P O E Z I / PAVARËSISHT PROPAGANDËS PS-ja DHE PD-ja JANË NJËLLOJ
01/06/2017 07:04
P O E Z I

PAVARËSISHT PROPAGANDËS PS-ja DHE PD-ja JANË NJËLLOJ
Në shumë zemra të të majtëve,
pa dyshim që ka një krisje,
se PD-ja dhe PS-ja,
janë tok në qeverisje!
Pavarësisht se oratori,
me plot pamflete na veli,
sot s’do qeverisnin bashkë,
po mos qenë të një modeli!
Edhe Lulash i PD-së,
që tre muaj na shurdhoi,
për vetëm dy muaj kocka,
kauzën e tradhëtoi!
Kanë ardhur kohë moderne,
mund të thotë ndonjë tani,
por tradhëtia-or miq,
gjithmonë mbetet tradhëti!
Ndonjë tjetër mund të thotë,
se fitoi Shqipëria,
por në fakt asgjë e mirë,
s’mund të dalë nga tradhëtia!
Nuk tradhëtoi vetëm Rama,
që çdo gjë e bëri hasha,
po të djathtët e vërtetë,
i tradhëtoi edhe Basha!
Po ta marrim hollë-hollë,
nuk duket më një hata,
kur votuesit mendohen,
si dy kope të mëdha!
Dy liderët e mëdhenj,
shoshoqit i bëjnë dhele,
se e dinë që mbrapa vetes,
kanë dy kope me dele!
Idealizmi ka vdekur,
ka mbetur veç histori,
gjersa vrasës e të vrarë,
janë në një qeveri!
Që të gjithë në fakt punojmë,
me orën e indigjenëve,
gjersa shajmë njëri-tjetrin,
për karriget e legenëve!
Sot në stinën e kthjellimit,
s’më duken zëra cinike,
që të bojkotohet paq,
gjithë kjo klasë politike!
Mbase kështu mund të vijë,
vërtetë koha e ringjalljes,
se kanë të njëjtën stampë,
të dy anët e medaljes!
PO KUJT T’I BESOSH?!
Kot të vrasësh mëndjen,
kot që të mendosh,
sot në politikë,
s’ke kujt t’i besosh!
Fati ynë i grisur,
shkruhet prapa skutash,
është bërë politika,
si lojë prostitutash!
Askush nuk e pyet,
Sovranin e shkretë,
thjeshtë si lopë e duan,
për çdo katër vjetë!
Për çdo katër vjetë,
sa t’i mjelin votën,
pastaj vazhdon puna,
për t’i bërë gropën!
Dhe më keq çdo vit,
vendin kanë zgërlaqur,
po për vete janë,
Derra të Kënaqur!
Surretër të fryrë,
shtatë shtresa dhjamë,
këta që Vatanit,
i bënë hatanë!
Fati i Shqipërisë,
në duar u mbeti,
ndaj kemi jetuar,
ditë kiameti!
Pale kur betohen,
veç për fukaranë,
më vjen që t’i vras,
këta zabrahanë!
Më vjen që t’i vras,
horrat që gënjejnë,
disa vite burg,
për ata ja vlejnë!
Gati të mëdhenjve,
t’u bëjnë dhe gojore,
vetëm për t’u futur,
në listat zgjedhore!
Tre muaj në çadër,
gati dhanë jetën,
partitë i shkrinë,
po për vete mbetën!
Tani e kuptuam,
mirë dhe më mirë,
se gjithë politika,
është një kalbësirë!
I kanë bërë ligjet,
për vete-o Zot,
ndaj një jetë të tërë,
nuk i shkulëm dot!
Kot të vrasësh mëndjen,
kot që të mendosh,
më e mira fare,
është të mos votosh!
S’i heq dot nga trupi,
këto tartabiqe,
që e ndanë vendin,
çifliqe-çifliqe!
Tani do të ishte,
një budallallëk,
që neve t’i bëjmë,
plehut tifozllëk!
Tani nuk ka më,
të tyret dhe tanët,
se plehu na mbyti,
nga të katër anët!
Do të kakarisin,
gjelat në çiflik,
deri sa të dali,
Krishti me Kamxhik!
REPUBLIKA E RE ME SAZANIN E EPOKËS SË GURIT,
ME DASH MBRETËRORIN DHE TIK BALLISTIN!
Republikë e re,
në muajin zgjedhor,
subjekt i spikatur,
vetëm për humor.
Lulashi kryetari,
që na flet me pika,
as e ka idenë,
se ç’është Republika!
Duhet që dikush,
t’i thotë Lulëzimit,
s’është asgjë më tepër,
se formë e regjimit.
Ne kështu e kemi,
që nga Dyzet e Gjashta,
po Lulashi grurin,
s’e ndan dot nga kashta!
Njëmbëdhjetë Janari,
dita e krijimit,
dhe nuk ka ndryshuar,
qysh prej themelimit.
Kemi veç një datë,
që nga “kohë e vjetër”,
dhe mbas Nëntëdhjetës,
s’kemi datë tjetër!
Normal mund të flitej,
për një Rend të Ri,
nëse do të ishim,
sot një mbretëri.
Para se Lulashi,
të hapë gramafonin,
duhet si fillim,
të lexojë Platonin!
Duhet që më pak,
të na çajë menderet,
sepse kjo që kemi,
i plotëson kriteret.
Tamam pas Kanunit,
kemi Parlamentin,
kemi Republikën,
edhe Presidentin.
Sot me presidentët,
na shkon puna mirë,
kemi një të zgjedhur,
dhe një në detyrë.
Republika jote,
s’është një lajm për ne,
se në gjithë kuptimet,
s’ka asgjë të re.
Se s’dihet aspak,
ku e ka sinorin,
gjersa ka me vete,
dhe Dash mbretërorin!
S’afron dot asgjë,
i zoti i ahurit,
kur ka dhe Sazanin,
nga Epokë e Gurit!.
DITA