PËRSE INFEKTONI TË VËRTETAT HISTORIKE?!
19/03/2018 17:05
OPINION
PËRSE INFEKTONI TË VËRTETAT HISTORIKE?!

Fitim ÇAUSHI
Është një kontribut madhor prononcimi i intelektualit të mirënjohur Shaqir Vukaj në gazetën Dita, për të hedhur dritë mbi ngjarjen që trajton filmi i RTSH “Shpella e Lirisë”. Qëllimisht aty ngatërrohet e vërteta historike, duke përzier autorët e krimit me figurën e pastër të Enver Hoxhës.
Shkrimi ka një qartësi dhe trasparencë shëmbullore, model nga i cili duhet të mësojnë skenaristët, opinionistët, politologët, gazetarët dhe historianët që mërzejnë ekraneve për një kockë.
Veç të tjerave, autori ka sjellë dokumente nga arkivat: grupit të kontrollit të KQ të PPSH në Shkodër, dhe raportime të Prokurorit të Përgjithshëm Aranit Çela, i cili më 17. 2. 1964 i dërgon këtë letër KQPPSH: “Me përjashtim të Muho Balës, nipi i Haxhi Hajdarit, që nuk jep asnjë shpjegim në lidhje me veprimtarinë e tij armiqësore, të tjerët, përveç, atyre që kanë treguar, nuk dinë gjëra të tjera për ekzistencën e kësaj pune armiqësore. Për këtë u vendos që ky proces të mbyllet brenda muajit shkurt” (arkivi i KQPPSH).
Për mungesë provash, procesi gjyqsor është mbyllur dhe të akuzuarit nga grupi agjenturor i Feçor Shehut, përfituan lirinë. Në informacionin e datës 20. 7. 1964, Aranit Çela i dëshmon KQPPSH inskenimet e Feçor Shehut për të dënuar kuadro dhe intelektualë të ndershëm: “SH.E. është dënuar me pesë vite burg pa fakte bindëse dhe me dëshmitarë të dyshimtë… Ka raste që ai që mban procesverbalin bën shtesa… mbi bazën e tyre ishte propozuar për arrestimin edhe të ….”
Në informacionin e tij, Aranit Çela përmend me emër edhe Feçor Shehun, i cili, në prill kishte deklaruar në Plenumin e Komiteti të Partisë Shkodër se ”jugosllavët kanë dërguar një bandë të armatosur në Bardhej të Tamarës”, gjë që ishte krejtësisht e sajuar”. (Arkivi i KQ PPSH d. 553, f. 16-21)
Kjo tregon për seriozitet pune dhe përgjegjësi të lartë të Prokurorit të Përgjithshëm, në mbështetje të vijës së përgjithshme të Patisë dhe Pushtetit Popullor. Lind pyetja: Përse Prokurori i Përgjithshëm ia dërgoi këto informacione Komitetit Qëndor? Duhet t’i jenë kërkuar nga lart për problemin e Haxhi Hajdarit për të cilin dokumentari pohon konsideratën madhore të Enver Hoxhës se: “Në Malsi Haxhi Hajdari është vetë Enver Hoxha, prandaj letrat dhe problemet që vijnë për mua ia çoni atij!” Kjo dëshmon se Haxhi Hajdari ka marrë kopetenca madhore, para të cilave Feçor Shehu dhe kuadro të sigurmit të shtetit, duhet të ishin të matur. Për këtë problem kaq të rëndësishëm, në atë kohë KQ ka dërguar në Degën e Brendëshme të Shkodës edhe një ekip kontrolli.
Zoti Vukaj sqaron: “Dua të vë në dukje se puna dhe veprimtaria e Feçor Shehut kishte tërhequr vëmendjen e grupit të punës që shkoi nga KQ, të cilët vunë në dukje disa nga gabimet e të metat e tij, veçanërisht: “Me informacionet që i jepte Komitetit të Parisë, i dikton Partisë se çfarë duhet të bëjë për këtë ose atë problem… Kur këto probleme u diskutuan në Byronë e Partisë së Rrethit, ai bëri autokritikë, kjo nuk do të thoshte se ai pranoi të metat e gabimet e tij”
Deri këtu e përfundon analizën dhe hulumtimin e tij z. Vukaj, duke përgjegjësuar për vrasjen e Haxhi Hajdarit dhe tentativën për të arrestuar edhe kuadro të tjera të Shkodës, vetëm Feçor Shehun!
Me siguri autori Vukaj ka dijeni për disa analiza që ka bërë Enver Hoxha me kuadrot e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për kritikat e tij të ashpra Ministrit të Brendshëm Koçi Xoxes e veçanërisht Mehmet Shehut, pas shkarkimit të Ministrit të Brendshëm në BS, Berias. Në njerën nga këto analiza u ka drejtuar pyetjen: “Ku po e çoni Partinë shokë të Ministrisë së Brendshme?” Mund të ketë shkruar edhe për problemin e Haxhi Hajdarit, por ne nuk kemi mundësi t’i referohemi literaturës së kohës.
Haxhi Hajdari nuk ishte në formacion luftimi që të mund të asgjesohej gjatë luftimeve, ai thjesht ishte ngujuar në shpellë, vendstrehim që e dinte Dega e Brendshme e Shkodrës dhe Sigurimi i Shtetit. Përse duhet ta eliminonin shpejt e shpejt me artileri, ndërkohë që mund t’i prisnin furnizimet përmes rrethimit?!
Duhet të kishte një shkak shumë të fortë, i cili mund që rrezikonte kryetarin e Degës së Brendshme Feçor Shehun. Haxhi Hajdari ka qenë Kryetar i Komitetit të Shkodrës, deputet në katër legjislatura, mik i ngushtë i Enver Hoxhës, dhe puna ia donte që shpesh ai të takohej me Feçor Shehun dhe Ministrin e Brendshëm Mehmet Shehun. Në këto takime duhet të ketë pikasur diçka komprometuese për Feçor Sheun e pse jo edhe për eprorin e tij, Shehun e madh, dhe këtë e ka debatuar me Feçorin.
Për acarim të konfliktit ose për vlerësimin e rëndësisë që duhet të kishte zbulimi i tij, Haxhi Hajdari ka vendosur të shkojë për t’u konsultuar me Enver Hoxhën. Për të eliminuar këtë rrezik, që do të ekspozonte grupin agjenturor, rrezik që ata e kanë evidentuar përmes provokatorëve të tyre, e kanë izoluar Haxhi Hajdarin, e kanë paralajmëruar dhe kërcënuar në rrugë agjenturore, dhe ky me shpresën se do ta gjente një mundësi për të shkuar tek Enver Hoxha, ose në pritje të ndihmës së tij pas ndonjë tentative për ta lajmëruar komandantin, (ndihmë e cila nuk do të vinte kurrë, sepse Enver Hoxhës nuk i ka shkuar kurrë njoftimi i dërguar nga Haxhiu), është ngujuar në shpellë, në të cilën e asgjesuan për të shpëtuar veten.
Si ia justifikuan Enver Hoxhës këtë krim të paimagjinueshëm? Si ia fshehën Enver Hoxhës veprimtarinë kriminale të Feçor Shehut, e cila duket qartë në informacionin e grupit të kontrollit të KQ, por edhe të Prokurorit të Përgjithshëm Aranit Çelës? Kush e ngriti në përgjegjësi edhe më të madhe Feçorin, ndërkohë që Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu ia dinin mirë horrllëqet se merreshin direkt me atë punë kur ishin ministra të brendshëm?
Këtu qëndron engima dhe këtu duhen bërë hulumtime në arkiva, jo të mbeten vetëm tek Feçor Shehu, aq më pak të ngatërojnë krimet e grupit agjenturor të Mehmet Shehut, Feçor Shehut dhe Kadri Hazbiut, me Enver Hoxhën!
Lind pyetja: Kujt i shkonin informacionet dhe problemet për Organet e Diktaturës së Proletariatit në KQ të Partisë; probleme të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Bendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë? I shkonin Sekretarit të KQ të PPSH që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit, Hysni Kapos. Vetëm ai, pasi i seleksiononte informacionet, i çonte Enver Hoxhës problemet më të mprehta të këtyre dikastereve. Si ka ndodhur që Haxhi Hajdarit, një kuadër i rëndësishëm dhe deputet me emër në katër legjislatura dhe mikut të ngushtë të Enver Hoxhës, Feçor Shehu dhe Mehmet Shehu i vunë grykën e topit dhe flakë-hedhësen në shpellë pa pyetur dhe konsultuar me Hysni Kapon? A mund të ndodhte kjo?!
Autori Vukaj, pranon: “Gjatë atij sistemi janë bërë të këqia, faje e krime, por kur kërkohet në mënyrë artificiale të krijohen të persekutuar, disidentë, kundërshtarë e madje trima e heronj që na paskan dalë hapur e ballasi kundër Enver Hoxhës dhe politikës së tij (siç ka ndodhë në jo pak raste këto 27 vjet) nëpërmjet shtrëmbërimeve, trillimeve e deri gënjeshtrave, siç u pa edhe në dokumentarin “Shpella e lirisë”, që e shfaqi RTSH, atëherë edhe të vërtetat ngatërrohen me të pa vërtata dhe bëhen të pabesueshme edhe ato që kanë ndodhur në të vërtetë. “
Edhe këtu lind pytja: Përse vazhdojnë të ngatërohen të vërtetat me të pavërtetat, rastësisht apo qëllimisht? Përse flitet berihaj, vetëm për të komprometuar figurën e Enver Hoxhës me ata armiq të partisë dhe popullit shqiptar, që bënin dëme për ta bërë të pakënaqur popullin dhe për të prishur unitetin e popullit me Partinë?
Të gjithë ata që merren me ngjarje historike për propagandën në media, duhet të reflektojnë pas botimit të shkrimit të Shaqir Vukaj, shkrim i cili është një model i analizës së fakteve dhe ngjarjes.
DITA