PËR GJERGJ KASTRIOTIN DHE NE TË TJERËT

04/08/2017 08:00

OPINION

 

 

PËR GJERGJ KASTRIOTIN DHE NE TË TJERËT

 

Viktor MALAJ

 

 

Një pohim i zotit Mustafa Nano se nëna e Skënderbeut ka qenë serbe shkaktoi polemika në shtypin shqiptar. Diskutimet, mendimet dhe polemikat, në vetvete, nuk kanë asgjë të keqe, por kur ato rrëshqasin nga shkalla e shfaqjes së mendimeve të kundërta në fyerje, shpifje dhe etiketime, jo vetëm që nuk iu japin shpjegim bindës çështjeve objekt diskutimi, por i mjegullojnë ato më shumë dhe krijojnë një atmosferë të mbushur me inate, keqardhje dhe “armiqësi” të panevojshme dhe të dëmshme.

Duke pasur parasysh shkrimet e Nanos dhe të të tjerëve rreth kësaj teme, më duhet të them se ajo që më bëri përshtypje më të keqe nuk ishte pohimi i Nanos rreth përkatësisë kombëtare apo etnike të Vojsava Kastriotit sesa reagimet dhe epitetet që iu vunë zotit Mustafa Nano duke e quajtur “të shitur, tradhtar, spiun i serbëve, islamik i paguar, antishqiptar…etj.”. Gjithashtu, edhe një reagim i Nanos ndaj shkrimit të z. Moikom Zeqo mbi këtë temë nuk ishte i denjë pasi përmbante etiketime fyese.

Personalisht, nuk pajtohem me mjaft mendime dhe trajtesa që z. Mustafa Nano ka bërë për probleme të ndryshme sociale, politike apo historike, por kjo nuk do të thotë se mosqenia në një mendje i bën mendimet e mia vetvetiu të drejta dhe ato të tijat plotësisht të gabuara. Po them se mospajtimet kurrsesi nuk janë shkak që tjetri të fyhet për idetë dhe mendimet e tij, edhe nëse ato, në pamje të parë, tingëllojnë “antikombëtare”. Siç e ka pohuar edhe vetë Nano, ai, ashtu si edhe ne të tjerët që shfaqim mendime në shtypin shqiptar, nuk është historian dhe as që pretendon se mendimet dhe konkluzionet e tij duhen marrë si përfundime historike të padiskutueshme. Nga ana tjetër, fakti që ne s’jemi historianë nuk na pengon të shprehim mendimet tona edhe rreth ngjarjeve apo figurave historike, ashtu si mosqënia arkitektë nuk na e heq të drejtën të bëjmë vlerësim për anët estetike të një ndërtese në vetvete dhe në raport me mjedisin ku është ngritur.

Disa nga personat që polemizuan me z. Nano rreth kësaj teme janë individë me integritet moral dhe të kulturuar por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se provat dhe dokumentet e deritashme nuk janë aq të plota saqë të na bindin plotësisht për përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit, qoftë përkatësinë arbërore (shqiptare) apo atë sllave. Dhe, kjo mosplotësi nuk është kryesisht për faj të Barletit, Nolit etj., as për faj të albanologëve të huaj e, aq më pak, të ne të tjerëve, sesa për shkak të dobësisë dhe prapambetjes kulturore të fisnikërisë shqiptare të shekullit të XV e cila u kujdes shumë dhe pandalshëm për pasurim e sundim, por fare pak për kulturim apo lënie mbrapa të dëshmive dhe vlerave historike të kohës. Epopeja Skënderbejane është e pashoqe në histori, jo vetëm shqiptare, por edhe evropiane. Megjithatë, asnjë njeri i shkolluar i asaj kohe nuk u kujdes ta përshkruante si gjeneral betejash luftarake, si politikan a diplomat. Gjuha në të cilën do të kishin shkruar kronistët (historianë a shkrimtarë) nuk ka fare rëndësi krahasuar me kohën dhe saktësinë e përshkrimit të ngjarjeve dhe jetës së protagonistëve të kësaj epopeje. Një pjesë njerëzish në vende të tjera kanë lënë të dokumentuar me saktësi ngjarje madhore dhe jetët e figurave të rëndësishme historike e kulturore. Kjo praktikë i ka fillimet që nga lashtësia e, sidomos, gjatë Mesjetës. Ne nuk dimë ende datëlindjen e saktë të Heroit tonë Kombëtar.

Sa i përket përkatësisë etnike të Vojsava Kastriotit unë besoj se ajo nuk luan kurrfarë roli në vlerat morale, historike dhe kombëtare të djalit të saj Gjergj, sepse nuk është atësia apo mëmësia që e bëjnë atë të madh dhe shembull frymëzimi për bashkëkohësit dhe brezat e ardhshëm të shqiptarëve, por kontributi dhe shembulli që ai dha se si një individ arbëror (shqiptar) braktis karrierën dhe privilegjet në perandorinë e kohës dhe vë dijet, aftësitë dhe jetën e vet në shërbim të lirisë dhe dinjitetit të popullsisë së pushtuar nga kjo perandori, duke iu kundërvënë asaj me shpatë.

Një njeri tjetër publik, z. Artan Lame reagoi duke thënë se përderisa kombi është një nocion i shekullit të XIX është marrëzi të flasësh për kombësinë e Skënderbeut. Sipas bindjes time, z. Lame bën disa gabime në shkrimin e tij pasi, si jo pak të tjerë, ai ngatërron fenë me etninë (kombësinë) dhe pozitat politike me kombësinë. Ai thotë se “Dantja nuk ishte italian sepse në kohën e Dantes nuk ekzistonte Italia por etnia italike dhe, po kështu, në kohën e Skënderbeut nuk ekzistonte Shqipëria por etnia shqiptare, madje as shqiptare por arbëre”. Etnia, cilado qoftë, nënkupton një tërësi tiparesh të përbashkëta për një grup njerëzish, të tilla si prejardhja e përbashkët gjenetike, gjuha dhe shumica e cilësive të konstitucionit të tyre shpirtëror, moral dhe kulturor. Kombi është, ndoshta, bashkësia më e madhe e tërësisë së atyre individëve të cilët, përveç sa më sipër, i lidh edhe vazhdimësia e territorit të vendbanimit. Nëse në kohën e Dantes jo të gjithë banorët e principatave, mbretërive apo njësive të tjera politiko-administrative nuk ishin ende të vetëdijshëm për përkatësinë dhe prejardhjen e njëjtë, si dhe për domosdoshmërinë e unifikimit territorial dhe shtetëror kjo nuk do të thotë se ata, të gjithë së bashku, nuk përbënin “mishin” e një trupi që më vonë u quajt kombi italian. Prandaj edhe italianët e sotëm do të çuditeshin dhe mbanin mëri nëse iu thua se Dantja nuk ishte (dhe, rrjedhimisht, nuk mbetet) italian.

Po kështu edhe Gjergj Kastrioti i përkiste një principate arbërore, por ai (dhe jo vetëm ai) ishin të vetëdijshëm se edhe banorët dhe zotërit e principatave të tjera arbërore nuk ishin thjesht fqinj, por kishin shumë gjëra të përbashkëta që i lidhnin. Fakti që atëherë nuk ekzistonte nocioni Shqipëri i bën ata joshqiptarë po aq sa fakti se Durrësi quhej dikur Dyrrahium na pengon neve që banorët e hershëm të tij t’i quajmë durrsakë. Emrat janë thjesht ambalazhe apo konvencione që shprehin brendinë, por ndryshimi i ambalazheve nuk sjell ndryshimin e përmbajtjes së “mallit”. Kjo është edhe arsyeja pse Skënderbeu kërkoi më së pari ndihmën dhe bashkimin e princërve shqiptarë në luftë kundër Perandorisë Osmane.

Në shkrimin e tij, Lame thotë se “Elitat nuk kanë kombësi… Elitat janë mbi dhe transnacionale… Ato nuk kanë as sot kombësi”. Për të vërtetuar këtë ai sjell shembullin e disa monarkëve evropianë si dhe faktin se monarku i parë i Shqipërisë ishte gjerman (Princ Vidi) ndërsa mbreti Zog ishte mysliman i martuar me një katolike hungareze. Fakti që Vidi u emërua monark i Shqipërisë nuk e bën atë pjesëtar të kombësisë shqiptare dhe as fakti i martesës së Ahmet Zogut me një katolike apo mosushtrimi prej tij i riteve fetare nuk ia heq atij kombësinë shqiptare. Fakti që Henri i VIII -të ndërroi fenë e vet dhe të mbretërisë për hir të martesës me një femër, nuk shkaktoi ndryshimin e përkatësisë kombëtare (etnike) as të mbretit dhe as të popullsisë. Feja dhe shtetësia zgjidhen ndërsa kombësia nuk zgjidhet pasi është e prejardhur (përveç rasteve kur legjislacioni i një shteti-komb u krijon mundësi të zgjedhin individët që kanë prindër me kombësi të ndryshme). Unë nuk besoj se figurat më elitare evropiane e mohojnë përkatësinë e tyre kombëtare.

Një filozof i “Shqipërisë Etnike”, në vazhdën e disa të tjerëve më parë, na këshillon të mos merremi me mitin e Skënderbeut sepse po “të gërvishtim” më thellë mund të dëshpërohemi ngaqë brenda mund të gjejmë jo ar por ndryshk pasi ai “Ka jetuar e luftuar në kohën kur janë bërë luftëra fetare e jo etnike”. Pra, autori Kim Mehmeti na lë të kuptojmë se edhe Skënderbeu luftoi për fe dhe jo për lirinë e pjesëtarëve të etnisë së cilës i përkiste. Së pari, nuk është fare e vërtetë se në shekullin e XV janë bërë luftëra fetare. Epopenë e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane nuk e ka konsideruar “luftë fetare” asnjë historian serioz i huaj apo vendas. As në betejën e Kosovës (shekulli i XIV) ku u krijua një lidhje e princërve të krishterë ballkanas nuk ishte një luftë fetare. Mjafton të kujtojmë se në krah të ushtrive osmane të udhëhequra nga vetë sulltani ishin princër serbë. Perandoria Osmane nuk e sulmoi Ballkanin dhe viset e tjera në tri kontinente për arsye fetare, por për t’i pushtuar, sunduar dhe shfrytëzuar. Ashtu siç kishte bërë më parë perandoria serbe e car Dushanit. Imponimi i fesë me mjete e metoda të ndryshme nuk ka qenë qëllimi i pushtimeve, por mjet për asimilimin e popullsive të pushtuara për ta bërë më të lehtë përjetësimin me dinakëri të atyre që ishin zotëruar me luftë.

Skënderbeu, familja e të cilit e kishte ndërruar nja tri herë përkatësinë fetare, kur erdhi në Krujë, nuk iu drejtua krerëve dhe popullit duke iu thënë “Fenë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush”, por “Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush”. Si i tillë, ai ishte kryeluftëtar i lirisë dhe jo i fesë. Elozhet që i pati bërë një Papë duke e quajtur “Atlet i Krishtit” nuk e ndryshojnë aspak karakterin dhe qëllimin e epopesë Skënderbejane. Në kohën që Skënderbeu vendosi të braktiste pozitën dhe privilegjet në Perandorinë Osmane dhe t’i drejtonte asaj shpatën, në vend të përkuljes mirënjohëse për “nderet” që i kishte bërë, një pjesë fare e vogël e popullsisë arbërore (shqiptare) kishte përqafuar apo i ishte imponuar feja islame.

Nëse Gjergj Kastrioti nuk kishte kurrfarë ndjenje të përkatësisë etnike, nëse ai nuk ndihej i shtypur, grabitur dhe poshtëruar, jo si person por si fis, principatë dhe etni, ai, shumë mirë mund t’i lutej Sulltanit t’i bënte disa lëshime vetëm Principatës së Kastriotëve, ashtu siç ua pati bërë më vonë krahinës së Mirditës apo Republikës së Raguzës. Dhe, ka shumë të ngjarë që, për shkak të zotësisë së tij si komandant lufte dhe shërbimeve që i kishte bërë apo do të mund t’i bënte Portës së Lartë në të ardhmen, ajo do ia bënte disa lëshime duke përfshirë edhe mosdetyrimin për ndryshimin e fesë.

