(PA)PËRGJEGJËSIA PËR GËNJESHTRËN PUBLIKE

21/11/2022 06:40

Reagim me shkas

 

(PA)PËRGJEGJËSIA PËR GËNJESHTRËN PUBLIKE

- Reagim rreth shkrimit kundërshqiptar, me titull “Përgjegjësia për fjalën pubike”, të autorit Milovan Milutinoviçit, botuar në revistën “Kosovarja” nr. 15, prill 1991, fq. 11.

Tafil DURAKU

 

E bëjmë këtë reagim me shkas, më tepër për hir të informimit të drejtë të opinionit gjithkombëtar e ndërkombëtar sesa Meriton artikulli  skajshmërisht kontravers, qëllimkeq dhe tendencioz e rrënjësisht kundërshqiptar i “autorit” Milovan Milutinoviçit.

Që në fillim të artikullit, lexuesi vëren qëllimin e programuar të "autorit” M. M., i cili, pa pikë turpi, tekstualisht thotë: “Tash një kohë të gjatë në Kosovë e Metohi (nënvizimi është imi, T. D.) po zhvillohet një luftë e vërtetë propagandistike, në të cilën në mënyrë të vrazhdë sulmohet Armata, kinse për maltretime, për pozitën diskriminuese dhe për vrasjen e ushtarëve shqiptarë. Tërë kjo bëhet me qëllim që të diskreditohet Armata te popullsia shqiptare dhe të krijohen kushtet për realizimin e caqeve separatiste”. “Zbulim” epokal, zotri M. M.! Po, shqiptarë jemi, o të marrë.

Këtu vlen për t’i përkujtuar “autorit të famshëm” se njerëzit nuk hanë bar, pra, as shqiptarët ndër njerëzit më fisnikë që janë. Thënë troç, zotri M. M. , pos policisë së rregullt sekrete serbo-jugosllave – për maltretimin, diskriminimin, helmimin dhe vrasjen e shqiptarëve që jetojnë në vatrat e veta shekullore – u inkuadrua edhe Armata serbosllave, sidomos, në ato republika ku ishin në pozita kyçe eprorët serbomëdhenjë, të cilët, me skenare ushtarako-policore burgosën, çmendën dhe vranë ushtarët shqiptarë, vetëm për atë se ishin shqiptarë dhe në asnjë mënyrë nuk pranonin pozitën e shërbëtorit dhe të nënshtruarit. Kjo, siç po shihet, në masë të madhe e pengoka edhe “autorin” e artikullit “famoz”.

Si lexues i “Kosovares”, apeloj në redaksi që shkrime të tilla si ai i M. M. të mos botojë më, bile, të mos e humbasë kohën aq të vlerëshme në këtë situatë, për përkthimin e shkrimeve të tilla fyese për të burgosurit politikë ushtarakë shqiptarë, për ata që u kthyen të çmendur e të vrarë, të cilët, sipas “autorit” na paskan bërë “vetëvrasje”, na qenkan “çmendur” etj. Nga kushtet e një “kujdesi fenomenal” që u paska siguruar Armata serbosllave, me eprorët si M. M.!

Këtu, nuk kam për qëllim t’i dalë në mbrojtje gazetarit Agim Muhaxheri, por, që, e vërteta të cilën ai e publikon (dhe i ofron opinionit lexues gjithshqiptarë dhe atij botëror) duhet të marrë dhenë edhe më. Kërcënimet dhe akuzat e rënda që i bëhen publikisht gazetarit tonë – janë plotësisht të paqëndrueshme dhe të pabaza, sepse, në radhë të parë, janë trillime të (pa)zakonshme me të cilat jemi mësuar tashmë pesë dekada e më tepër dhe jemi bërë imunë ndaj tyre, e, pastaj, janë fyerje shumë e madhe  dhe e rëndë për të gjithë ata ushtarë të burgosur politikë shqiptarë, për të vrarët, për të dëmtuarit dhe për të çmendurit që u kthyen nga Armata serbosllave, e cila, me eprorët si M. M., u “kujdes” në mënyrë të posaçme për “rehatinë” e tyre!

Me vëmendje të madhe e kam lexuar shkrimin e “autorit” M. M., me mbititull "Manipulimet… ", në një faqe të tërë të “Kosovares”, e, gjithashtu, edhe përgjigjen e gazetarit Agim Muhaxheri; i cili përmend edhe “rastin” e Fadil Danit nga Buroja dhe bashkëshortes së tij, Remzies, e cila e priti plot tetë vjet dhe vërtet “burgun e kishte në shtëpi”, në “Kosovarja” nr. 16, prill 1991, fq. 12-13.

Po, t’u kthehemi disa “vlerësimeve meritore” që bën “autori” i artikullit “përgjegjësia për fjalën publike”, ku, me plot gojën gënjeshtra akuzon ushtarët shqiptarë, të cilët paskan pranuar “fajin” dhe “Nëpërmjet procedurës hetimore dhe të gjykimit në Gjykatën Ushtarake të Shkupit u vërtetua dhe u dëshmua në mënyrë të pamohueshme, që të dënuarit e pranuan, kurse dëshmitarët ishin edhe shokët e tyre – ushtarët shqiptarë e pohuan se në Kazermën e Manastirit ka vepruar në mënyrë ilegale grupi i organizuar që kishte për detyrë të organizonte helmimin dhe vrasjen e ushtarëve të nacionaliteteve tjera”, ndërsa, po këtu do ta pyesja “autorin” e shkrimit shumë “bindës”: Cila qe mënyra me të cilën u vërtetuan ato “fakte” dhe “dëshmi” nga “dëshmitarët shqiptarë” – “shokë të tyre” dhe pse gjithë ajo “gjakftohtësi” ndaj “armiqve të përbetuar” të Jugosllavisë", të cilët kinse kishin “provuar” që me “varakinë” t’i “helmonin” ushtarët e “nacionaliteteve” tjera? Mos, vallë, ata “nacionalistë” dhe “separatistë” shqiptarë (ai “grup i organizuar” në Kazermën e Manastirit etj.) do të ketë vendosur t’i helmojë edhe ushtarët e tjerë shqiptarë, të cilët, me siguri, nuk do të kenë qenë të pakët në atë Kazermë, apo “varakinën” e kanë “hedhur” në kazanin e çajit veçan për nacionalitetet e tjera?!... Këto “argumente” që i sillni në shkrimin tuaj, zotri M. M., nuk janë asgjë tjetër pos skrenarë tipikë bolshevikë i Armatës serbosllave. Edhe vetë vërtetoni se me ç’”gjakftohtësi” dhe “mençuri” i kurdisni skenarët (gjërat), kur pohoni: “Aksioni ishte planifikuar me rastin e ditës së Republikës së Shqipërisë në nëntor të vitit 1987 dhe pësoi mossukses të plotë. Të pakënaqur me aksionin grupi tentoi disa herë  (nënvizim yni, T. D.) që nga stacioni i akumulatorëve të vidhte acid sulfurik të koncentruar, por pa sukses, sepse ai ruhej mirë nën dry. Pastaj organizuan grumbullimin e të hollave për blerjen e acidit ose ndonjë helmi tjetër në qytet, por këto nuk arritën t’i siguronin për shkak të normave të rrepta ligjore”. Besoj se edhe evropianët e antikës do të bërtisnin: Skenarë se jo mahi!... Po, kush është ai i krisur që do të provojë t’i vjedhë gjërat nën dryrët ushtarakë, pos eprorëve sikur ti dhe fanatikëve të sëmurë?!...

Vlen t’i përkujtojmë “autorit” M. M. se proceset e montuara politike kundër ushtarëve shqiptarë në Armatën serbosllave i bënë të gjithë ata që mendojnë si ai; “Prandaj, në bazë të pranimit të të akuzuarve, e pohimeve të dëshmitarëve” dhe “analizave” të bëra në Gjykatën Ushtarake të Shkupit dënimet e “vërtetuara” iu shqiptuan gjashtë ushtarëve shqiptarë. Po, ç‘”margaritarë” do të na sillte “autori” i artikullit për proceset e montuara politike kundër ushtarëve shqiptarë, që u bënë në Gjykatat Ushtarake të Zagrebit, Sarajevës etj.?!...

E shohim të udhës që “autorit” të artikullit “Përgjegjësia për fjalën publike” dhe bashkëmendimtarëve të tij t’ua përkujtojmë se në asnjë mënyrë më nuk do të na bindin me skenarët e tyre çnjerëzorë dhe kundërshqiptarë, të cilëve, këtu, do t’u bëjmë me dije se shqiptarët jetojnë në vatrat e veta shekullore dhe se autori dhe bashkëmendimtarët e tij narciskarpatoidë, botërisht duhet të pranojnë se gjithmonë e në mënyrë të organizuar kanë bërë krime ndaj shqiptarëve të pafajshëm dhe se në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare  në Jugosllavinë artificialisht (laboratorikisht) të krijuar, janë: OKUPUES – OKUPATORË dhe kot së koti orvaten për t’i mashtruar e për t’i gënjyer shqiptarët, me skenarët dhe ëndrrat e tyre të stërsëmuara mesjetare, të cilët, patjetër, do të jetojnë  si popull i bashkuar në gjiun e Evropës demokratike dhe të civilizuar, pavarësisht se a i pëlqen kjo M. M. dhe bashkëmendimtarëve të tij karpatoidë.

Për t’u dalë boja shkrimeve të tilla retorike si ai i M. M. – dëshmon e dhëna se ushtarët shqiptarë, kudo që u dënuan, u akuzuan me të njëjtat kallëpe serbosllave, kinse për “helmimin” dhe “vrasjen” e ushtarëve të “nacionaliteteve tjera”, etj. Afërsisht njësoj u ndodhi të gjithë ushtarëve shqiptarë, që pa kokrrën e fajit u dënuan në Gjykatën Ushtarake të Zagrebit, Shkupit, Sarajevës, etj. E gjithë kjo, zotri M. M., është hiç më pak se një absurd i llojit të vet sllavistik.

 

“RASTET” E KOPRIVNICËS

 

Në korrik të vitit 1982 vajti në APJ, Armatën serbosllave, Fadil Dani (1958) nga Buroja, ku, më vonë, pa pikë faji e me proceset e montuara ushtarako-policore u dënua me 8 vjet burg. Është ky krim sikur shumë krime të tjera të Armatës serbosllave që u bë kundër ushtarëve dhe shumë ushtarakëve të tjerë shqiptarë. Është ky krim i llojit të vet politik, shpirtëror e fizik kundër tij dhe “grupit” të tij, që, me procese të montuara, u krye në Armatën serbosllave.

Fadili, djali i Shaban Danit, pas tri javë të plota martese, vajti për ta kryer shërbimin ushtarak në Koprivnicë të Kroacisë, pa i shkuar mendja kurrë se atje, me procese të montuara dhe “argumente” do t’u shtrohet diskriminimeve të të gjitha llojeve të kriminalogjisë së ftohtë. Diskriminimeve dhe torturave policoro–ushtarake, nëpër të cilat kishte kaluar muaj të tërë, sikur të gjithë ushtarët e tjerë shqiptarë që patën atë “fat”, pa u kursyer nga asnjë e keqe. Pas “dëshmive” dhe dënimit të “vërtetuar” e “meritor”, atë e dërgojnë në Burgun e Lepogllavës së Kroacisë, ndërsa, gruaja, sikur shumë gra të ndershme shqiptare, e pret 8 vjet të plota në shtëpi, me prindërit e Fadilit. Por, fatkeqësisht, një vit para se të kthehet Fadili nga burgu, të cilin e priste aq me mall nëna, nga një sëmundje e papritur dhe e shkurtër, vdes. Vdes me mallin e paepur të nënës – për birin e dënuar pa pikë faji ose për “fajin” e vetëm se ishte shqiptar, tok me shokët e tij shqiptarë dhe shërbenin në Armatën serbosllave, me nëmë e gjëmë për këtë “pushtet” e okupues të ndytë sllav.

Në aktakuzën nr.157/83, të dt. 11 nëntor 1983, të Gjykatës Ushtarake të Zagrebit, pa pikë faji akuzohen dhe dënohen 11 ushtarë shqiptarë, grupi i parë i të dënuarve shqiptarë në APJ. Dënohen me burg në kohëzgjatje prej 12, 6 deri në 1,6 vjet. Ata janë ushtarët: Xhavit Makaj, Mustafë Lipaj, Ahmet Hasani, Fadil Dani, Binak Dinaj, Shpend Lushaj, Sahit Morina, Sami Popova, Agim Imeri, Ramadan Shaqiri dhe Selajdin Aliu. Ta lexosh atë proces të montuar dhe dënimet e “vërtetuara” të “grupit” prej 11 ushtarësh, dhe, të mos e pyesësh zotri M. M., është e pamundur: Vallë, po, nga të gjitha ato akte të “kryera”, si nuk u gjet asnjë rast helmimi, vrasjeje etj. Në Armatën serbo-jugosllave? Në kinse arsyetimin e paditësit ushtarak nga P.U. (posta ushtarake) 7250 nga Zagrebi , thuhet se me aktpadinë nr.56/83, të dt. 21.09.1983, paditet Xhavit Makaj dhe 10 bashkëpaditës të tjerë ushtarë nga P.U. 3790, nga Koprivnica dhe të njësive tjera, në bazë të nenit 136 al.1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ, ndërsa, Shpend Lushaj edhe me nenin 125 të LP të RSFJ, për “vepër penale” të “terrorizmit”.

Po, ç‘do t’i thuash këtij “arsyetimi", zotri M. M.? Të gjithë ushtarët e paditur ngarkohen me vepra plotësisht të pabëra, bile, edhe të pamenduara nga ana e tyre, por, qe – del ndonjë epror sikur ti dhe “veprat” shqiptarëve u bëhen saora.

Nga vetë fjala “neutvrdjenog dana” kuptojmë tërë qëllimin perfid dhe të “pafshehur” të eprorëve terroristë serbë në APJ – Armatën serbo-jugo)sllave.

