NUK NA DUHEN FITIMTARË NDAJ PERËNDIMIT!
30/09/2023 07:06
OPINION
NUK NA DUHEN FITIMTARË
NDAJ PERËNDIMIT!
Nga Mero BAZE
Sulmi ndaj sovranitetit të Kosovës më 24 shtator, zbuloi nevojën e madhe që ka Kosova për të unifikuar qëndrimet e saj pro SHBA dhe politikës perëndimore për Kosovën nga njëra anë, dhe shmangien e tendencës për ta përjetuar Banjskën si një “fitore ndaj Perëndimit” nga ana tjetër.
E para që ka reaguar pozitivisht është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo është udhëheqësja më e lartë e Kosovës që ka artikuluar qartë deri tani se do të koordinohen me SHBA për të krijuar një draft të ri të Asosacionit për komunat serbe në Veri dhe të luftojnë bashkë me SHBA për miratimin e saj si detyrim për depërshkallëzimin e situatës.
Po ashtu është pozitive që presidentja Osmani ka thirrur në takime dypalëshe gjithë udhëheqësit opozitarë të Kosovës dhe kanë rënë dakord të koordinohen për çdo hap të mëtejshëm të Kosovës.
Përkundër presidentes Osmani, Albin Kurti po e përjeton betejën e policisë së Kosovës me grupin terrorist, si një arsye për të refuzuar planin e Perëndimit për Kosovën. Ndryshe nga presidentja Osmani, ai ka deklaruar se asosacioni i komunave është një ide e Serbisë, çka lë të kuptojë se ai nuk do të merret me atë çështje.
E treta, e cila nuk është se duhet marrë shumë seriozisht, pasi i shkojnë me vonesë lajmet, është ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila deklaroi se ideja e asosacionit ka vdekur pas 24 shtatorit.
Tani presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e Jashtme Gërvalla janë tre politikbërësit kryesorë në Kosovë në pushtet. Të tre kanë qëndrime krejt të ndryshme dhe nga njëri- tjetri, ndaj mënyrës se si duhet të reflektojnë që të mos humbasin mbështetjen e SHBA dhe Perëndimit në këtë situatë.
Presidentja Osmani po përpiqet ta përdorë këtë situatë për një afrim të fortë me SHBA dhe natyrisht ky është veprimi i duhur.
Kryeministri Albin Kurti po përpiqet ta përdorë këtë situatë për të treguar se sa të drejtë ka pasur kur ka qenë kundër SHBA gjithë jetën, dhe këtu ka në krah gjithë enveristët e Tiranës, Prishtinës dhe më tej, kurse ministrja e Jashtme Gërvalla po përpiqet të tregojë se nuk kupton as çfarë bën presidentja, as çfarë bën kryeministri.
Politikanët kryesorë të opozitës janë në një linjë me presidenten Osmani sa i takon mënyrës se si duhet ta përdorin këtë sulm terrorist ndaj Kosovës për të mirën e Kosovës në të ardhmen në raport me Perëndimin, ndërsa Albin Kurti po përpiqet të “hakmerret” ndaj SHBA dhe Perëndimit në tërësi, për izolimin e tij dhe sanksionimin që i kanë bërë politikës së tij në Kosovë.
Këtij zjarri i fryn dhe banda propagandistike e Albin Kurtit në Prishtinë dhe Tiranë, të cilët nuk janë aq shumë të gëzuar që policia ka fituar një betejë ndaj 30 terroristëve, por që Albin Kurti ka mundur SHBA dhe Evropën. Dhe kjo është një marrëzi, po aq e madhe sa ajo e Vuçiqit më 24 shtator, e cila ndjehet dhe në frymën revanshiste ndaj çdo gazetari apo politikani civil në Kosovë që përpiqet ta komentojë situatën si një rast që duhet të bashkojë Kosovën me Perëndimin.
24 shtatori, më shumë se sa një fitore e Kosovës, është një kafshëri e Serbisë, që e vendos Kosovën në një pozicion komod për të vazhduar më tej. Fitore e Kosovës do të jetë kur do të dijë ta përkthejë këtë në një avantazh në tavolinën e bisedimeve dhe në raportet me SHBA. Pas një viti luftë kundër SHBA dhe Perëndimit, Kosova ka fituar sanksione nga Perëndimi, ato që Vuçiq mund t’i fitojë pasi ka sulmuar me armnë dhe terroristë një shtet të pavarur. Mjafton kaq për të kuptuar dëmin që i bën kjo qasje anti-perëndimore Kosovës.
Tani mirë është që Kosova para se të gjejë armiq të jashtëm, të unifikojë njëherë qëndrimet e brendshme dhe të dalin me një zë pro apo kundër SHBA, pro apo kundër KFOR, pro apo kundër EULEX, dhe pasi ta kenë bërë këtë, pastaj dhe të tjerët jashtë Kosovës e kanë të qartë se me kë kanë të bëjnë.
“Armiqtë” e Kosovës, në këtë situatë nuk mund të jenë në SHBA, në Bruksel, Paris, Gjermani apo Tiranë, pasi më 24 shtator, është fituar një betejë ndaj terrorizmit shtetëror serb, por jo ndaj Perëndimit, siç po përpiqet ta përjetojë Albin Kurti. Në Perëndim më 24 shtator ka humbur Aleksandër Vuçiqi. Albin Kurti është në provë nëse do t'ia dalë të jetë i fituari i kësaj historie. Por ndaj Perëndimit nuk na duhen fitimtarë.
TemA