PARIMET PËR BASHKIM KOMBËTAR, NË RRETHANAT E KRIJUARA SOT
06/10/2019 16:00
OPINION
PARIMET PËR BASHKIM KOMBËTAR, NË RRETHANAT E KRIJUARA SOT
Afrim MORINA
Çështja e bashkimit kombëtar bëhet temë diskutimi, dhe, atë, më tepër përbuzës dhe mohues, gjatë fushatave zgjedhore. Këtu, secili prej “analistëve” mundohet ta jepë arsyetimin, se, kjo gjë është e pamundur, pa e njohur teorinë e evolucionit në shoqëri, duke e marrë si akt të kryer mosbashkimin, sepse, këtë nuk e do Perëndimi dhe SHBA-ja, se, ata nuk durojnë një Shqipëri të Madhe. Kësaj teorie i paraprijnë, diku rreth 99% e klasës politike, me propagandë të konsoliduar bukur mirë.
Perëndimi, nuk e ka dashur as shtetin e Kosovës dhe Shqipërinë londineze, të zonjën për t’i zgjidhur problemet e veta, arsyeja, se, nuk e ndienin veten si pretektorë e tutorë atje, e, në Shqipërinë e robëruar, për ta marrë si alibi, kundër kombeve që i mbajnë të robëruara, se, si mund të jetohet në “vëllazërim-bashkim”, pa nacionalizëm. Kjo është shkolla që kanë kryer këta “analistë” të “demokracisë” dhe pjesa dërmuese e politikanëve, e, pse të mos i bëjnë ison analistët e robëruesve dhe burrështetasit që mbajnë të robëruar kombet?! Ata, pa u munduar shumë, gjejnë mendime të arta për vete dhe trumbetojnë se nuk duhet lejuar një Shqipëri të Madhe. Edhe koha e “Republikës së Kosovës”, si artikulim, gjente “analistë” dhe “shkencëtarë”, që politika fashiste serbe i përkëdhelte dhe i dekoronte, si shembuj konkret mund të marrim Azem Vllasin dhe Arsim Bajramin. Koha e tyre, se shqiptarët nuk e duan Republikën, shkoi, dhe, vendin e tyre e kanë marrë për të trajtuar bashkimin kombëtar “teoricienët e rinj”, “analistët” dhe politikanëve të vjetër u janë bashkëngjitur edhe politikanët e rinj.
Parashtrohet një pyetje shumë serioze: Mund të bëhet bashkimi kombëtar edhe pa luftë? Një pjesë e kombit tonë mund të bëhet, madje, kjo ka mundur të ndodhë shumë më herët, sikur ta kishim pasur një klasë politike, të ndërgjegjshme, kombëtare, në gjithë hapësirën kombëtare, përjashtuar Çamërinë, e cila, është rast më vete, që nuk mund të arrijmë gjer aty, nëse nuk e kemi një politikë dhe shtet të konsoliduar shqiptar.
Sikur, LDK-ja ta kishte mbajtur qëndrimin e nënshkrimit, për krijimin e një Qeverie të Përkohshme, nga Rambuillet-ja, ne, do të ishim shtet që në nëntorin e vitit 1999, sipas dëshmisë së Ollbrajt. Mirëpo, edhe pushtetet e krijuara më vonë, në të dyja krahët, nuk punuan e as që punojnë për bashkim, të paktën të këtyre dy Republikave, gjë që askush nuk i ka penguar. Këtu, edhe qëndrojnë parimet e bashkimit të pjesërishëm.
E para: - Në disa takime të dy qeverive, janë nënshkruar edhe protokolle bashkëpunimi, madje, në një tryezë të mbuluar me flamur kombëtar, të cilat, asnjëherë, nuk u bënë publike për qytetarët. Se, sa ishin serioze, e ka treguer koha, sepse, përherë na lindin probleme në kufij, e, jam i bindur se faktori ndërkombëtar nuk ka gisht në to. Krejt kjo po ndodhë, se, kush do ta mbajë primatin, nëse do të arrihet deri te bashkimi.
E dyta: - Përafrimi i bshkëpunimit në fusha më të ndjeshme, arsim, tregti, etj., do t’i lidhte edhe më tepër qytetarët dhe pushtetet. Kjo, patjetër, duhet të ndodhë, sepse, përmes këtij bashkëpunimi do të regjistrohen prioritet për kuadro, konsum ditor, etj.
E treta: - Nëse ky bashkëpunim do të ishte në nivel të duhur, atëherë, do të paraprintre edhe në diplomaci, në histori, në marrëdhëniet ndërkombëtare, etj.
Po t’i analizojmë këta tre faktorë, prioritet do ta kishim një ekonomi më stabile, të planifikuar, kombëtare, do të kishim punësim të ndërsjellë me kualifikime të duhura, do të kishim një zë unik në diplomacinë tonë kombëtare, do ta kishim një respekt më të madh në faktorin ndërkombëtar, do ta ndrydhnim politikën serbe, do ta kishim largur ndikim rus nga trojet tona dhe përafrimi me Perëndimin dhe SHBA-në do të ishte më i madh, sepse, vetë pozita gjeopolitike dhe gjeostrategjike, na e mundëson këtë.
Bashkimi kombëtar, bëhet me punë, edhe pa luftë, po të ishte punuar në forcimin e dy shteteve, që, në plan të parë do të duhej ta kishin zhvillimin ekonomik, se, pa një ekonomi stabile nuk mund të veprohet. Një shembull i tillë ështe bashkimi i Gjermanisë, që, përkundër çmimit të paguar, pak u reflektua në planin e brenshëm ekonomik, e politik. Ajo gjeti mbështëtje nga të dyja blloqet politike, sepse, kishte investuar me vite për ta arritur qëllimin. Kjo dëshmi, e rrëzon teorinë e “analistëve” dhe të “mençurakëve politikë”, të cilët, të yshtur nga politika pansllave, mundohen të na e mbushin mendjen, që ta shlyejmë nga koka bashkimin kombëtar, ta pranojmë kombin kosovar, sepse, nuk mund të bëhet bashkimi i pjesëshëm. Ndërsa, për një bashkim kombëtar, të plotë, do t’i ndërgjegjësonim edhe pushtuesit, siç ështe rasti i Vietnamit, kur e arrijti qëllimin, në vitin 1972, në Paris.
Rrugët janë të hapura, për bashkim të pjesërishëm, por, për këtë duhet të kemi koordinim të qeverive, në të gjitha planet e bashkëpunimit dhe plotësimit ndërvete, në planin e brenshëm dhe të jashtëm, e, jo, me kalkulime, siç bëri Edi Rama, me “përzgjedhjen e këshilltarëve dhe emërimin e dy ministrave”, nga Kosova. As të parët, e, as të dytët, nuk i kanë bërë nder atij dhe kombit, sepse, ka mohuar këshilltarë, që do t’i kishin për lakmi edhe kryeministrat e vendeve perëndimore, ka muhuar intelektualë me përmasa kombëtare, për t’i udhëhequr ministritë, dhe, kjo është ajo që na jep për të kuptuar, se, sa serioze ishin takimet e të dyja qeverive. Nepotizmi dhe korrupsioni, që i ka kapluar pushtetarët dhe funksionarët e lartë, në të gjitha sferat e jetës, në gjithë hapësirën kombëtare, është pasqyrë, në të cilën duhet ta shikojmë veten tonë, siç na shikojnë të tjerët, që e pengojnë zhvillimin e mirëqenies dhe perspektivës sonë, e, mos të flasim për përafrimin ndërvete.
“Analistët dhe dijetarët politikanë”, u bien këmbanave të alarmit, se, nuk po arrijmë t’i plotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian, për të hyrë në “familjen e tyre”. Ata, nuk shohin dhe as që çajnë kokën për kriteret që duhet plotësuar ndërvete, për bashkim të pjesëshëm, dhe, kur diskutohet e ngritet zëri për këtë, menjëherë, vërsulen, si korbat, për t’i nxjerrë sy njëri-tjetrit, sepse, kanë bërë mëkate të mëdha dhe të pafalshme, dhe, për këtë, duhet të ndëshkohen, se, po na i prishin punët me Perëndimin dhe SHBA-të, si dikur, kur u ngritën kundër Galileo Galileut e Xhordano Brunos, se, po na i prishin punët me Zotin.
Nëse arrihet forcimi ekonomik, dhe, ai, duhet të arrihet me çdo kusht, edhe lufta kundër nepotizmit, korrupsionit, dilitantizmit politik, do të jetë më e lehtë, atëherë, mungojnë vetëm ndryshimet kushtetuese, për ta mundësuar referendumin për bashkim, në të dyja shtetet.
Këtë, mund ta bëjmë dhe duhet bërë, për të hapur rrugë edhe për pjesët e tjera të atdheut dhe do të binden të gjithë, edhe heshtakët, edhe “luftëtarët e ruajtjes së republikave”, “mbrojtësit e kombit kosovar” dhe “trumbetuesit e ruajtjes së aleatëve”, se, bashkimi kombëtar paska qenë i nevojshëm dhe i domosdoshëm, siç e kemi realitetin sot, që, dikur nuk u mbushej mendja se do ta lejojë Jugosllavia dhe Evropa, Republikën e Kosovës. Edhe ndërkombëtarët, do të binden se shteti komb i shqiptarëve, do ta shuante vatrën e një lufte të mundshme në brendinë e saj, sepse, rrezja e veprimit do të jetë shumë më e gjerë, sesa ajo që ndodhi në ish-Jugosllavi.
Duhet ndërgjegjësuar veten, për t’i ndërgjegjësuar ndërkombëtarët, duhet punuar vet, për t’i shtyrë ndërkombëtarët të punojnë, duhet bindur veten, për t’i bindur edhe ndërkombëtarët, se, kjo është e drejtë historike, e drejtë e mbijetesës kombëtare, e drejtë e realitetit politik, sepse, kemi rritjen e fashizmit në Serbi, Rusi dhe Greqi, e, kjo, edhe kërkon mbajtjen e një referendumi për “Verio Epirin”. Nën ankth, nuk duhet lënë gjeneratat që vijnë, jo vetëm shqiptare, por, edhe ato të Evropës e gjetkë, për bajraktarizmin dhe unin e sëmurë të politikanëve dilitantë. Prandaj, në këto realitete të krijuara, në seriozitetin tonë, do të na bashkëngjiten edhe ndërkombëtarët, nëse dijmë të zgjedhim se kush do të na përfaqësojë.
Prishtinë, 05. 10. 2019