NJË KOMB I NDARË NË PESË SHTETE DHE “AKULLTHYESI” EDI RAMA

19/06/2023 07:41

OPINION

 

 

NJË KOMB I NDARË NË PESË SHTETE DHE “AKULLTHYESI” EDI RAMA

 

Nga Artan DUKA

 

 

Si kombi i vetëm i ndarë në 5 shtete në Gadishullin Ilirik, shteti e politika shqiptare e kanë detyrim madhor vëmëndjen e përkujdesjen ndaj bashkëkombasve kudo matanë kufirit shtetëror.

Shtetet e zmadhuara në kurriz të kombit shqiptar, Greqia, Sërbia, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, gjithmonë kanë kërkuar me lupë gjilpërën në kashtë këtej nga ne për të justifikuar sadopak me sajesa rrëmbimin historik të territoreve të stërmëdhaja shqiptare pas 1913.

Ndërkohë Shqipëria, që ka arsyet historike, ka Kosovën sot krah dhe vetë momentin historik në anën e saj, pothuajse nuk bën zë! Sidomos për bashkëkombasit në Greqi e Sërbi.

“Akullthyesi” Edi Rama!

Kohët e fundit kryeministri Rama bëri një vizitë tek arbëreshët në Itali, vazhdë e një tradite që dëshmon si vetëdijen e trashëgimisë arbërore ashtu edhe dashamirësinë e korrektësinë e shtetit italian ndaj saj.

Por, e njëjta vëmëndje e shtetit amë duhet të tregohet ndaj të gjitha trevave shqiptare e trashëgimisë arbërore në gadishullin Ilirik. Nga lart në veri, me Luginën e vise të tjera nën Sërbi e poshtë në jug, me trevat çame dhe hapësirat arvanitase në Greqi.

Ajo që stonon sot është vëmëndja pothuaj e paqënë ndaj Çamërisë dhe arvanitasve në Greqi. Një sprovë e madhe për shtetin shqiptar dhe Edi Ramën për të qënë Kryeministri-amë edhe për ta.

Edi Rama lakohet shpesh si një politikan unik që thyen tabu e befason me deklaratat e veprimet e tij nga ato në Beograd për Kosovën, Ballkani i Hapur etj duke shprehur publikisht atë që ndjen e beson edhe përballë protokolleve e pritshmërive klishe.

Edi Rama shihet nga shumë sot si i “paparashikueshëm” që kapërcen sjellje e pritshmëri tradicionale edhe ndaj problemeve delikate të politikës së jashtme që ndezin plot debate më pas.

E nëse e vërtetë, sot është koha që Edi Rama të thotë publikisht ca gjëra troç si për situatën e shqiptarëve në Luginë e viset e të tjera shqiptare ende nën Sërbi, ashtu edhe për Çamërinë dhe arvanitasit në Greqi.

Edi Rama në Kosovë është në shtëpinë e tij 

Sa kohë Sërbia refuzon të njohë Kosovën si shtet dhe kësisoj edhe rolin e saj kujdestar si shtet-amë për shqiptarët ende nën Sërbi, Shqipëria ka detyrimin historik për të vijuar të bëjë të sajën për trevat shqiptare nën Sërbi. Nga Lugina, Sanxhaku etj.

Jo thjesht reciprocitet me ato çfarë Sërbia pretendon për pakicat e saj në Kosovë sepse nuk ka reciprocitet mes gënjeshtrës dhe së vërtetës. Ndryshe nga sërbët në Kosovë, shqiptarët në Sërbi gjënden në trojet historike të tyre dhe të lëshosh në të drejtën tënde historike sepse pala përballë “lëshon” në sajesat e trillimet e saja historike, nuk ka ku rri.

Rama, si Kryeministër-amë, duhet të shprehet parreshtur për të drejtat e shqiptarëve në Sërbi. Takime dypalëshe, forume ndërkombëtare etj për të sfumuar e tejkaluar retorikën e trillimeve sërbe që ende keqinformojnë në perëndim.

Dhe sa kohë Sërbia refuzon të njohë shtetin kosovar, kryeministri i Shqipërisë bën shumë mirë që thotë fjalën e vet e i del për zot asaj kur e ku të mundet, sa herë rasti troket.

Kosova është shtet sovran dhe i del vetë zot vetes por sa kohë Serbia nuk e njeh formalisht Shqipëria është në të drejtën e detyrimin e saj për të bashkëpunuar me Kosovën në rrugëtimin e saj.

Edi Rama është në të drejtën e tij të shpalosë variantin e tij rreth Asociacionit në Kosovë por, jo duke anashkaluar Kosovën. Shqipëria nuk mund e nuk duhet të jetë neutrale në këtë sfidë. Sfida e Asociacionit nuk është sfidë kosovare por mbarëshqiptare dhe “litari” jashtë sërb dëmton kombin shqiptar pa dallim.
Vetë kërcënimi me sanksione ndaj Kosovës nuk është në dinjitetin e perëndimit që nuk bëzan kur Serbia u del nga rreshti në sanksionet ndaj Rusisë.

Sanksionet nuk do të ishin më barazim por favorizim i agresorit ndaj viktimës! Nuk do dëmtonin thjesht Kosovën por mbarë shqiptarët duke krijuar për herë të parë zhgënjim ndaj vetë perëndimit.

Perëndimi nuk ka pse befasohet nëse fusim “hundët” për të qënë njësh me Kosovën për gjithshka. Fundja, po e bën Perëndimi prej dekadash e jo më Shqipëria që me Kosovën ndan gjithshka që përbën identitet shqiptar. Si çdo shqiptar, edhe Rama, në Kosovë është në shtëpinë e tij!

Çamëria apo e harruara e madhe! 

Çamëria martire meriton respektin e vëmëndjen e duhur së pari nga vetë shteti shqiptar. Ajo duhet të jetë kryefjala e raporteve me Greqinë. Vëmëndja politike, zyrtare, mediatike në takime dypalëshe, forumet ndërkombëtare, vizitat zyrtare apo private, përkujtimoret e homazhet këtej e matanë kufirit etj, asnjëherë nuk janë të tepërta për të.

Dhe nuk bëhet fjala thjesht për reciprocitet me pretendimet greke në jugun tonë. Ndryshe nga pakicat e privilegjuara greke në jug, populli çam është martirizuar, shpërngulur apo ndjerë i huaj në trojet e të parëve të tij të lëna padrejtësisht jashtë shtetit amë.

Zhbërja e ligjit të luftës nuk është ndonjë favor grek ndaj nesh por detyrim, tepër i vonuar, i palës greke ndaj paqes në rajon.

Kryefjalë në marrëdhëniet mes nesh e Greqisë nuk duhet të jenë trillimet e përsiatjet pafund greke për fantazmat e vorioepirit por të drejtat e të vërtetat historike të kombit shqiptar në Greqi.
Çamëria martire lyp drejtësi duke filluar nga njohja e genocidit grek ndaj saj, heqja e ligjit të luftës që ndan dy popuj binjak dhe rikthimi në vatrat e të parëve atje. Ndryshe, harresa vret po aq ndaj dhe Edi Rama, si kryeministër-amë, duhet të thotë fjalën e tij.

Arvanitasit apo boshllëku në “mozaikun” shqiptar

Bashkë me kauzën çame, shteti shqiptar duhet të vërë në rend të ditës së raporteve me Greqinë edhe fatin e arbëreshëve në Greqi. Arvanitasit e Greqisë nuk kanë pse të jenë ndryshe nga arbëreshët e Italisë. I bashkon gjaku, flamuri, vetëdija kombëtare dhe shteti amë duhet të jetë prezent për të festuar këtë trashëgimi.

Mjerisht ka një dallim të madh mes lidhjeve e vëmëndjes të shtetit ndaj arbëreshëve në Itali dhe arvanitasve e popullsisë çame në Greqi. Edi Rama duhet të përfitojë nga momenti i predispozicionit që gëzon në perëndim për të bërë lajm dhe histori edhe rreth çështjes arvanitase me Greqinë.

Duke konsideruar një platformë zyrtare mbarëshqiptare në bashkëpunim me gjithë faktorin shqiptar zyrtar, shkencor, kulturor, joqeveritar etj brënda e jashtë vëndit (Sërbi, Greqi, Maqedoni e Veriut, Mali Zi, emigracion), që synon forcimin e kohezionit kombëtar, pasuar me kontakte e bashkëpunim të rregullt zyrtar e jo zyrtar mes nesh, konferenca e evenimente të përbashkëta etj.

Më tej, duke u impenjuar personalisht si kryeministër me shpalosje të qëndrimit të tij në kontaktet me homologun grek apo forumet ndërkombëtare që trajtojnë probleme të të drejtave të njeriut dhe kombëtare në rajon.

Duke mundësuar gjithashtu vizita private apo zyrtare të tij apo ministrave të tij, emrave të shquar të botës politike, intelektuale, artistike shqiptare brënda e jashtë vëndit në trevat arvanitase, takime me intelektualët arvanitas, brezat e moshuar, të rinjtë mëndjehapur në kërkim të identitetit historik, që në vetvete do të përbënin lajm mediatik edhe për median botërore dhe do të nxisnin më tej vetëdijen e përbashkët arbërore mes nesh dhe arvanitasve matanë.

Duke bashkërenduar përpjekjet për këtë qëllim me arbëreshët e Italisë dhe ndërmjetësuar në unifikimin e vetë botës arbërore. Përtej lidhjeve të shtetit shqiptar me arbëreshët matanë detit e arvanitasit poshtë në jug, është me rëndësi edhe lidhja e drejtëpërdrejtë mes arbëreshëve e arvanitasve që ndajnë mes tyre kujtimin e dhimbshëm shumëshekullor të ndarjes nga dheu mëmë. Arbëreshët e arvanitasit duhet të jenë bashkë në rrugëtimin e së ardhmes dhe shteti-amë duhet të bëjë të tijën në këtë drejtim.

Vëmëndja e shtuar ndaj Çamërisë dhe të drejtave të arvanitasve do të ndihmonte më tej edhe vetë pozicionin e integrimin e shqiptarëve që emigruan dekadat e fundit në Greqi.

Ata do të ndjehen më tej si në shtëpinë e tyre sikundër, pavarësisht mikpritjes dhe integrimit në Greqi, ata kanë nevojë që të krenohen e ndjehen mirë me atë që lanë pas dhe shteti-amë ka detyrimin që tu gjëndet pranë për të ndihmuar që identiteti shqiptar të trashëgohet tek brezat në vijim.

E vërteta ecën vetë. Boll një dorë të çohet në këmbë

Pohimi i të vërtetave historike dhe një rol në rritje i shtetit-amë në gadishullin Ilirik nuk do të ishte vetëm një faktorizim mbarëshqiptar por edhe një hap më tej për paqen, bashkëpunimin e emancipimin në rajon.

Historikisht kombi shqiptar ka qënë gjithmonë në anën e paqes dhe vokacionit perëndimor pavarësisht se perëndimi bëri “njerkën” më 1913 ndaj tij, ndaj edhe kohezioni mbarëshqiptar në rritje është garanci për forcimin e vetë paqes e gjeopolitikave perëndimore pakthim në rajon.

Është detyrim historik për shtetin-amë dhe shans për vetë Ramën që të plotësohet tradita e vëmëndjes së shtetit dhe kryeministrit-amë ndaj të gjithë shqiptarëve e trashëgimisë kombëtare në rajon pa dallim qoftë Sërbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi apo … Greqi.

Pacifizmi i Edi Ramës në rajon nuk dëmtohet nga e vërteta. Pacifizmi është triumfi i së vërtetës paqësisht dhe jo … paqe fallso në kurriz të së vërtetës së varrosur gjatë.

E vërteta nuk është kuti Pandore si duan t’a paraqesin ata që prej 2 shekujsh lodhen duke shitur e justifikuar gënjeshtrat historike në rajon. E vërteta nuk ka nevojë t’a mbash për krahu. Ecën vetë, boll t’i heqësh “gjylen” nga këmbët duke e thirrur me emër atë.

Thuaje të vërtetën Edi Rama, 1, 2, … 1000 herë dhe nise prapë nga e para se herët a vonë ajo zë vënd. Thyeje akullin Edi Rama edhe për Çamërinë dhe arvanitasit në Greqi! Tregohu Kryeministër-amë edhe për ta.

Futu në histori duke bërë histori!

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode