PËR NJË NGA VEPRAT MË ANTISHQIPTARE TË BOTUAR NGA HISTORIOGRAFIA RUSE (3)
05/03/2020 17:20
KRITIKË HISTORIKE
PËR NJË NGA VEPRAT MË ANTISHQIPTARE TË BOTUAR NGA HISTORIOGRAFIA RUSE (3)

Shaqir VUKAJ
Mbi librat e Selishçevit “Popullsia sllave në Shqipëri” dhe “Popullsia bullgare e Pollogut”. Nisur nga pozita krejtësisht antishkencore, ai për të vërtetuar ato që pretendon, përpiqet të shpjegojë gjithçka me “dhunën”, “grabitjet”, “karakterin e egër”, “natyrën kriminale” etj. të shqiptarëve…
(Vijon nga numri i kaluar)
Në këtë kapitull, autori i kushton vëmendje të veçantë përbërjes së popullsisë së Pollogut, por dashje pa dashje, ai detyrohet të pohojë praninë e popullsisë shqiptare. Megjithëse ai përpiqet të manovrojë me shifra, sidomos duke “ngatërruar” shqiptarët me turq e myslimanë…. Kështu, duke folur për popullsinë e Tetovës, ai shkruan se në fund të shekullit XIX, aty jetonin 19200 banorë, nga të cilët 9000 turq, 500 shqiptarë, 1200 ciganë dhe 8500 kristianë. Sipas disa të dhënave të tjera, shkruan Selishçevi, 8900 myslimanë dhe 3900 kristianë. Për Gostivarin ai shkruan se në fillim të këtij shekulli (shek i XX-të), kishte gjithsej 3735 banorë,, nga të cilët 3100 turq, 310 bullgarë, 200 ciganë, 100 shqiptaro-myslimanë dhe 25 vlleh.
Ai hyn në hollësi dhe krahas qyteteve e qendrave kryesore ai analizon fshat për fshat, e madje shtëpi për shtëpi përbërjen etnike të popullsisë duke “përcaktuar” përkatësinë e tyre, bullgare apo shqiptare.
Duke ju referuar të dhënave të I. Ivanovit, ai shkruan se aty jetojnë 43230 shqiptarë, 32940 bullgarë, 20855 turq, 720 ciganë etj. por mbas kësaj fshihet qëllimi i vërtetë. Ashtu si disa autorë tjerë sllavë, ai përpiqet të vërtetojë me çdo kusht se kjo krahinë është krahinë e pastër sllave (bullgare) dhe se shqiptarët janë të ardhur vonë, madje tepër vonë, gjatë pushtimit osman, veçanërisht mbas shekullit XVIII. Për të bërë më të besueshme pretendimet e tij për “dyndjen” e shqiptarëve në këto krahina, ai i referohet I. Cvijiçit, V. Kencovit, Mlladenovit etj. dhe nxjerrë përfundimin se:
“Popullsia sllave e Pollogut është pasardhëse e sllavëve të lashtë që kanë zënë këtë vend gjatë lëvizjes kolonizuese nga verilindja në shekujt e VII-VIII. Gjatë dy shekujve të fundit, në shumë vende, sllavët kanë qenë të detyruar ti lëshojnë vendin një popullsisë të re- asaj shqiptare. Si rezultat i kushteve jashtëzakonisht të vështira të jetës shoqërore dhe ekonomike të shekujve XVIII_XIX, nën shtypjen dhe dhunën shqiptare, shumë sllavë lanë vendet e tyre të banimit.
…. Shqiptarët erdhën në Pollog duke kërkuar vende më të mira banimi, ose për ti shpëtuar gjakmarrjes. Përhapjes së shqiptarëve në këtë apo atë fshat i paraprinë sulmet e çetave shqiptare, grabitjet etj… Shfaqeshin dy-tre familje shqiptare dhe zinin vend në fshat. Këto familje kishin mbështetje të fortë në atdheun e tyre, në fisin e tyre, anëtarët e të cilit janë të lidhur nëpërmjet gjakmarrjes. Në qoftë se zullumi shqiptar bëhej i padurueshëm, popullsia e mëparshme sllave linte vendin e tyre, ndërsa pjesa tjetër arnautizohej. Në kushte veçanërisht të vështira jetese ishin në Pollogun malor, afër Dibrës, ku krimet e shqiptarëve nuk kishin kufi. Nganjëherë vet popullsia sllave thërriste në ndihmë shqiptarët për t’i mbrojtur nga grabitësit shqiptarë. Shqiptarët zakonisht vendoseshin në fshatrat malore, dhe më vonë zbrisnin në luginë. Shqiptarët e vendosur në Pollog kanë ardhur nga Dibra, Mati, Dukagjini, Mirdita dhe Luma. Më pak nga Metohija, Podrimja dhe Kosova” (fq.38-39).
***
Nisur nga pozita krejtësisht antishkencore, ai për të vërtetuar ato që pretendon, përpiqet të shpjegojë gjithçka me “dhunën”, “grabitjet”, “karakterin e egër”, “natyrën kriminale” etj. të shqiptarëve. Pothuajse i gjithë kapitulli i parë është i mbushur me fyerje për shqiptarët.
“Në kohën e Turqisë, kushtet e jetesës së popullsisë sllave në Pollog, dhe në veçanti në Gostivar ishin tejet të rënda si pasojë e dhunës së arnautëve”
“Kristianët nuk mund të dalin në rrugë dhe jashtë qytetit. Arnautët kapin këdo, e rrahin, e mbajnë peng dhe e lëshojnë vetëm kundrejt një shume të madhe parash” (fq.19)
Në këtë krahinë, në veçanti për sllavët, kushtet e jetesës ishin tepër të vështira në shekujt XVII-XIX. Krimet e shqiptarëve, vendosja e tyre me dhunë në fshatrat sllave, mbrojtja e tyre nga pashallarët e Dibrës dhe Prizrenit, detyronin popullsinë sllave të linte vendin e lindjes” (fq.34)
“Shqiptarët në pjesën më të madhe janë kolonistë, të ardhur nga Babuna” (fq 52)
“Në periudhën e sundimit të pashallarëve tetovarë ka ndodhur një depërtim i madh i elementit shqiptar në shumë qendra të Pollogut. Gjatë kësaj periudhe, gjendja etnografike e krahinës ka ndryshuar shumë: u vendos popullsi e madhe shqiptare. Ardhjes së popullsisë shqiptare i kanë ardhur në ndihmë pashallarët tetovarë. Të lidhur me Shqipërinë për vet prejardhjen e tyre, sollën në Pollog shumë shqiptarë… shqiptarët u shfaqën në Pollog ashtu si në krahinat e tjera të Maqedonisë edhe me vullnetin e tyre, duke kërkuar vendet më të mira për ti shpëtuar edhe gjakmarrjes…” (fq. 127)
Krahas shpërnguljes me “forcë e nga dhuna e shqiptarëve” autori merret gjatë me “myslimanizmin e shqiptarizmin me forcë të sllavëve” nga ana e shqiptarëve…Në qoftë se për pretendimin e parë ai nuk gjen dokumente, argumente e fakte historike, por mbështetet më shumë në tregimet e njërit apo tjetrit, për të dytin ai zgjatet më shumë, duke përdorur lloj-lloj “argumentesh” etnografikë, gjuhësorë, dialektologjikë etj.
Por duke studiuar me kujdes materialet që servilen në libër, pa dashje, autorit i shpëtojnë gjëra që flasin për të kundërtën e asaj që kërkon të vërtetojë. Me qëllim ai i shmanget me çdo mënyrë njohjes dhe pranisë së shqiptarëve që vërtetohet nga shumë tregues (arkeologjikë, etnografikë, toponomastikë, gjuhësorë etj.) në këto treva të hershme shqiptare, herë herë të maskuara, ato dalin në pah, pavarësisht nga dëshira e autorit.
Së pari, duke folur për historinë e kësaj krahine, autori nuk thotë asnjë fjalë se ç’kanë qenë këto toka dhe kush ka jetuar në to para ardhjes së sllavëve në Ballkan.
Së dyti, megjithëse ai përpiqet të kapet mbas atyre argumenteve që flasin pro pretendimeve sllave, mjaft periudha e ngjarje, ai, në mungesë të fakteve e dokumenteve i kalon në heshtje ose i paraqet në mënyrë krejtësisht të turbullt.
Së treti, megjithëse ai përpiqet të mohojë vazhdimësinë iliro-shqiptare në këto treva, dashje pa dashje ai detyrohet të pranojë praninë shqiptare që në kohët e vjetra, para pushtimit osman.
Së katërti, megjithëse autori analizon pushtimet sllave të këtyre trojeve gjatë shekujve IX-XII, ai nuk thotë asgjë për politikën asimiluese e sllavizuese.
Duke folur për faktorin e dytë (siç e quan autori) myslimanizmin e shqiptarizimin me dhunë të sllavëve, duke mos pasur argumente, fakte e dokumente bindëse, i bie shkurt se “nuk ka nevojë për dokumente e fakte”. Mbasi përshkruan “largimin e sllavëve me forcë”, ai i referohet shembullit të Rekës Malore për të cilën shkruan:
“Popullsia e mbetur e Rekës Malore, me kohë shqiptarizohet: gjuha sllave del nga përdorimi. Por nga terminologjia e jetës së përditshme sllave hyn në përbërjen e gjuhës shqipe” (fq.34).
“Disa (me sa duket shumë) shqiptarë të Rekës Malore kanë ditur gjuhën bullgare dhe kanë mundur të përdorin libra sllavë…..Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, këto fshatra, si dhe fshatra të tjerë u shqiptarizuan. Bashkë me shqiptarizmin u bë dhe myslimanizmi…” (fq. 37-38)
“Kushtet e jetesës i detyronin bullgarët e Pollogut të hynin në marrëdhënie me shqiptarët e ardhur aty. Si rezultat i këtyre marrëdhënieve, shumë bullgarë zotërojnë gjuhën shqipe, dhe shumë shqiptarë flasin mirë bullgarisht…Në disa fshatra, në radhët e popullsisë bullgare deri pak kohësh vërehej përparësia e gjuhës shqipe ndaj asaj bullgare. Në të folmen e gjuhës bullgare futën shumë fjalë shqipe” (fq.44)
Duke dashur të “shpjegojë” “shqiptarizimin” e bullgarëve nga dhuna e shqiptarëve, autori arrin deri aty sa shqiptarët i bën njëlloj pushtues si turqit. Kur shkruan për lëvizjet e kryengritjet e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, shqiptarët i quan bashkëpunëtorë të osmanëve “në radhë të parë, në dëm të sllavëve”.
Duke u marrë me historinë e krahinës së Pollogut, që nga çdo aspekt e fushë të jetës ai e trajton vetëm si krahinë bullgare (çka është dhe qëllimi kryesor i librit), ai merret gjatë me problemet e fesë “kristiane sllave”. Ai me qëllim i shmanget përkatësisë fetare të shqiptarëve para pushtimit osman. Për shqiptarët ai flet vetëm si myslimanë. Megjithëse këtij problemi i kushton dhjetëra faqe, pa dashje i shpëton dhe shkruan për praninë e shqiptarëve në këto treva para ardhjes së osmanëve. Kështu ndërmjet dokumenteve të shumta kristiane sllave, autori përmendë edhe pronat e shqiptarëve në Tetovë para shekullit XIV. Kështu ndërmjet tjerave ai shkruan:
“Në përshkrimin e pronave të Manastirit (shekulli XIV) njoftohet për Progonin…Këtë emër me sa duket e ka mbajtur një shqiptar. Rrjedhimisht shqiptarët kanë jetuar edhe në atë kohë në Htetovë (Tetovë)…
Ka pas shqiptarë dhe vlleh edhe në periferi të Shkupit” (fq.92)
Duke folur për luftërat e Skënderbeut, ai e quan “sllavo-shqiptar”, madje siç shkruan ai, gjuha sllave është përdorur në familjen e Skënderbeut njëlloj si gjuha shqipe” (fq.85).
Pavarësisht se libri i kushtohet krahinë së Pollogut, autori merr përsipër rolin e historianit dhe studiuesit të çështjeve sllave në Ballkan, dhe kryesorja, shtrirjes së tyre. Megjithëse shkurt, me pak rreshta ai e bën fakt të kryer problemin e Kosovës (“Serbisë së Vjetër”- siç e quan autori) që, sipas tij, historikisht ka “qenë sllave-serbe”. Sipas tij:
“Shqiptarët kanë zënë tokat e sllavëve mbas Luftës Austriako-turke të v.1689. Në Kosovën e sotme dhe në Maqedoninë Perëndimore janë ngulitur aty, ku jetojnë edhe sot”. (fq.118)
Për të përforcuar tezën e “shpërnguljes së sllavëve me forcë nga shqiptarët” ai i kushton një nënkapitull periudhës së sundimit të pashallarëve tetovarë. Pa asnjë lloj dallimi, ai i vë të gjithë shqiptarët në rolin e sunduesit ndaj sllavëve. Edhe kryengritjet e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, ai i trajton si lëvizje rebele kundër “rendit në fuqi”, të drejtuara në radhë të parë “kundër sllavëve”, gjë që, sipas tij, “nuk është ndalur deri në vitin 1913…” ( fq.117-127).
Pjesën më të madhe të librit, autori ja kushton problemeve gjuhësore, etnografike, dialekteve, zakoneve e riteve të popullsisë së kësaj krahine etj. Gjithçka që thuhet ka vetëm një qëllim, të vërtetojë se kjo krahinë e në përgjithësi Maqedonia Perëndimore, deri në thellësi të kufijve tanë të sotëm, një pjesë e mirë e Kosovës deri në Gjilan janë toka sllave ku shqiptarët kanë ardhur vonë si kolonë me ndihmën e pushtuesve osmanë, ose me forcë. Po ashtu ai kërkon të “vërtetojë” se një pjesë e mirë e popullit shqiptar që jeton në këto treva është popullsi sllave e “shqiptarizuar me forcë e dhunë nga shqiptarët”.
Në përfundim dua të vë në dukje se, fatkeqësisht vepra e Selishçevit nuk është studiuar nga studiuesit e specialistët tanë, jo thjesht për ta njohur, por për t’ju kundërvu shkencërisht, sepse edhe sot e kësaj dite, për shumë politikanë e shkencëtarë antishqiptarë sllavë, e jo vetëm, por edhe për disa politikanë, ai mbetet “klasik” për studimin e këtyre problemeve. E më qartë se kudo kjo u pa qartë para disa vitesh, me botimin e Enciklopedisë së Maqedonisë, ku, krahas të tjerave, idetë e tezat e Selishçevit lidhur me tokat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore e popullsinë shqiptare aty, ishin “bazë e argumente shkencore”, për ato të pa vërteta e broçkulla që u shkruan aty, aq sa mbas disa kohësh, Shkupi zyrtar u detyrua ta heqë nga qarkullimi.
Fund
DITA