PËRSE VRINGËLLIJNË ARMËT? ANALIZA NGA VIKTOR MALAJ: PËR KONFLIKTIN TURQI-GREQI, SHQIPËRINË DHE BE-në

11/09/2020 06:28

ANALIZË

 

 

PËRSE VRINGËLLIJNË ARMËT?

- PËR KONFLIKTIN TURQI-GREQI, SHQIPËRINË DHE BE-në

 

Nga Viktor MALAJ

 

Situata e krijuar kohët e fundit në Detin Mesdhe, midis Turqisë dhe Greqisë, ka nxjerrë në pah disa probleme që i kalojnë kufijtë e marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve.

Në pamje të parë duket sikur mospajtimet dhe acarimet midis dy shteteve kanë lindur thjesht nga fakti se nuk pajtohen me kufijtë territorialë të detit që pretendon secila palë. Pretendimet dhe lufta për territore, tokësore, detare dhe, më vonë, ajrore midis kombeve dhe shteteve është po aq e vjetër sa historia e krijimit të tyre.

Por Bota prej shumë dhjetëvjeçarësh mëton të shkëputet nga atavizmat dhe shtetet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet sipas mendësive që synojnë normat e bashkëjetesës së kombeve dhe shteteve të sanksionuara në akte të ndryshme ndërkombëtare.

Në rastin konkret, më shumë se mospajtimet për detin territorial të bën përshtypje mënyra e reagimit të secilës palë në konflikt. Veçanërisht përshtypje të hidhur të bëjnë edhe sjelljet e shteteve të tjera që lidhen në mënyra të ndryshme me situatën e krijuar në rajon.

Sikur të ishte thjesht një mosmarrëveshje për kufijtë e detit territorial problemi ndoshta mund të gjente zgjidhje nëpërmjet institucioneve dhe instrumenteve ndërkombëtare përkatëse. Duket qartësisht se thelbi i çështjes ndodhet në pasuritë e gazit dhe naftës që gjenden apo mendohet se gjenden poshtë sipërfaqeve detare të pretenduara, si dhe në synimet e këtyre shteteve për “zgjerim” apo “zmadhim”.

Si në të gjitha rastet e ngjashme, edhe këtu implikimet i shkaktojnë interesat ekonomike dhe gjeostrategjike të disa shteteve të tjera.

Mënyra e reagimit të shteteve të ndryshme nxori në pah simpati, aleanca, marrëveshje dhe interesa të vjetra dhe të reja. Turqia, një shtet që dikur ka qenë perandori, dhe si të gjitha perandoritë, është formuar dhe ka sunduar nëpërmjet pushtimeve dhe grabitjeve, edhe sot në shekullin e 21-të shfaq shenjat (simptomat) e vjetra në kohë të reja.

Në pamundësi subjektive për ta analizuar problemin nuk mund të themi se kush dhe deri ku ka të drejtë në pretendimet e veta lidhur me detin që i bashkon dhe i ndan, por evokimi nga Presidenti Erdogan i së kaluarës perandorake të popullit turk dhe, sidomos, i pushtimeve të bëra nga Perandoria Osmane, është një shenjë e keqe e të sotmes dhe të ardhmes së paqes në rajon.

Të krenohesh me pushtimet do të thotë se, po të kishe mundësi dhe rrethanat të lejonin, do t’i bëje sërish mizoritë kriminale të paraardhësve të tu.

Po kështu, pohimet e admiralit turk Çem Gyrdeniz, themelues i doktrinës “Mavi Vatan” (Atdheu Blu) se “Me Traktatin e Lozanës të vitit 1923 Ankaraja ia dha të gjithë ishujt e Egjeut Greqisë… Në shekullin e 21-të Turqia synon të bëhet një fuqi e nivelit rajonal dhe, nëse Turqia aspiron të bëhet një fuqi kontinentale, atëherë Mesdheu nuk është i mjaftueshëm… Ajo që besoj është se Turqia duhet të rritet duke nisur nga prania e saj detare”, të kujton pohimet dhe pretendimet e Hitlerit se Gjermanisë i ishin bërë padrejtësi pas Luftës së Parë Botërore dhe, prandaj kishte nevojë për hapësira jetike dhe për t’u hakmarrë. Turqia edhe mund të ketë të drejtë lidhur me pretendimet për disa hapësira detare, por rendi botëror rregullohet dhe ndreqjet bëhen  sipas procedurave dhe me instrumentet që njeh e Drejta Ndërkombëtare.

