PATRIOTËT E TALLAVASË
25/01/2020 08:11
OPINION
PATRIOTËT E TALLAVASË
Nga Viktor MALAJ
Në fushën e muzikës konsiderojmë “muzikë tallava” atë lloj muzike e cila prodhohet dhe interpretohet për konsum në një treg të varfëruar, për komercializëm, që do të thotë për përfitime sa më të shpejta dhe sa më të mëdha financiare. Karakteristikat kryesore të saj janë tekstet banale dhe pa kurrfarë vlerash artistike. Ashtu si muzika edhe interpretimet janë të mjera artistikisht dhe nuk i kënaqin shijet e dëgjuesve të kultivuar. Përkundrazi, ato janë prodhime “tezgash” që synojnë shitjen e shpejtë duke krijuar kënaqësi emocionale pa iu nënshtruar gjykimit të arsyes dhe vlerësimeve me bazë kulturën muzikore. Po të dalin përpara “jurisë” së kultivuar, përgjithësisht, ato dështojnë të “kalojnë klasën” dhe prandaj, si prodhim për konsum nga pjesa më e pakultivuar, janë të destinuara të mos i mbijetojnë kohës. Ky është edhe shkaku që këngëtarë të këtij “zhanri” gjen gati në çdo fis apo pallat.
Ngjashëm me muzikën dhe këngëtarët tallava kemi edhe atdhetarizmin dhe patriotët tallava. Atdhetarizmi i vërtetë është para së gjithash qënie dhe jo dukje, sjellje dhe jo fjalë, dinjitet dhe jo lapërdhi, shërbim dhe jo baltëhedhje. Për të qenë patriot i vërtetë duhet, së pari, të jesh qytetar i denjë që iu nënshtrohesh normave të Kodit Moral dhe ligjeve të shtetit. Si njeri publik nevojitet që me fjalët, sjelljen dhe veprimtarinë e ngarkuar nga shoqëria të kesh dëshmuar integritet moral, përkushtim atdhetar dhe aftësi drejtuese, përndryshe etiketimet, fyerjet dhe shpifjet ndaj të tjerëve nuk të rrisin, por të zhvlerësojnë deri në nivelin që shumica e popullit të të tallin dhe përçmojnë.
Një padi penale për shpifje që Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama i bëri në organet gjyqësore kosovare Kryeministrit në ikje të Kosovës, z. Ramush Haradinaj krijoi një furtunë atdhetarizmi tallava duke nxjerrë edhe një herë në skenë aktorët e patriotizmit të këtij “zhanri”, domethënë të patriotizmit të zhurmshëm, të patriotizmit të fjalëve, rrenave, fyerjeve, etiketimeve, shpifjeve dhe denigrimeve, që të gjitha së bashku përbëjnë patriotizmin e rremë, “patriotizmin” për t’u dukur dhe jo patriotizmin shërbestar.
Zoti Haradinaj, megjithë respektin dhe mirënjohjen për kontributin vetjak dhe familjar në luftën çlirimtare të Kosovës, është një individ publik i njohur për faktin që i lëshon fjalët ligësht, do thoshte Noli. Domethënë se flet pa u matur dhe pa u kujdesur shumë për të vërtetën e atyre që thotë dhe për mundësinë për t’i provuar ato. Në përpjekje për t’iu shtuar vlerave reale të kohës së luftës edhe vlera të rreme të kohës së paqes, z. Haradinaj ka pohuar disa herë se Presidenti i Kosovës z. Thaçi dhe Kryeministri i Shqipërisë z. Rama, në bashkëpunim me Presidentin serb Vuçiç janë përpjekur të vënë në jetë një plan për ndarje të Kosovës, për t’i dhënë Serbisë Trepçën, si dhe për të lehtësuar Serbinë në marrëdhëniet ekonomike në rajon por, sipas tij, “Kosovës ka kush i del zot!”.
Asnjë shqiptar me mend në kokë, nuk dëshiron që marrëdhëniet midis figurave politike drejtuese të Shqipërisë dhe Kosovës të katandisen në këtë gjendje. Unë besoj se zotit Haradinaj i bie barra të provojë pohimet e tij përpara një gjykate dinjitoze dhe të paanshme, në të kundërt duhet të kërkojë falje publike për broçkullat që nxjerr pa i vënë në peshoren e së vërtetës.
Patriotët tallava të Tiranës dhe Prishtinës gjetën rast për të shitur “muzikën” e tyre atdhetare bajate e fiktive dhe iu vërsulën z. Rama duke e etiketuar si tradhëtar, antikosovar, i shitur, filoserb etj. Dhe për të bindur të gjithë “konsumatorët” e mallit të tyre kallp, ata u përpoqën të identifikojnë Ramush Haradinaj me Kosovën dhe, rrjedhimisht, çdo mospajtim, kundërshtim apo padi ndaj Haradinajt e paraqesin si qendrim antikosovar. Njerëz të mjerë, të pashpresë dhe të pamoral. Kjo skotë mashtruesish, idhnakësh, hileqarësh dhe punëkotësh nuk kanë as hallin e Kosovës dhe as të Ramush Haradinajt, nuk iu dhimbsen as njëri dhe as tjetra. Ata kanë halle pushteti, halle inatesh dhe përfitimesh vetjake. Duke qenë se e shkuara e tyre ka dëshmuar mungesë alarmante vlerash dhe mosmeritim pushteti, ata besojnë se kanë gjetur vjegë ku të kapen dhe, ashtu si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës, edhe këta besojnë se do ta kalojnë lumin e historisë duke u shitur çfarë nuk janë, duke pretenduar me fjalë të kundërtën e atyre që kanë dëshmuar me vepra.
Po t’i hedhësh një sy tufës do të vëresh se në krye të saj si patriotë të tallavasë qendrojnë individë që me sjelljet dhe veprimet e tyre ose e kanë cenuar interesin shqiptar këtej e andej kufirit ose kanë qenë avokatë të sjelljeve e veprimeve kundërshqiptare të pushteteve në dy shtetet shqiptare. Skifterë të këtyre pretendimeve për tradhëti e antikosovarizëm janë shfaqur disa pulastrenë politikë si Petrit Vasili dhe Bujar Nishani por edhe disa figura të tjera politike e publike si S. Berisha, M. Kryemadhi etj. dhe disa analistë katundesh e krahinash, këtej e andej kufirit.
Unë do t’i kujtoja z. Rama që paditë penale, përpara z. Haradinaj, i meritojnë njerëzit pa integritet dhe gojështhurur. Një i tillë është B. Nishani që, pa iu trembur syri, pohon se “Kauza e tij (E. Ramës) filoserbe është themelimi i urrejtjes institucionale kundër entitetit dhe projektit të Kosovës shtet i lirë dhe i pavarur… Synimi i vërtetë (i padisë) është t’i përçajë shqiptarët pro dhe kundër Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”. Gjithashtu, meriton të paditet edhe gojështhururi e mendjelehti Petrit Vasili i cili pohon se “I palodhur në futjen e thikave pas shpine Kosovës, Rama ka përfaqësuar saktësisht atë që duan armiqtë më të egër të saj… Që Rama është tradhëtar dhe Haradinaj patriot, këtë s’ka gjyq që e ndryshon… Përpara shqiptarëve, prej kohësh (E.Rama) është një kartë e djegur”.
Fatkeqësisht, korit të patriotëve tallava i është bashkuar edhe Presidenti i Republikës, z. Meta i cili, më shumë se një herë ka deklaruar: “Unë e kam denoncuar prej kohësh një projekt antikombëtar për zhbërjen e Shqipërisë. Rilindja vendase dhe rilindasit ndërkombëtarë kanë në plan të zhbëjnë Shqipërinë… Ky skenar synon jo vetëm kapjen e shtetit, zhbërjen e shtetit por edhe zhbërjen e Shqipërisë dhe defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve…”. Presidenti i vendit nuk duhet kurrësesi ta ulë veten në nivelin e Vasilit, Nishanit, Berishës apo provincialëve Buzhala, Peka etj. Nëse vërtetë, ka prova dhe beson në ekzistencën e “një projekti antikombëtar” Presidenti duhet të thërrasë sa më parë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe me prova të na ndërgjegjësojë të gjithëve për ato që thotë me qëllim që ta mbrojmë vendin nga “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”.
Patriotizmi tallava gjen blerës në treg, sidomos në një rajon dhe tek një popull që ka jetuar vazhdimisht me mendime dhe teori konspirative, tek njerëz që “vdesin” për t’u dukur dhe nuk përpiqen për të qenë, tek “atdhetarët” e këngëve dhe parullave, të piskamave dhe qelesheve, por ky “mall” nuk shitet tek njerëzit me kulturë dhe arsye, sepse këta patriotizmin e të tjerëve e masin me sjelljet dhe kontributet e mëtuesve të patriotizmit dhe jo me hakërrimet dhe etiketimet ndaj të tjerëve, hakërrime dhe etiketime që nuk burojnë nga dashuria dhe dhimbja për vatanin, por nga etja dhe padurimi për pushtet që qëllim përfundimtar ka mbushjen e xhepave.
Luftëtarë të patriotizmit nuk mund të na shiten ata që për 30 vjet nuk kanë lënë gjë pa i bërë vendit dhe popullit shqiptar, që e kanë mashtruar, vjedhur e dhunuar, që i kanë përvetësuar dhe dëmtuar pasuritë mbi e nëntokësore shumë herë më keq se çdo t’ia bënte pushtuesi më armiqësor. Si avokatë të atdhetarizmit nuk mund të shërbejnë hartuesit, nënshkruesit dhe mbrojtësit e Marrëveshjes së përzinjtë të Detit me Greqinë, as furnizuesit me naftë të Serbisë, as ata që për pushtet vetjak dhe partiak kanë përdorur dikur policinë, SHIK-un dhe ushtrinë kundër popullit dhe kanë ndërsyer Veriun kundër Jugut, por as aleatët e tyre shpirtëror e politikë që iu përshtaten pushteteve majtas e djathtas më shpejt se qeni kur ndërron zotëri dhe iu përshtaten për hir të xhepave dhe jo për shkak të idealeve.
Mbrojtjen e luftëtarëve të çlirimit të Kosovës nuk mund ta bëjnë sot ata të cilët, vetë personalisht, partia e tyre, qeveria e tyre dhe shefat dhe idhujt e tyre politikë, dikur, në sinkron me propagandën serbe, etiketonin UÇK-në si “organizatë terroriste” dhe burgosnin figurat e saj drejtuese në Tiranë. Piskamat e patriotizmit nuk iu shkojnë atyre që, sa herë afrohet koha për fillimin e negociatave të integrimit të Shqipërisë në BE bëjnë gati molotovët dhe çetat e gatshme të kaosit për ta sabotuar atë, siç e pohonte vjet edhe z. Ilir Meta duke folur për opozitën aktuale.
Këngët e patriotizmit nuk mund t’i këndojnë ata që flasin e shkruajnë për “komb kosovar”, që kundërshtojnë përdorimin e shqipes standarde dhe kërkojnë zëvendësimin e saj me dialekte apo nëndialekte krahinore, ata që mohojnë, përçmojnë dhe përbaltin Skënderbeun, Nënë Terezën dhe figura të tjera kombëtare, as ata që idenë e ndërrimit të disa territoreve me Serbinë e quajnë tradhëti, por takimin e Ibrahim Rugovës me Milosheviçin dhe thirrjen e tij drejtuar Perëndimit për të ndaluar bombardimin e Serbisë kur qindra mijëra kosovarë braktisnin vatrat e tyre të gjymtuar dhe lemerisur prej pushtuesve serbë, e konsiderojnë krejt normale dhe të padëmshme.
Skifterët kryesorë të patriotizmit tallava i njohim, i kemi pasur këtu vazhdimisht dhe për shumë kohë iu kemi besuar drejtimin e punëve tona dhe zhvillimin e vendit. Ata kanë dështuar shumë herë me sjelljet dhe qëndrimet e tyre jo pse nuk na kanë bërë të pasur, por sepse janë pasuruar vetë në një vend të varfër, sepse janë pasuruar paligjshmërisht dhe janë sjellë padinjitet. Patriotët e vërtetë janë ata që me sjelljet dhe përpjekjet e veta bëjnë sa dinë dhe sa mundin për të rritur dinjitetin dhe prestigjin e vendit dhe të kombit dhe nuk e çojnë gjendjen e vendit dhe të popullit në atë shkallë sa të çuditet bashkësia ndërkombëtare dhe t’i tregojë shqiptarët si popull pa aftësi shtetformuese e shtetdrejtuese. Nuk mund të jesh atdhetar shqiptar pse shet retorikë antiserbe, por vetëm në qoftë se me sjelljet dhe veprimet e tua provon se tezat dhe pretendimet antishqiptare të serbëve apo kujtdo tjetër janë të rreme, kur jep maksimumin e mundshëm për përparimin e vendit, normalizimin dhe konsolidimin e jetës shoqërore e politike të popullit shqiptar.
Ka mjaft arsye që Edi Rama të kritikohet, mallkohet dhe damkoset, por ai as mund të largohet nga pushteti me gënjeshtra, shpifje, fyerje e etiketime dhe askush nuk mund të kalojë në histori si patriot pse e paraqet atë si tradhëtar, antikosovar, filoserb etj. Tregu i patriotizmit tallava do të shkojë gradualisht drejt falimentimit dhe tregtarët e tij s’do t’i kujtojë më historia.
DITA