PËR DISA ÇËSHTJE...
28/10/2015 08:23
OPINION
PËR DISA ÇËSHTJE...
Nga Afrim MORINA
Patëm disa ditë të bujshme në Kosovë dhe gjithkund ku jetojnë shqiptarët. Ajo filloi me dokumentarin për Bacën Adem dhe përfundoi me sulmin në ambasadën shqiptare në Podgoricë. Kjo është një pasqyre, ku dikush sheh vetën në te, e dikush na sheh ne dhe po ta analizojmë, na del një karikaturë e përqudshme, që vështirë të ndodhin në politikë, e, që një kombi gjysmë të robëruar, kjo gjë nuk mundët dhe as që guxon t’i ndodh.
Dokumentari për Adem Dema(çin)
Një dokumentar sa tragjik, aq qesharak dhe bota intelektuale perëndimore do të na parashtronte pyetjen, ky qenka Mandela i Evropës? E çfarë përgjigje do t’i jepnim ne? Jeta e Tij u përmblodh në pika të shkurtra dhe jo në thelbësorët dhe pa i prezantuar edhe bashkudhëtarët e Tij, por ishin shkëputur inserte që donin t’i jepnin jetë të tjerëve. Ai ishte shkrimtar dhe pse nga Rugova u pranua anëtar nderi i shoqatës së shkrimtarëve, e dinte Rugova dhe Ademi, por edhe të tjerët që janë marrë me këtë fushë. Kush përfitoi nga greva e redaksisë së “Zërit” dhe pse u mënjanua Ademi, edhe këtë e dinë të gjithë që janë marrë me politik analitike, sepse kjo revistë kaloi në duart e të preferuarit nga Beogradi, i cili që atëherë është “intelektual e ekspert” dhe pa te nuk mund të frymojë politika shqiptare.
Roli i bacës Adem nuk u pa në dokumentar. Ndikimi i Tij nuk u pa në dokumentar, anashkalimi i Tij nga struktura të caktuara nuk u pa në dokumentar, por në dokumentar u panë ata të cilët kishin dhënë mjete, ata që kishin qenë të pëlqyer nga dhënësit e mjete, ata që kishin qenë servil në kohën kur Ademi me bashkëveprimtarët e vet përgatiste revolucionin, etj.
Dhe pyetje kryesore që parashtrohet, pse ky dokumentar ishte hyrje në një lojë tragjike komike të politikës shqiptare në Kosovë, për javën që do të pasojë?!
Çështja Hoxha
Një javë mbledhje nënshkrimesh dhe tri marshuta qytetare për të zbardhur fatin e dëshmorit të kombit, Remzi Hoxhës, i cili është zhdukur pa gjurmë që nga 21 Tetori i vitit 1995, për dike ishte qesharake, për dike ishte kriminel, e për shumicën ishte mjerim i pushtetit në Shqipëri dhe angazhimit të krerëve politik e institucional në territoret shqiptare. Nuk patëm mbështetje, të paktën në prononcime, në rrjetet sociale, në mediat e informimit, nga personalitetet e politikës, pos asaj që ishte, kushtimisht zyrtar, për të informuar pse ndodhte ajo. Një televizion që pati edhe emision special për këtë ngjarje, nuk kreu misionin e vet, për të cilin kishte krijuar opinion, por anashkaloi dokumentarin e ofruar dhe nxori me picetë “dëshmi” të favorshme për ish struktura e UDB-së, KOS-it, e SHIK-ut, ndërsa mbetën pa e thënë të vërtetën ata që ishin të ftuar, sepse kohën ua morri moderatori me “dëshmitë” e përgatitura.
Edhe pse ky emision special ishte për të ndërgjegjësuar qytetarin, pushtetarin, gjyqësorin, për të marr veprime konkrete për një dëshmor kombi, të ndriçohet fati i Tij fizik (të ketë një varr), të ndriçohet veprimtaria e tij Kombëtare kundër hardhive pushtuese, kundër bashkëpunëtorëve shqipfolës, kundër tradhtisë kombëtare, nuk u arrit qëllimi, se nuk u lejuan prezantimi i fakteve, diku pesëmbëdhjetë minuta film dokumentar.
Sidoqoftë, strukturat shtetërore duhet të veprojnë dhe të gjitha këto t’i ndriçojnë dhe të kryejnë obligimin moral ndaj familjes dhe kombit.
Pushteti mbi Kuvendin
Pushteti filloi t’i tregojë dhëmbët e dhëmbëpirësit (drakullës, siç e kemi mësuar nga filmat), duke arrestuar veprimtar për mbledhjen e peticionit, e veprime të ndryshme, e, kjo kulmoi me arrestimin dhe maltretimin fizik të veprimtarit Shkëlqim Morina dhe porosinë që i dhanë, se: më nuk funksionon prokuroria dhe gjykata. Se është e vërtetë, doli edhe një margaritar, kur “Policia kërkon nga inspektorati policor të merret me rastin”. Hajde, logjikë hajde! Kush do të kërkonte të marren veprime kundër vetës! Dhe ku mbeti kjo “iniciativë” e inspektoratit, edhe pse pati dëshmi, jo vetëm për ta larguar Komandantin e policisë në Stacionin Qendra, por edhe për të ngritur padi për vepër penale përmes prokurorisë. Kjo është një çështje më vete, por që ai mesazh u reflektua në Kuvend ku pushteti tregoi forcën përmes pjesëtarëve të sigurimit që në fillim dhe kështu e zhveshi nga kompetencat Kryeparlamentari. Më herët iu pata drejtuar publikisht të jepte dorëheqje dhe kjo ka qenë dashtë të ndodh, kur i ka parë pjesëtarët e sigurimit të shtetit në Kuvend. Dorëheqja nuk ndodhi dhe populli e thotë, e bajshë me shëndet.
Loja në Kuvend dhe theksimi i logjikës pushtetarë, se do të nxjerrim ligje e miratuar akte për emërime të anëtarëve të bordeve, ishte aq i pa kapshëm, në një situatë të nder, sa askush nuk mund ta arsyetojë këtë veprim. Kjo edhe ishte irituse jo vetëm për kuvendarët, por edhe gjithë atyre që nuk janë fanatik të liderthve të vet. Pushteti as që çanë kokën për të parë një realitet në terren, se elektorati i tri subjekteve opozitare, gjithsejtë 150.000 votues, ndërsa një e katërta (pra 50.000 mijë) nënshkrues të peticionit janë të tjerë që e shohin tradhtinë që luhet për Kosovë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Më vjen keq, që këtë të keqe e mbron edhe ambasadori i SHBA- ve dhe ndoshta, po e parafrazojë Xhavit Nimanin” ka folur pa bllok”, mirëpo ne e dimë, se të gjitha mesazhet që përcjellin ambasadorët, nuk janë qëndrime zyrtare të shtet që përfaqësojnë. Kemi përvoja të hidhura nga lojtarët në teren të SHBA-ve, që nga Gelbarti e deri te ky i fundit, sepse parashtrohet një pyetje e logjikshme, është penduar Qeveria Amerikane që ndërhyri ushtarakisht në Kosovë? Nëse po, atëherë duhet ta dimë ne dhe të riorganizohemi dhe të mos lëshojmë asnjë pëllëmbe toke, sepse njohja qenka formale dhe harta e pranuar është lënë në dispozicion të Serbisë, e mbështetur, fillimisht nga SHBA-ja, e pastaj nga të tjerët. Besojë se kjo nuk është politika institucionale e SHBA- va, prandaj edhe deklarimi i Ambasadorit nuk është domethënë dhe serioz për ne.
