NJËSOJËSITË E “MINISTRISË SË KULTURËS” ME ATO TË KOMITETIT KRAHINOR TË LKJ
24/07/2011 17:40
NJËSOJËSITË E “MINISTRISË SË KULTURËS” ME ATO TË KOMITETIT KRAHINOR TË LKJ
Shkruan: Tafil DURAKU
Edhe pse kemi shkruar shumë herë dhe ia kemi tërhequr vërejtjen “Ministrisë së Kulturës” për krimet e vazhdueshme që është duke i bërë në kurriz të N. B. – Edicionit “Rilindja”, ajo, fatkeqësisht, ende vazhdon të jetë pre e komitetlinjve të kuqë të LKJ-LKK-LDK dhe e larvave të tyre në të dhe ajo që ndodhi këto ditë, me shpalljen e “26 titujve fitues për botim”, nga 136 tituj konkurrues, nga i ashtuquajturi “Këshill i Librit”, gjithnjë i referohemi informatës së gazetës “Epoka e Re”, e datës 28 qershor 2011, faqes së saj për “Kulturë”, është më tepër se skandaloze, më tepër se antishqiptare, më tepër se antikulturë… Për të parë e vërtetuar saktësisht dhe katëcipërisht se kishte ndodhur skandali i (para)pritur (i sati me radhë deri më sot), sepse, dikush në atë “ministri kulture” ishte interesuar ekskluzivisht për Ndërmarrjen Botuese – Edicionin “Rilindja” dhe tre titujt e saj konkurrues i kishte fshehur sirtarëve të saj të krimit të organizuar LKJ-isto – LDK-ist (UDB-asho – KOS-ist) nga i ashtuquajturi “Këshill i Librit” të vet komitetlinj, e, madje, për këtë që kishte ndodhur fajësohej edhe ministri i ri në atë ministri “kulture”. Skandali ndodhi, siç po ndodh prej vitit 2006 e këtej, në kurriz të Edicionit “Rilindja” dhe në kurriz të punonjësve të saj gjatë gjithë kohës së pasluftës së lavdishme të UÇK-së, sepse, është hera e tretë që Ndërmarrja Botuese – Edicioni “Rilindja” konkurron në atë ministri, i thënçin(Sic!), me veprën e shkrimtarit të njohur të Amerikës mike, Jon Steinbeck, “Margaritari”, i cili është fitues i Çmimit Nobël për Letërsi, që në vitin 1936. Dhe, pos tij në konkurrencën e sivjetme të “Rilindjes” ishin edhe veprimtari dhe publicisti i njohur Afrim Morina, me veprën e tij publicistike, “Gjurmë kohe” dhe me atë të autorit Dibran Fylli, “Shekuj jolirie”, (Poezi). Skandali kishte ngjarë vërtetë, sepse, asnjëra prej këtyre veprave nuk kishte shkuar në duart e “pastra” dhe nuk kishte trokitur në ndërgjegjen e “pastër” të të ashtuquajturit “Këshill i Librit” komitetlinj(!) Për atë skandal antikulturor dhe antishqiptar, u njoftua me kohë Ministria e Kulturës...
Ndërtesa e Komitetit Krahinor dhe “Ministria e Kulturës”
Të gjithë shqiptarët e dinë selinë e përjetshme të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës (LDK-së), në qendër të Prishtinës. Ajo seli ka qenë kreatorja dhe zbatuesja e politikave më antishqiptare në historinë e komunizmit të kuq jugosllav, pas Luftës së Dytë Botërore, në kurriz të popullit e intelegjencës shqiptare dhe e tillë ka mbetur edhe këto dymbëdhjetë vjetët e pasluftës së lavdishme të UÇK-së shqiptare. Dikur, aty janë bërë krimet e të gjitha natyrave më antishqiptare, duke filluar nga politika, kultura, ekonomia, shkollimi, etj. Janë përpiluar e janë dhënë direktivat e zbatimit të politikave kundër shqiptarëve që kanë menduar e vepruar shqip e shqiptarisht për të mirën e Kombit e Atdheut të vet, Shqipërisë. Dhe, ajo që duhet të thuhet qartë sot, është se aty janë bërë krime të komunizmit vetëm kundër popullit shqiptar e kundër inteligjencës së tij në trojet e tij të pushtuara dhe jo kundër oborrtarëve letrarë e letraxhinjë të Beogradit në Prishtinë. Po, a u distancua dikush prej atyre krimeve të komunizmit e të komunistëve të kuqë shqiptaro-titistë e “shqiptaro”-jugosllavë?... Fatkeqësisht, ato krime po vazhdojnë edhe sot dhe po gjejnë mbështetje të faktorit “patriotik” e “kombëtar” dhe të atij ndërkombëtar në Kosovën e trepushtuar shqiptare. Madje, ‘miqtë” tanë të sinqertë, po bashkëpunojnë dhe po i bashkërenditin aksionet e të gjitha natyrave kundër shqiptarëve dhe kundër intelegjencës së popullit shqiptar, sot si dje, kundër kulturës shqiptare e mendimit ndryshe nga komitetlinjtë e komunizmit të kuq shqiptaro-titistë dhe të miqve të tyre, ku, në po të njëjtën seli antishqiptare, sot, po zbatohen politikat “kulturore” të të njëjtës politikë e mendësi komitetlinjësh shqiptaro-titistë e antishqiptarë… Madje, kjo që e themi këtu, mund të preket me dorë dhe të dallohet fort për këto dymbëdhjetë vjetë, sidomos, në kurriz të “Rilindjes” shqiptare dhe në kurriz të shumë krijuesve, shkrimtarëve e shkencëtarëve që kurrnjëherë nuk kanë qenë pjesë e oborrtarëve letrarë e letraxhinjë të komitetlinjve krahinorë e krahinoristë të Beogradit, në Prishtinë.
Sot, pamja e asaj selie antishqiptare të ngjallë neveri e urrejtje. Në të dy anët ballore të saj, secili kalimtar mund t’i shohë të skalitura “fytyrat” e të gjithë komitetlinjve të “kulturës e të politikës shqiptare”, të censorëve dhe të “redarëve” (rojeve, rendmbajtësve) të kominizmit të kuq (pro)jugosllavë që ka ndodhur në çdo pore e hap të jetës e kulturës shqiptare, në trojet e pushtuara shqiptare në Jugosllavi. Oborrtarët letrarë e letraxhinjë të kulturës dhe të letërsisë jugosllave, pos atyre që janë gjallë sot dhe janë pozicionuar në të gjitha shkallët e hallkat e pushtetit të sotëm “demokratik” që po zbatohet veçanërisht në sferën e kulturës shqiptare, si dhe në çdo fushë tjetër shqiptare pas Luftës së Lavdishme të UÇK-së shqiptare, nuk po dinë më kur është boll dhe nuk po dinë të ndalen e të heqin dorë prej mendësisë së tyre shqiptaro-titiste, “kosovariste” e antishqiptare. Kjo gjendje është për t’i ardhur keq gurit e drurit, është për keqardhje të thellë shqiptare e shoqërore. Po, pas kësaj lufte, pjesë politike, kombëtare e intelektuale e të cilës isha dhe kam mbetur, a është mirë që po veprohet kështu kundër popullit shqiptar dhe kundër intelegjencës së tij? Mos paskemi punuar e vepruar ne që të vinë në pushtet komunistët e kuqë (pro)jugosllavë “shqiptarë” dhe këlyshët e tyre të rafinuar “patriotë” e “shqiptarë” - shqiptaro-titistët, të cilët, paraprakisht, duhet të përgjigjen moralisht e penalisht për krimet e kohës së tyre të komunizmit që i kanë kryer në kurriz të kulturës së popullit të vet dhe të inteligjencës së tij. Domethënë, ata, duhet të distancohen prej krimeve të tyre të komunizmit të kuq jugosllav, antishqiptar, dhe t’i kërkojnë falje publike popullit shqiptar dhe intelegjencës shqiptare, e, të mos u lejohet të sillen sot se kinse nuk kanë bërë asgjë, madje, asnjë të keqe dhe nuk kanë bërë krime kundër popullit të vet në trojet e tij etnike. Kjo është ajo që duhet të kërkohet prej të gjitha strukturave antishqiptare të pushtetit antishqiptar të Titos në Prishtinë, në Shkup, në Podgoricë, në Preshevë e gjetkë, ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike, pjesë zinxhirore e të cilit sistem kanë qenë komunistët e kuqë shqiptaro-titistë të Komitetit Krahinor dhe sivëllezërit e tij në republikat tjera ku jetojnë shqiptarët në Jugosllavi.
“Këshilli i Librit” komitetlinj dhe politikat “shqiptare” të LKJ-së – LDK-së brenda tij
Pas Luftës së lavdishme të UÇK-së, të gjithë komitetlinjtë e LKJ-së - LDK-së u turren egërsisht, me servilizmin e mësuar antishqiptar, për të zënë e uzurpuar sa më shumë pozita kyçe, për t’i vazhduar pastaj pa pengesa synimet e tyre “patriotike” e “kombëtare”, duke sajuar gjithçka prej situatave dhe prej ligjeve e çka jo tjetër, duke akorduar gjithçka për interesat e tyre personale e grupore, kulimoklanore. Madje, ajo që habitë mëse shumti sot është se, siç morëm vesh nga një anëtar i atij “Këshilli të Librit”, lëre që librat konkurrues të Edicionit nuk kishin shkuar në duart e atij “Këshilli…”, por, sipas “ligjit të ri” (të mendësisë së vjetër komuniste antishqiptare), e ashtuquajtura “Ministria e Kulturës…”, veç mjeteve të shtypjes së librit (shtypshkronjës) nuk sponsoron asnjë punë tjetër dhe të gjithë duhet të punojnë pa para, si radhitje, redakturë, lekturë, korrekturë, etj., gjë që është në kundërshtim të plotë me të gjitha ligjet ndërkombëtare për t’u paguar e shpërblyer secila punë veç e veç. Dhe, e dini pse ka ndodhur kjo, me “ligjet e reja” , të përpiluara prej shqiptaro-titistëve dhe këlyshëve të tyre? Kjo ka ndodhur sepse komitetlinjtë dhe deputetët e përjetshëm federativë jugosllavë kanë marrë honorare të majme për t’i korrektuar veprat e Titos, Kardelit, Vllahoviçit, Bakariçit dhe antishqiptarëve të tjerë, me çka kanë treguar servilizmin e tyre të pashoq karshi pushtuesit, e, tashmë, janë ngopur me honorare të majme dhe të tjerët duhet të shkurtohen nga kjo e drejtë elementare e punës së tyre. Po, ç‘”Këshill i Librit” është ai që nuk e merr për botim librin e shkrimtarit të Amerikës tonë mike?... Ose, duhet thënë se kësisoj po lulëzojnë antivlerat me letërsinë e përzgjedhur nga komitetlinjtë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës të “Kosovës Republikë”, që e kanë emërtuar vetveten si “Ministri e Kulturës”, “Këshilli i Librit”, “Shoqatë e Botueseve”…
Konkurset e komitetlinjve të “Ministrisë së Kulturës”
Prej kur ka pushuar lufta e lavdishmee UÇK-së, në shkallë kurthesh kanë vazhduar “politikat patriotike e kombëtare” të komitetlinjve komunistë krahinorë të “Ministrisë së Kulturës…” dhe ato të të ashtuquajturit “Këshill i Librit” e të të ashtuquajturës “Shoqatë e Botuesve” dhe modalitetet e përafërta me to, sidomos, në kurriz të N. B. – Edicionit “Rilindja”, e cila, për çdo vit ka dorëzuar planet e veta botuese, dhe, pos planeve botuese, i vetmi botues publik i “Republikës së Kosovës” është detyruar, jashtë çdo ligji, të marrë pjesë edhe në konkurset e “Ministrisë së Kulturës” së komitelinjve të vjetër dhe vartësve të tyre të rinj, që janë të vlefshme vetëm për botuesit privatë, të cilët komitetlinj, si në kohën e Titos së tyre të dashur janë kah i plaçkitin mjetet që i takojnë botuesit të vetëm publik të Kosovës, Ndërmarrjes Botuese – Edicionit “Rilindja”. Në të vërtetë, për çka i shpallë konkurset “Ministria e Kulturës” e komitetlinjve të kuqë komunistë, shqiptaro-titistë? Për t’i qitur hi syve opinionit publik shqiptar? Për t’i plaçkitur publikisht tagrapagesat e qytetarëve shqiptarë dhe për të abuzuar zyrtarisht me to?... Dhe, ç‘është më e keqja, targapagesat e qytetarëve shqiptarë, sot, i plaçkitin ata që për pesëdhjetë vjetë rresht i kanë plaçkitur ato në emër të Ndërmarrjes Botuese – Edicionit “Rilindja”, dhe, po ata plaçkitës, me njerëzit familjarë dhe lidhjet e tjera miqësore që kanë pozicionuar në atë ministri kriminale si dhe në “Këshillin e Librit” kriminal e në “Shoqatën e Botuesve”, për dymbëdhjetë vjetë rresht po i vazhdojnë politikat e tyre kriminale të Komitetit Krahinor të LDK-së në kurriz të Ndërmarrjes Botuese – Edicionit “Rilindja” e cila u ka dalë dorësh që nga viti 2005, me marrjen e timonit drejtues nga autori i këtyre reshtave, të cilit, komitetlinjtë e kuqë jugosllavë nuk po ia nxjerrin thikën nga shpatullat e tij shqiptare, me intrigat dhe dhe shpifjet që sajojnë UDB-asho – KOS-istët antishqiptarë të Komitetit Krahinor të LKJ-LDK kanaleve të tyre të krimit të organizuar, te organet e tyre kriminale të krimit (që nënkupton një krah të papërgjegjshëm të Ministrisë së Kulturës, të policisë, të gjyqësisë, në Kosovën e sotme “kosovariste”)…
Skandalet e Komitetit Krahinor të “Ministrisë së Kulturës”
Skandalet e njëpasnjëshme, të vazhdueshme dhe të përvjetshme të të ashtuquajturës “Ministria e Kulturës…”, e cila ka marrë për detyrë shtëpi e kujdestari nate ta ruaj trashëgiminë e letrave dhe të letraxhinjve shqiptaro-titistë e antishqiptarë, atë të komitetlinjve letrarë e letraxhinjë të Komitetit Krahinor të “Kosovës Republikë”, është shndërruar në vatër të hapur krize të shqiptarizmës, duke bërë skandal pas skandali në kurriz të N. B. - Edicionit “Rilindja” dhe Bordit të saj legjitim e ligjor. Dhe, ajo që i bën të gjitha skandalet e sponsoruara prej shqiptaro-titistëve është e ashtuquajtura “Ministria e Kulturës…”, e cila, të gjitha skandalet në kurriz të “Rilindjes” po i vazhdon për këto dymbëdhjetë vjetë të plota të pasluftës së lavdishme të UÇK-së, madje, pa asnjë lloj pengese. Shqiptaro-titistët edhe sot po veprojnë pa pengesa në kurriz të shqiptarëve enveristë (jotitistë), në kurriz të atyre që nuk ishin krah i tyre i Titos antishqiptar. Dhe, kjo ndodhë, sepse, organet e tyre në të gjitha institucionet “demokratike” të “Kosovës Republikë”, më parë janë të prirura t’u besojnë shpifjeve, trillimeve e shantazheve të tyre “zyrtare” e “ligjore” në kurriz të N. B. - Edicionit “Rilindja”, sesa të vërtetës shokuese që po e përcjellë këtë institucion botues publik të shqiptarëve të Kosovës, për këto dymbëdhjetë vjetë të pasluftës së lavdishme të UÇK-së. Dhe, skandalet po i bën, në emër të Komitetit Krahinor të LKJ-LDK&Co, e ashtuquajtura “Ministri e Kulturës…”, vetëm në kurriz të Ndërmarrjes Botuese – Edicionit “Rilindja” dhe në kurriz të Bordit drejtues të saj…
Përfundim
Kjo “Ministri e Kulturës”, kështu siç është dhe siç ka qenë në këto dymbëdhjetë vjetët e pasluftës së lavdishme të UÇK-së, është duke zbatuar politikat më antishqiptare të Komitetit Krahinor të LKJ-së dhe të degës së saj të drejtpërdrejtë – LDK-së&Co, dhe, është duke bërë skandal pas skandali, në veçanti dhe me porosi të shqiptaro-titistëve e udbasho-kosistëve, në kurriz të Ndërmarrjes Botuese – Edicionit “Rilindja” dhe autorit të këtyre radhëve shqiptare. Ajo, thjesht, po abuzon me emrin “Rilindje” dhe me veprat e autorëve shqiptarë dhe me ato të miqve tanë ndërkombatarë, si në rastin konkret të miqve amerikanë, pakës më zi se në kohën e” redarëve” (rojeve, mbajtësve të rendit) shqiptaro-titistë e antishqiptarë të Titos… Këto, pra, janë njësojësitë (ngjashmëritë) e politikave antishqiptare të “Ministrisë së Kulturës” me politikat antishqiptare të Komitetit Krahinor të LKJ dhe të LDK…
Prandaj, këto sjellje të njëpasnjëshme e skandaloze të “Ministrisë së Kulturës” në kurriz të Ndërmarrjes Botuese – Edicionit “Rilindja”, dëshmojnë mëse bindshmi se politikat antishqiptare të Komitetit Krahinor të LKJ-LDK-së është duke i zbatuar dhe duke i vënë në jetë, për dymbëdhjetë vjetë rresht, “Ministria e Kulturës” me “Këshillin e Librit” të saj “politik” dhe “patriotik e kombëtar”, në veçanti prej vitit 2004 e këtej… E, urojmë që ky të jetë skandali i saj i fundit në kurriz të “Rilindjes” shqiptare dhe të krijuesve shqiptarë, përgjithësisht…
Burojë, 23 korrik 2011