Disa përbaltosës të historisë janë përpjekur që luftën e Skënderbeut ta etiketojnë si fetare meqë gjatë 25 viteve janë dëbuar, burgosur apo vrarë edhe disa individë të etnisë shqiptare, por të përkatësisë së fesë islame. E vërteta është se ndëshkimet që bëri Skënderbeu jo vetëm kanë qenë të rralla, por kanë pasur si shkak kryesor qëndrimet e atyre individëve në shërbim të armikut pushtues dhe në dëm të interesave të luftëtarëve dhe popullsisë mbrojtëse. Tek ne në këto 27 vjetët e fundit është bërë modë që bashkëpunëtorët e pushtuesve t’i justifikojmë, shfajësojmë dhe, madje, lartësojmë. Kjo ndodh në kuadrin e asaj që z. Ismail Kadare, me të drejtë, e quan Doktrina e Tradhtisë Kombëtare. Një sportist i cili, në një lojë i shërben kundërshtarit ndëshkohet apo përjashtohet përgjithnjë. Atëherë, cili duhet të jetë qëndrimi ndaj atyre që me fjalë dhe me vepra, deri edhe me armë, iu shërbejnë të huajve pushtues kundër interesave të vendit dhe jetëve të bashkatdhetarëve të vet? Tek ne është bërë e zakonshme që, në kuadrin e “rishikimit të historisë” ta quajmë pushtimin turk si një “administrim me mirëkuptim” të vendit tonë, pushtimin italian si të dobishëm pasi na ndërtoi disa rrugë dhe 7-8 ndërtesa, pushtimin gjerman ose si të dobishëm sepse na “bashkoi”, ashtu si ai italian, me Kosovën ose ta etiketojmë si parakalim ushtarak i domosdoshëm dhe i padëmshëm. Tradhtia ka gjithmonë nevojë për keqinterpretime në kërkim të preteksteve për ta përligjur. Shumica dërmuese e shqiptarëve kanë qenë kundër pushtuesve ndër shekuj, pavarësisht përkatësisë fetare të pushtuesit. Pushtimin turk e kundërshtuan dhe e luftuan si të krishterët ashtu edhe myslimanët. Pushtimet italiane i luftuan shqiptarët e të gjitha përkatësive fetare. Po kështu edhe ato gjermane, serbe, greke etj.

Një numër jo i vogël popujsh dhe vendesh kanë më shumë se një hero kombëtar; disa mbajnë për të tillë edhe individë që kanë kryer akte të mëdhenj kriminalë ndaj njerëzve të pafajshëm, kurse disa të tjerë mbajnë si heronj dhe simbole kombëtare individë pa kurrfarë kontributesh madhore. Franca konsideron si heroinë të saj dhe simbol atdhetarizmi e sakrifikimi një vajzë 19 vjeçe e quajtur Zhanë Dark sepse kontribuoi në heqjen e Rrethimit të Orleansit në fund të Luftës 100 vjeçare me Anglinë, megjithëse ajo nuk përdori asnjë lloj arme në front. Ndërsa peshkopin që dënoi me vdekje vajzën Zhanë Dark francezët e kujtojnë me neveri.

Heronjtë nuk janë të tillë pse nuk kanë asnjë të metë, por sepse me qëndrimet dhe veprat e tyre në shërbim të vendit dhe popullit që i përkasin mbeten simbole të dashurisë për sakrificat sublime që bëjnë. Skënderbeun dhe epopenë e tij të lavdishme e konsiderojnë luftë fetare vetëm dy kategori shqiptarësh: një grup individësh ekstremistë fetarë dhe një grup individësh servilë të Perëndimit të “Krishterë”.

Gjergj Kastrioti mbetet shqiptari më i madh për shkak të përballjes konsekuente dhe pa droje ndaj perandorisë së kohës e cila i kishte pushtuar dhe grabitur vendin dhe popullin ku shtrihej principata e të atit dhe gjithë principatat e banuara nga popullsi të së njëjtës etni. Mendimet e z. Nano rreth përkatësisë etnike (kombësisë) së nënës së tij as nuk e dëmtojnë figurën e Heroit tonë Kombëtar dhe as e turpërojnë z. Mustafa Nano, pasi ai e do Shqipërinë dhe shqiptarët më shumë se ata që e konsiderojnë Skënderbeun hero të të krishterëve, qoftë në publikimet e tyre me emër në shtypin shqiptar, qoftë “dijetarët” e pasgardhit që vjellin vrer me pseudonime poshtë shkrimeve online. Me gjithë këto dhe megjithëse e kuptoj si detyrë të publicistëve të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për nevojën e miqësimit të popullit tonë me popujt e tjerë të Ballkanit duke na kujtuar fakte historike që na afrojnë dhe të tilla ka shumë, e vlerësoj të gabuar zgjedhjen për këtë qëllim të prejardhjes etnike të nënës së Heroit tonë Kombëtar.

Sidoqoftë, dëmtuesit e të sotmes dhe të ardhmes së Shqipërisë duhen kërkuar gjetkë dhe jo tek ata që, me mendimin e tyre të lirë, shprehin një konsideratë apo besim rreth një problemi historik dhe që janë të gatshëm ta tërheqin dhe ndreqin mendimin e tyre sapo iu ofrohen prova të mjaftueshme që e rrëzojnë atë.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode