PËR MËKATARIN DHE BURRACAKUN QEMAL LAME. REPLIKË E VËLLAIT TË DR. SABIT BROKAJ ME ISH-KRYEHETUESIN E VITEVE ’82-‘92

26/07/2022 06:09

REAGIM

 

 

PËR MËKATARIN DHE BURRACAKUN QEMAL LAME. REPLIKË E VËLLAIT TË DR. SABIT BROKAJ ME ISH-KRYEHETUESIN E VITEVE ’82-‘92

 

Nga Petrit BROKAJ

 

Sado i pasur të jesh, nuk e blen dot të kaluarën – Shprehje latine

 

Me sy gjysëm të përlotur, me një zë të përhumbur dhe me një fytyrë të përvuajtur, u shfaq përsëri në një ekran tv, duke mbajtur nëpër dhëmbë, midis të tjerëve edhe emrin e Sabit Brokajt. S’e kishte për herë të parë. Ishte e njëjta pamje, e transformuar, si dhe dy herët e tjera. Ishte e njëjta shpirtligësi, burrecëri dhe neveri. Ky ishte Qemal Lame, ish kryehetuesi i shtetit në periudhën 1982-1992. Ia bëra këtë mikropërshkrim për të shprehur edhe keqardhjen për një njeri që, para 30 vjetësh mund të jem përshëndetur, ose edhe të kem pirë ndonjë kafe me të, kur ai vinte me shërbim në Vlorë dhe, kemi qenë së bashku në ato analizat periodike të katër organeve të drejtësisë, ai, si kryetar i Hetues së Përgjithshme dhe unë, si sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit. Atëhere nuk ishte kështu, as në pamje, as në shpirt. Tani, ai është ashtu, siç nuk ishte dhe, thotë ato, që nuk i thoshte. Pse?

Pse ai merr nëpër dhëmbë dhe akuzon tërë mllef për të negativizuar personalitetin e Sabit Brokajt edhe pas vdekjes së tij?

Ҫfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur?

Gjithçka ka ndodhur pas ngjarjes së Shkodrës më 2 prill. Atëhere Sabiti ishte ministër i Shëndetësisë. Nga data 1-4 prill, qeveria mblidhej çdo ditë, dhe, ne nëpër Rrethe, sidomos, ne në Vlorë, ku akoma nuk kishte hyrë dhuna e veprimtarisë së PD, i ndiqnim ngjarjet me dramaticitet. Në mbledhjen e datës 2 prill i është kërkuar kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lames, të raportonte për ecurinë e hetimeve të protestës dhe vrasjeve që kishin ndodhur atje. Siç kujtojnë pjesëmarrësit në atë mbledhje, midis tyre edhe Sabiti në ca kujtime që ka lënë, Qemali ka qenë jashtë loje, duke u përgjigjur se, për të kryer veprimet hetimore, nuk e kishin lënë bandat e PD-së. Jo në datën 2, por as në 3 prill, nuk filloi asnjë veprim hetimor. Që, nuk e kanë lënë bandat e PD-së, kjo edhe mund të besohet, por nuk mund të besohet ajo, që thotë tani se, atë ditë ky, Kryehetuesi i shtetit, shëtiste nëpër Shkodër dhe njerëzit e përshëndetnin sikur të kishte qenë flamurtari i protestës, ose sikur Shkodra ishte pas një feste.

Në këto kushte, kur shteti ishte tronditur nga një ngjarje kaq e rëndë me viktima e shkatërrime, me dhunë e pasiguri dhe, në të njejtën kohë me mosveprimin e strukturës që ngarkonte ligji, ç’qëndrim duhej të mbahej? A duhej të kishte përgjegjësi dhe, nga kush i pari? Pikërisht, në këtë moment është ngrijtur Sabiti dhe, pasi e ka kritikuar këtë papërgjegjësi, ka kërkuar edhe shkarkimin e tij. Kaq. Për këtë mbledhje duhet të ekzistojë edhe proces-verbali. Të nesërmen, z. Qemal bashkë me kryetarin e hetuesisë së Vlorës, më kanë ardhur në zyrë dhe më kanë kërkuar që të flisja me Sabitin, vëllain tim, që të zbuste qëndrimin, pasi sipas tyre, fjala e tij në atë kohë peshonte. E mora përsipër dhe fola. Por ishte vonë dhe e pamundur, sepse s’ishte vetëm Sabiti që e bënte me përgjegjësi kryetarin e Hetuesisë së Përgjithëshme, por i gjithë Kuvendi, që, në fund e shkarkoi. Kështu e ka lënë karrigen e kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme z. Qemal Lame, pa autokritikë, pa vrasje ndërgjegjeje, pa pendesë, pa dëshirë dhe si kandidat i Komitetit Qëndror të PPSH. Mund të largohej vetë edhe me dorëheqje, por, s’e bëri… Humbja e kësaj karrigeje, ose posti zyrtar, iu dhimbs aq shumë sa nuk ia harroi Sabitit, duke e nëpërdhëmbur emrin e tij edhe tani që ai nuk jeton më. Këtu qëndron burrecëria e tij dhe neveria për të. Në atë ngjarje u vranë njerëz dhe, për mungesë të hetimit, edhe sot nuk është gjetur dora e vrasësit të vërtetë dhe, për mungesë të hetimit, u dënuan jo fajtorët e vërtetë, por ata që i akuzoi politika. Ajo ngjarje, për mungesë të këtyre faktorëve, u bë preludi i akteve të dhunshme, shkatërrimtare, çnjerëzore, që do të vinin më pas në vendin tonë. Vetëm për këto pasoja të asaj çfarë ndodhi në Shkodër, ish kryehetuesi, Qemal Lame, nqse nuk do të vetëndëshkohej, të paktën të heshtëte. Por ndodhi ajo që thonë në jurisprudencë që:

Krimineli, një ditë kthehet në vendin e krimit

Qemal Lame ka fatin e keq se, kur flet për ngjarjen e Shkodrës, harron se, ka dëshmitarë të gjallë sot, siç janë ish drejtuesit e Degës P. Brendshme të Shkodrës, shoqëruesi kryesor i Sali Berishës, Izet Haxhia, ose edhe të tjerë, që kanë folur dhe flasin dhe, pyesin se, përse fitimtarët e zgjedhjeve në Shkodër u hodhën në protestë  dhe, kush kish interes të ndodhte ajo që ndodhi? Midis atyre që kanë folur dhe shkruar, dua të veçoj njërin prej tyre, avokatin Nafiz Bezhani, një i papërkëdhelur në sistemin e kaluar dhe që, sfidon dënimet e asaj ngjarjeje, por edhe përrallat me xhinde dhe heronj të Qemal Lames sot. Si ish i  papërkëdhelur politik, ai nuk “kish zëmër” të mbronte ata që nuk e deshën, por duke qenë i drejtë, nuk mund të mos e drejtonte gishin tek fajtorët e vërtetë. Si përfundim, dihet dhe kuptohet se, kujt i shërbeu mos hetimi në kohë i ngjarjes së 2 prillit në Shkodër. Nuk ishte kontribut i vogël ky, i Qemal Lames, për fshehjen e provave të shkaktarëve dhe fajtorëve të vërtetë. Ky është i vetmi rast që Sabiti dhe Qemali kanë qenë përballë njeri-tjetrit dhe e vetmja arsye që është kërkuar shkarkimi i tij si kryehetues.

Qemal Lame dhe Sabit Brokaj janë shumë larg njeri-tjetrit

… qoftë në profesion, qoftë në karrierë, qoftë në kontribut që, Qemal Lame të duket “i rinovuar”, “i civilizuar”, “i drejtë”, “paqësor”, “hero”, kurse Sabiti një “fanatik”, “polic”, që “kërkonte arrestime”.

Atëhere le t’i fillojmë me radhë se, kush është njëri dhe kush është tjetri:

-Qemal Lame, një përfaqësues i strukturave të diktaturës, Sabiti-mjek në shërbim të shëndetit të popullit.  -Qemal Lame, i ardhur në krye të hetuesisë së përgjithshme si ish prokuror dhe si ish hetues, kur ky organ ishte në përbërje të Ministrisë së P. Brendshme, Sabit Brokaj, i ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë si ish dekan i fakultetit të mjekësisë dhe me titullin profesor-doktor.

– Kur Qemal Lame firmoste dhe miratonte arrestime edhe për një fjalë goje kundër pushtetit popullor, Sabit Brokaj firmoste i pari, si dekan i Mjekësisë, peticionin për dorëheqjen e Qeverisë Çarçani.

-Kur ish kryehetuesi, Qemal Lame, ia mbathi jashtë shtetit si frikacak, duke lënë pas bashkëpunëtorët e tij, Sabit Brokaj kontribuonte në atdheun e vet për vendosjen e pluralizmit.

-Kur Qemal Lame skërmiste dhëmbët dhe e quante Sabitin “polic”, “komunist fanatik” dhe me plot mllefe të tjera, Sabit Brokaj shpallej “Qytetar Nderi” në Oklahoma të SHBA.

-Sabiti u nda me Qemal Lamen që kur ishte gjallë, kurse ky, nuk i ndahet atij edhe tani që Sabiti nuk jeton më.

-Sabiti iku pa lënë pas borxhe, kurse Qemal Lames, si kryehetuesi i kohës, duhet t’i dalin në ëndërr të gjithë ata kolegë të braktisur prej tij dhe të gjithë ato viktima që s’ju gjendën dora e vrasësit, të gjithë ata të dënuar pa prova nga mosveprimet hetimore. Ja, kjo është distanca mes tyre|…

Qemal Lame iku dhe u ndihmua të ikte dhe, erdhi kur i thanë të vij

…Por, kur vjen, duhet të lerë edhe “gjobën”, të flasë broçkulla nëpër ekrane televizive… Të akuzojë, të shpif, të mburret, të nëpërdhëmb edhe ata që s’jetojnë më. S’ka turp, s’ka burrëri, s’ka ngjyrë.

Thotë se iku nga frika e Sigurimit të Shtetit. E para, pse duhej të kishte frikë? Çfarë kishte shkelur? Pse nuk iku Bujar Himçi në Vlorë, Reshat Leskaj në Fier, ish kryetari D. P. Brendëshme, Pirro Katro, ish drejtuesi i sigurimit të shtetit, Bujar Hoxha (po i përmend këta emra se m´u kujtuan në këtë moment dhe që, lidhen me Vlorën) e shumë e shumë drejtues të tjerë të Hetuesive të Rretheve? E dyta, po ku kishte më Sigurim Shteti atëhere, kur z. Qemal iku? Shteti ishte shkërmoqur. Në përgjithësi, me pak përjashtime,  ikën zullumqarët, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 1997. Nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë Partinë Demokratike, kur mori pushtetin që, të sulmonte Qemal Lamen si ish kryehetuesi i Shtetit dhe, këto, mendoj se, nuk janë favore dinjitoze për të.

Thotë se ka bërë “heroizma” dhe ka qenë reformator në krye të Hetuesisë së Përgjithshme.

E para, reformat i bëri udhëheqja e kohës, duke filluar që me shkëputjen e Hetuesisë nga Ministria e P. Brendshme. S’duhet të harrojmë se ishte koha kur u bënë dy amnisti (viti 86, 89), kur u abrogua ligji për tradhti ndaj atdheut në rastet e arratisjes, kur  deputeti, prof.dr. Ylli Popa, kërkonte me guxim  në “Zërin e Popullit” ndryshime politike, kur Fatos Nano dhe Gramoz Pashko shkruanin për ekonominë e tregut, kur s’ndodhi agjë, kur u hoqën statujat e Leninit e të Stalinit etj. Ky, Qemal Lame, duhet të tregojë konkretisht se, ku janë meritat e tij në zbatimin e këtyre reformave. Ku është emri i tij? Ku? Në përpilimin e statistikave dhe informacioneve që i dërgonte Udhëheqjes? Kjo, ka qenë procedurë e detyrueshme në marrëdhëniet midis institucioneve. Ku? Në uljen e arrestimeve, dëbimeve dhe internimeve? Le të flasë me shifra. Por edhe nëse ka një ulje, kjo nuk është vetëm rezultat i punës së Hetuesisë, por edhe i gjithë punës së përbashkët të strukturave partiake e shtetërore.

Siç del edhe gjatë bisedës në televizion, e shohim Qemalin me një humbje kujtese që, para se t’i përgjigjet pyetjes, mendohet ca sekonda derisa të gjejë gënjeshtrën. P.sh. Sabiti paska kërkuar edhe arrestimin e tij, ndërsa vet Qemali na paska kundërshtuar arrestime e ndjekje hetimesh për disa raste. Më duhet të përsërit edhe njëherë se Sabiti me Qemalin janë takuar me njëri tjetrin vetëm një herë dhe vetëm në mbledhjen e qeverisë, secili në detyrën e tij. Aty kërkohej llogari për protestën e dhunshme, për viktimat, për cenimin e shtetit, për shkaktarët e vërtetë dhe për përgjegjësitë e vërteta. Dhe, në atë mbledhje, kur kryehetuesi i shtetit, Qemal Lame u vetëdeklarua se ishte jashtë loje në ndjekjen e asaj ngjarjeje aq të rëndë, Sabiti ka kërkuar shkarkimin e tij dhe jo arrestimin. Edhe njëherë përsëris se, për atë mbledhje qeverie ka edhe dëshmitarë të tjerë, ka edhe dokumentacion. Por, Qemal Lame, ish kryehetuesi i shtetit, duke qenë mëkatar jo vetëm për keqzbatimin e detyrës së tij shtetërore, por edhe për ato njerëzore, siç janë ato ndaj njerëzve që s’jetojnë më (s’kam parasysh vetëm Sabitin), e ka ngatërruar veten në një situatë për të cilën duhet t’u përgjigjet të gjallëve…

Burracak dhe gënjeshtar

Që të ngjiste diçka nga këto mburrecka dhe gënjeshtra, Qemal Lame, ish kryehetuesi i shtetit, duhej të priste edhe ca, sa të vdisnin edhe shumë bashkëkohës e bashkëpunëtorë të tij…

U detyrova ta ndjek intervistën e tij edhe dy herë të tjera në YouTube që të besoja se, a kam të drejtë që i them se, është burracak e gënjeshtar? Po i përgjigjem vetëm me dy-tre fakte që, ai i përmend si vlera të tij.

Një. Ai thotë në mënyrë kategorike se, gjatë kohës që ka qenë në krye të Hetuesisë së Përgjithshme nuk ka patur asnjë akt dhune nga hetuesit. N.q.se nuk do të deklaronte kaq kategorikisht dhe kaq me mburrje, nuk do ta sillja këtë fakt:

Më kishin sjellë për të këshilluar një mjeke, që ishte edhe motra e një shoqes time të shkollës dhe bashkëshortja e ish drejtorit të degës së turizmit në Vlorë, i cili ishte i arrestuar për dëmtime ekonomike, por që, në fakt, ishte me rezultate cilësore në punë. Kur unë fillova që t’i tërhiqja vemendjen që, të ishte më e kujdesshme në ankesat e saj publike, ajo, menjëherë nxori nga çanta bluzën e gjakosur të burrit të saj, të arrestuar dhe, më tha: “Ja, për këtë ankohem unë që, burrin tim ma keqtrajon në birucë hetuesi L.Y.” … (sot ky nuk jeton më, ndaj e lë emrin e tij me iniciale). Në fakt u befasova, por nuk mund të mos e besoja. Natyrisht, nuk e lashë në heshtje dhe nuk e la në heshtje as kryetari i hetuesisë i asaj kohe në Vlorë.

Dy. Ky, Qemal Lame, paska qenë engjëlli mbrojtës i shkrimtarit Ismail Kadare, kur kanë dashur që ta arrestojnë. I paska “mbushur mëndjen” Enver Hoxhës që ky do të ishte veprim i gabuar, d.m.th. arrestimi, por jo se, përse duhej të arrestohej. Qëndronin apo nuk qëndronin “gabimet” e Ismailit? Për këtë nuk thotë asgjë. Po, vërtetë do dëgjonte Enver Hoxha arsyetimet e Qemal Lames që të mos arrestohej shkrimtari i tij i dashur, ai i “Dimrit të Madh” dhe ai i  “Përse mendohen këto male”?  N.q.se ai të vinte në shënjestrën e asgjësimit, nuk pyeste as perëndinë, po të ishte besimtar, jo më Qemal Lamen. A nuk ndodhi kështu  për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë?… Nuk mund të them se Qemali s´ka qenë dashamirës në këtë rast, por me këtë, ai i ka ardhur sipas mides Enverit, gjë që i shërbeu më shumë atij, ndaj edhe u bë i paprekshëm sa qe gjallë ai.

Por, me që Qemali e ka patur këtë fuqi që, mund të shpëtonte njerëz, të cilët mund të shpëtoheshin, pse nuk na thotë sa të tjerë ka shpëtuar me firmën e tij? Tani, po përmend përsëri një shembull tjetër nga Vlora, nga shumë e shumë raste të tilla që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë dhjetëvjeçarit, kur ai ka qenë në krye të Hetuesisë së Përgjithëshme:

Një nga pjesëtarët e familjes shumë të nderuar “Zaka” në Vlorë, u arrestua për agjitacion e propagandë. Krimi i tij ishte se, ai fliste për ato çfarë kishte parë në Itali, ku kishte qenë si mysafir te një i afërt i tij. U bë bujë, sepse ishte jo vetëm një njeri i nderuar dhe nga një familje e nderuar, por edhe anëtar i PPSH. Ne, në Komitetin e Partisë nuk mund të ndërhynim në proceset e organeve të drejtësisë, pavarësisht se çfarë thonë sot. Por, ama, i fuqishmi Qemal Lame, që arrin të shpëtojë edhe Kadarenë, a nuk mund të ndërhynte në të tilla raste?!…

Nuk hyj te njerëzit që e kam njohur aq nga afër Ramiz Alinë, siç e ka njohur Qemal Lame. Por, kur Qemali e akuzon atë duke “menduar” se ai ka dhënë urdhra për të përdorur armët luftarake për ngjarjen e  Shkodrës, për rrëmbimin e anijeve luftarake etj. unë kujtoj:

Ishte paradite. Para ndërtesës së Komitetit të Partisë kishte grumbuj njerëzish për eksod. Ishin të qetë. U ndodha rastësisht në zyrën e sekretarit të Parë, atëherë, Halil Hasko, kur telefonon Ramiz Alia. Zëri dëgjohej. I thotë: “Hë, mor Halil pse nuk qëlloni që, po ju rrëmbejnë anijet luftarake?’ dhe përgjigja e Halilit ishte kjo: “Shoku Ramiz, komandant i Përgjithshëm jeni ju, jo unë!”. Kaq qe biseda, por, me kaq unë kuptova se Ramiz Alia ishte qortuar nga anëtarë të KQ për mosdhënie urdhërash ndaj shkaktarëve të asaj rrëmuje që e kishte pllakosur vendin. Unë mendoj se është e ulët që një kryehetues të akuzojë ish presidentin e tij se, “ashtu mendoj unë”.

Në këtë kontekst, po shtoj edhe një fakt tjetër se “të menduarat” e kryehetuesit Qemal Lame janë të keqqëllimshme. Thotë, se Ramiz Alia ka dhënë urdhër që të qëllohej në kufi, kur ishte abroguar ligji i arratisjes. N.q.se kjo do të ishte e vërtetë, përse u arrestuan  kryetarët e D.P. Brendshme në Sarandë dhe në Pogradec? Kush kish guxim që të dënonte për zbatimin e urdhrave të presidentit Ramiz Alia?..

Unë jam vëllai i Sabitit dhe, këto që po them, mund të më merren si sentimentalizma të vëllait për vëllain, por, e para, flas për raste në një kohë kur autorët janë gjallë, e dyta, ja çfarë kanë thënë disa kundërshtarë politikë për të :

Prof. Neritan Ceka, themelues i Partisë Demokratike: “Mik i dashur Sabit, si ta besoj që nuk je më? Shumë pak kemi qëndruar bashkë, por kohë historike dhe nuk e di përse të kam dashur thellësisht me shpirt. Diku do jemi gjithmonë bashkë, tek më e rëndësishmja, qeveria e burrave që i dolën zot `97-ës. Neritani”

Dashamir Shehi, kryetar i L.ZH.K. , thënë tek TV Klan: “Nqse do ta pyesje Sabit Brokajn se, kë do të donte Partinë apo Shqipërinë, ai do të zgjidhte Shqipërinë”

Avokat Spartak Ngjela, ish i burgosur politik, intelektual i dëgjuar: “…Ndjej keqardhje të thellë, dhe shpreh me këtë rast respektin e veçantë që kam pasur për figurën e tij: individ humanist dhe shumë i drejtë. Ishte nga të rrallët ish komunistë shqiptarë, që, duke qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndihej me bindje, i shkëputur nga doktrina komuniste. U kujtoftë ngaherë për të mirat që ka bërë si mjek humanist dhe si politikan korrekt…”

Do ta mbyllja këtë reagim me një thënie latine: “Sado i pasur të jesh, nuk e blen dot të kaluarën”, që, për ish kryehetuesin Qemal Lame do të thotë se, nuk ka aq fuqi të falsifikojë të kaluarën e tij, duke sulmuar të tjerët për të qenë vetë hero. Nuk është fajtor pse ka qenë kryehetues, por është mëkatar për atë se, si e ka kryer këtë detyrë dhe për borxhet që po krijon duke u marrë edhe me ata që s’jetojnë më. Me sa kuptohet, koha pas viteve 90’, nuk i ka bërë mirë shëndetit, ose i ka hequr kallain karakterit të tij…

Vlorë, më 18 korrik 2022

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode