(PA)QOKËSITË TONA KOMBËTARE
11/04/2012 06:40
(PA)QOKËSITË TONA KOMBËTARE
Tafil DURAKU
Fjala (pa)qokësi, ~ të është një risimësi e ngritur gjuhësisht dhe shkencërisht mbi fjalën qokë, ~ a, që, duke iu referuar Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ka këto kuptime: 1. Shenjë që bëhet mbi një dru a mbi një gur duke e gdhendur pak, duke i prerë një copë të vogël a duke e bërë vrimë. Qokat e rabushit. Dru me qokë. I bëj një qokë.
2. Gur a diçka tjetër që vihet si shenjë ose si kufi. Qokat midis arave. Qoka në një lojë fëmijësh. Heq (vë) qokat. Godas qokën.
3. Vend i caktuar. Cak. Gjahtarët zënë qokat.
4. shih FURRIK, ~ U 2.
5. fig. Masë në të folur, në të ngrënë ose në një punë, kufi, përkorë. Flet me qokë. Ha (pi) me qokë. Fjalë me qokë fjalë e matur, e peshuar mirë. I vë qokë fjalës flas me kujdes e i matur.
6. fig. Pikë që përcaktohet si kusht për një punë a vendim të marrë së bashku. Vunë disa qoka.
7. spec. Pikë e zgjedhur ose e përfytyruar, që ndihmon për të gjetur me përpikëri një drejtim. Qitje mbi qokë. usht.
8. fig. Rast’ i jetës së njeriut, si lindje, fejesë, martesë, vdekje etj., në të cilin duhet shkuar për të bërë zakonin, vajtja për t’u takuar sipas zakonit. I bën (i shikon, i ndjek) qokat. Nuk i lë qokat.
* I ra në qokë i ra në të një pune, një çështjeje, e gjeti tamam, i ra pikës.
Bazuar në këtë fjalë dhe shpjegimet që i jep Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (fq. 1616-1617), pyetja që duam ta shtrojmë këtu, është: A jemi duke punuar e vepruar si shoqëri shqiptare, në kuotat e këtyre kuptimeve të kësaj fjale të gjuhës shqipe, në kuadër të qokave që përcakton Kushtetuta Shqiptare dhe Ligjet? JO.
Qokat tona kombëtare janë përcaktuar fort, që në 1878, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Por, a po punojmë dhe a po veprojmë sipas atyre qokave tona kombëtare? A po sillemi me hije të plotë njerëzore e kombëtare për ruajtjen dhe mbrojtjen e atyre qokave tona? Qokat tona kombëtare e shtetërore janë, sipas po atyre qokave: Bëria dhe ruajtja e Shqipërisë – SHQIPËRI në kufijtë e saj etnikë e natyrorë dhe bëria e lirisë – LIRI për popullin shqiptar. Por, ajo që duam ta themi botërisht, këtu, është se a po sillemi dhe a po veprojmë në përputhje me (pa)qokësitë [(pa)shenjëzimet] tona të përcaktuara kombëtarisht, apo, po e bëjmë të kundërtën dhe ku do të na çojë kjo papërgjegjësi “patriotike” e “kombëtare” e “prijësve” tanë komunistë e shqiptaro-titistë&Co gjithandej Shqipërisë së përçarë e të copëtuar? A i kemi përcaktuar vetes kushtin se si duhet të sillemi e të veprojmë si shoqëri shqiptare dhe si shtet shqiptar, për vetveten?...
Jo, sepse, secili që hipën në “pushtet”, me dije e me padije, sipas tekeve e qëllimeve të veta grupore-klanore e familjare, ndërron qokat tona kombëtare e shtetërore, duke u thirruar vazhdimisht, sipas porosive e punëve të prapëta që ka marrë, në (pa)qokësitë “kombëtare” e “shtetërore” , për detyra për t’i kryer në shërbim të dreqit e të birit, duke i vënë në lojë qokat tona. Dhe, tash, hajt e bjeri në fije kësaj pune “patriotike” e “kombëtare”, madje “shtetërore” e “shqiptare”, deri në përmasa të çmendisë njerëzore e kombëtare. Por, a shkohet dhe ku arrihet, duke i lejuar vetes dhe qarqeve të vetvetes së çoroditur lukse e sjellje kaq të çoroditura dhe antishqiptare?! Hej! “Prijës”! Vërjani gishtin kokës (po deshët, by…) sa nuk ka ndodhur shkatërrimi përfundimtar!...
Jemi në shekullin 21. Kemi hyrë në dhjetëvjetëshin e tij të dytë dhe hapërimi i ynë është aq i ngatërruar dhe i çoroditur sa ka çorientuar “shtet” e “pushtet” shqiptar. Pse, realisht, ndodh një gjë e tillë, kaq antikombëtare dhe kaq antishtetërore, kaq antishqiptare, prej vetë “shqiptarëve” në pushtet? Duhet të vrapojë “shteti” pas qokave të secilit apo secili qytetar (individ) duhet të sillet në përputhje të plotë me (pa)qokësitë e përcaktuara shtetërore shqiptare? Dhe, për krejt këtë situatë, me keqardhje duhet të themi me përfundime logjike se pikat dhe qokat e papërcaktuara të objektivave kombëtare e shtetërore shqiptare janë sa të çuditshme, po aq edhe hiletare, “patriotike” e “kombëtare”. Bile, mund të themi përfundimisht se kanë dalë binaresh plotësisht, në tërësinë e tyre “patriotike”, “kombëtare” e “shtetërore”.
Kush dhe cili është fajtori në krejt këtë mes? Kush dhe cili është “prijëtari” antishqiptar dhe antiqokëtari kryesor i qokave tona? Cili është ai që bën këto vija kaq antikombëtare e antishtetërore, “shqiptare” dhe pse? Kush lejon çoroditje të tilla që vazhdimisht po na përfundojnë me tradhëti kombëtare e shtetërore dhe si pasojë e krejt kësaj po i mban shqiptarët dhe Shqipërinë të copëtuar, me kufij ndër”shtetëror” e ndër”shqiptar”? Kë duhet fajësuar për këtë gjendje skandaloze të shqiptarëve dhe të shtetit të tyre shqiptar, Shqipërisë? Dhe, që këtu, duhet ta themi hapur e troq se fajtorët kryesorë të kësaj gjendjeje katastrofale janë ata e këta antiqokëtarë që zhvatin projekte e tendere në emër të popullit e të shtetit shqiptar dhe që nxjerrin ligje për mbrojtjen e interesave dhe pozitave të tyre “shtetërore” e “kombëtare”. Atyre antishqiptarëve u )para)prijnë shqiptaro-titistët LDK-istë dhe satelitë të njohur e të panmjohur të LDK-së “patriotike” e “shqiptare” të “institucioneve dhe institucionalistëve ‘tanë’ të viteve të 90-ta”(!), në Kosovën e (tre)pushtuar shqiptare dhe, po ashtu, “institucionet dhe institucionalistët ‘tanë’ të viteve të 90-ta”, në Tiranë. Që të dy palët, këtej e andej kufirit ndërshqiptar, antishqiptarë sa nuk e dinë as vetë sa “shqiptarë” të mëdhenj që janë(Sic!)…
“Shqiptarët” në pushtet, në të gjitha trevat e pushtuara e të copëtuara shqiptare si dhe ata e këta në Shqipërinë e kufijve londërianë, janë ata e këta që po i luajnë në çdo kohë e nga çdo vend qokat tona kombëtare e shtetërore, duke e sharë vazhdimisht dhe pa pushim luftën tonë për bashkim kombëtar e shtetëror shqiptar, duke shitur tokë e ujëra shqiptare për interesa të tyre të ngushta personale e grupore, kulimoklanore, antishqiptare.
(Pa)qokësitë tona janë papërcaktimet dhe paqëndrimet tona të (pa)drejta kombëtare e shtetërore, shqiptare. Janë të tilla, sepse, ne nuk u rrimë pranë qokave tona kushtetuese e kombëtare, shtetërore e demokratike, njerëzore e humanitare, dhe, (pa)qokëtarët tanë vazhdojnë me kryeneçësi të qëndrojnë në të gjitha pushtetet serviliste antishqiptare, dhe, sipas tyre, edhe sa do të zgjasin (pa)qokësitë tona kombëtare dhe a do t’i lejojë populli dhe shteti shqiptar që ata e këta “pushtetarë shqiptarë” ta trajtojnë popullin e shtetin shqiptar si pre të interesave të tyre personale, grupore e kulimoklanore?
Shpresojmë të mësohemi përfundimisht se si duhet të sillemi me përgjegjësi njerëzore e kombëtare para qytetarëve tanë, si prijës dhe si shtet i tyre. Dhe, fatkeqësisht, kjo nuk mund të arrihet kurrë nëse lejojmë edhe më tej që shteti shqiptar dhe Kushtetuta e tij të sillen ndaj shqiptarëve sipas tekave e apetiteve antishqiptare të shqiptaro-titistëve komunistë jugosllavë e antishqiptarë të LDK-së dhe të satelitëve tjerë të saj, “shqiptarë”, konform qëndrimeve të tyre “patriotike” e “kombëtare”, që, tashmë, janë vërtetuar sa e sa herë, botërisht.
Pra, përfundimi logjik del nga porosia se duhet t’u rrimë e të dimë të qëndrojmë fort krah qokave tona kombëtare, Kushtetuese e Shtetërore, për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI dhe lirinë – LIRI të popullit shqiptar.
Burojë, më 11 prill 2012