PACOVI* SYBARDHË RUS, RA NË KURTHIN E MAÇOKUT AMERIKAN

26/02/2022 19:16

OPINION

 

PACOVI* SYBARDHË RUS, RA NË KURTHIN E MAÇOKUT AMERIKAN

Tafil DURAKU

 

Duke i vëzhguar me vëmendje zhvillimet treditore të luftës pushtuese ruse (agresionit rus) në Ukrainë, vimë te përfundime logjike të zhvillimeve pasardhëse të saj.

Loja e të mëdhenjve të botës (dhe e ndihmësve të tyre), që u mveshet dy strumbullarëve të saj, Biden dhe Putin, më në fund, e nxori në shesh fytyrën e vërtetë të strumbullarëve të saj dhe aleatëve të tyre.

Cilat ishin dhe janë rolet e strumbullarëve të saj, Biden dhe Putin?

A ishte loja e tyre një kurth dhe cili do të binte në kurthin e përgatitur me zgjuarsi nga tjetri?

Kush dhe cili, në këtë rast, ishte në rolin e Pacovit  dhe cili në rolin e Maçokut?...

Kjo “lojë” ma kujtoi filmin vizatimor “Tomi dhe Xheri”, po çka i nxiti strumbullarët e lojës t’i marrin këto role?...

Biden, si gjithnjë, i fortë dhe trim, mori rolin e Maçokut, që e vuri në sprovë të rëndë kundërshtarin gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

Ndërkaq, rolin e Pacovit e mori sybardhi i akullt rus, dinak, i shkathtë dhe i prerë në veprimet e tij me rrahagjokësi millosheviçiane.

Maçoku, në këtë rast, u tregua më i zgjuar dhe e detyroi Pacovin sybardhë rus, të bjerë në kurthin e ngritur me zgjuarsi diplomatike dhe ushtarake.

Maçoku, e ngritte kurthin dhe e ndërronte vendin e tij!...

Pacovi, në anën tjetër, me shpejtësi e mashtrim prej dhelparaku, dërgonte makineri e ushtarë për ta pushtuar vendin fqinj, sipas traditës së tij të gënjeshtrës dhe besëprerjes së njerëzimit e botës.

Pacovi, e krijoi vetëbesimin se u bë tepër i madh, sa nuk e mbanin më as gjirizet ku fshehej, por, nuk e shihte boshësinë e tij të vetëpamjes madhështor dhe të pamposhtur!

Maçoku me përvojë, e nxiti dhe e shumënxiti Pacovin sybardhë të akullt rus, sa iu duk vetja se do ta sillte botën në gisht të vogël dhe do e rrëmbente Evropën me një grusht armë dhe me gjakun e pafajshëm të ushtarëve të padhimbshëm, sepse, ushtarët i duheshin si mish për top, siç po i shfrytëzojnë të gjithë, pa përjashtim!...

Lojën e prishi Pacovi sybardhë e syakullt rus, të cilit iu rrit mendja, tok me pacovët e tij të tjerë, të majmur kanaleve të njohura, të cilit (të cilëve) Maçoku s’u dukej sa një mizë dhe se do ta befasonin dhe do ta qitnin në tokë me një grusht hekuri!...

Pacovët rreth e qark kryepacovit sybardhë rus, e nxitën atë me shpejtësi, për ta rrethuar e pushtuar fqinjin e tij juglindor dhe për ta imponuar një rend të “ri” botëror, me gjuhën e hekurt të forcës, duke kujtuar se vetëm hekuri është forca, është gjithçka e mbi të gjitha!...

Ai, për një çast, nga mendjemadhësia dhe dehja me vetëkënaqësi e vetëmburrje, harroi se forca e gjuhës, mendjes dhe boshtit trunoro-trupor është kryeforca që nuk mposhtet me asgjë, nuk thyhet dhe nuk mundet. Këtë forcë të gjuhës, mendjes e të bushtit trunoro-trupor po e tregon Maçoku sypatrembur, me përvojë, karshi Pacovit mashtrues e intrigant.

Pacovi i majmur sybardhë i akullt  rus, urdhëroi agresionin e mirëpërgatitur dhe të paramenduar që nga 2008-ta e 2014-ta ndaj vendit dhe popullit sovran fqinj, po, a do të jetë i zoti t’i paguajë dëmet e luftës që ia shkaktoi me paramendim një populli dhe shteti sovran, në të drejtën e tij të vetëmbrojtjes së detyrueshme të sovranitetit dhe integritetit të tij territorial?... Dhe, a do të jetë në gjendje t’i përballojë sanksionet që do i vendosin njërin pas tjetrit shtetet e bushtit demokratik evropian e botëror.

Sado i shkathtë e dinak, Pacovi, po tregon se e ka humbur logjikën dhe arsyen, prandaj i ka hyrë një aventure që nuk ia di dhe nuk ia njeh fundin. Dhe, kjo tregon se nuk është e vështirë ta kuptosh, siç thotë diplomati i njohur shqiptar, Shaban Murati, hartën e shantazhit rus dhe jo vetëm atë.

Sidoqoftë, zhvillimet treditore të argesionit pushtues rus po i zbardhin dritëhijet e gjirizeve të Pacovit sybardhë të akullt rus dhe kurthin e Maçokut në të cilin ra këmbëekrye Pacovi, të cilit do t’ia zënë bishtin me derë!…


*) Pacov, sh. ~i, kroatisht, mi i madh, mi i gjirizeve, mi për eksperimente, mi i bardhë, i madh, i kanaleve.

Burojë, 26 Shkurt 2022

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode