POSHTËRIM

01/03/2023 08:54

OPINION

 

POSHTËRIM

 

Nga Viktor MALAJ

 

“Për mua ka qenë gjithmonë mister se si dikush mund të ndihet i nderuar, duke poshtëruar njerëzit e tjerë” – Mahatma Gandi

Vjet, në dy-tre raste, Sali Berisha u shpreh se “Çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut… Kam qenë President dhe Kryeministër i Shqipërisë, me një fjalë kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëj gjithçka për respektimin e këtij dinjiteti. Para 40 vitesh nuk kishte dinjitet si njeri… Meqë s’kisha liri mendimi më mungonte dinjiteti… Kjo ka qenë shtysa ime për të dalë kundër atij regjimi…”.

Nëse një ditë do të shkruhet Antologjia e Gënjeshtrave Shqiptare, patjetër që, midis mijëra të tillave, kjo e Berishës do të zërë një vend “nderi”. Jo se gjatë atij regjimi nuk është cenuar dinjiteti i njerëzve dhe se individët nuk janë poshtëruar, por të thuash, në përgjithësi, se atëherë s’kishte dinjitet për njerëzit dhe, aq më shumë, të pretendosh se deri afër moshës pesëdhjetë vjeçare paske jetuar pa dinjitet por, një ditë, si me magji, u bëre dinjitoz, ky është mashtrim dhe vetëmashtrim i pastër.

Iu është cenuar dinjiteti dhe janë poshtëruar ata individë dhe ato familje që janë dënuar e demaskuar pa të drejtë, apo që kanë kaluar pjesë të rëndësishme të jetës së tyre në internime, përçmime dhe diferencime e etiketime si “armiq të popullit”, por të shitet sot si njeri i prekur në dinjitet dhe i poshtëruar ish-sekretari i byrosë së partisë të mjekësisë së Tiranës, të shitet sot si i revoltuar nga cenimi i dinjitetit njeriu që, me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, i kalonte netët e dimrit në dhomën e pritjes së familjes së Enver Hoxhës apo ditët e verës duke vozitur me fëmijët e tij në Liqenin e Pogradecit, ky është kulmi i hipokrizisë dhe mashtrimit.

Sali Berisha, njeriu që, siç thoshte Lulzim Basha “Ka më shumë fotografi me udhëheqësit e regjimit diktatorial se me pjesëtarët e familjes dhe të afërmit e vet”, përpiqet vazhdimisht të krijojë tek shqiptarët iluzionin se ishte ai shpëtimtari i popullit dhe i vendit, “përmbysësi i diktaturës” dhe, madje, rikthyesi i dinjitetit të tyre.

Në të vërtetë, dinjiteti është një tërësi vlerash morale tek njeriu, vetëdija që njeriu ka për to dhe mënyra si e sa i nderon ai këto vlera. Individët e tjerë, shoqëria apo shteti mund të ndikojnë pozitivisht apo negativisht në ruajtjen apo rritjen e dinjitetit por vetërespekti dhe ruajtja e dinjitetit varet kryesisht nga individi dhe personaliteti i tij.

Në të gjitha kohërat dhe vendet, apo sistemet shoqërore, ka pasur, ka e do të ketë njerëz të dinjitetshëm dhe njerëz pa dinjitet. Njerëzit e dinjitetshëm e të virtytshëm kanë kaluar edhe nëpër vështirësi, privime, cenime e dhunime dhe ia kanë dalë të mbijetojnë me dinjitet.

Po të dëgjosh Berishën dhe shumë prej bashkëpunëtorëve apo kundërshtarëve të tij politikë, të krijohet iluzioni se prej 33 vitesh ne kemi pasur dhe kemi vetëm rritje të dinjitetit, moralit e fisnikërisë, falë sistemit dhe lirisë së “pakufishme”. E vërteta është krejt e kundërt dhe, madje, e dhimbshme. Njeriu i ndershëm dhe i zakonshëm ndeshet sot kudo me poshtërimin që i shkaktojnë rrethanat në të cilat jeton, qeverisjet që padobishëm i ndërron dhe, gjithashtu, jo pak prej njerëzve që e rrethojnë.

A ka poshtërim më të madh se të të marrin vajzën, me dhunë apo mashtrim, dhe ta keqpërdorin nëpër rrugët e metropoleve perëndimore, apo qoftë dhe në “hotelet” dhe “qendrat e masazhit” në Shqipëri si skllave seksi, sepse dikush pa nder e dinjitet kërkuaka të pasurohet me këtë rrugë?!

Çfarë dinjiteti iu ka rezervuar koha mijëra të rinjve dhe të rejave që merren vetë me trafik droge apo kanë rënë viktima të pashërueshme të përdorimit të drogës, deri në humbjen e jetës?!

Megjithëse brutal, regjimi i para 1990 ua gjente nga një punë edhe “armiqve të klasës”, ndërsa “kryegardiani” i dinjitetit, S. Berisha, sapo filloi sundimin e vet të parë, miratoi një ligj të posaçëm me të cilin hoqi nga puna me lista me gjatësi maratonike mijëra kuadro të shkolluar, që i mendonte si jovotues të tij, dhe i zëvendësoi, në shumicën e rasteve me njerëz të zakonshëm apo të rrugës dhe pastaj dilte e thoshte se “Papunësia në demokraci nuk është si papunësia në diktaturë”.

Për njerëzit e ndershëm e dinjitozë, përveç se dëm material, ky ishte edhe poshtërim.

Mbrojtësi i rremë i dinjitetit dhe i të drejtave të njeriut krijoi “Drejtësinë e Plepave”, duke ua lëshuar në duar të drejtat e qytetarëve shqiptarë një tufe njerëzish, shumica e të cilëve ishin, ashtu siç po rezultojnë edhe sot, pa kulturën e nevojshme qytetare e juridike dhe me mjaft të meta të karakterit.

Ky është njëri ndër shkaqet e poshtërimit të mijëra shqiptarëve tash 30 vjet, të drejtat e të cilëve janë shkelur e nëpërkëmbur sa nga zyrtarët shtetëror, aq edhe nga të ngarkuarit për të ushtruar detyrën humane e ligjore të dhënies së drejtësisë, por me moral të fëlliqur.

Dhe, nuk është vetëm Sali Berisha dhe skota e tij përgjegjës për këtë poshtërim të shqiptarëve, por edhe qeverisjet socialiste, duke përfshirë edhe aktualen. A ka poshtërim më të madh se, nga njëra anë të dalësh në “sokak” për show mediatik duke iu dhënë certifikatat e pronësisë njerëzve që kanë zaptuar troje e ndërtesa, duke iu ligjëruar krimin dhe, nga ana tjetër, t’iu paraqitësh qindra pengesa të paligjshme pronarëve realë në rikthimin e pronave legjitime e të trashëguara, fillimisht duke i sorollatur e penguar nëpër institucionet shtetërore si Agjencia e Trajtimit të Pronave, pastaj duke iu bërë pengesë apo zgjatur pa arsye ligjore procedurat gjyqësore të kthimit të pronave nëpërmjet ankimimeve dhe, më në fund, duke iu nxjerrë pengesa të pamoralshme e të paligjshme nga ASHK-ja në regjistrimin e pronave të fituara me gjyq, duke keqinterpretuar legjislacionin apo për të thirrur në ndihmë korrupsionin?!

Shqiptari i ndershëm poshtërohet në shumicën e rasteve që ndeshet me sektorin më human të shërbimeve sociale siç është mjekësia, ku i duhet të paguaj ryshfet edhe kur s’ia kërkojnë, sepse është bërë “normë morale” dhe, ose frikësohet se nuk do i shërbejnë si duhet, ose vërtetë e sorollatin në atë mënyrë që t’i japin të kuptojë se duhet “të vijë me dorë në xhep”.

Po, pse, poshtërim i vogël është që intelektuali, njeriu që i ka kushtuar dijes disa dekada të jetës së tij, nuk arrin të përmbushë as nevojat minimale me rrogën që merr, ndërsa injoranti halabak që ka urryer dhe urren librin, dijen e moralin si dhia thikën, jeton në luks dhe i bën karshillëk mundqarit të dijes, punëtorit të palodhur dhe, përgjithësisht, shumicës së shoqërisë që ka vendosur të jetojë me nder?!

Si të mos ndihet i poshtëruar pensionisti apo punëtori shqiptar, të cilit i thuhet nga qeveria se nuk mund t’i rriten të ardhurat mbi 5-6 për qind sepse rritet inflacioni dhe, nga ana tjetër, shikon se qeverisjet, duke përfshirë edhe të sotmen, iu japin oligarkëve dhjetëra miliona euro shtesë për ndërtime rrugësh e urash apo PPP të dyshimta sa herë bosët ekonomiko-financiarë “kolliten”, pa u druajtur për rritje inflacioni!

A nuk është poshtërim i dinjitetit njerëzor t’i gënjesh e mashtrosh njerëzit shumë herë, t’iu thuash në kohë të ndryshme gjëra dhe vlerësime të ndryshme për njerëz e fenomene, siç kanë bërë e bëjnë disa nga politikanët kryesorë të Shqipërisë?! Edhe po ta njohIn thënien e Emanuel Kantit se: “Duke gënjyer, njeriu hedh tutje, madje zhduk dinjitetin e tij si njeri”, nuk do të druheshin të silleshin njësoj pikërisht se nuk kanë dinjitet.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për mosmbajtje premtimesh elektorale, por për gënjeshtra e mashtrime, për shpifje e trillime konkrete rreth fakteve historike apo kundërshtarit politik, ku janë të njollosur të gjithë politikanët kryesorë të vendit dhe, sigurisht, “yll ndriçues”, “kalorësi i dinjitetit” Sali Berisha me shpikjen e “qytetarit dixhital” dhe jo vetëm.

Kush më shumë se ai, prej mbi tri dekada, ka fyer, shpifur, trilluar e kërcënuar, deri me jetë kundërshtarët politikë?! Nëse regjimi politik i para 1990 që ia kishte “hequr” dinjitetin sekretarit dhe propaganduesit të partisë, Sali Berishës, fyente, etiketonte dhe mallkonte “armiqtë e klasës” që besohej se nuk përbënin as 5 % të popullsisë, “dinjitozi” i mëvonshëm ka fyer, përgojuar dhe etiketuar këdo që e mendonte si kundërshtar, individualisht dhe në grup, megjithëse përbënin dhe përbëjnë shumicën e popullsisë.

Gjithashtu, është fyerje dhe poshtërim i intelektit, qoftë edhe për shqiptarin e zakonshëm t’i thuash sot se po lufton për “shembjen e monizmit… rrëzimin e diktaturës… lirinë e fjalës e të shtypit… për t’iu kthyer këshillat bashkiakë dhe pushtetin popullit… na jepni pushtet t’ju japin llogari” apo se “misioni ynë është kthimi i votës së lirë”, kur vetë ke provuar në mjaft raste se ke qenë dhunuesi më i egër dhe i paskrupullt i proceseve zgjedhore dhe je shpallur “armik i shtypit të lirë” nga institucionet përkatëse ndërkombëtare, apo se ke kalëruar të gjitha llojet e pushteteve dhe i ke përdorur për përfitime vetjake.

Poshtërimit të shqiptarit, sot, nuk i ka shpëtuar as media, sidomos ajo vizive e cila me emisione vulgare dhe të turpshme si ” Shihemi në gjyq “, ” Përputhen “, ” Big Brother ” etj., duke joshur mendjepakët, ia ka dalë që të depërtojë në skutat më të errëta të jetëve private e familjare dhe me to të bëjë spektakle publike duke i vendosur njerëzit në situata poshtëruese ku denoncojnë e fyejnë njëri – tjtrin, zihen e madje edhe rrihen në skenë.

Gjithçka bëhet për t’i shërbyer fryrjes së xhepave të bosëve mediatikë, duke ” shfryrë ” tërësinë e vlerave morale, të dinjitetit dhe personalitetit individual.

Me qeverisjet që ka provuar deri tani dhe me moralin që po instalohet përditë e më shumë në vend, shqiptari me dinjitet ndihet dhe, mjerisht, do të vazhdojë të ndihet i poshtëruar. Për ta pakësuar- në pamundësi për ta zhdukur- poshtërimin e kudondodhur duhet rritur dinjiteti vetjak dhe nuk i duhet besuar pushtet kurrsesi individit që ka dhënë prova se vetë është pa dinjitet dhe se nuk e ka pasur dhe nuk e ka për gjë të nëpërkëmbë dinjitetin e të tjerëve, pavarësisht nëse shfaqet nën maskën e “të djathtit” apo “të majtit”.

Dinjiteti nuk njeh krahë politik dhe, madje, nuk ka karakter politik.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode