NJË SONDAZH I KRYER PËR T’U NDJEKUR NGA NJË REFERENDUM PËR ENVERIN!

17/08/2017 08:39

OPINION

 

NJË SONDAZH I KRYER PËR T’U NDJEKUR NGA NJË REFERENDUM PËR ENVERIN!

 

Nga Muharrem XHAFA

 

 

Prej gati dy javësh po zien me shumë interes debati që u hap në gazetën ‘DITA’ për heqjen e statujës së Ahmet Zogut nga një shesh në Tiranë dhe organizimin e një referendumi për ringritjen e monumentit të Enver Hoxhës. Ky debat dhe pjesëmarrja e gjerë në diskutimin që po bëhet, në vetvete i ngjan një referendumi popullor për këto dy figura historike. Në mënyrë unanime pjesëmarrësit në debat shprehen për heqjen e statujës së Ahmet Zogut, duke e konsideruar atë një satrap, që punoi kundër interesave kombëtare, që e shiti dhe e braktisi Shqipërinë në momentet më kritike te saj.

E kundërta ngjet me rivlerësimin e Enver Hoxhës, udhëheqësit të madh të Luftës Antifashiste Nancionalçlirimtare dhe i ndërtimit socialist të Shqipërisë. Pavarësisht se një pjesë e opinionit mendojnë se referendumi për Enverin duket i nxituar, unë mendoj ndryshe dhe po e argumentoj këtë.

Jo pa qëllim po i kthehem një sondazhi të mëparshëm. Në mos gaboj, në vitin 2016, OSBE organizoi një sondazh me temë: “Çfarë mendojnë shqiptarët për komunizmin dhe Enverin?”   OSBE, përfundimet a rezultatet e sondazhit, i bëri publike për shqiptarët, po edhe për botën, diku në fillim të janarit 2017. Ajo deklaroi se rreth 52 për qind e të anketuarve flasin mirë për kohën e komunizmit (me saktë socializmit) dhe për Enverin!

Atëherë opinioni shoqëror (njerëzit) debatoi gjatë për rezultatet e këtij sondazhi të Zyrës së OSBE në Shqipëri. Një  pjesë e debatuesve (shumica) mbante anën e temës së zgjedhur nga OSBE. Një pjesë tjetër, shumë herë më e vogël në numër, shprehej kundër! Kjo thoshte se tema e zgjedhur “Çfarë mendojnë shqiptarët për komunizmin dhe Enverin?” s’ishte e goditur, se njerëzit e intervistuar gjatë sondazhit kanë qenë të moshës së vjetër dhe se ata shprehnin kështu nostalgji për socializmin dhe Enverin! E të tjera.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se jehona e sondazhit të OSBE bëri bujë ato pak ditë që u publikuan përfundimet e sondazhit të saj, po, më pas, le të themi “u harruan”! Arsyeja është qartë: Borgjezia, shteti e mjetet e saj të propagandës nuk mund t’i bënin jehonë vlerësimit të bërë nga njerëzit e popullit Enverit e socializmit.

Unë edhe sot jam i mendimit se nisma e OSBE dhe rezultatet e këtij sondazhi të saj, i pari sondazh i këtij lloji në historinë e pluralizmit politik shqiptar, duheshin parë dhe vlerësuar me shumë vëmendje e qetësi, sepse ato shprehnin një të vërtetë të madhe, që shkon në të mirë të popullit. Madje, edhe tani them se, përveç rezultateve të sondazhit, është me interes të kujtohen edhe komente, pro e kundër, të thëna e të shkruara ato ditë në facebook, në shtyp e në media të tjera. Se kështu, përmes opinioneve të shprehura nga qytetarë të thjeshtë e intelektualë patriotë, përforcohej mendimi që shumica e popullit në vitet e socializmit jetonte më mirë dhe ishte më e sigurt se sot, ku në veçanti përmendeshin arsimi, shëndetësia, pensionet, siguria e jetës, familja, barazia para ligjit, zgjidhja e halleve të popullit, mbrojtja etj. Konfirmohej që Enver Hoxha i përkiste gjithë popullit; ishte bir i denjë i tij dhe se atë (kjo është e natyrshme) nuk e donin armiqtë e vendit!

Parë me kujdes, analiza në kompleks e shifrave të shpallura të sondazhit të OSBE ka anën e saj “interesante”. Po, edhe me tepër se kaq, ka rëndësi fakti që vet OSBE-ja i cilësonte rezultatet “interesante e jo gjithmonë siç mund të parashikoheshin”! S’ka këtu ndonjë keqdashje të thuhet se OSBE kishte parashikuar dhe priste të dilnin të tjera rezultate dhe se qëllimi i organizimit prej saj të sondazhit “Ç’mendojnë shqiptarët për komunizmin dhe Enverin?” nuk ka qenë pa tendencë, në kuptimin që të dilte e kundërta e asaj që doli ose afërsisht kështu!

Po, çfarë qëndron këtu mbi të gjitha? Mbi të gjitha, duhet vlerësuar fakti që OSBE pati guximin të mos i fshihte rezultatet e sondazhit të zhvilluar, ndonëse tema e zgjedhur prej saj përbënte e përbën për të një problem jo pak delikat. Ajo guxoi të mos bëhej “qesharake” me vetveten, i shtoi vetes një vlerë, që edhe mund të mos e merrte përsipër.

Së dyti, që OSBE jo vetëm nuk i fshehu e nuk i manipuloi shifrat e të dhënat e sondazhit te saj, po i bëri ato publike, duke ua vënë në dispozicion të gjithë shqiptarëve e më gjerë, çka mund edhe të mos e publikonte, një vlerw tjetër kjo e paanshmërisë dhe e profesionalizmit të saj. Ndër shqiptarët që u njohën atëherë me rezultatet e publikuara të sondazhit, ka që thonë se shifrat qenë fshehur, duke aluduar se kanë qenë më shumë të anketuar të cilit kishin thënë se “epoka enveriane” ishte më e mirë për popullin dhe e keqe, diktatoriale për dembelët, hajdutët, shkelësit e ligjit e armiqtë e Shqipërisë!

Kjo është kështu, po OSBE nuk i lejoi vetes as të zbukuronte e as të nxinte të vërtetën e shifrave, sa ato të deformonin rezultatin, siç ndodh në vendin tonë në raste të këtilla ose analoge! Me arsye miq e kolegë kane përqafuar e nxitur entuziazmin që ngjallën rezultatet e sondazhit (e drejtë kjo).

Po nuk përjashtohet mundësia, që, si vinin në dukje disa të tjerë, duke publikuar shifrat e përqindjet e sondazhit të saj, OSBE u tërhiqte vëmendjen e u thoshte shtetit dhe partive të borgjezisë në Shqipëri se nuk e keni zhvilluar mirë luftën kundër komunizmit dhe Enver Hoxhës!

Sidoqoftë, unë prirem të çmoj mbi të gjitha të vërtetën që guxoi të thoshte publikisht OSBE, dmth që 52 për qind e shqiptarëve brenda shtetit shqiptar ishin shprehur se jetonin më mirë në kohën e Enver Hoxhës! Fakti që në Shqipëri ka 27 vjet që organizohen zgjedhje për organet qendrore e lokale të pushtetit pluralist dhe vota e shqiptarëve vidhet, manipulohet e tjetërsohet, në veçanti vota e njeriut të thjeshtë, besimi te referendumi për Enver Hoxhën është i pakët, ndaj  do të duhet shumë punë, guxim, organizim i fortë! Referendumi për Enver Hoxhën nuk duhet lypur, ai duhet imponuar!

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode