PROBLEMI I DITËS (?!)
11/11/2016 13:15
OPINION
PROBLEMI I DITËS (?!)

Nga Bedri ISLAMI
Problemi i ditës në politikën shqiptare nuk është zgjedhja e Trump si presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por çfarë do të bëjë ai pasi Edi Rama, shefi i qeverisë shqiptare, një ditë të bukur, është shprehur kundër tij.
Opozita tund krahët, përcakton të parin e Amerikës si të parin e Viçidolit, i cili, pasi merr një hu në dorë, shikon rreth e rrotull se cili nga fëmijët a të rinjtë e fshatit e kanë sharë dhe u sulet, natyrisht duke iu thënë “plehra”.
Opozita mbështet shpresën e saj të madhe se, me ardhjen e Trump në pushtet ka ardhur fundi i Vettingut dhe i Reformës në Drejtësi.
Politika shkon edhe më tej, me një seriozitet brutal, por thellësisht mediokër, shpall komplotin e madh botëror, pjesë e të cilit, natyrisht i paguar, është edhe Edi Rama, për të hedhur poshtë një figurë aq madhore sa ajo që do të jetë në janar në Shtëpinë e Bardhë.
Njerëz, analistë që nuk lënë gjë pa shkruar, gjithnjë me një parashtesë, “si thuhet”, tani kërkojnë që kryeministri i vendit të tyre të sillet si një lapanjoz politik dhe duke ulur kokën, të kërkojë ndjesë se ka thënë mendimin e tij, haptas, në një media prestigjioze.
Dhe pastaj? Cili nga politikanët evropianë e donte staturën politike të Donald Trump?
Asnjëri, veç ultra radikalëve të djathtë, sovjetëve të Kremlinit, manjatëve të veshur me politikë, por që janë në fakt tregtarë armësh.
Edhe sot, më të ekzaltuarit janë pikërisht të djathtët radikalë, të cilët nuk e fshehën ngashërimin e tyre dhe, si e do “zakoni”, një grup politikanësh manjakë të së djathtës pa emër shqiptare, të cilët, mjerisht, ende nuk e kanë mësuar se e drejta e një mendimi politik, aq sa është tek njerëzit e zakonshëm, aq është edhe tek shefi i qeverisë.
Shefi i dikurshëm i qeverisë, kur ishte president, zbonte jashtë vendit statura të larta politike të Shteteve të Bashkuara; merrte nëpër këmbë vendime të rëndësishme ndërkombëtare, si embargoja ndaj ish Jugosllavisë, shpallte më zë dhe me figurë në vitin 1997 se pas rrëzimit të tyre qëndrojnë shërbime të fuqishme perëndimore, furnizonte me armë shtet në luftë, deri edhe në luftë civile; pasardhësi i tij binte në shehadet në çadrën e Kadafit, megjithëse dihej se cili ishte…
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur nga e drejta e mendimit të shefit të qeverisë. Ai e kishte këtë të drejtë. Këtë të drejtë po e përdorin edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, edhe pas zgjedhjes së Trump si President, duke thënë shkoqur se, tani, Kosova do e ketë më të vështirë me këtë president…
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur. Në politikën shqiptare herë pas here është shfaqur fenomeni Trump, por me një ndryshim të rëndësishëm: Ky i fundit bëri fushatën me paratë e tij, këta tanët, jo vetëm që bëjnë fushatë me para të vjedhura, por edhe gjatë fushatës vjedhin, e jo më pas saj.
Ne nuk vuajmë për njerëz që çirren.
Ne vuajmë për njerëz me mend.
DITA