PËRSE MOHOHET NJË TRADITË E LASHTË MIQËSORE!

07/11/2018 07:20

OPINION

 

 

PËRSE MOHOHET NJË TRADITË E LASHTË MIQËSORE!

Fitim ÇAUSHI

 

Kohët e fundit opinioni shoqëror gjirokastrit u sensibilizua ndjeshëm nga informacioni që ekspozoi vendi fqinj Greqia, për pagesa sekrete të qeverisë së saj ndaj kishës dhe disa mercenarëve në Gjirokastër. Duheshin vetëm disa ditë, që në një ditë feste, të ndodhte një tragjedi, të cilën jo pak qytetarë gjirokastritë e lidhën pikërisht me këto pagesa sekrete.

Protokolli i Firences,  më 1913, përcaktoi kufijtë greko-shqiptar të vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Brenda kufijve të shtetit shqiptar u përfshi edhe krahina me minoritetin grek. Të drejtat e këtij minoriteti, Qeveria shqiptare e asaj kohe i njohu zyrtarisht me Deklaratën e bërë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë më 2 tetor 1921, nënshkruar nga Ministri i Jashtëm Fan Noli dhe Henri Colban.

Në përgjithësi minoritetet, për shkaqe të dallimeve kombëtare, të gjuhës, kulturës e  psikologjisë, përbëjnë vatra tensioni dhe konfrontimi, por për shkak të marrëdhënieve të mira dhe miqësisë midis popujve grek dhe shqiptar, minoriteti grek në Shqipëri, nuk kishte arritur në këto ekstreme.  Marrëdhëniet mes tyre kishin rrënjë gjatë shekujve. Ata i kishte bashkuar fati i përbashkët, vuajtjet dhe rezistenca e përbashkët kundër sundimit osman. Mes tyre ka ekzistuar një lidhje ekzistenciale që i kishte bashkuar prej shumë  shekujsh. Për këtë të vërtetë dëshmojnë shumë personalitete zyrtare të huaja dhe udhëtarë nëpër shekuj, çka na bëjnë të mendohemi thellë dh të vlerësojmë një të vërtetë historike:

 

Udhëtari francez George Guillet de Saint Georges, në vitin 1669 konstaton vendbanimet shqiptare në rrethinat e Atikës: “shqiptarët  i kanë bërë një luftë të ashpër pushtuesve osmanë. Nga turqit e grekët këta shqiptarë quhen arvanitë, ose albanais”(Voyage de Dalmacie, de Greçe  et Levant, La Guilletiere, La Hay, 1723).

Autori shkruan për ngjarje që kanë ndodhur 350 vjet përpra, periudhë e dëshmuar edhe nga gjeografi anglez George Wheler, duke kalur në Tebë më 1675: “Iu ngjitëm malit përmes një rruge mjaft të keqe dhe arritëm në një fshat ku banonin shqiptarët, të cilët e quanin Vlaki”. (A Journey into Grece,George Wheler, London, 1682.)

Për këtë periudhë, para  350 vjetëve, dëshmon edhe konsulli francez Jean Giraud, më 1674, në “Relation de l’Attique”: “Shqiptarët janë të paktë brenda qytetit, por të shumtë në rrethinat e Athinës. Gjithë fshatrat janë të rrethuara nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur prej kohësh nga Shqipëria. Ata janë të fuqishëm dhe gazmorë…Dinë të qëndrojnë në pozicione të favorshme ku katër prej tyre mund të kapin dhjetë të tjerë. Ka njëzet vjet që dy shqiptarë  të quajtur Buzbali dhe Llambro  ngritën krye  me njëqind e njëzetë të tjerë  dhe gjatë pesë gjashtë muajve i mbajtën të rrethuar athinasit, të cilët s’dilnin dot prej qytetit. Më së fundi turqit dhe grekët e Athinës dolën nga qyteti me 700 luftëtarë për t’i rrethuar shqiptarët, por ata u mbrojtën dhe ditën të tërhiqen drejt malit, duke luftuar me aq forcë sa shumë prej turqve u plagosën dhe të tjerët u kthyen në qytet. Midis Moresë, Athinës, Tebës e Negrponto, gjenden 60.000 shqiptarë, të gjithë të lindur në halle, por të mirë në rast nevoje. (Dorëshkrim në Biblotheque Nacional de France, Departamenti i mbishkrimeve)