Ta zëmë, si e shpjegoni ju zotri M. M. ‘rastin’ e Fadil Danit, kur akuzohet, ndër të tjera, se i ka kënduar heroit kombëtar shqiptar, Bajram Currit dhe të tjerëve, pastaj edhe për këngë të tjera shqiptare. Që të mos e zgjasim po e japim (citojmë) dokumentin original në dy faqe, të aktgjykimit nr.157/83, të datës 11 nëntor 1983, që është bërë kundër Fadil Danit, që të mund ta lexoni në tërësi. (Provë, aktgjykimi në fjalë që është bërë kundër Fadil Danit, në Gjykatën Ushtarake të Zagrebit)

Zotri M. M., njeriut të shëndoshë mentalisht i rrëqethet trupi kur lexon skenare të tilla, të montuara ekskluzivisht kundër ushtarëve shqiptarë. T’i shohësh “veprat” që u ngarkohen se i kanë “bërë” ushtarët e përmendur, njeriut normal i vie të vjellë gjithë atë që ka ngrënë gjatë gjithë jetës, bile edhe zorrët t’i nxjerrë jashtë. Po, si jo, or zotri M. M., kur lexon skenare e gënjeshtra të atilla që as qentë nuk do t’i gëlltisin e lëre më se do t’i “gëlltis” opinion demokratik evropian dhe ai botëror.

Duke e ditur se edhe kjo risi do ta ‘gëzojë’ zotriun M. M., nuk po e lëmë pa e cekur edhe një gëzim shumë të madh. Fadil Danin, gruaja e priti 8 vjet dhe para dy muajsh, një vit pasi u kthye Fadili nga Burgu i Lepogllavës, ajo lindi bineq. Vajzë e djalë., M. M., vajzë e djalë. Vajzën e pagëzuan me emrin Egzonë, e, djalin, Egzon. Por, këtu, patjetër, duhet të ta bëjmë edhe një pyetje, botërisht:  Mos do t’i sugjerosh “shtetit juridik” që të “kujdeset” në mënyrë edhe më perfide, për atë dhe familjen e tij të ngushtë, për vocrrakët e porsalindur, duke mos lënë anësh edhe të gjithë shqiptarët tjerë që kanë guxim ta thonë të vëretën, siç kërcënohesh ti publikisht!... (Legjenda: Fadil Dani me bashkëshorten, Remzien, një vit pas kthimit nga burgu).

 

SI I ‘SHPËTOI’ SOKOLI DËNIMIT !...

 

Për zotri M. M. nuk bën assesi të mos e përmendim këtë “rast” dhe “kujdesin” e posaçëm që u bë për ushtarët shqiptarë në Armatën serbosllave. Sokol Hajrullah Murseli (1962), po ashtu, nga Buroja e Drenicës, për “fat” të tij shkoi ushtar në Koprivnicë të Kroacisë, më 18 mars 1986, ose tri vjet e diç pasi është dënuar Fadil Dani.

Sokoli ishte analfabet dhe për të duhej të kujdesej çdokush, por, ai, në Armatën serbosllave pësoi katastrofë nga eprorët e atjeshëm serbosllavë. Ai, kur u kthye nga ushtria, rrëfeu se si  eprori (kujdestari) i çetës së tij, Predrag Zoran ka bërë presion të vazhdueshëm në të, pastaj, se e ka pyetur: “A e njeh ti Fadil Danin, të cilin e kemi pasur ushtarin më të mirë” dhe “Çka e ke atë?” etj., etj., që, Sokoli, për fat të keq nuk di të tregojë.

Sokol Murselin, si njeri të afërm dhe vëndas e njihnin dhe e njohin të gjithë dhe se gjithmonë, para se të shkojë në Armatën serbosllave, ka qenë pa asnjë të metë (dëshmitarë të gjithë njerëzit e asaj ane që e kanë njohur dhe e njohin). Por, ai, gjithmonë, sikur çdo shqiptar i ndershëm – të shquar ka pasur ndjenjën e turpit, kur fliste për persona tjerë, sidomos, me të panjohur. Por, se ka qenë shëndosh e mirë si topi mund të dëshmojnë të gjitha ata që e kanë njohur dhe e njohin: farefis, bashkëvendës e miq nga të gjitha anët.

Sokoli, para se të shkojë ushtar, ishte i punësuar në “Vranicë” të Sarajevës, në OTHPB “Ndërtimtaria e lartë”, çka dëshmon edhe vërtetimi i nënshkruar nga udhëheqësi i shërbimit të asaj njësie, nga avokati Muhamed Mahmutoviq, i dt. 02. 09. 1986, se, Sokol Hajrullah Murseli ishte në marrëdhënie të përhershme pune në atë organizatë, prej dt. 25. 07. 1983, dhe, shtrojmë pyetjen: Po të ishte i sëmurë, Saokoli, a do të mund të punonte sa vjet në ndërtimtarinë e lartë? Përgjigjja është e qartë. Por, dosido, fajin për çmedjen e tij e bartë Armata serbo-jugo)slave dhe eprorët serbosllavë të Koprivnicës, sepse, Sokoli, pos që ishte analfabet, nuk e njihte as serbokroatishten dhe për të nuk kishte nevojë ta njohë pasi që atje punonte me kushërinjtë dhe vendasit e tij shqiptarë. (Legjenda: Vërtetimi se Sokol Hajrullah Murseli, prej vitit 1983 ishte në marrëdhënie të përhershme pune në Sarajevë).

Për gjendjen e rregullt dhe të mirë shëndetësore të Sokolit, në Armatë, dëshmon edhe gjendja në kartonin e tij shëndetësor ushtarak, nga dita kur është pranuar në Armatë, pra, më 18. 03. 1986, e cila është e shënuar në faqen 13 të kartonit të tij shëndetësor ushtarak, nënshkruar nga Dr. Vesel Elezi. (Legjenda: gjendja e dt. 18. 03. 1986, nxjerrë nga kartoni shëndetësor ushtarak i Sokol H. Murselit, nga Buroja e Drenicës).

Pastaj, se Sokoli ishte në gjendje të rregullt dhe normale dëshmon edhe e dhëna se më dt. 05. 04. 1986, në P. U. (Postën Ushtarake) 3790/10 b, ka dhënë betimin solemn. (Legjenda: Shënim i nxjerrë nga faqja e parafundit e librezës ushtarake të Sokol H. Murselit, nënshkruar nga togeri, Predrag Zoran).

Se Sokol Murseli, kushëri i Fadil Danit, nga Buroja e Drenicës, është çmendur dhe është kthyer në shtëpi i çmendur nga po ata eprorë ushtarakë dhe po në atë kazermë ku tri vjet para tij, pa pikë faji u dënua Fadil Dani, nuk ka asnjë dyshim. Po, cila është ajo Armatë në botë, zotri M. M., që njerëzve të çmendur u lejon ta dhënë betimin solemn?...

Është për t’u theksuar këtu, se, pas gjashtë muaj persekutimesh në Armatën serbosllave, Sokol Murseli, nga Buroja, kthehet i çmendur nga Koprivnica dhe i tillë është në shtëpi. Një ditë, tash frik, e pyetëm, pa të keq: Si ke kaluar në Armatë?... E, ai, na u përgjigj: “Hajt, allahile, s’di gjë, si të bijshin shuplakë dridhej shtëpia dhe tanë xhamat theheshin dhe binin në tokë, bërrrrrrr. Më vetshin për Fadilin” (Fadil Danin, vërejtja e jonë, T. D.). Po, ti, zotri M. M., si do ta ndie veten sikur biri yt, kur do ta dije se e ke dërguar shëndosh e mirë në Armatë, do të ta jepte një përgjigje të tillë?

Sokoli, edhe sot është me pasoja të çmendisë së dhunshme, që iu bë në Armatën  serbosllave. Babai i tij, Hajrullahu (Lahu), na tha: “Më mirë do ta ndieja veten sikur të më ishte kthyer sikur të gjithë shokët tjerë të vrarë shqiptarë, se që më është kthyer kështu nga Armata”.

Zotri M. M., shikoje drejt në sy këtë shqiptar të pashkolluar dhe do të bindesh, sikur që jemi të bindur ne që e njohëm dhe e njohim, se ka qenë shëndosh si topi. (Legjenda: Sokol Murseli, 1962, nga Buroja e Drenicës, para se të shkojë në Armatën serbosllave).

Sokoli, u lëshua (lirua) nga Armata serbosllave me diagnozën: Immaturitas emocionalis dhe inferioritas intelectualis, të cilat nuk janë aspak të sakta, sepse, nuk bën të diagnostikohet ashtu njeriu te i cili është e shquar ndjenja e turpit dhe karakteri malësor shqiptar. (Legjenda: Dokumenti që qet në shesh mendimin qesharak të komisionit të lartë mjekësor ushtarak nga P. U. 7250, nr. 2381/342, të dt. 15. 09. 1986, dhënë në Zagreb, i nënshkruar nga kryetari i komisionit, kol. Dr. Slavko Çokorilo dhe të katër anëtarëve të tjerë të komisionit).

Mendimi i tyre del edhe më qesharak, kur pohojnë se “ai ka qenë i sëmurë para shkuarjes në shërbim të forcave të armatosura” dhe se, kinse, “gjatë shërbimit forcat e armatosura nuk kanë ndikuar në keqësimin e sëmundjes së tij”, e, që, kjo deklaratë bëhet edhe më qesharake kur plotësisht bjen ndesh me gjendjen shëndetësore të Sokol Murselit, që është shënuar si e thamë më lartë, ditën e pranimit në Armatë, më 18. 03. 1986, siç është e përshkruar në kartonin e tij shëndetësor ushtarak si dhe me rastin e dhënies së betimit solemn, më 05. 04. 1986.

Atëherë, pra, pse u çmend Sokoli për gjshtë muaj në Armatën serbosllave? Kësaj pyetjeje dhe pyetjeve të tjera duhet t’u përgjigjen edhe organet më të larta të serbo(jugo)sllavisë, sepse, fatkeqësisht, Sokoli, më nuk di të tregojë për torturat që i janë bërë në Armatën serbosllave.

 

“RASTI” I VIROVITICËS

 

Më 10 qershor 1988, në Viroviticë të Kroacisë vajti të shërbej në Armatën serbosllave, i riu nga Buroja, Enver Shaban Ramadani (1970). Atje u caktua në P. U. 8530/11. Shërbimi nuk i zgjati më shumë se 7 muaj, sepse, pikërisht, më 15 janar 1989 vritet nga kriminelët e parapaguar të Armatës serbosllave dhe kthehet në shtëpi i vdekur, me diagnozën “vetëvrasje”.

Për vrasjen e Enverit në Armatën serbosllave, prindërit dhe vëllezërit e tij i ka njoftuar Beqir Mehmeti, sekretar i Sekretariatit të “Mbrojtjes” Popullore, në Skënderaj, dhe ekipi që ishte me të, për t’u dhënë inxheksione të gjithë anëtarëve të familjes së Enverit, diku rreth orës 01:00, pas mesnate. Menjëherë, Naseri dhe Muharremi nisen për Viroviticë, dhe, të nesërmen, më 16 janar, rreth orës 22:00 arrijnë në kazermën ushtarake. Atje i pranon kujdestari i Kazermës dhe u shprehë ngushëllime. Thërret oficerët kompetentë. Një major arrin pas një orë pritjeje. Ishte komandant i Kazermës. Dy oficerë tjerë arrijnë më vonë.

Kur ata nisën të flasin, rrëfen Naseri, “unë kërkova dhe u thashë se këtu e dua komandantin e çetës së Enverit”. Ata ma kthyen: “Nuk mundemi se nuk është këtu. Nuk gjendet as në Viroviticë".

Naseri, pastaj, rrëfen se si ishin nisur me një kapiten të klasit të parë për në Zagreb, i cili gati s’i kishte lejuar ta shohin kufomën e të vëllait, por, në kapelë (morg), ndërkohë, ndërhyn një epror tjetër, duke i thënë atij të parit: “Lëre se e ka vëlla dhe ka të drejtë ta shohë“. Pastaj, vazhdon Naseri: “E pashë varrën (plagën) e tij. E shikova para dhe prapa. Barku i ishte shqyer jashtëzakonisht shumë, madje, edhe kërthiza, ndërsa, në shpinë, vetëm sa dihej vrima (si një pikë e zezë), ku e kishte goditur plumbi“.

Zotri M. M., ju e dini, ndoshta, më mirë si ka bërë “vetëvrasje“ Enver Ramadani!?...

Kur i vëllai i Enverit, Naseri, kishte kërkuar që për “rastin” e vëllait të tij të angazhohen ekspertët nga Mjekësia ligjore e Sllovenisë dhe e Kosovës, menjëherë ia kishin kthyer: “Qe ku i kemi mjekët e Zagrebit, ndërsa dokumentin nuk e kemi formuluar”. Pastaj, vazhdon Naseri, u thash: “Unë dua dokumentacionin përkatës, pushkën dhe plumbin me të cilin është vrarë im vëlla”. Ndërsa, një mjek i Zagrebit ia kishte kthyer: “Ende nuk e kemi të sigurtë se ka bërë vetëvrasje, sepse mungojnë analizat…” (Legjenda: Enver Ramadani, i vrarë në Viroviticë të Kroacisë).

“Kur morëm kufomën e vëllait, vazhdon Naseri, me ne erdhën një oficer dhe dy ushtarë. Pastaj, kur erdhën në Mitrovicë na u bashkangjitën edhe dy majorë, një shqiptar dhe një serb. Kur arrijtëm në Skënderaj, më çuan te kryetari, Sabit Hoxha, dhe, nga ai kërkova që të vijnë ekspertët e Mjekësisë ligjore të Kosovës, që përfundimisht të konstatojnë “rastin” (shkakun) e vdekjes së vëllait tim, ndërsa, majori shqiptar që na shoqëroi nga Mitrovica (Haliti i Gjilanit) u kërcënua se diçka me ndodhë “për pesë minuta do ta djegë krejt Brojën”.

Është interesant se një muaj para se të ndodhë vrasja, Imerin, vëllain e Enverit, nuk e kishin lejuar ta vizitojë të vëllanë. Anëtarët e familjes dëshmojnë dhe rrëfejnë se Enveri përmes letrave u ka thënë se e kanë provokuar vazhdimisht oficerët serbosllavë, duke i thënë: “Pse e ke emrin Enver?”, “Ata që e kanë emrin Enver janë në Shqipëri”, etj.

As këto të dhëna nuk do të mjaftojnë për ty, zotri M. M., por, na intereson të dijmë sa herë u ke bërë shqiptarëve provokime të tilla? Më fal, ndoshta ti i provokon vetëm me shikimin serb që u bën, apo jo?!...

Pas varrimit të Everit, rrëfen i ati i tij, Shaban Muharrem Ramadani: “Dy herë më kanë ftuar në Sekretariatin e ‘Mbrojtjes’ Popullore të Skënderajt”, ku më janë kërcënuar me fjalët: “Kush po të shtin ty me thanë se ta kanë vra djalin. Mos fol ma e mos ta nimë (dëgjojmë) zanin më, se edhe ty ta bëjmë më zi se djalit”. Të gjitha këto kërcënime i janë thënë xha Shabanit në gjuhën serbosllave. Ndoshta, edhe këto dëshmi janë të kota për ty, zotri M. M. ?!

 

TERRORISTËT E PARAPAGUAR

 

Kudo në hapësirën e pushtuar shqiptare nga serbo(jugo)sllavia, prej vitit 1875 e këtej, shqiptarët u vranë, u persekutuan dhe u torturuan sikur në jetën civile (në shtëpitë e tyre), ashtu edhe në atë ushtarake. Nga të cekurat më lartë, por, edhe në shkrimet më të hershme tonat dhe të shumë intelektualëve shqiptarë si dhe të shumë dijetarëve të paanshëm e objektivë të shkencës evropiane dhe botërore, dëshmohet se në srbo(jugo)sllavi, kurdo që është bërë fjalë për shqiptarët, terroristët e parapaguar të "shtetit juridik", duke filluar nga organet më të ulta civilo-ushtarake gjer në ato më të lartat – federative, gjithmonë kanë qenë të gatshëm për likuidimin fizik e shpirtëror të shqiptarëve dhe për asimilimin përfundimtar të tyre. I tillë, në shkrimin tënd, del edhe ti, zotri M. M. Lëre që na kërcënoheni përmes shtypit shovinist të Beogradit dhe ”Jedinstvo-s”, por, atë punë e bëni edhe përmes gazetave e revistave ”tona”. Ajo është ”mirë”(!), por, t’i kthehemi temës bosht, gënjeshtrave tuaja publike që dalin të dirigjuara në opinion, dhe, bile,  pa pikë (pa)përgjegjësie. Shkruan: ”Nga ajo që thuhet në aktakuzë dhe nga dëshmitë e të akuzuarve shihet se në garnizonin e Manastirit, ka punuar në mënyrë të organizuar grupi ilegal, i cili ka organizuar helmimin dhe vrasjen e ushtarëve të nacionaliteteve tjera”. Ke mend në kokë, zotrote? Të përkujtojmë edhe njëherë se kudo që u dënuan ushtarët shqiptarë, në Armatën serbosllave, u paditën me procese të montuara dhe me skenare tashmë të njohura edhe për opinionin demokratik evropian dhe botëror, për ”helmim”, ”vrasjen e ushtarëve të nacionaliteteve tjera, etj, etj. ”Eureka!” – do të bërtisnin iliro-shqiptarët ”grekë”: ushtarët shqiptarë e paskan ”qitur” helmin në Armatë dhe na qenkan helmuar mbi 7 mijë nxënës shqiptarë në Kosovë. Prandaj, është e kotë, zotri M. M., që me çfarëdo shkrimi do të mund t’i demantoni veprimet dhe krimet e organizuara policoro–ushtarake që janë bërë kundër shqiptarëve dhe janë kryer me perfiditetin më të madh të terroristëve të parapaguar. Krimet e kryera në mënyrë të organizuar i kanë mbuluar edhe qeveritë kukulla të Kosovës, që, ju, jo pa qëllim, e quani ”Kosovë e Metohi”. Nga dënimet dhe vrasjet në Armatën serbosllave, nuk janë kursyer as eprorët ushtarakë shqiptarë, të cilët, padyshim, kanë qenë në hall të madh. ”Kemajl Shaqirin, nga Tushila, toger në Koprivnicë, rrëfen Fadil Dani, gjatë gjykimit të montuar që na është bërë në Zagreb, të gjithë e kemi kërkuar që të vijë në gjykatore”. Por, kryetari i Trupit Gjykues, Mr. Ivan Fumiqi, ka thënë: ”Ai nuk mund të vijë sepse ka bërë ndeshje dhe i ka thyer dy brinjë. Apo, s’është kjo shpatë dytehëshe, zotri M. M.? Një: Ndoshta eprori shqiptar, të cilit më vonë i është ngritur grada në kapiten, ka pasur gisht në skenarët e proceseve të montuara kundër ushtarëve shqiptarë, i cili, më vonë, nga Koprivnica, ka kaluar në Kazermën ”M. Tito”, në Zagreb, dhe, dy: Apo s’është bërë me qëllim nga ana e kryetarit të trupit (lexo: turpit) gjykues, që të mbjellë përçarje dhe urrejtje në mes të shqiptarëve?...

