Prokuroria e shtetit” të Isa Mustafës (lexo: Dr. Ibrahim Rugovës&Co) do më ftonte pa kushte dhe gënjeshtrat e mia, po ajo “Prokurori”, do i merrte për të vërteta. Bile, do m’i vënte qindra maska e nofka, do ma ndërronte identitetin dhe do më siguronte të isha “dëshmitar i mbrojtur” me ligje e tekaligje antishqiptare të LDK-së. Dhe, pastaj, m’u kujtua fakti se në krye të një “Komisioni” për hetimin e “krimeve të luftës së UÇK-së”, vetë shalli antishqiptar (Ibrahim Rugova), menjëherë pas luftës së UÇK-së, e kishte emëruar njëfarë Eqrem Kryeziun, shokun e Isës. Prandaj, as sot, nuk është rastësi themelimi i një gjykate ndërkombëtare në Kosovë për kinse hetimin e ”krimeve” të luftës së UÇK-së…
Por, të kthehemi tash te një pjesë tjetër e deklaratës skandaloze të Isa Mustafës, për çka do të duhej urgjentisht të angazhohej “Prokuroria e shtetit”, po të mos ishte e kontrolluar dhe menaxhuar nga partia më kriminale antishqiptare, LDK-ja e vetë Isë Grabujës së Dinastisë së Hamitëve. Ja dhe pjesa që na e ofron gazeta “Express” e Prishitnës, citojmë: "Natyrisht … Nuk ka nevojë askush të hulumtojë sepse ai dokumentacion është gjithmonë publik. Mendoj se nuk ka arsye të ketë relacione personale me mua, por nëse ka motive politike atëherë ato nuk mund të arrihen në këtë formë", thotë ai”. Kjo deklaratë skandaloze e Isës tregon qartë se krejt plaçkitjet dhe hajnitë që janë bërë në komunën e Prishtinës, ku ka dominuar dhe dominon krimi dhe korrupsioni i organizuar partiak e “shtetëror” LDK-ist&Co, nuk ka fare nevojë të hulumtohen ngase janë bërë siç thotë edhe ai vetë, se “ai dokumentacion është gjithmonë publik” dhe që duhet të kuptohet drejt, e, duhet ta kuptojmë drejt edhe ne si qytetarë, se, të gjitha plaçkitjet, hajnitë, korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë qenë gjithmonë publike dhe janë mbuluar me vula, nënshkrime, mashtrime e me dokumente zyrtare, në emër të ligjit dhe institucioneve të “shtetit” të “Republikës së Kosovës”, ku ka kontrolluar e kontrollon LDK-ja si parti “patriotike” e “kombëtare”, me auditorët e saj.
Natyrisht, fushat që kontrollon e (tele)dirigjon LDK-ja&Co, janë: “Politika”, “Akademia”, “Drejtësia” (ku hynë prokuroritë dhe gjykatat), “Policia”, “Arsimi”, “Ekonomia”, “Financat”, “Kultura” etj., sepse, po të ishin ato institucione të shtetit, dhe të pavarura siç janë të rregulluara me ligje, Isa me të gjithë plisat e kapuçat e tij do duhej të përfundonte prapa grilave, përjetësisht. Por, atij dhe njerëzve të partisë së tij u pëlqen pozita dhe pushteti, vetëm kur ata nuk kanë asnjë përgjegjësi para ligjeve e qytetarëve, që është mënyra më komode për t’u vetëpasuruar marramendësisht, pa asnjë kriter vlere e diturie, duke bërë plagjiatura e diploma pa mbulesë, vetëm për t’i uzurpuar postet dhe pozitat “shtetërore” e fitimprurëse.
Se Isë Putinit i pëlqen pushteti dhe mënyra e (për)fitimit ekstrem për ta pasuruar veten dhe bashkëpartiakët e tij e për ta varfëruar po në ekstrem popullin shqiptar dhe shtetin, janë dukuri që shihen përditë dhe këtë mëse miri e pasqyron deklarata e tij, se “Kemi marrë vendim në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së , është thënë që në emër të degëve të LDK-së, unë propozohem për kryeministër. Unë do ta luftoj këtë vendim, do të kujdesem që LDK t’i fitojë zgjedhjet dhe jam i bindur që do ti fitojmë. Unë dua ti fitojmë zgjedhjet bindshëm nga partia e dytë, që do të jetë Partia Demokratike. Me askënd nuk do të bëjmë pazar për postin e kryeministrit sepse ai do ti takojë LDK-së”, ka thënë Mustafa.”
Atëherë, në bazë të kësaj që u tha më lart, ftojmë popullin dhe votuesit shqiptarë, që, siç e lanë me duar në xhepa në zgjedhjet lokale, po ashtu, ta lënë me duar në xhepa dhe me gishta në gojë edhe në zgjedhjet “nacionale”, “kosovare” e “kosovariste”, sepse, si pushtetar i paepur komunist e shqiptaro-titist&Co e tij, meriton burg të përjetshëm. Meriton ndëshkim, ai dhe partia e tij komuniste e shqiptaro-titiste – LDK – sepse, pa rënë LDK prej pushtetit antishqiptar që ia ka premtuar e lënë Titoja amanet, populli shqiptar do heqë të zitë e ullirit, tok me veteranët e UÇK-së.
Ftojmë votuesit që edhe këtë herë, në zgjedhjet “nacionale” ta ndëshkojnë Isën me shokë dhe partinë e tij, LDK, të dalë nga marrëveshjet e fshehta antishqiptare Tito-Rugova-Milosheviç, sepse, vetëm atëherë do të kenë kuptim prokuroritë dhe institucionet e pavarura e demokratike të shtetit, në kuptimin e mirëfilltë të tyre dhe populli shqiptar do të kursehet mjaftueshëm nga deklaratat pompoze të LDK-istëve komunistë e shqiptaro-titistë. Prandaj, asnjë votë për Isë Putinin e Ismet Medvedevin dhe partinë e tyre, LDK. Duke mos ua dhënë votën, thjesht, ata mbesin me duar në xhepa e me gishta në gojë dhe populli këtë duhet ta dëshmojë me votën e tij shqiptare, antiLDK, në zgjedhjet “nacionale” që pritet të mbahen sivjet.
Burojë, më 21 mars 2014