Po në këtë periudhë historiani venecian Jacob Spons, pasi viziton Delfin, në vitin 1676 kalon në Arashova: “Arashova është një fshat i madh prej 200-oxhaqesh (familjesh) të gjithë banorët janë grekër dhe shqiptarë”. (Voyage d’Italie, de Dalmatie, de Grece et da Levant, Jacob  Spons, ed. Cellier, Lyon, 1678)

Sikundër shihet midis shqiptarëve dhe grekëve kemi një bashkëjetesë miqësore qysh 350 vjet përpara, e që do të forcohet në vazhdimësi. Në vitin 1784 ambasadori francez në Kostandinopojë, Choiseul –Gouffier do të shkruante: “Në Greqi ka dy lloj racash njerëzore të dallueshme dhe që njihen me lehtësi: raca e shqiptarëve dhe raca helenike. Në epoka të ndryshme shqiparët kanë pushtuar Greqinë kontinentale dhe Peloponezin”. (Voyage pittoresque, Choiseul –Gouffier, Paris ,1782)

 

Mbi 230 vjet përpara ambasadori francez dëshmon për identitetin e afirmuar të shqiptarëve në Greqi, si një popullsi e dallueshme me tiparet e saj origjinale. Lind pyetja: Ç’u bë gjithë kjo popullsi shqiptare prej qindra mijëra njerëzish shpërndarë në tërë territorin e Greqisë?  Ç’u bë identiteti i saj?

 

Që shqiptarët ishin banorë të përhapur në të gjithë Greqinë, e pohojnë shumë udhëtarë të huaj: Gjatë udhëtimit në More në 1851, Edmond About do të shkruante: “Njëzet e pesë vjet më parë, Athina ishte veç një fshat shqiptar. Shqiptarët formonin, si dhe sot, pothuaj gjithë popullsinë e Atikës”. (La Grece, contemporaine, Edmond About, Hachette et Cie, Paris, 1854.)

Sikundër shihet i përket vitit 1826, sapo ishte shpallur Pavarësia e Greqisë.  Për fshatrat e Beotisë  dhe Thivës konsulli francez Henri Belle shkruan: “Nuk ka në Greqi kaq shumë fshatra shqiptare sa në Greqinë kontinentale, por të gjithë janë të përqëndruar në masivet malore  midis luginës së Nedas  dhe asaj të Alfesë. Kjo dyndje e vazhdueshme dhe progresive drejt Greqisë, e racës së veriut,  është një fenomen historik”. (Trois ans en Grece, Henri Belle, ed. Hachette, Paris 1863)

Madje anglezi Thomas Hugens, kur kalonte rrëzë kështjellës së Argos, na jep një të vërtetë historike: “Në Janinën e Shqipërisë, mjafton të vështrojë zbukurimet e këtyre vajzave arvanitase, por ato hezitojnë t’i shkëmbejnë kur u afron para.” (Voyage a janina , en Albanie, por la Sicilie  e la Grece, Thomas Hughes, Librarie De Dibe  Fils , Paris, 1821)

Këtë e konstaton edhe udhëtari gjerman J.L.S.Bartholdy: “Shumica e banorëve në Lithada ishin shqiptarë…në gërshetat e gjata shqiptaret mbanin shumë monedha argjendi të lidhura në varg, ku në çdo lëvizje të trupit ato lëshonin tingëllime  të rregullta, çka u jepte atyre një pamje të hijshme”. (Voyage Grece, J.L.S.Bartholdy, Paris)

Duke përshkruar betejën e Nafplios, historiani grek Argirou, kujton: “Më kujtohet kur më 4 dhjetor 1821, ajo qëndronte në këmbë mbi kuvertën e anijes, duke urdhëruar sulmin  mbi kështjellën e Nafplios. Por 300 topat e kështjellës e sprapsën sulmin e marinarëve të saj. Si një amazonë në zëmëratë, Bubulina u thirri: “Jini gra apo jini burra të vërtetë?…Përpara!”

Për këtë heroinë suljote, kanë shkruar shumë studiues dhe udhëtarë të huaj, mes tyre edhe Michel de Grece: “Laskarina Bubulina kjo femër joshëse dhe heroinë moderne për kohën e vet, bëri që njerëzit ta adhurojnë secili në mënyrën e vet. Pasurinë e saj e vuri në shërbim të luftës. Por dashuritë e saj të stuhishme s’do ta bëjnë asnjëherë të harrojë pasionin e vërtetë të saj: çlirimin e Greqisë”.(La Bouboulina, Mishel de Grece, Livre de Poche , Paris, 1995)

Pasioni i Bubulinës për çlirimin e Greqisë është lapidare! Me të do të kujtohet edhe kontributi i heronjve të tjerë arvanitas për të cilët ka shkruar edhe  arkeologu dhe historiani francez Albert Dumond: “Shqiptarët e kolonizuar gjenden kudo ku ka diçka heroike. Ata mund të jenë krenar për pjesën e tyre  të lavdisë. Ata i dhanë pavarësisë greke Karaiskain, Zaimin, Miaulin, Boçarin, Kanaris, e shumë të tjerë  të lindur në Epir”(La Balkan et l@Adriatique, Albert Dumont, ed Didier et Cie, Paris 1873)

Odisea Andrucio kishte udhëhequr luftërat anti-osmane në vitet 1792 në Greqi, duke u bashkuar me manjotët. Për të, konsulli Belle shkruante: “Ky luftëtar kishte gozhduar disa herë hordhitë turke në Thermopile…Ishin shqiptarë të fuqishëm..të veshur me një gunë leshi me qime dhe brezin e kishin  ngjeshur plotë me pistoleta e jataganë të zbukuruar me argjend”. (Trois ans em Grece, Henri Belle, ed Hachett, Paris , 1863)

Pikërisht këtë luftëtar, pas pavarësisë, grekët e arrestuan për shkak kundërshtimi dhe e hodhën nga  kështjella. Për suljotët që kanë kontribuar aq shumë për çlirimin e Greqisë, Martin Leake do të shkruante: “Suliotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të popullsisë shqiptare”.

Në këtë sens ka shkruar edhe bashkëkohësi i tij Pukëvili, 200 vjet përpara: “Republika e Sulit rreth vitit 1660 përbëhej nga katër fshatra: Suli ose Kakosuli, Qafa, Avariko, Samoniva, fshatra këto me regjime të veçanta që ndiqnin traditat e lashta të shqiptarëve. Gjatë 40 vjetëve popullsia u shtua në shtatë fshatra të reja…Tuqididi thotë se epiriotët  e mësuan gjuhën greke  nga ambrasiotët që ishin fqinjë të tyre, provë kjo që dikur këtu jetonin në Epir…”(Voyage de la Grece, François pouqueville, Paris, 1826)

Edhe më me simpati do të shkruante për suljotët Aleksandër Dyma: “Pothuaj dy shekuj më parë, barinjtë e maleve afër Kardhiqit, Dodonës së lashtë, të keqtrajtuar nga turqit u tërhoqën bashkë me bagëtitë e tyre në malet më të ashpra të këtij cepi të Epirit. Kërkojeni Sulin në hartë, emri i tij është ende, por suljotët nuk janë më aty…Sparta dhe Mesina kanë patur historinë e tyre prej 3000 vjetësh, por Sparta e Mesina nuk kanë bërë më shumë se Suli”.(Alexandër Dumas le Grand , Daniel Zimemermann, Editiins Phebus, Paris).

Çdo intelektual me një ndjenjë qytetarie, në çdo vend të botës,  do të përulej me adhurim përpara konsideratës historike të Dyma-s dhe të Pukëvilit. Nuk ka asnjë hero grek të periudhës mesjetare, që t’i jenë kushtuar aq vepra arti sa Marko Boçarit nga artistët dhe shkrimtarët europianë. Forca e aktit të Boçarit ngriti peshë ndërgjegjen e botës drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor, drejt humanizmit internacional, e ndërgjegjësoi Europën se Ballkani, djepi i lashtë i kulturës europiane, nuk mund të lihej i robëruar.

Cili ka qenë nderimi i përvitshëm nga Qeveria Greke për këta luftëtarë shqiptarë që dhanë jetën për çlirimin e Greqisë? Kostandin Metaksa kujton: “Të nesërmen e bisedës me Boçarin në Misologji, Marko thirri gjithë kapitenët, oficerët dhe ushtarët suliotë në hyrjen e një shtëpie…duke u folur në gjuhën e tyre shqipe dhe u mbajti një fjalim patriotik”. (Kujtime lufte për Pavarësinë e Greqisë)

Këta ambasadorë dhe udhëtarë të huaj, na dëshmojnë edhe për një bashkëjetesë mirëkuptimi, solidariteti dhe ndihme reciproke  mes të dy popujve, e cila vazhdoi deri në pavarësinë e Greqisë, festimet e së cilës në këmbët e Akropolit kishin mahnitur Akademikun dhe shkrimtarin francez Edgar Quinet: “Të grupuar aty-këtu i sheh tek kërcejnë mes tyre, veçanërisht barinjtë me fustanellë, me atë veshjen e tyre të bardhë prej mëndafshi të shkëlqyer, të cilët të kapur dorë për dorë tunden duke kënduar. Prijësi i grupit udhëheq këtë varg gjithë autoritet dhe ka privilegjin të hidhet sa andej këndej, me lëvizje të vështira e duke u ulur me këmbët e tij të përdredhura e në mënyrë të çuditshme…Të tjerët e ndjekin duke u tundur, siç bëjnë edhe grekët”. (La Greçe  moderne, Edgar Quinet , Paris, 1829).

Kemi një festë të të dy komuniteteve, rezultat i gjakut të derdhur nëpër shekuj kundër pushtuesit të përbashkët. Për këtë atmosferë, ka shkruar në vitin 1840 edhe Jean-Alexandre Buchon kur ndodhej në këmbët e tempullit të Tezeut: “Pikasa se ishin barinj shqiptar, dymbëdhjetë e pesëmbëdhjetë prej tyre veshur me fustanella dhe një veshje të bardhë sipër, mbi të cilën tundej një lëkurë e gjatë deleje me fije të shkëlqyera mëndafshi. Të kapur nga duart, ata tundeshin duke kënduar. Kryetari i këtij grupi e udhëhiqte këtë grup me autoritetin…ai kishte privilegjin që nën admirimin e madh të të tjerëve, të lëshohej i lirë  me lëvizjet më të vështira, duke u hedhur  sa në një anë në tjetrën…Ne këndonim ato ditë këngë franceze, greke, shqiptare, bullgare”. (La Grece continentale et la Moree. Voyage, sejouret etudesen 1840 et 1841”

Konsulli Belle, për fshatin Agjia Ana, shkruante: “Atë ditë një valle të rinjsh ishte formuar mbi shesh. me duart e vendosura mbi supet e njëri-tjetrit ata hidhnin tri hapa në një anë dhe një hap pas…Ato vajza ishin shumë të bukura me fustanet e tyre të gjata prej leshi të bardhë e të qëndisura me mëndafshe me ngjyra, me ato mëngë që u tundeshin në ajër, me ato shami të tejdukshme mëndafshi që u rrethonin kokat e ku dy cepat e tyre u tundeshin plotë hije  nga pas. Këto vello që nuk njihen, në pjesën tjetër të Greqisë janë të një finesë të jashtëzakonshme dhe bien mbi trupin  e tyre si një lloj reje e dallgëzuar plot efekt…ndërkohë që ne iknim larg, valltarët e valltaret kërcenin ende”.

Në reportazhet e tij botuar në revistën franceze Tour du Monde, konsulli francez Henri Belle, na jep një të vërtetë që historikisht i ka revoltuar ekstremistët nacionalist: “Ja tokat e Eleusës…janë pothuaj të gjithë shqiptarë…Kur udhëton në Orient, në çdo hap të del një problem etnografik, çka është burim zënkash të shkencëtarëve me ndjeshmëri nacionale. Grekët duan të jenë me çdo kusht të të njëjtit gjak si helenët e Themistokliut. Megjithatë, në fund ata arrijnë të binden se me përjashtim të Manjës dhe disa ishujve, Greqia është e populluar nga një racë e re si pasojë e  kryqëzimit me tributë e veriut, veçanërisht me shqiptarët. Këta shqiptarë kanë sjellë me vete instinkte të reja, zakone të veçanta që ia  kanë imponuar racës  helene, duke u përzier me të, duke i dhënë trajtat e fizionomisë së tyre dhe forcën e tyre morale”. (Trois ans en Grece, Henri Belle, Paris, 1863).

Një shekull e gjysmë më parë, konsulli francezë evidenton kryqëzimin e shqiptarëve dhe popullsisë greke, kryqëzim që është aq i madh, sa nëpër shekuj fëmijët e lindur nga martesat midis tyre, janë me gjak të përbashkët shqiptaro-grek. Si nuk ndërgjegjësohen sot qeveritë dhe rrethet nacionaliste greke, për ta parë këtë të vërtetë historike që do t’i  vëllazëronte të dy popujt, sepse miqësitë e martesave shqiptaro-greke, janë kthyer në gjak kanë lindur fëmijët që popullojnë sot Greqinë. Kundër kujt ngrihemi dhe kundër kujt do të luftojmë sot, në kohët moderne? Ç’janë ata shovinistë që ndërsejnë luftëra midis njerëzve të një gjaku?

Me luftën që bëri minoriteti grek gjatë Luftës së Dytë Botërore, e afirmoi veten  si një komunitet kompakt  dhe patriotik, demokratik dhe liridashës. Lufta ishte e përbashkët dhe në terrenin e një miqësie të lashtë, minoriteti grek plotësoi detyrën e tij ndaj popujve që luftonin okupatorin, duke dhënë njëkohësisht edhe një kontribut të çmuar në çlirimin e Shqipërisë.

Vetëm nëpërmjet kësaj lufte çlirimtare dhe demokratike, pas çlirimit populli i minoritetit grek do të siguronte kushtet e nevojshme politike për të parashtruar dhe kërkuar respektimin e të drejtave kombëtare. Populli i minoritetit grek pa në programin e Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar, perspektivën e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist, sigurimin e të drejtave të tij kombëtare dhe zgjidhjen e problemeve shoqërore që e mundonin. Këto të drejta minoriteti grek në Shqipëri i gëzoi shumë herë më mirë se sa në Greqi. Për këtë janë të ndërgjegjshëm edhe komuniteti minoritar grek edhe vetë qeveritë Greke, të cilat historikisht nuk krijuan asnjë kusht për ruajtjen e identitetit të popullsisë shqiptare në Greqi. As arsimim, as financime për kulturën e tyre, as shkollim, sikundër u shkolluan fëmijët e minoritetit në Shqipëri, të cilët u preferuan në institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, as media shqiptare, ndërkohë që minoriteti grek kishte gazetë dhe radio greqisht.

Mbi të gjitha shteti shqiptar i pajsi minoritarët me tokë si dhe të gjithë shqiptarët,  çka është dokumenti më i rëndësishëm që provon trajtimin demokratik dhe human të pakicave nacionale. Minoriteti grek, që nuk e di askush se nga ka ardhur dhe vendosur në një  zonë pa ujë, nuk ka pasur kurrë tokë, kjo është një plotësimi të drejtave të tyre më kryesore për të cilat kanë pretenduar.

Këndohet nëpër repartet ushtarake të Greqisë, se do t’i vendosin zorrët e shqiptarëve majë bajonetave dhe nuk shqetësohet askush në Greqi, ndërkohë që mijëra shqiptarë janë vrarë për mbrojtjen e popullsisë greke nga pushtuesit e huaj dhe çlirimin kombëtar të saj.

Digjet flamuri kombëtar shqiptar në mes të Athinës, ndërkohë që kënga ka përjetësuar luftëtarin gjirokastrit që ngriti i pari flamurin grek në Athinë, pas fitores mbi pushtuesin:

Kush u hodh proto n’Athinë?

Ki Çelo Picari inë.

Në Shqipëri nuk ka organizata nacionaliste për luftë kundër Greqisë, si ndodh në një vend që quhet i kulturuar si Greqia. Nuk ka ndodhur në Greqi, që një shqiptar të marrë automatikun kundër policisë dhe të deklarojë se do të luftojë për çlirimin e tokave shqiptare që Konferenca e Ambasadorëve të Londrës i dha Greqisë në 1913. Pse ndodhi ngjarja në Bularat? Sepse e tillë është fryma dhe nxitja që kanë bërë pagesat sekrete ndaj mercenarëve.

Qeveria greke mund ta mposhti nacionalizmin e rrezikshëm grek, duke rritur propagandën për veprën patriotike të shqiptarëve në Greqi dhe duke i dhënë përkrahjen e duhur shqiptarëve që kanë jetuar dhe jetojnë sot atje, pa iluzionin se një ditë tokat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri, do t’i bashkohen Greqisë.

Nuk po sjell këtu krimet e ushtrisë greke në 1914, të cilat janë të njohura nga të gjithë bota, e as krimet mbi popullsinë çame në Greqi, por do të sjell një ngjarje kuptimplotë që më ka treguar pedagogu im Razi Brahimi nga Lufta e Parë Botërore për të jatin, kur familja banonte në Zhulat: “Babai kishte qenë në çetën e Çerçizit, në luftën me grekun  në 1914-ën,  kishte një dogra, armë që mbante vetëm një fishek të madh…kishin dalë edhe maliherë me pesë fishekë, po ku t’i gjeje! Çerçizi na vendoste në pozicion – tregonte babai – dhe na stërviste të qëllonim në shenjë. Me grekët përdori befasinë, sulmuam në Zhulat në sheshin e fshatit në kohën e drekës, kur po ndahej gjella, ju ranë gavetat nga dora, s’pa i pari të dytin, morën tatëpjetë. Në veprimet e para luftarake i vumë përpara grekët deri në qafën e Skërficës.

Pas një murrizi, në të dalë të Qafës, gërhinte një ushtar grek i rridhte gjaku nëpër gushë, e kishte marrë plumbi në gurmaz dhe e mbante vrimën e plumbit me dorë. Kishte hedhur maliherin matanë shkurres dhe ç’frynte. Mora maliherin, mora dhe vezmen dhe bëra të nisem, kur vjen Çerçizi, e pa ashtu të gjakosur dhe u trishtua!

-Ku shkon! – m’u kthye mua – Do ta marrësh dhe do ta çosh në stanin atje lart, do t’u thuash t’i japin qumësht të ftohtë, me qumësht të ftohtë ta ushqejnë! – Më pa egër në sy: – U thuaj atyre,  për kokën e këtij do të përgjigjen para Çerçizit!

Bela që më gjeti…unë doja të ikja përpara, s’kisha nge, të mirja grekun në krahë. Po Çerçizi ishte legjendë në atë kohë. Me një fshatar tjetër, e mora ushtarin grek në krah, e çuam në stan dhe ikëm…”

Ushtria greke u kthye me forca të shumta,  babai iku në ullishtat e Vlorës me fshatin, sepse e dinte që do ta ekzekutonin. Shkoi në Vlorë, se “u krijua qeveria jonë” – më thoshte babai, po qeveria s’dinte ku kishte kokën! Atje i vdiq edhe nëna dhe e varrosën. U kthye në fshat, shtëpinë e kishin djegur grekët …”

Në një luftë të shpallur ballë për ballë kushdo mund të vritet, por kur je i plagosur, shqiptari ka ditur ra respektojë edhe hasmin. Ato janë ligje të luftës, që shteti grek nuk duhet ja lejojë atë propagandë që ekziston nën rrogoz e që sjell rrezik për të gjithë.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a website for freeWebnode