PAGJAKËSIA E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS
31/10/2015 06:54
OPINION
PAGJAKËSIA E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Nga Afrim MORINA
Kosova po kalon nëpër vorbullën e ngjarjeve të tmerrshme, sa në pyetje është ekzistenca e saj si shtet dhe ka ardhur në një situatë lidershipi dhe Qeveria, sa nuk kanë kapacitet të trajtojë problemet, për të dal nga kriza institucionale, e të mos flasim për krizë morale dhe mundohen të përballet me këtë, përmes forcës fizike, e jo mendore. Të gjithë përreth nesh merren me ne, ndërsa Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës po tregon pagjakësinë e vet dhe nuk po i bënë përshtypje asgjë se çfarë po ndodhë me Kosovën, në vend se të ndërhyjë me forcën e mendjes për ta pamundësuar forcën fizike të Qeverisë. Ndoshta edhe është sugjerim i saj, që anëtari Isa Muastafa, të përfaqësojë atë.
Shpesh te ne dëgjohet se ASHAK është e politizuar dhe se ky politizim është parë vetëm me Shqipërinë londineze dhe akademikët e saj, që nga themelimi, ka pasur edhe përjashtime në kohë dhe momente të caktuara, ndërsa heshtja, në emër të “mosndërhyrjes politike” në relacion me Kosovën, që në vitet nëntëdhjeta e këtej është e theksuar, por jo edhe me politikën dhe mendimin akademik në Shqipërinë londineze. Ajo nuk është e politizuar, sepse në vete ka akademikë të orientimit kundër kombëtar, madje edhe plagjiatorë ordiner, të strukturuar nga LDK-ja, që herë në Kuvend, Herë në Qeveri e herë në kalanë e tyre, tumirin të gjitha veprimet, por jo me platformë, të ndërmarrën në të mirë të Serbisë dhe Malit të Zi dhe për hatër të “miqve” tanë perëndimor. Ajo është bërë edhe elatë e PDK-së, që kur ky subjekt politik filloi të ecë në rrugën e trasuar nga Rugova, alias ASHAK-u, që kishte orientuar atë politik dhe misionari i saj vetëm luante lojën e papagallit, e kjo mund të shihet më së miri që nga i peticionit i intelektualëve për rikthimin e Autonomisë pas suprimimit të saj nga Serbia. Nisur nga kjo, ASHAK nuk i nevojitet të merret me problemet e Kosovës, sepse nën plaf po e kryen misionin e vet, përmes misionarëve, në krye me Isa Mustafën. Ajo sot është bërë barrikadë për të mos e lejuar Shqipërinë londineze “ta okupojë Kosovën, përmes kulturës e arteve”, sepse duhet dhënë jetë kombit kosovar dhe rishkrimit të historisë për të ruajtur raportet miqësore me fqinjët.
Kryeministri serb Aleksandër Vuqiq mundohet të gjejë gjuhë të përbashkët me të gjitha strukturat: akademike e fetare dhe ia ka arritur qëllimit, për të treguar se Kosova është tokë e shenjët dhe duhet ndaluar edhe faktorin ndërkombëtar të prek në shenjtërinë e tyre, sepse po i mohohet e drejta e popullit hyjnor. Ky madje mundohet të përfitojë edhe nga akademikët tanë, të parëve që janë në udhëheqje të pushtetit në Kosovë, e të dytët duke i orientuar në probleme dytësore dhe të mos japin mendime mbi rrjedhat politike në Kosovë. Ndërsa Isa Mustafa, me krenarinë e titullit pushtetar e akademikë, nuk e shef të arsyeshme të merr mendimet e tyre, sepse e di se Akademinë e ka nën kontroll dhe ka mandatin për të folur në emër të saj.
Kemi akademik-individ që janë marrë e merren mbi fatin e kombit në tërësi dhe në veçanti edhe me fatin e Kosovës, mirëpo këta janë zëra jashtë “institucionit” Akademik dhe nuk merren me ta, thua se ata nuk i takojnë kohës, nuk i takojnë trungut kombëtar, thua se ata janë formalisht anëtar Akademie, se nuk përmbushin kriterin kryesor, nënshtrimit ndaj pushtetit dhe interesave globale që përfaqëson Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, e cila ka edhe përvojën shumëvjeçare, platformën e shtet ndërtimit Serb, madje edhe Jugosllav dhe nuk mund të përballen me këtë institucion të fuqishëm, prandaj më mirë të heshtet se të bëhen horr.
Pse Akademia nuk merret me fatin e Universitetit të Prishtinës? Pse Akademia nuk merret me shumësinë dhe pa cilësinë e Universiteteve? Pse Akademia nuk merret me përpilimin e teksteve shkollore për të mundësuar mësimin e të arriturave shkencore (qoftë ato natyrale e shoqërore) për të përcjell rrjedhat dhe të arriturat e kohës? Pse Akademia nuk koordinon veprime me simotrat e saja në kuadër të kombit, për të hartuar një enciklopedi kombëtare, apo po pret të marri sinjale nga ish pushtuesit tanë: Serbinë, Turqinë, Greqinë, madje edhe sllavo maqedonas, etj dhe të mendojë mirë mos po bie ndesh me projektet e krijimit të kombit grek, turk, maqedonas dhe shtetësinë e Serbisë dhe Malit të Zi, nga perëndimorët, për ta na shlyer nga faqja e dheut “shkencërisht”? Pse Akademia nuk ngrit zërin kundër të paudhëve, që shpesh trojet tona i vënë në aeropag, për të qetësuar gjakrat e të tjerëve? Pse Akademia nuk e merr për barrë, të paktën, të na sqarojë shkencërisht kufijtë në mes Kosovës dhe Malit të Zi, por e lë këtë problem të vetin ta trajtojnë mediat e informimit dhe tryezat politike? Pse Akademia i përcjell gjitha këto probleme me pagjakësi, jo vetëm çështjet kombëtare, por edhe probleme të veçuara dhe nuk bëhen bura dhe të thonë, ne po largohemi dhe këtu le të vijnë të merituarit, sipas kritereve dhe standardeve që zbatohen në botën akademike të shteteve perëndimore?
Çka na mbetët të themi për ASHAK, pos të shkruajmë një postmortum dhe ta vajtojmë, se nga viti 1975 e deri sot, nuk ka bërë as një gjysmë platforme kombëtare për të na treguar rrugën kah duhet ecur, me çfarë potenciali shkencore, ekonomike, biologjike, gjeopolitike, gjeostrategjike do të duhej të merremi. Duhet vajtuar për mos lejimin e potencialit tamam akademik të jenë brenda saj.
Apo ndoshta duhet thurur ditiramb lavdie që ka mundur të heshtë deri sot, për gjithë lojën “shkencore” që e ka bërë Serbia, Mali i Zi, Maqedoni, Greqia dhe shumë të tjerë, për shqiptarët. Nuk është punë e vogël gjithë kjo, sepse duhet vrapuar për të fshehur argumente, se mund t’i gjegj dikush e të përballet me ASHAS, e ku po mbetet pastaj ASHAK.
I lumtë ASHAK që po mundet me heshtë dhe të mos i dallohet në fytyrë një rrem gjaku, por ka dëshirë që të diktohet pagjakësia: morale, profesionale, kombëtare, e spërkatur në fytyrat e tyre me krimet më çmendurake të arkitektes (ASHAS) që ua përgatit politikanëve për të “mbrojte” gjithkund dhe zbatuar në teren me çfarëdo lloji të armës që ka disponuar nëpër kohë, por që thika, kmesa e bajoneta kanë dominuar, përkundër zhvillimit të teknikës ushtarake.
Epo, nuk është punë e vogël, të heshtësh për problemet kombëtare, të trajtuara politikisht, të heshtësh problemin e Universitetit thua se nuk po ndodh asgjë. Kjo ndoshta edhe i jep pak të drejtë, se në të dyja janë akademikët, “degë” të saja dhe janë autonom në marrjen e veprimeve e vendimeve.
Jeni krijuar për të heshtur, keni jetuar me heshtjen dhe mos lëshoni pe, duhet të heshtni derisa të vjen gjenerata meritore për t’ua hapur arshivat e Juaja, për të parë orientimet jetike, që i keni pasur e keni, se individët janë përballur, varësisht nga koha, por janë shkoqitur si emra të përveçëm, e jo si pjesë akademike dhe kanë marrë dënime të “merituara”.
Prishtinë, 30.10.2015
(Marrë nga albaniapress)