Në të njëjtat ujëra noton edhe Greqia e cila është një shtet që është zmadhuar disa herë krahasuar me sipërfaqen fillestare që kishte në mesin e shekullit të 19-të. Të dyja janë shtete gjysmëfetare dhe me histori të zymtë të trajtimit të pakicave kombëtare dhe fetare dhe, gjithashtu kanë histori të palavdishme të marrëdhënieve me fqinjët.

Ndërsa pohoi një të drejtë që ia njeh Ligji Ndërkombëtar lidhur me shpalljen e detit territorial deri në 12 milje (atje ku e lejon hapësira përkatëse), kryeminsitri grek Micotaqis foli edhe për “rritje” apo “zmadhim” të Greqisë. Deputeti i partisë së Kryeministrit, z. Dimitris Keridis pohoi se “Politika e jshtme greke orientohet nga e drejta ndërkombëtare…”. Të gjithë kështu thonë, por kur vjen puna për zgjidhjen praktike përdorin “shkopin dhe karrotën” sipas rastit dhe mundësive.

Presionet që qeveritë dhe politika greke i kanë bërë Shqipërisë vazhdimisht, por, sidomos gjatë bisedimeve për marrëveshjen e vitit 2009 për delimitimin e hapësirës detare dhe vitet e fundit, duke ngritur pretendime të rreme për keqtrajtimin dhe shkeljen e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri apo duke e kushtëzuar votën e tyre për pranimin e Shqipërisë në BE me kërkesa që s’kanë të bëjnë me kriteret e BE-së, flasin shumë.

Është thuajse e sigurt se, sikur Greqia të kishte kapacitetet gjeografike, ekonomike dhe ushtarake që ka Turqia sjellja e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos me fqinjët, do të ishte shumë më e vrazhdë, më agresive dhe më e paligjshme. Keqpërdorimi që i bën ajo statusit të saj në BE sa herë lindin probleme në marrëdhëniet me fqinjët apo nevojat e fqinjëve (sidomos Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut) nuk flet as për ndershmëri dhe as për mirëbesim në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mbajtja ende në fuqi e Ligjit të Luftës së vitit 1940 me Shqipërinë, pavarësisht përrallave greke se ai është shfuqizuar, është tregues i qartë dhe kuptimplotë i mendësisë së pandryshuar prej gati 200 vitesh lidhur me shqiptarët. Bindja ime është se qeveritë shqiptare as nuk duhet të futen fare në bisedime me qeveritë greke lidhur me hapësirat detare (apo edhe tokësore e ajrore) për aq kohë sa institucioni përkatës grek nuk e abrogon ligjin në fjalë.

Situata e krijuar midis Turqisë dhe Greqisë nxori në shesh të hapur edhe disa probleme serioze ndërkombëtare. Të dyja këto vende janë anëtare të NATO-s. Neni 1 i Traktatit të Atlantikut Verior përcakton se “Shtetet anëtare i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërkombëtare në të cilat përfshihen me mjete paqësore në mënyrë të tillë që paqja, siguria dhe drejtësia ndërkombëtare nuk rrezikohen, dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare përmbahen nga kërcënimet dhe përdorimi i forcës në mënyra që s’përputhen me qëllimet e OKB-së”.

Gjatë kohëve të fundit ne po shohim sjellje dhe qëndrime krejt të kundërta me detyrimet e palëve që kanë firmosur traktatin (marrëveshjen). Në vend që t’i zgjidhin me bisedime dypalëshe ose duke iu drejtuar institucioneve përkatëse ndërkombëtare, palët po vringëllijnë armët me demonstrime të mjeteve ushtarake, shoqëruar me kërcënime verbale (me gojë e shkrim).

Ndërkohë edhe aleatët respektivë, të vjetër e të rinj, treguan gatishmëri për t’u rreshtuar në krah të njërës dhe tjetrës palë. Çfarë duan anijet dhe avionët luftarakë francezë, rusë apo amerikanë në Mesdhe këto ditë?! Si do të silleshin Franca, Amerika apo ndonjë shtet tjetër anëtar i NATO-s në rast konflikti ushtarak midis Turqisë dhe Greqisë? Neni 5 i Traktatit të lartpërmendur i lejon të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, vetëm apo së bashku, t’i vijnë në ndihmë cilitdo anëtari tjetër që sulmohet ushtarakisht.

Mirëpo, në rastin konkret të dy shtetet në konflikt janë anëtarë të kësaj organizate politiko-ushtarake. Atëherë si do të veprojnë shtetet e tjera?! A mundet një organizatë e tillë ta justifikojë qenien dhe qëllimet e shprehura për paqe, siguri e drejtësi kur këto nuk i siguron dot brenda radhëve të saj dhe kur shtetet anëtare të saj nuk iu përmbahen normave të organizatës, pjesë e të cilës janë?!

Ç’punë ka Franca, si anëtare e BE-së (sepse, si anëtare e NATO-s i ka njëlloj të dyja), të kërcënojë Turqinë (apo cilindo shtet tjetër) duke u shprehur se “Turqia merr vesh vetëm me vepra”, kur qëndrimi politik ndaj situatës dhe konfliktit do të duhej të ishte i unifikuar dhe të shprehej nga autoriteti përkatës i Bashkimit Evropian?!

Po Ministri i jashtëm i BE-së, z. Josep Borell a është i sigurt se anëtarët e kësaj federate shtetesh, Greqia dhe Qipro, kanë plotësisht të drejtë në mosmarrëveshjet me Turqinë kur shprehet se “Ne jemi të qartë e të vendosur në mbrojtjen e interesave dhe solidaritetit të BE-së me Greqinë e Qipron”?!

Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe veçse: BE i mbrokërka anëtarët e saj pavarësisht sjelljeve të tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pavarësisht nëse kanë apo jo të drejtë në pretendimet e tyre politike dhe jo vetëm?!

Ajo që duket qartë është fakti se interesat ekonomike, jo vetëm të Turqisë e Greqisë, por edhe të shumë shteteve të tjerë, përplasen në Mesdhe. Lufta për zona ekonomike, për naftë e gaz, për sundim rajonal e botëror është shkaku kryesor i vringëllimit të armëve sot në Mesdhe.

Aeroplanmbajtëset që patrullojnë sot Mesdheun janë atje për të mbrojtur paqen dhe të Drejtën Ndërkombëtare apo për të mbrojtur pjesën e pretenduar të “tortës” që ndodhet poshtë detit ku ato “shëtisin”?! Kur vjen puna tek interesat ekonomike thuajse çdo shtet i shkel normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe shkalla e shkeljes së tyre shkon zakonisht në përpjesëtim të drejtë me fuqinë ekonomike, ushtarake dhe politike të aktorëve veprues.

Kjo është arsyeja që shtete si Franca u vendosin “vija të kuqe” të tjerëve edhe pse vetë kanë ecur thuajse gjithmonë mbi “vijat e kuqe” që ka vendosur e drejta ndërkombëtare.

Qeveritë shqiptare duhet të mbajnë mirë parasysh se, për to dhe për të gjithë shqiptarët, Shqipëria qendron mbi BE-në dhe nuk mund dhe as duhen sakrifikuar interesat afatgjata dhe integriteti i saj territorial për hir të pranimit në një federatë shtetesh që tallet në vazhdimësi me shtetet e varfër e të dobët që i trokasin në derë, pa e pasur as të ardhmen e vet (si bashkësi shtetesh) të qartë dhe të sigurt.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode