POLEMIKË / DËGJO, ZOTËRI !
11/01/2023 16:36
POLEMIKË
DËGJO, ZOTËRI !
Nga Viktor MALAJ
“Por, pyetja e madhe që shtrohet sot është: Cili shqiptar vuajti falë pozicionit politik të Mithat Frashërit gjatë Luftës së Dytë Botërore? A kishte ai vërtetë pushtet që të ndikonte tek gjermanët dhe të sillte vrasjen e partizanëve? Mirë apo keq, ai mendoi se një Shqipëri pa komunizëm ishte më e mirë se çdo Shqipëri tjetër. E, derisa Shqipëria, në 50 vjet vuajti diktaturën më të rëndë në Evropë, Mithatit duhet t’i japim të drejtë”.
Roland Qafoku
Dëgjo Zotëri! Dëgjo ti dhe të gjithë shokët e tu, në të djathtë e në të majtë!
Keni 32 vjet që, çdo ditë dhe pa pushim, iu trumbetoni shqiptarëve se atdhetarë të vërtetë janë ata që, kur u pushtua vendi nga të huajt, ia mbathën ngarkuar me arkat me floririn e popullit në shpinë dhe, akoma më keq, ata që iu ranë në gjunjë, i puthën dhe iu lëpinë pushtuesve duke iu ofruar dhe blatuar shërbimet e tyre pa cak, ndërsa ata djem dhe vajza 20-vjeçarë, punëtorë, fshatarë, studentë apo intelektualë që lanë mjediset e tyre familjare, shkollore apo të punës dhe morën armët kundër nazifashistëve ishin “bolshevikë, vegla të të huajve, anarkistë” dhe, madje “kriminelë”.
Kemi po kaq vjet që morali juaj iu thotë brezave të rinj se fisnik është ai që ka pasuri e jo ai që ka virtyte; se atdhetar (nacionalist) është ai që ka saraje, toka e bagëti e jo ai që nuk kursen asgjë për t’i shërbyer atdheut dhe popullit të tij; se puna e paguar ose jo në shërbim të shoqërisë është budallallëk, shfrytëzim e skllavëri, ndërsa puna e kryer në shërbim të vetes dhe shpesh në kurriz dhe dëm të shoqërisë është shprehja më e lartë e humanizmit dhe lirisë; se librat dhe arti që lartësojnë sakrificat e individit për shoqërinë janë pranga të moralit dhe talentit, ndërsa librat dhe arti që glorifikojnë individualizmin, aventurizmin, banalitetin, luksin e fituar pa mund, vulgaritetin dhe ekstravagancën janë kulmi i progresit, lirisë dhe suksesit.
Keni kaq vjet që shthurjen dhe perversitetin na e shisni si produkte të lirisë e demokracisë; që martesën si koncept e keni zëvendësuar me bashkëjetesën; që termat shekullorë të bashkëshortit/ bashkëshortes (fatit të përbashkët) i keni zëvendësuar me ato të partnerit/partneres, njëlloj si në biznes apo sport; që emrat e shenjtë “nënë, baba, prind” kërkoni t’i zëvendësoni me numra “prindi 1, 2” etj., njëlloj si matrikujt e mushkave në pazar; që homoseksualët dhe shumëseksualët na i keni shpallur si “pjesa më e bukur dhe e përparuar e shoqërisë”; që nuk keni lënë hajn, lavire dhe trafikant droge e femrash pa e shpallur VIP, domethënë Person Shumë të Rëndësishëm, duke ua paraqitur gjithë shqiptarëve por, veçanërisht brezit të ri, si modele suksesi për t’u ndjekur (Ky është Njeriu juaj i Ri); që, nga njëra anë, me të drejtë, mallkoni regjimin diktatorial pse ndaloi ushtrimin e fesë dhe, nga ana tjetër, i keni shpallur të gjitha mëkatet e Sodomës dhe Gomorrës si shprehje e lirisë dhe të drejtave të individit; që librin e kuq të gënjeshtrave të para 1990 e keni zëvendësuar me qindra libra të tjerë gënjeshtrash gjithfarë ngjyrëshe.
S’më çudit fakti se ka jo pak bartës të këtij morali, por më brengos fakti se bartësit dhe admiruesit e këtij lloj morali po bëjnë çmos, ditë për ditë, tash 32 vjet, që këtë moral ta përçojnë tek brezi i ri me të gjitha mjetet e mënyrat. Ka ardhur puna deri aty sa që virtyti t’i druhet vesit; që i ndershmi të turpërohet përpara horrit; që idealisti të pendohet për sakrificat e bëra për të mirën e përbashkët dhe të admirojë pehlivanët, sekserët, grabitësit e pronave dhe shfrytëzuesit e punës së më të dobëtëve; që i dituri xhepazbrazur t’i përkulet horrit batakçi e mendjeshkundur, por milioner e “elitar” etj.etj. Jo vetëm po zhvillohet pandalshëm industria e trushplarjes, por me cinizëm po trajtohen njerëzit si budallenj lehtësisht të manipulueshëm.
Në këtë katrahurë zvetënuese, i ndershmi dhe atdhetari i vërtetë çuditet, hutohet dhe fyhet kur shikon cilat kategori njerëzore ngrihen sot në piedestalin shoqëror, kur shikon e dëgjon se si justifikohen, madje lartësohen kolaboracionizmi dhe kolaboracionistët. Personalisht nuk kam pasur askënd pjesëtar të formacioneve politike apo ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore, por është revoltuese dhe e papranueshme që, për hir të një grushti batakçinjsh politikë dhe puthadorësh të pushtuesit dhe, duke marrë shkas nga rënia e sistemit politik që pasoi atë periudhë, të bëhen tani përpjekje të pandalshme dhe të paskrupullta për të injektuar në ndërgjegjen shoqërore shqiptare doktrinën e tradhtisë kombëtare, duke përligjur e glorifikuar sjellje e veprime që shoqëria njerëzore, qysh nga Lashtësia e këtej, kudo e kurdoherë i ka damkosur, përbuzur dhe ndëshkuar.
Shpresa se mund të ndriçosh të shkuarën tënde të errët duke errësuar kundërshtarin, apo duke u përpjekur të ndryshosh parimet themelore të shoqërisë njerëzore, është shpresë e kotë dhe thellon moçalin moral ku zhyten ata që e bëjnë. Fajet dhe krimet e kryer pas 1944 nga regjimi që erdhi në fuqi as i bëjnë të paqena, as i amnistojnë dhe as i arsyetojnë qëndrimet dhe krimet e kundërshtarëve të tyre, të kryera para, gjatë apo pas luftës. Vlerat dhe antivlerat e secilit përcaktohen nga sjelljet dhe veprimet e tij dhe jo nga stereotipi i kundërshtarit politik. Nuk mund t’i shpëtosh gjykimit të historisë dhe të ndërgjegjes shoqërore thjesht duke demonizuar kundërshtarin, por duke përmirësuar veten.
Dhunimi i varrit të Mithat Frashërit kohët e fundit ishte një veprim moralisht i turpshëm dhe ligjërisht i dënueshëm, ashtu siç ishte vendosja e bustit të tij, në atë vend nderi, akt mendjelehtë, i turpshëm dhe i papranueshëm. Historinë dhe kriteret universale morale e shoqërore nuk mund t’i ndryshojnë as pushtetarët me çitjane të zeza dhe as ata me qeleshe të bardha. Bindja ime është se çdo shqiptar, duke përfshirë edhe Esat pashë Toptanin, ka të drejtë të prehet në vendin e vet, por ngritja e busteve dhe shtatoreve duhet të jetë një akt i mirëstudiuar dhe mirëmenduar, si historikisht ashtu edhe moralisht e politikisht.
Përpjekjet për ta justifikuar vendosjen e bustit të tij me kontributet e dhënë në të kaluarën, kontribute të lavdërueshme por të stërmadhuara, janë hileqare dhe pasionante. Homologët e tij në Evropë, pas L2B përfunduan në plumb ose litar, pavarësisht të shkuarës së tyre jo rrallë të lavdishme dhe heroike. Mithat Frashëri ishte një intelektual i konsoliduar, që e donte vendin dhe popullin e vet por, në momentin më vendimtar për ta, bëri zgjedhjen më të gabuar dhe kundër interesave afatgjata kombëtare. Për kontributet e tij (në të vërtetë, modeste) në letërsi ose diplomaci mund t’i vendoset bust a fotografi në Akademinë e Shkencave apo në sallat përkujtimore të Ministrisë së Jashtme, por bustet e bashkëpunëtorëve të pushtuesve nuk mund dhe as duhet të vendosen në sheshet publike. Po të jetë puna për kontribute në zhvillimin arsimor, kulturor, mjekësor, urbanistik e industrial dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, Hoxha ka merita disa herë më të mëdha se të gjithë kundërshtarët e tij politikë së bashku, mirëpo ka mbi shpinë një barrë të rëndë me gabime, faje e krime, barrë që e bën me gungë çfarëdo busti apo shtatoreje të mundshme të tij.
Dëgjo Zotëri! Keni kaq vjet e dekada që përpiqeni të bindni shqiptarët se, po të kishin qenë në pushtet pas 1944 Mithatët me shokë Shqipëria do të ishte sot “si gjithë Evropa” dhe se sundimet e tyre do të kishin qenë të drejta dhe mirëfilli demokratike. Vërtetë e besoni dokrrën tuaj? Po kush e qeverisi Shqipërinë për 32 vjet, nga 1912 deri në 1944, dhe çfarë Shqipërie na lanë ata kur ikën me bisht nën shalë për shkak të frikës nga ndëshkimi për të kaluarën e tyre kriminale?! A nuk ishte Shqipëria e 1944 një konstelacion katundesh mesjetarë ose, siç thoshte diplomati italian Pjetro Kuaroni “Kush do të dijë si jetonte njerëzimi në vitin një mijë, le të vijë të vizitojë Shqipërinë”?!
Kam pasur dhe kam gjithnjë bindjen se ballistët ishin po aq patriotë dhe e donin vendin e tyre sa komunistët, zogistët dhe njerëzit e tjerë pa parti, por orientimi dhe udhëheqja e gabuar e kupolës së tyre politike i futi shumicën e tyre në një rrugë të gabuar, të dënueshme moralisht dhe ligjërisht. Tani, teknologjia e trushplarjes dhe impianti i mashtrimeve kërkojnë të na bindin se ata që përkrahën me vepra ose me heshtje krimet e shumtë të kryer gjatë monarkisë formalisht parlamentare, por praktikisht absolute të A. Zogut; ata që pritën 3 vjet nga pushtimi i vendit për të krijuar një formacion politik, i cili në traktin e parë të tij nuk bënte thirrje për luftë kundër ushtrive fashiste, madje as në Dekalogun e vet nuk i cilësonte pushtuese, përkundrazi shpallte: “Me u armatosë e me pritë mbarimin e luftës” (pra, armët i donin për tjetër gjë dhe kundër tjetërkujt, dhe jo për çlirim nga pushtuesi); ata që realizuan Marrëveshjen Dalmaco-Këlcyra; që dërguan përfaqësuesit e vet në organet më të larta sunduese të drejtuara nga pushtuesit; ata që lëshuan urdhra, udhëzime dhe miratuan plane konkrete për spiunimin, arrestimin, internimin, djegien e shtëpive dhe vrasjen e asaj pjese të popullit që luftonte pushtuesit; ata që morën përsipër detyrat e mbrojtjes së rrugëve gjatë marshimeve të pushtuesve dhe u bënë pjesë e formacioneve të tij luftarake kundër çlirimtarëve; ata që iu shpallën luftë tri Fuqive kryesore të Bllokut Antifashist apo zunë rob e iu dorëzuan nazistëve përfaqësuesit anglo-amerikanë në Shqipëri gjatë Luftës, paskan qenë ajka intelektuale, atdhetare dhe demokratike e vendit!
Zyrtari i lartë amerikan i L2B Harri Fulc na e jep qartë mozaikun politik antikomunist, por pro-nazifashist kur thotë: “… duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre i përziejnë ato me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman… Këto gërshetohen mirë prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë. Ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa në të njëjtën kohë adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti… Ata preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar… ata nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës. Anëtarët e këtij grupi me pozita shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira. Elementë të këtij grupi janë:
- Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj.
- Bajraktarët, dhe kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët.
- Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit: Markagjonajt, Krujat, Bushatët, Çobat, Harapët.
- Elementët ballistë, shumica e të cilëve, ka dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandarmërisë, zyrtarët profesionistë dhe tregtarët e pasur, doktorët dhe gjykatësit e privilegjuar. Me ndonjë përjashtim të vogël, shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. (Dokumenti origjinal në arkivin e DASH: A. M 1211/16/875.01/9-2244).
Duke pasur parasysh të kaluarën e pretenduesve antikomunistë për pushtet, si dhe shembullin e sjelljes së të djathtës greke pas Luftës, nuk është vështirë të merret me mend se çfarë rendi demokratik do të instalonin ata që “përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. A mund të ndërtonin shtet demokratik pas Luftës përfaqsuesit e ” interesave më antidemokratike të vendit ” ( sipas H. Fulc ) ? Aq sa mund të bëhet bukë gruri me krunde dhe aq sa mund të ndërtojë shtet demokratik sot Sali Berisha, i shpallur non – grata nga Anglo – Amerikanët si minues i demokracisë.
Teknologjia e vjetruar antikomuniste një herë thotë se Balli nuk bashkëpunoi kurrë me pushtuesit, pastaj pohojnë se bashkëpunuan, por këtë e bënë për hir të “Shqipërisë Etnike”, ose për të penguar ardhjen e komunistëve në pushtet- pra, rrjedhimisht, për t’i hapur rrugën pushtetit të tyre; një herë tjetër pretendojnë se Balli luftoi pushtuesit (është e vërtetë që njësi të veçanta balliste, me iniciativën e tyre, e bënë këtë), por u penguan nga komunistët që prishën Marrëveshjen e Mukjes (a thua se nuk mund të luftohej pushtuesi edhe pa atë marrëveshje të prishur?); tjetrën herë justifikohen duke thënë se Balli, dhe vetë M. Frashëri ishin kundër luftës pasi e quanin “dhunë e panevojshme dhe anarkizëm komunist” etj.etj. Të paktën të mbanin një qëndrim unik ndaj kësaj çështjeje, qoftë edhe të gabuar.
Euforia dhe histeria e krijuar pas rënies së sistemit diktatorial kanë shkuar deri aty sa të na e shpallin M. Frashërin “gjeni të kombit” dhe mosdashjen apo paaftësinë e tij për të krijuar familje të na e shesin si “sakrificë” të tij për kombin pasi “druhej” se ekzistenca e familjes do ta pengonte t’i shërbente vendit.
Në të vërtetë, janë me qindra dokumentet gjermane, italiane, anglo-amerikane dhe të vetë Ballit Kombëtar që e vërtetojnë bashkëpunimin e kësaj organizate me pushtuesit e vendit, dhe jo ashtu siç pohon një i ndërkryer me emrin Vasil Gjika se “Përfaqësuesit e historiografisë enveriste kanë pretenduar dhe guxuar të përdorin baltën enveriste për të argumentuar “bashkëpunimin” me gjermanët të M. Frashërit por, më së shumti, bazuar në deduksione e silogjizma materialiste- marksiste, pa asnjë fakt apo ngjarje konkrete që të provojë rreshtimin e partisë së M. Frashërit dhe A. Këlcyrës gjatë L2B”.
Në letrën që fashisti i vetëdeklaruar Kolë Bibë Mirakaj i dërgonte në gusht 1967 eksponentit të B.K., Abaz Ermenji, i thoshte: “Na queni ne kolaboracionista me të huejt, me okupatorin. As e kemi mohue, as nuk kemi ndërmend të fshihemi, siç po bajnë disa prej jush, se kishit bekimin e Mithat Frashërit me bashkëpunue me fashista, gjoja me sabotue. Ne nuk e mohojmë bashkëpunimin tonë me Italinë Fashiste, për rrjedhim me Boshtin Romë-Berlin. Por, asnjë prej jush mos e mohoni bashkëpunimin tuej. Edhe ju bashkëpunuet me të huejt, madje jeni mburrë për atë bashkëpunim, pra kolaboracionista kemi qenë të dyja palët”.
Dëgjo Zotëri! Të besosh apo të miratosh “idenë” se “një Shqipëri pa komunizëm ishte më e mirë se çdo Shqipëri tjetër”, do të thotë se edhe një Shqipëri nën sundimin e pushtuesve, edhe një Shqipëri nën sundimin e një diktature të huaj naziste apo fashiste ishte më e mirë se një Shqipëri e sunduar nga shqiptarët komunistë. Një Shqipëri e tillë është e sigurt, sipas jush, sepse do të ishte më e mirë për një grusht pasanikësh që, për të ruajtur pozitat e tyre të vjetra politike dhe ekonomike, ishin të gatshëm t’i shisnin bashkë me ndihmën për të shtypur rezistencën kombëtare edhe shpirtin cilitdo të huaj, siç bënë edhe jo pak kundërshtarë të A. Zogut më herët. Shqipëria e pas 1944, përveç natyrës së ideologjisë sunduese dhe formimit të elitës politike drejtuese, qe një diktaturë aq e ashpër edhe për shkak të sjelljeve dhe veprimeve kriminale të “elitës” së përmendur nga Harri Fulc gjatë L2B dhe, veçanërisht për shkak të reagimit të asaj elite dhe rrethit të tyre fisnor pas luftës, duke mos pranuar asnjëherë krimet e kryer dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme, edhe me armë, për të rikthyer pushtetin e humbur, si askund tjetër në Evropë.
Të justifikosh M. Frashërin dhe shokët e tij për bashkëpunimin me fuqitë e huaja pushtuese dhe diktatoriale, për t’i shpëtuar një diktature vendase, do të thotë se nuk je kundër cilësdo diktaturë, por vetëm kundër asaj që të heq mundësinë për pushtet vetjak, do të thotë se nuk je as demokrat dhe as atdhetar. Praktikisht, po thua qartësisht se je një nga ata “asamblistët” e prillit 1939, që kurorën atdheut të tyre ia dhuruan mbretit të diktaturës fashiste italiane me arsyetimin se nuk meritonte ta mbante as Ahmet Zogu dhe asnjë diktator tjetër shqiptar.
Të pyesësh se “cili shqiptar vuajti falë pozicionit politik të M. Frashërit gjatë L2B” është pyetje djallëzore edhe e ligë. Pasojat e bashkëpunimit të Frashërit e Co. me pushtuesit kanë qenë sa morale, aq edhe kombëtare, politike e me viktima njerëzore. Ishin dhe mbeten morale sepse, në kundërshtim me moralin shoqëror shqiptar dhe mbarënjerëzor, në kundërshtim me interesat kombëtare e njerëzore, jepet mesazhi se është njëlloj si ai që jep jetën në luftë me pushtuesin edhe ai që puthet e i shërben këtij të fundit, madje shërbëtori i pushtuesit meritoka më shumë vlerësime. Të gjithë shërbëtorët e pushtuesve kanë pasur pretekstet e tyre, por të gjithë janë damkosur nga historia dhe morali njerëzor.
Pasojat e mundshme kombëtare e politike qëndronin në vlerësimin dhe rreshtimin e Shqipërisë pas Luftës në kategorinë e vendeve profashiste dhe, rrjedhimisht, përdorimin e saj si mall këmbimi në tregun politik evropian, duke rrezikuar ekzistencën e saj. Pasojat njerëzore janë të panumërta pasi i tillë është numri i shqiptarëve që u spiunuan, arrestuan, internuan apo vranë si rezultat i shërbimeve të drejtpërdrejta të eksponentëve qeveritarë apo formacioneve të vënë në shërbim të pushtuesve në terren. M. Frashëri s’kishte nevojë “të kishte pushtet që të ndikonte tek gjermanët për vrasjen e partizanëve”, sepse ai kishte forcat njerëzore të tij në sferat më të larta sunduese, siç qenë Qeveria dhe Regjenca, ashtu si dhe formacionet në terren që, sipas dokumenteve të ushtrisë gjermane të botuara së fundmi, ishin armatosur prej saj dhe u bën pjesë e atyre njësive që luftonin çlirimtarët, dogjën fshatra të tëra, vranë dhe shfarosën sa e sa shqiptarë në kampet e tyre të përqendrimit.
Ashtu si komunistët nuk mund të përdorin qëndrimet e B. Kombëtarë gjatë Luftës për të përligjur krimet e kryer pas vitit 1944 (këtu nuk bën pjesë ndëshkimi i bashkëpunëtorëve të pushtuesve dhe as i spiunëve apo grupeve terroriste të pasluftës), po kështu, dhe aq më pak, as Balli dhe elementët e tjerë bashkëpunëtorë të nazifashistëve nuk do të mund t’i përligjin qëndrimet dhe krimet e tyre gjatë L2B me ato që ndodhën më vonë. Ka ardhur koha, madje ka kaluar, që të dyja palët të pendohen për mëkatet e dikurshme.
DITA