Logjika e sëmurë
Atë natë dhe pastaj, kemi prononcime, trajtime, debate e çka jo tjetër në mediat e informimit. U tha, e çka nuk u tha. Dolën margaritar nga “personalitete politike”, nga “opinionistët”, “analistët”, e, deri te ata që ishin në rrugë. Mirëpo, ajo e cila e irritoi qytetarinë shqiptare, ishte orientimi i çështjes në drejtim të favoreve ruse, të cilën gjoja Vetëvendosja po e orienton politikën e vet në binar të Rusisë Cariste të Putinit. Këtë e tha një pinjoll i Rugovës, se në bukë të tij është rrit, por këtë e pranoi edhe Hashim Thaçi dhe harroi se po i njëjti me bashkëpartiakët e kishte cilësuar si të tillë para lufte, gjatë lufte edhe në vitet e para pas lufte. E sheh z. Thaçi deri ku ke arritur?! Edhe atëherë kur Shqipëria londineze kishte marrëdhënie të mira me BRSS-në, nuk ishte në ndikim Rus, se ketë e dëshmoi, kur filloi t’i prek interesat kombëtare ajo, Enver Hoxha e largoi nga hapësira e vet gjeografike, jeni të zot ju “njohësit” e asaj politike t’i largoni nga Kosova mbështetësit e politikës serbe? Kjo nuk do të ndodhte kurrë, sepse jeni bashkudhëtar të kësaj loje të pistë, sa vështirë e ka pasur të kuptonte Serbia, se gjurmëve të Rugovës do të shkoj edhe, pothuaj e gjithë struktura politike e UÇK-së, pothuaj e gjithë struktura e shtabit të përgjithshëm e UÇK-ës dhe shumë komandat të Zonave operative të UÇK-së.
Nëse betimi ka qenë bashkimi kombëtar dhe për shumë rrethana nuk kanë mundur ushtarët e UÇK-së të mbajnë, atëherë me çfarë të drejte sot heshtni kur nuk mundën për të mbrojtur kufijtë e Kosovës dhe të ndajnë mendimin e luftëtarit me atë të politikanit, kushdoqoftë ai dhe t’i kërkohet llogari, për nëpërkëmbjen e gjakut të dëshmorëve. Ju ushtar të UÇK-së, jeni të parët që duhet të kërkoni këtë të drejtë, sepse hartën e Kosovës e keni bartur në krah, keni derdhur gjakun për këtë, atëherë parashtroni pyetje vetës, ku e kemi hartën? Këtë pyetje parashtroni edhe para ish eprorëve të Juaj, të cilët bëjnë tregti me tokat tona.
N’ua zgjatësh dorën, të marrin edhe trupin!
Malazezët, të përkëdhelurit e Evropës dhe shqiptarëve, gjithnjë e kanë treguar fytyrën e vërtetë në raste të krizave, edhe pse të tillat nuk ua shkaktojnë shqiptarët. Edhe kjo krizë politike tregoi fashizmin e malazezve kundër shqiptarëve. Kriza politike nuk ka ardhur nga shqiptarët, madje edhe u favorizuan me toka të reja, që ajo të jetë më e madhe, mirëpo ata e kanë të ngulitur në kokat e tyre, mendimin e Vuk Karaxhiqit, “Shtjepani i vogël, mbret i madh”, pra ky Shtjepan që do t’i bashkojë serbët e malazezët kundër shqiptarëve, ngriti kokën edhe pse është në shpërgej, duke e parë politikën e meft shqiptare dhe sulmoi ambasadën e Shqipërisë.
Kjo e tregoi edhe veprimet e mëhershme të malazezëve për burgosje, për përgatitje të proceseve politike, për mos lejimin e formimit të komunave shqiptare, për mos lejimin e përdorjes së simboleve kombëtare, vetëm atëherë kur u duhen favore politike, të mos ketë të drejtë shkollim në të gjitha nivelet në gjuhën shqipe. Kësaj i thonë, t’i them sa nuk më ka thënë, sepse shqiptarët kanë harrur të kërkojnë Ulqinin, sipas konventave ndërkombëtare, për rikthim dhe kjo do të thoshte, shuarje e shtetit të Malit të Zi dhe ne e mundësojmë rritën dhe forcimin e këtij shteti monstrum dhe ata i shpërblejnë shqiptarët edhe me sulm në ambasadë, pa pasur asnjë veprim kundër tyre nga strukturat institucionale shqiptare.
Në gjithë këtë pse heshtë politika institucionale e Shqipërisë londineze dhe subjektet politike shqiptare në Maqedoni
Në gjithë këtë maskaradë institucionale të pushtetit në Kosovë, pse heshtë politika institucionale e Shqipërisë londineze? Mos vallë ajo mendon se është e amnistuar nga gjithë kjo? Ketë e obligon edhe Kushtetuta dhe ku është në këtë moment Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama. Këtu nuk mund të amnistohen edhe opozita, sepse ajo ka mundur të marri favore politike te shqiptarët.
Në çfarë sikleti janë liderthit politik shqiptar në Maqedoni? Mos vallë për ata është duke shkuar kungulli përmbi ujë dhe nxjerrin favore nga heshtja, për të nxjerr përfitime në shtetin “amë”.
A është problem vetëm i Kosovës çështja e marrëveshjes së Brukselit dhe nënshkrimi i kufijve me Malin e Zi, apo është çështje gjithëkombëtare? A nuk u prek në sedër shitja e trojeve? A nuk u prek në sedër krijimi i autonomisë sot, e nesër Republikës me të drejtë vetëvendosje të serbëve në Kosovë? A i ka verbuar hyrja në Evropë dhe nuk i mbron territoret shqiptare, që rrjedhin si obligim kushtetues, sot liderthit politik shqiptar?!
Shqipëria e Enver Hoxhës (jo ajo e Lutfi Hazirit dhe Hashim Thaçit) ka mundur të jetë në Evropë dhe të ketë ndikim bukur me peshë, po t’i harronte shqiptarët në trojet tjera të okupuara. Përfillni këtë politik pansllaviste dhe në anën tjetër luani lojën e politikës kombëtare, takimet në Prizren e Vlorë, si dy qendra që tubuan shqiptarët për luftë të armatosur për liri kombëtare. Çfarë loje të pistë bëni me këtë, thua se nuk e kuptojnë këtë politikë shqiptarët?! Ndërgjegjësohuni dhe jepni mendimin e juaj institucional, jeni për ricoptimin e trojeve shqiptare sot apo jo? Nëse po, ndërroni Kushtetutën ju në Shqipërinë londineze, e ju të tjerët, jashtë Kosova e Shqipërisë londineze pritni ditët e juaja kur të ju hyjë litari i copëtimit edhe në shtetin “amë”.
Sot
Politika shqiptare rreth kufijve të jashtëm duhet të jetë një, sepse nuk është në pyetje kufiri shqiptaro shqiptar, por është kufiri serbo shqiptar, malezezo shqiptar dhe maqedono shqiptar dhe kjo duhet të mbrohet me të gjitha mjetet politike sot, kushdo që bënë lojën e armikut, se sa nesër me gjak.
T’i ngjeshim radhët dhe të mos bëhemi fanatik, se ky është mendimi i akëcilit individ apo subjekti, por të fuqizojmë mbrojtjen e dinjitetit territorial, kulturor e historik, të cilin po mundohen ta nëpërkëmbin të gjithë, me arsyetim se doni apo jo të hyni në Evropë. Baca Adem ishte shkrimtar dhe nuk kishte nevojë të bëhej anëtar nderi i shoqatës, nga e cila ishte përjashtuar për dhjetëvjetësha. Ne jemi në Evropë dhe nuk duhet të pranojmë të anëtarësohemi në te, duke dhënë territore, e mohuar kulturën e historinë tonë.
Pas shumë kohe, kur politikën kombëtare e nxori nga binarët Rugova e Berisha, e më vonë në valle hyri edhe Arbër Xhaferi, është momenti të kemi një zë të fuqishëm e të bashkuar, për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të kombit.
Prishtinë, 26.10. 2015
(Marrë nga albaniapress)