NJERIU DHE QENI

11/12/2018 13:30

Tregimi që shënon ngjarje e kohë

 

 

NJERIU DHE QENI

Dilaver GOXHAJ

 

 

 

“Qeni virtyti, ngaqë nuk mundi të bëhej njeri,

u shndërrua në kafshë”.       

Viktor Hygo

 

Më lindi ideja të shkruaj për mirënjohjen e qenit, pasi kohë më parë, gjatë luftës në Kosovë, pata rastin të përjetoja një ngjarje që më është rrënjosur në kujtesë. Gjatë luftës ne, si Shtab i Përgjithshëm, ishim të detyruar të zhvendoseshim shpesh herë sa në një drejtim në tjetrin, të ndarë në disa grupe, për të qenë sa më pranë formacioneve luftarake. Në të shumtën e rasteve rruga na binte të kalonim nëpër fshatra.

Në periudhën kulmore të luftës, kur NATO u angazhua, duke sulmuar forcat serbe në Kosovë, nga ajri, me aviacion dhe raketa Tomahouk nga deti, ushtria serbe kaloi në strategjinë e “tokës së djegur”, duke i shpopulluar fshatrat shqiptare të Kosovës, ndërsa ne të çlirimtares, për ta bërë të pamundur këtë strategji serbe sulmonim, me sa mundnim, në shpinë, forcat policore dhe ato të ushtrisë serbe. Megjithatë, shumica e fshatrave shqiptare po boshatiseshin gjithmonë e më shpejt nga njerëzit. Mëse shumti, kjo dukuri u vërejt në Rrafshin e Dukagjinit, në fshatrat e Prizërenit, Suharekës, Malishevës, Drenicës, Nerodimes, Llapushës, Jezercës etj. Nëpër këto fshatra gjeje veç qen e mace të egërsuara, ndërsa, lopët e delet i kishte marrë ushtria serbe, për nevoja logjistike të saj.

Qysh në rastin e parë të këtyre lëvizjeve vura re se qentë në Kosovë ishin shumë të mëdhenj në shtat. Më vonë e mësova se janë qen për ruajtjen e kopeve dhe janë të racës shqiptare, të njohtur me emrin “Qentë e Sharrit”. Sharri është masivi malor, i cili fillon në jug-perëndim të Kaçanikut dhe përfundon në malin e Korabit, ose, më saktë, deri te gryka e Radikës, nëpër të cilën kalon rruga që del nga Dibra për në Kërçovë, Gostivar e Strugë. Sharri ka bjeshkë shumë të përshtatshme për kullota verore.

Porsa hynim në fshat, qentë e shtëpive dhe të ish staneve afroheshin gradualisht dhe e shoqëronin kolonën tonë të marshimit, anash e larg, deri sa  bindeshin se ne nuk i përzinim. Kur dëgjonin bisedat tona, të cilat, kuptohet që bëheshin në shqip, u delte ndrojtja dhe afroheshin, derisa kishte raste që futeshin mes kolonës e nëpër këmbët tona. Kur ne nuk u përzinim ose i përkëdhelnim, na shoqëronin gjatë gjithë marshimit, derisa delnim nga kufijtë e fshatit. Ishte interesante, që qentë nuk e braktisnin fshatin edhe pse të zotët e tyre ishin larguar!

Por, ajo që më bënte përshtypje më së shumti, ishte se ata qen qenë shumë të lartë, sa që mua më vinin deri në brez. Duke e ditur se kafshët shtëpiake japin dashuri pa kushte, unë i ledhatoja ose u jepja ndonjë galetë nga ato që mbaja në xhepa gjatë marshimeve të gjata. Këtë veprim e bëja më së shumti për të mos më penguar gjatë ecjes.

Në rastin kur kaluam nëpër fshatin Zborc, ditët e para të muajit prill 1999, njëri prej këtyre qenve u miqësua aq shumë pas meje sa nuk m’u nda as edhe një ditë, derisa mbaroi lufta. Ndodhte që në shumë raste t’i jepja ushqim nga racioni im. Edhe kur flija, ai shtrihej afër meje, te koka ose te këmbët e mia, dhe nuk lejonte kënd që të më afrohej kur isha duke fjetur, ndërsa, kur isha zgjuar, sa herë afrohej ndonjë person i panjohtur më parë nga qeni, më delte përballë dhe më shihte në fytyrë, duke kërkuar nga mua përgjigje, reagimin tim. Porsa unë buzëqeshja, ai largohej dhe rrinte anash.

Më një prej atyre ditëve të luftës, kur ndodheshim në fshatrat e Topillës, m’u desh të isha drejtpërdrejt në vijën e frontit, ku luftonte një pjesë e batalionit autonom të Shtabit të Përgjitshëm, nën komandën e komandant Gurit, Jetullah Qarri. Qeni nuk m’u nda as atje, edhe pse bëra çmos që ta largoja. Rrinte përfundi transhesë, te këmbët e mia. Sa herë që unë qëlloja me automatik, ai bënte të delte nga transheja, duke nxjerrë tinguj interesantë, por, që, unë, rrallë e përqëndroja vemendjen për ta qetësuar atë.

Në javën e parë të muajit maj 1999 ndodhi që u kthyem në bazën kryesore të SHP, në fshatin Divjakë të Drenicës së Poshtme.

Kuptohet që qeni nuk na u nda prej meje.

Kur mbaroi lufta dhe ne si Shtab  Përgjithshëm vendosëm që të marshonim me kolonë makinash për në Prishtinë, një ditë më herët ua besova qenin grupit të luftëtarëve që do të rrinin ende atje, për ta ruajtur një pjesë të materialeve logjistike, derisa t’i gjenim vendet e përshtatshme për t’i sistemuar, në Prishtinë, ku dhe u vendosëm. Krahas porosive të tjera, grupit të rojeve u lash edhe qenin në përkujdesje, duke i porositur që, kur të ktheheshin banorët e shpërngulur t’ia besonin një prej atyre familjeve. Dhe ata ashtu kishin bërë.

*   *   *

Kaloi kohë dhe unë e harrova historinë e qenit. Në 25 Gusht të vitit 2003, pas 4 vjetësh, më ra rasti të shkoja në afërsi të atij fshati, në Kleçkë, në zonën e quajtur malet e Berishës, në përkujtim të pesëvjetorit të rënies së komandantit të Br. 121 të UÇK-së, Ismet Jashari-Kumanova. Pasi mbaruan ceremonitë e planifikuara, një shok lufte më mori mua dhe disa shokë të tjerë për të pirë një kafe te një i afërm i tij, në fshatin Berishë, me kërkesën e  vetë fshatarit. Pasi u përshëndetëm me të zotët e shtëpisë, qëndruam në oborr, në formën e një lëndine, dhe atje pinim çaj e bisedonim, të ulur në tokë. Kur në një moment ndjej një nuhatie kafshe nga prapa, në qafë, dhe instiktivisht kthehem për të parë se çfarë ishte. Pashë se ishte një qen, por, i zoti i shtëpisë e largoi atë me të folur dhe unë nuk i kushtova shumë vëmendje.

Mirëpo, kur i zoti i shtëpisë tregoi se qenin ia kishin lënë ca luftëtarë kur i qe kthyer e gjithë familja, pas lufte, mua m’u kujtua ngjarja dhe u ktheva menjëherë për të parë se nga shkoi qeni. Ai qe larguar 7–10 m larg dhe rrinte mbështetur në bisht.

Porsa unë u ktheva në drejtim të qenit dhe e përqëndrova shikimin mbi të, ai u lëshua me vrap drejt meje. Të pranishmit u shqetësuan se mos u vërsul për të më kafshuar, por, ata tingujt e tij karakteristikë që ia kisha dëgjuar atë ditë në transhe më bindën se ishte ardhje miqësore dhe, duke pritur qenin, u bëra shenjë me të dy duart, duke i hapur krahët anash, pasi nuk kishte kohë të shpjegohesha me fjalë, që të mos shqetësoheshin. Qeni më hodhi të dy këmbët e para në supe dhe filloi të më lëpinte fytyrën. Pasi e shkëputa dhe e shtriva te këmbët, duke e qetësuar nga gëzimi, u tregova atyre këtë që po ua tregoj edhe juve.

Kafshët shtëpiake, sidomos qeni dhe macet, janë të dobishme pasi ofrojnë emocione. Ato përkëdhelen si fëmijët e vegjël që nuk rriten kurrë. Ata duan të argëtohen dhe të na japin dashuri pa kushte. Por, veçanërisht, qeni, pasi është e vetmja kafshë që nuk mund të jetojë gjatë pa ndihmën dhe përkrahjen e njeriut, sikundër mund të jetojnë kafshët e tjera shtëpiake: macja, kali, delja, dhia, lopa etj. Qeni, po nuk pati përkrahien e njeriut,….vdes. Ndoshta, kjo mund të jetë edhe arsyeja pse qeni i qëndron aq besnik dhe i shpreh shumë mirënjohje njeriut. Ndoshta, ngaqë është i bindur se jeta e tij varet nga pronari i tij. Por, më së shumti kjo ndodhë ngaqë qeni është kafshë shumë mirënjohëse. Jo më kot Viktor Hygo ka thënë se, “qeni është virtyti, ngaqë nuk mundi të bëhej njeri, u shndërrua në kafshë”.

Prandaj, dhe popujt e qytetëruar kanë varreza të posaçme për qentë e familjeve të tyre. Mirëpo, ka dhe popuj të paqytetëruar, të cilët, kur qeni u …vdes, nuk marrin mundimin t’i bëjnë qoftë edhe një varr të thjeshtë, një gropë, për ta… varrosur, por e hedhin në ndonjë përrua. Ndaj dhe ka mbetur shprehia: “E trajtoi si qen”, kur dikush tregohet mosmirënjohës ndaj dikujt që i ka punuar e shërbyer me besnikëri e përkushtim.

 

Prishtinë, 8. 11. 2003

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode