PARAJA... MËKATARËT E SODOMËS DHE GOMORRËS SHQIPTARE NË RRUGËN DHE RITMIN QË KANË MARRË VESET DHE AMORALITETI
01/08/2023 06:49
OPINION
PARAJA... MËKATARËT E SODOMËS DHE GOMORRËS SHQIPTARE NË RRUGËN DHE RITMIN QË KANË MARRË VESET DHE AMORALITETI
Nga Viktor MALAJ
Paraja, dhe jo moraliteti, drejton marrëdhëniet kryesore midis kombeve të civilizuar – Tomas Xheferson
Fillimisht, paraja ka lindur si mjet këmbimi midis individëve apo grupeve shoqërore për të zëvendësuar këmbimin e mallrave dhe sendeve me njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës, ajo nisi të përdoret edhe si mjet pagese për punët e kryera apo borxhet e marra dhe, përgjithësisht, shihet si tregues i pasurive që zotërojnë individët, kompanitë apo shtetet.
Kur anëtarët e një bashkësie njerëzish të lashtë filluan ta ndajnë pasurinë e përbashkët natyrore duke përdorur forcën apo dinakërinë, atëherë lindi dhe u zhvillua edhe lakmia për pasurim dhe, rrjedhimisht, edhe përpjekjet, grindjet, dhuna dhe luftërat për rrëmbimin e këtyre pasurive nga një pakicë individësh, e cila do të bëhej më vonë “elita” sunduese e fisit apo bashkësive më të mëdha njerëzore.
Shtimi i pasurisë dhe i parasë si barasvlerës i saj dhe mjet këmbimi është diçka e arsyeshme për aq kohë sa synon plotësimin e nevojave më të domosdoshme të individëve dhe shoqërisë në tërësi, por lakmia për pasuri dhe, rrjedhimisht, edhe para, përtej nevojave të individit e ka çuar shoqërinë njerëzore në padrejtësi, dhunë dhe tragjedi të paimagjinueshme.
Prandaj Gandi thoshte se “Kjo botë ka mjaft pasuri për të plotësuar nevojat e njerëzve, por nuk ka sa duhet për të kënaqur lakminë e të pasurve”.
Duke parë lakmitë e njerëzve për pasurim dhe mjetet që disa prej tyre kanë përdorur historikisht për arritjen e qëllimeve, Librat e Shenjtë, veçanërisht Bibla, i kanë kushtuar një vëmendje të madhe frenimit moral dhe praktik duke e konsideruar mëkat rendjen pas pasurimit dhe gjërave jo të domosdoshme dhe, gjithashtu, kanë predikuar ndihmën ndaj të varfërve.
Koha që jetojmë është dëshmitare e një zhvillimi të paparë material të pjesës më të madhe të botës, por, nga ana tjetër, është edhe pasqyrë e pabarazive dhe padrejtësive më të mëdha në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto pabarazi dhe padrejtësi nuk i ka shkaktuar Perëndia dhe as natyra, por mungesa e thellë e ndërgjegjes dhe moralit që përshkojnë formimin dhe sjelljen e individëve të veçantë, qofshin ata biznesmenë, banditë apo politikanë.
Ne kemi dhe do të kemi atë botë dhe atë shoqëri njerëzore të cilat, në instancë të fundit, do të jenë produkte të ndërgjegjes njerëzore në përgjithësi dhe të botës shpirtërore të individëve që përbëjnë këtë shoqëri.
Para pak kohësh, në një intervistë që i dha “Vogue Italia”, Kryeministri Rama u shpreh se “Më tremb shumë dhe mendoj se janë tri figura të rëndësishme në rrezik. Para së gjithash, rënia e lirë e autoritetit të mësuesit të shkollës më duket se përfaqëson plotësisht rënien e lirë të vlerave të Republikës. Më pas është figura e prindit… dhe, së fundi, prifti i cili ka rënë fare në sytë e të rinjve”.
E, ndërsa pohimi i mësipërm shpreh një të vërtetë të evidencuar edhe nga studiuesit më seriozë të shkencave shoqërore, pyetja që rri pezull është: Pse ka ndodhur ky fenomen dhe çfarë e pret shoqërinë njerëzore në të ardhmen, të përbërë kryesisht nga individë që nuk njohin as Zot, as prindër dhe as mësues (edukatorë)? Për njerëzit që nuk janë skllevër të “barkut”, por admirues të shpirtit, përgjigjja do të ishte dëshpëruese.
Çfarë përfaqëson, në të vërtetë, një individ, sot i ri dhe nesër i moshuar, i cili bezdiset nga “kujdesi i tepruar” prindëror, shpërfill apo urren mësuesit si burime edukimi e dijeje dhe përqesh priftin apo hoxhën si simbole të kotësisë?!
E ashtuquajtura shoqëri e tregut (konsumit) ka arritur në mënyrë paqësore t’iu bëjë individëve ato dëme shpirtërore që nuk kanë mundur t’ua bëjnë me dhunë as diktaturat dhe as luftërat. Atë që s’e ka bërë dot dhuna e ka arritur joshja, dhe dihet se “mëkati i parë” i njeriut është kryer nëpërmjet joshjes.
Duke pasur në qendër të vëmendjes dhe të veprimtarisë së përditshme fitimin material, bota e biznesit, media si shërbëtore e saj dhe politika si aleate besnike e kudogjendur e “elitave ekonomike”, për rreth një shekull, i kanë injektuar dhe vazhdojnë edhe sot, akoma më fort, t’i injektojnë fëmijës dhe të riut aktual, dhe qytetarit “të pavarur” të së nesërmes, bindjen se vetëm plotësimi i nevojave, tekave dhe ekstravagancave materiale duhet të jetë synimi kryesor i jetës.
Duke pasur si synim të vetëm fitimin e vazhdueshëm material dhe gjithmonë në rritje, bota e biznesit, dominuese në vendet ku nuk ka më probleme prodhimi, por vetëm luftë për tregje shitjeje, me të gjitha format dhe mjetet (reklamat, filmat e deri tekstet shkollore) bombardon çdo ditë mendjet e papjekura të fëmijëve dhe të të rinjve me idetë shoqërivrasëse se “jeta është e shkurtër, duhet jetuar me çdo kusht”, “rëndësi ka individi i lirë dhe jo shoqëria”, “ndiq ëndrrat dhe dëshirat e tua, pavarësisht dogmave prindërore apo fetare” , “ti nuk mund të jetosh pa këtë apo atë produkt industrial, ushqimor apo kozmetik” etj.etj.
Ish-Kryeministrja angleze M. Theçer thoshte dikur se “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë”.
Kur ndiqja me vëmendje para disa viteve një film amerikan për fëmijë, më bëri përshtypje “këshilla” që një i rritur iu jepte fëmijëve, duke iu thënë: “Nuk ka rëndësi çfarë mendojnë të tjerët për ty, e rëndësishme është çfarë mendon ti për veten tënde!”. Këtë “këshillë” e gjeta pas disa viteve në korridorin e një agjencie shërbimesh në Perëndim, si pjesë e “dekalogut” me titull: Njëqind gjërat që më ka mësuar jeta.
Një “mësim” i tillë bën nul, me një të rënë të lapsit, prindin, mësuesin, priftin dhe shoqërinë në tërësi pasi zhvlerëson çfarëdo Kodi Moral nga i cili është udhëhequr shoqëria njerëzore, normat dhe këshillat e të cilit besohet se duhet t’ia mësojë fëmijës dhe të riut prindi, mësuesi dhe predikuesi i fesë.
Një “këshillë” e tillë e vë filizin e ri njerëzor në kontradiktë dhe ballafaqim me institucionet e familjes, shkollës dhe fesë dhe i thotë qytetarit të së nesërmes se nëse diçka të pëlqen ty si individ apo do të kënaqësh nevojat e tua të çastit, duhet ta ndjekësh dhe arrish me çdo çmim, pavarësisht pallavrave morale të predikuara nga prindërit, shkolla apo feja.
Përmbledhtas, e mëson “njeriun e ri” t’iu nënshtrohet instinkteve dhe jo arsyes, të vlerësojë vetëm veten e vet dhe përçmojë bashkësitë shoqërore që e rrethojnë, duke filluar me familjen së cilës i përket.
Që të plotësojë të gjitha nevojat, tekat dhe dëshirat e veta gjatë jetës, njeriut i nevojiten sa më shumë para. Nëse këto para arrin t’i sigurojë me dije dhe punë është fat i mirë, mirëpo bota dhe njerëzit që e përbëjnë atë janë të tillë që nuk mundësojnë plotësimin e çdo kërkese, të drejtë e të padrejtë, të nevojshme apo të panevojshme, për të gjithë anëtarët e shoqërisë.
Në këto rrethana, individi i vihet punës për të siguruar çfarë beson se i nevojiten me të gjitha mjetet e rrugët, pavarësisht normave morale të shoqërisë të cilat është edukuar t’i injorojë, t’iu kundërvihet ligjeve të vendosur si roje për të mbrojtur shoqërinë njerëzore nga anëtarët e saj të pabindur dhe të pangopur.
Biznesmeni nuk lë mjet pa përdorur për të dominuar tregun, shmangur taksat, rritur çmimet e produkteve dhe ulur apo shmangur pagesat e fuqisë punëtore. Individi i thjeshtë, i etur për pasurim pa dije e punë, i drejtohet botës së errët të trafiqeve, korrupsionit, bixhozit, drogës e prostitucionit etj.
Jo pak nga këta individë i shiten shoqërisë si VIP-a, pra Persona Shumë të Rëndësishëm. Individët VIP fillojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre jo vetëm tek qytetari i zakonshëm i cili përpiqet t’i imitojë jashtë mundësive të veta, por edhe në shtet, legjislacion, qeverisje dhe edukim.
Rënia e autoritetit të prindit, mësuesit dhe priftit është një fenomen tashmë mbarëbotëror, por në Shqipëri akoma më ndjeshëm, në kundërshtim me traditën e kahershme të shqiptarëve. Nuk ka mbetur asnjë kategori shoqërore pa u prekur nga “virusi” i komercializmit, fitimit dhe parasë.
Është dëshpërues dhe kambanë alarmi numri i të rinjve dhe të rejave të përfshirë në përdorim, prodhim apo trafikim droge, prostitucion, në “lojërat e fatit”, vjedhje e grabitje, madje dhe në korrupsion.
Si mund të kemi individë të denjë dhe shoqëri të nesërme të shëndoshë kur fëmija dhe i riu shikon mësuesin apo pedagogun që merr para në këmbim të notave kaluese, shikon mjekun që vonon apo shmang shërbimin e nevojshëm mjekësor nëse s’i ke futur gjë në xhep, vëren gjyqtarin që merr vendime në varësi të “peshës monetare” të palëve dhe jo në bazë të ligjit, dëgjon se deputeti, ministri apo kryetari i bashkisë kanë rënë në rrjetën e procedimit penal pasi kanë përdorur postin shtetëror për pasurim personal, familjar etj.etj.
Pengesa e parë që e frenon qenien njerëzore nga të vepruarit në kundërshtim me interesat e shoqërisë është tërësia e normave morale që ajo shoqëri ka vendosur se duhen respektuar. Për ata pjesëtarë të shoqërisë që injorojnë dhe shembin pengesën e parë, është ngritur pengesa e dytë, që është tërësia e normave juridike, bashkë me institucionet shtetërore të ngarkuara me detyrën e mbikëqyrjes e zbatimit të legjislacionit.
Nëse pengesën e parë, atë morale, e zbehim dhe zvogëlojmë përditë nëpërmjet ç’edukimit të imponuar nga bota komerciale, e konsumit material, do të duhej që pengesa e dytë të jetë e pakapërcyeshme.
Mirëpo, këtu lind një problem madhor: A mund të krijohet dhe të funksionojë një institucion shërbimi, gjykimi e ndëshkimi i drejtë dhe i efektshëm, kur ky institucion përbëhet nga individë mospërfillës të normave morale të shoqërisë?!
Politikanët shqiptarë, të djeshëm e të sotëm, nuk lënë mjet pa përdorur për të na bindur për punët e mira që kanë bërë, për rrugët, urat, qendrat turistike apo komplekset e mëdha dhe moderne të banimit e shërbimeve, mirëpo, pavarësisht këtyre, qytetari shqiptar është i pakënaqur dhe i dëshpëruar, pesimist dhe i revoltuar.
Është i tillë, dhe i tillë do të jetë për aq kohë sa kërkesat e tij të drejta për punë, shpërblim, rend e siguri, shërbime dhe drejtësi do të ndeshen me murin e amoralitetit, mur që përbëhet nga tullat-njerëz të zhveshur nga ato vlera morale që mbajnë shoqërinë të shëndetshme, nga ata individë pa dinjitet që janë mësuar të shpërfillin autoritetin e prindit, mësuesit dhe predikuesit e librave të shenjtë, ngaqë njohin vetëm një autoritet: autoritetin e parasë.
A ka dhe a do të ketë shoqëria shqiptare individë që të kuptojnë, ndiejnë dhe vuajnë faktin se, me rrugën dhe ritmin që kanë marrë veset dhe amoraliteti, njeriu shqiptar po çnjerëzohet përditë e më shumë dhe se e ardhmja e saj do të jetë edhe më e zymtë nëse nuk fuqizohet zëri i arsyes dhe dora e protestës kundër të gjithë mëkatarëve të Sodomës dhe Gomorrës shqiptare?!
Sa më vonë, aq më keq! Para se të jetë çështje politike, kjo është dhe mbetet problem moral, shoqëror dhe kombëtar.
Mjaft më!
DITA