PASOJAT
13/01/2021 19:16
OPINION
PASOJAT

Afrim MORINA
Në analizën e fundvitit “Viti i të pamoralshmëve” ishte fjala edhe për veprimet e pamoralshme të disa gjyaktësve të Gjykatës Kushtetuese, e cila, thuaja, i dha ngjyrë të pamoralshme pothuaj gjithë vitit. Më poshtë do të shkoqis arsyet pse këta gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, që i kam quajtur të pamoralshëm.
Kushtetuta është akti më i lartë i një shteti nga ku burojnë të gjitha ligjet e tjera. Ndër ato ligje është edhe Kodi penal. Me këtë kod dënohen të gjitha veprimet kriminale që ndodhin në shoqëri dhe në bazë të peshës së tyre jepen dënimet. Këtu, nuk e kam ndër mend të flas nëse respektohen apo jo dispozitat, por qytetarëve u duhen bërë të ditura pasojat që prodhohen nga kryerja e veprave penale.
Pasojat janë individuale (kur një njeri privon nga jeta një njeri tjetër, me vrasje, në komunikacion, nga moskujdesja në vendin e punës, etj) dhe pasojat kur i sjellin dëm shoqërisë e shtetit (korrupsioni, detyrimi nga pozitat e eprorit, nepotizmi, mitmarrja nga institucionalistët dhe trysnia që u bëhet nga pushtetarët vartësve të tyre).
Shumica e këtyre lëndëve, kryesisht ato të dytat, marrin formën e prerë në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, gjyqtarët e kësaj gjykate duhet të jenë të përzgjedhur, dhe, bëmat e tyre (kryesve) të peshohen me peshoren e farmacisë, se, përndryshe, pasojat janë të mëdha, për shtetin dhe shoqërinë. Ky trup gjykatësish të përzgjedhur me kritere partiake ka bërë që edhe shteti të ketë pasoja, varësisht nga interesi i partisë. Pasojat e këtij trupi gjykues do t’i bartim edhe këtë vit. Por, e keqja qëndron në faktin se, secila parti që vjen në pushtet sillet njësoj dhe kërkon ta ketë në varësi të sajën këtë Gjykatë dhe gjyqtarët vendimmarrës.
Pasojat që prodhohen me shkelje të Kushtetutës, për të cilat është i thirrur ky trup gjykues t’i trajtojë, janë me përmasa shokuese, të dënueshme me Kod penal dhe të patolerueshme për një shoqëri e komb të dinjitetshëm. Nëse saktësohen pasoja shtetërore, siç ishte rasti i Marrëveshjes për ujërat detare me Greqinë, nga Sali Berisha, nënshkrimi i Zajednicës nga Isa Mustafa, përsëritja e gabimit të njëjtë nga Edi Rama dhe formimi i Qeverisë Hoti, duhet ndëshkuar, gjë që e parasheh edhe Kodi penal.
Pra, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë kujdestarë për ruajtjen e dinjitetit të një shteti dhe Kodi penal është sanksionues për veprimet kundërkushtetuese, që nxjerr trupi gjykues. Po të ishte dënuar Sali Berisha për tradhti shtetërore e kombëtare, me siguri, Edi Rama nuk do të kishte guxim të hynte në këtë valle me grekët. Po të ishte dënuar Isa Mustafa për Zajednicën, me siguri, veprimet e mëtejme të pushtetarëve nuk do të kishin hyrë në vallën e krijimit të Qeverisë Hoti.
Në rastin e Sali Berishës dhe Isa Mustafës, nga trupat gjykuese të Gjykatës Kushtetuese, i hapin dyert për gjykatën penale, por, nuk kishte guxim moral të kuvendarëve, në të dyja kuvendet, për ta dërguar lëndën në Gjykatë Penale dhe të dënohen për tradhti shtetërore e kombëtare. Prandaj, edhe vazhdojnë shkeljet e Kushtetutës. Ndoshta, edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke parë se gjykimet e tyre për shkelje të Kushtettutës nuk merren seriozisht, në përmbylljen e çështjeve me Kod Penal, japin gjykime sipas interesit politik (partiak), varësisht kush e ka në dorë atë garniturë gjykatësish.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duhet ndarë përparësinë e shqyrtimit të lëndëve, sidomos, kur kemi të bëjmë me prodhimin e efekteve negative për shtetin. Në rastin konkret, për legjitimitetin e Qeverisë Hoti. Këta gjykatës të Gjykatës Kushtetuese ishin tepër të ngathët, sa i dhanë mundësi degradimit të pushtetit deri në shkallë të pamoralshme, duke u sjellur me qytetarët sikur ata nuk kuptojnë asgjë dhe vetë ishin shpëtimtarët e së ardhmes. Duke hyrë në lojën e ndyrë të bisedimeve me Serbinë, përmes “ekspertëve” po për të njëjtat çështje, që ishin biseduar edhe herave të tjera. Duke marrë pjesë në Shtëpinë e Bardhë (për të cilën kam shkruar edhe herëve tjera) për rehabilitimin e Serbisë, e të liderit të saj, Vuçiçit, pinjollit të Sllobodan Millosheviçit. Tash, qytetarët do ta kuptojnë mëse miri se kush ishte Trumpi dhe sejmeni i tij Grenell. Ai që nuk respekton shtetin dhe kombin e vet, si mund të respektojë të tjerët. Por, respekti shkon te ndihmëtarët, të cilët u vunë në shërbim të Trumpit, përmes lobit sllavo-ortodoks, në krye me Putinin. Prandaj, edhe duhej larë borxhin që i kishte premtuar, rehabilitimin e politikës serbe përmes lajkatarëve për pushtet, në këtë rast, z. Avdullah Hoti. Nuk ishte vetëm kjo e keqe që i ndodhi Shtetit të Kosovës, por, edhe loja më pandeminë e virusit Covid-19, me pakon ekonomike, etj. Sikur gjyqëtarët e Gjykatës Kushtetuese të ishin në nivel detyre, qeveria Hoti do binte brenda muajit, qoftë përmes kuvendarit të kontarbanduar, qoftë përmes kuvendarit të dënuar me formën e prerë dhe ftesës për vuajtje të dënimit.
Interpretimet e këtyre gjykatësve, për arsyetimin e shkeljes së Kushtetutës, nuk duhet të lëshohen në nivelin e gjykatave penale, civile apo kundërvajtëse, por, duhet ta sqarojnë ku është shkelur Kushtetuta. Gjyqëtarët e Gjykatës Kushtetuese me interpretimet e tyre, kanë krijuar huti, kanë shkelur edhe vet Kushtetutën, kanë shpërfillur Kodin Penal, sa, interpretuesit, kanë rënë në dilemë, t’i përfillin sygjerimet politike apo t’i japin mendimet profesionale të tyre. Jo vetëm në rastin e fundit, por, edhe herave të tjera, siç është rasti se kush ka të drejtë ta krijojë qeverinë pas dështimit të subjektit të parë dhe të dytë, ku vetë Kushtetuta e ka të rregulluar dhe nuk ka nevojë interpretimi. Dhe, interpretimi i saj është akt komplet kundërkushtetues.
Pra, pasojat e shkelësve të Kushtetutës janë shumë më të mëdha se pasojat e shkelësve të Kodit Penal, prandaj, edhe duhet të shtrohet pyetja se a kanë përgjegjësi edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuse nëse e shkelin Kushtetutën dhe kush duhet të merret me ta. Nga vetë emërimi i tyre, del se me ta duhet të merret Kuvendi. Me kënd u mor Kuvendi deri më sot? Gjyqëtarët e Gjykatës Kushtetuese i morën të drejtën Fatmir Sejdiut e Bexhet Pacollit për të vazhduar detyrën e presidentit, për shkak të shkeljeve Kushtetuese, ndërsa, nuk ia marrin të drejtën dikujt tjetër për të qene kuvendar e pushtetar. Ka logjikë kjo? Si mund të dalë Kodi Penal më i efektshëm, kur është burim Kushtetutes si kryeligj?
Pasojat e shkelësve të Kushtetutës, dhe interpretimi i sugjeruar politik, janë të mëdha. Këto nuk duhet toleruar, se humbjet janë të mëdha, si shtet, pushtet e qytetar. Dhe, kur thuhet se këtë mendim e ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe duhet pajtuar me të, edhe nëse prodhon pasoja negative, është gabim. Gabim është, sepse, organi më i lartë është Kuvendi, i cili e ka nxjerrë Kushtetutën, bën ndryshimet e saj, nxjerrë ligje, prandaj, është i obliguar ta përcjellë zbatimin e tyre, sidomos, interpretimet kushtetuese. Grupi parlamentar i Kuvendit, për legjislaturë, duhet thirr në përgjegjësi, e, pastaj, sipas nevojës, ta procedojë lëndën në Gjykatën Penale. Me heshtje të këtij grupi parlamentar, sikur i kanë dhënë imunitet të tepruar një stafi, që bëjnë interpretimin sipas sugjerimeve politike, duke e ditur se nuk kanë për të dhënë përgjegjësi. Për një mandat po se po, por, edhe për mandatin e dytë, janë të paprekshmit, edhe nëse e shkelin Kushtetutën, që thirrën në emër të saj.
Prishtinë, 12. 1. 2021