Sidoqoftë, zotri M. M., terrori dhe krimet janë bërë edhe në Armatën serbosllave. Ato i bënë terroristët e parapaguar, duke filluar prej organeve më të ulta e deri tea to federative, bile, në mënyrë të koordinuar, që vleu vetëm për shqiptarët.

Prandaj, me të drejtë gazetari Agim Muhaxheri i përmend edhe vuajtjet e mëdha të bashkëshortes së Sali Kastratit, e cila kishte edhe shoqe të tjera. Asgjë nuk ka shpifur kundër Armatës serbojugosllave gazetari Agim Muhaxheri, por, e ka thënë një të vërtetë shumë të hidhur, e cila, fatkeqësisht, është shumë më e hidhur sesa mund ta paraqesë njeriu në çdo shkrim.

E, këtu, për fund, duhet ta themi se nuk na habit aspak që ju, zotri M. M.,  i bëni jo vetëm gazetarit Agim Muhaxheri dhe autorit të këtij shkrimi, por, edhe mbarë inteligjencës shqiptare, e cila, gjithsesi,  dhe në mënyrë meritore po e ngulit në opinionin gjithëshqiptar, evropian dhe botëror një të vërtetë shumë të hidhur që po u ndodh vetëm shqiptarëve të Kosovës në ”shtetin e tyre” – kur propozoni që organet e ”shtetit juridik”, në pajtim ”me ligjin e ri”, do të duhej të merrnin masa përkatëse dhe t’i shpallnin përgjegjës për paraqitjren e fakteve…” . Sepse, fakte dhe të pasakta = është gabim terminologjik i shekullit, që mund ta bëjnë vetëm terroristët e parapaguar. (vërejtje imja, T. D.).

Kemi edhe fakte të shumta për të thënë, por, kurrnjëherë nuk ka qenë zakon (sidomos për shtetet okupuese si Serbia dhe shërbëtorët e tyre) që faktet të çojnë sadopak peshë para terroristëve të parapaguar.

(Legjenda: Në pikën 7 të akuzës së ”dëshmuar” thuhet se ushtari Xhavit Makaj, i dënuar me 12.6 vjet burg, pos akuzave tjera të “vërtetuara” kinse ”e paska organizuar edhe dëgjimin e fjalimit të Enver Hoxhës me të cilin paska përkrahur demonstratat në Kosovë…” (shiko faksimilin e Gjykatës Ushtarake të Zagrebit nr. 157/83, dt. 11 nëntor 1983).

(Legjenda: Ndër akuzat e ”vërtetuara” shih edhe pikën 2, që u “dëshmua” në gjyq kundër ushtarit Mustafë Lipaj, i dënuar me 9 vjet burg, në Gjykatën Ushtarake të Zagrebit).

(Legjenda: As Ahmet Hasani s’u shpëtoi akuzave të “vërtetuara” në gjyq, u dënua me 7 vjet burg. Shih pikën 4 të aktakuzës së Gjykatës Ushtarake të Zagrebit).

(Legjenda: Shih me çfarë “dëshmie” ngarkohet ushtari i të njëjtit “grup”, Binak Dinaj, i dënuar me 6 vjet burg, po në Zagreb).

 

Vërejtje:

Legjendat janë nxjerrë nga dokumente origjinale të kazermave dhe gjykatave përkatëse në Kroaci dhe janë plotësisht të vërteta, por, neve, na i dogji ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, duke i djegur shtëpitë tona, duke i vrarë e masakruar qytetarët e pafajshwm shqiptarë, në pamundësi reale për t’u përballur me forcat e UÇK-së shqiptare.

 

Një sqarim për lexuesit (2022):

Sokol Hajrullah Murseli, i çmendur nga torturat që i janë bërë në APJ, në 1986, në Koprivnicë të Kroacisë, është masakruar në Masakrën e Izbicës, më 28 mars 1999 dhe është një ndër 147 të vrarët e të masakruarit shqiptarë nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë të kasapit Sllobodan Millosheviç.

 

P.S.:

Këtë reagim të shkruar në fundprill të viitit 1991, nuk e botoi revista “Kosovarja”, edhe pse më parë u morëm vesh ta bëja, me “arsyetim” se është “i gjatë”; e, në anën tjetër, siç u ka rënë ta shihni numrin e fundit të asaj reviste të “demokratizuar”, pos shumë temave të “qëlluara”, edhe dy faqe të plota për Sirinë!... Pra, në mulli të kujt çojnë ujë disa redaksi “tonat”, në Prishtinë, dhe, sot, cili është antishqiptarizmi i tyre “patriotik“ e “kombëtar“?!...

AUTORI

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode