NJË DEBAT KOMBËTAR PËR TEMËN: A MUNDEMI NE SHQIPTARËT TË BËJMË SHTET?!
03/08/2017 07:11
Letër kryeredaktorit të DITA
NJË DEBAT KOMBËTAR PËR TEMËN: A MUNDEMI NE SHQIPTARËT TË BËJMË SHTET?!
Nga Gjon BRUÇI
I nderuar z. kryeredaktor
Shkruesi i këtyre radhëve, është një qytetar i thjeshtë, me bindje të veçanta politike, por me adhedashurinë e përbashkët me të gjithë ata shqiptarë, që këtë emër e kanë jo vetëm në pasaportë, por edhe në gen. Dhe pikërisht, nga pozicioni i qytetarit e shqiptarit të thjeshtë, po marr guximin t’ju drejtohem intelektualëve dhe dijetarëve tanë të të gjitha fushave:
Le të hapim një debat për punët tona si popull e si komb me pyetjen: “A mund ta bëjmë shtetin tonë?” E nëse po (unë jam i bindur se mundemi), atëherë, hajdeni të përcaktojmë rrugët dhe të nisim nga puna. Kombi ynë ka potenciale njerëzore dhe resurse materiale të mjaftueshme për të realizuar shtetin. Edhe individë që të marrin rolin e Liderit në këtë aksion madhor kombëtar.
Pak histori shtetformuese
Mbi dymijë vjet, që nga mbreti i fundit Genti, ilirët, arbërit dhe sot shqiptarët, në biografinë e tyre “regjistruan” vetëm 113 vite me histori shtetformuese. Pse ka ndodhur kjo me racën tonë, e cila siç thonë të shkruarat e albanologëve, ishim të parët banorë të kontinentit të vjetër, dhe ardhacakëve të mëvonshëm ju dhamë mësimet e para të qytetërimit? Arsyet mund të jenë të ndryshme, ashtu si dhe interpretimi i faktorëve objektivë e subjektivë. Duke mos qenë në nivelin e historianit, unë do t’i prek këta faktorë kalimthi, me dy-tri ligjërata.
Pozicioni gjeografik i vendit tonë, ka dy anë të medaljes: Shumë i favorshëm për të jetuar e begatuar; dhe tepër i vështirë për të “mbijetuar”. Romakët, kur na pushtuan në vitin 168 para Erës së Re, nuk e bënë për sport këtë punë, por për të zotëruar pozitat gjeostrategjike që kishte vendi ynë në “komunikimin” perëndim-lindje dhe anasjelltas. Duke patur pra objekt vendin dhe jo banorët e Ilirisë, pushtuesit romakë i masakruan apo i zbuan vendasit nga bregu i detit, nga qytetet dhe fushat e begata, duke i detyruar të siguronin mbijetesën grykave të maleve. Dhe e quajtën vendin “ILIRIKUM”, që me sa ma merr mendja mua, shqip do të thotë “Iliri BOSH” (Kum, domethënë një rërë e imët me më shumë dhé, pa njerëz, e madje edhe pa bimë). Dymijë vjet më vonë, pasardhësi bastard i romakëve me emrin DUXE, duke pushtuar Shqipërinë e shekullit të XX-të, do të thoshte se “Shqipërinë e kam në zemër”. Vini re! Shqipërinë, por jo shqiptarët! Të njëjtën “skemë” përdorën edhe pushtuesit e tjerë midis këtyre dy ekstremeve në kohë, të cilët, nëse nuk mundën të na kthenin në “kum”, na mbajtën të copëtuar me synimin që të mos bënim shtet. Sepse një shtet shqiptar i konsoliduar në brigjet e Adriatikut e Jonit, ku kalonte Egnatia e lashtë, do tu nxirrte punë si fqinjëve, ashtu dhe pushtuesve më të largët në inkursionet e tyre për grabitjen e vendeve dhe popujve.
Për fat të keq, dhe që përbën faktorin e brendshëm, në gjirin tonë nuk munguan dhe bastardët, të cilët u gjendën në shërbim të pushtuesve, duke e gërryer “Kalanë” tonë nga brenda. Por kjo puna e bastardëve nuk është ndonjë “risi” e vendit dhe e popullit tonë. Bastardë ka çdo vend e çdo popull, por kur kjo ndodh me popujt e vegjël, dëmi është kolosal.
Dy periudha shtetformuese të suksesshme, në dy kohë të ndryshme
Në shifrën 113 vite periudhë shtetformimi, që shënova në krye për periudhën e gjatë mbi dymijë vjeçare nga pushtimi romak e gjer në ditët tona, pasardhësit e ilirëve, arbërit dhe më vonë shqiptarët, patën dhe momente ngadhënjimi në shtetformimin e tyre. Të paktën në dy raste, ata arritën të shënonin dy epoka të ndritshme, rrezet e të cilave depërtuan gjer në skajet më të largëta të kontinentit e më tej. Epoka e ndritur e Skënderbeut në periudhën e mesjetës, dhe ajo e Enver Hoxhës në kohët moderne, do të mbeten si dy pishtarë të zjarrtë që u ndriçojnë udhën jo vetëm shqiptarëve, por u jep shenjë e besim gjithë vendeve e popujve të vegjël, se edhe ata mund të mbijetojnë e madje edhe të begatojnë, ashtu si vendet dhe popujt e mëdhenj e të fuqishëm, kur janë të bashkuar e të organizuar.
Mirëpo, këta dy lloj shtetesh që shqiptarët patën në dy periudha të ndryshme, bien “ndesh” me “konceptet” e sotme për shtetin. I pari, duke qenë një shtet ushtarak, bie ndesh me kohët moderne, ku “rroba ushtarake” e shtetit mbulohet me pelerinën fosforeshente të “demokracisë”. Ndërsa shtetit të diktaturës së proletariatit, që ndërtoi Enver Hoxha, as që duam t’ia dëgjojmë emrin. Kjo për faktin e dukshëm, se zhduku shfrytëzimin shekullor të popullit dhe, nga ana tjetër, ai shtet u bë dalëzotës i vendit të shqiptarëve dhe pengesë problematike për interesat e fqinjëve dhe superfuqive në pikën nevralgjike të kalimit lindje-perëndim dhe anasjelltas. Ishte kjo arsyeja që ky shtet i ri e modern i shqiptarëve, pas vdekjes së Enver Hoxhës, u sulmua dhe u shkatërrua sikur të kishte bërë “blasfemi”.
Gati tre dekada, asnjë “shtyllë” e sigurt e shtetit!
Njëzet e shtatë vite qeverisje “Demokratike”, qeverisje e nisur jo nga hiçi por nga një shtet i mirëfilltë me 45 vjet biografi të lavdishme; në kushte tejet optimale që sigurojnë kohët moderne; me një inteligjencë shumë herë më të zhvilluar se ajo e para viteve dyzet; me një mbështetje të përditshme të faktorit ndërkombëtar, i cili kërkon të na fusë në “gjirin”e tij, etj., etj., dhe rezultati: Ende pa shtet! Pse?!
Pavarësisht nga teoritë moderne për shtetin, përcaktimi i Marksit se “shteti ka karakter klasor” mbetet i palëvizshëm. A mbahet parasysh ky ligj themelor i ndërtimit të shtetit dhe i zhvillimit të shoqërisë njerëzore? Apo shteti është “i të gjithëve” dhe . . . i askujt! Që nuk është i “askujt” vërtetohet çdo ditë, ndaj dhe ka mbetur latant dhe i paformuar. Ndërsa i “të gjithëve” do të bëhet kur shoqëria njerëzore të arrijë barazinë e plotë (komunizmin). Por ajo ditë shënon shuarjen e shtetit!
Megjithatë, t’i kapërcejmë filozofimet që dalin jashtë mundësive të mia si qytetar i thjeshtë dhe të “kapemi” me gjërat konkrete: Cila klasë e ka sot pushtetin që pretendon të bëjë shtet? Borgjezët? Jo! Fshatarët? Aspak! Punëtorët (proletarët)? As që bëhet fjalë! Po kush atëherë?!
Sot, pushtetin në vendin tonë e kanë një konglomerat individësh, grupesh e klanesh që nuk kanë lidhje organike e klasore as me borgjezinë, as me fshatarësinë e as me punëtorinë. Politikanët tanë, realisht nuk përfaqësojnë asnjë klasë unike të shoqërisë sonë, pavarësisht se hiqen si “të majtë”, “të djathtë” apo “të qendrës”. Duke mos përfaqësuar asnjë klasë shoqërore, shteti i pretenduar prej tyre, e shumta, e shumta mund të jetë një “shtet-pupace”, pa bazë ekonomike, aseti kryesor që konsolidon dhe mban shtetin në këmbë. Vetëm klasa e unifikuar që investon dhe ndërton bazën ekonomike, është e interesuar të ngrejë shtetin, me të cilin mbron investimet e saj kapitale. Politikano-pushtarët tanë aktualë, kanë interes tjetër: milionat që kanë grabitur majtas e djathtas i “investojnë” ndër banka, ndër xhepa e ndër “qypa” (si ato të kohës së Zogut), që t’i kenë të sigurta, kur të mbeten pa pushtet. Shtetin ata e kanë fasadë, pas së cilës mundohen të shtojnë miradinat e tyre e të klanit që i mbështet. Ndaj, kush pret që kjo skotë politikanësh të ditëve tona të na ndërtojë shtetin, ai realisht është “duke pritur Godonë”!
A ekzistojnë mundësitë e bërjes së shtetit dhe si?
Prej më se një shekull, partitë politike kanë qenë asetet me të cilët është marrë, ndërtuar e mbajtur shteti. Mos vallë këtij “aseti” i është sosur vaji i kandilit? Nuk jam në gjendje të flas për vende të tjera, por partitë politike borgjeze të vendit tonë, vetëm emrin kanë të tillë. “Trio” e partive alternuese në pushtet, PD, PS, e LSI dhe bishtave të tyre, u ka mbaruar jo vetëm “vaji i kandilit” por edhe boja me të cilën ishin lyer në ditën e krijimit. Ato aktualisht nuk kanë asnjë kauzë shtetformuese, madje s’kanë asnjë lloj kauze. Ndaj sa më shpejt duhen përcjellë në “Bunk-Artin” e Ramës. Të paktën për nja dy apo tri dekada, gjer sa të riformatohen dhe të konkurrojnë për “licencë” të re.
Po, a mund të ndërtohet shteti pa prezencën e partive?! Po, mendoj se është e mundur. Në kushtet aktuale që kalojmë, sipas meje, dy janë mundësitë e bërjes së shtetit: 1-Me një revolucion të fuqishëm demokratik, i cili të përmbysë këtë klasë politike të inkriminuar dhe të vendosë pushtetin sipas parimit demokratik: “Pushteti buron nga populli dhe i takon atij”! 2-Duke realizuar Bashkimin Kombëtar. Çështja Kombëtare jo vetëm prevalon mbi të gjitha kauzat e partive politike, por nëpërmjet bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm do të dyfishonte resurset njerëzore, intelektuale dhe ekonomike, të cilat do të krijonin kushtet optimale për ndërtimin e shtetit që “ecën” me këmbët e veta.
Mundësia e parë, bie, sepse sistemi që po aplikojmë i “përjashton” revolucionet. Atëherë mbetet realizimi i Bashkimit Kombëtar. Këtu përplasen dy opsione: Bashkimi Kombëtar para, apo pas hyrjes në BE?! Sipas meje, dhe jo vetëm, të paktën midis Shqipërisë shtetërore dhe krahinës shqiptare të Kosovës (alias Republika e Kosovës), “Trau” artificial në Morinë duhej prishur që ditën e parë të çlirimit të Kosovës. Nëse dikujt, ky mendimi im i duket absurd, i parakohshëm, apo stil “Ballist Morine”, atëherë le të hidhemi tek një platformë tjetër, më e ngadalshme në kohë, por plotësisht e realizueshme. Gjatë 18 viteve që nga çlirimi i Kosovës e gjer me sot, nëse politikanët tanë do të kishin aplikuar ndonjë strategji kombëtare, siç e kanë të shkruar edhe në preambulën e Kushtetutave, nëpërmjet takimeve të organizuara midis dy qeverive dhe organizatave të tjera politike e shoqërore, do të ishte realizuar: Përcaktimin dhe unifikimin e strategjisë kombëtare të zhvillimit; Njehsimin e traditave, dokeve e zakoneve, të cilat për arsye historike kanë edhe dallime; Unifikimin e marrëdhënieve ekonomike, shoqërore e kulturore; Njehsimin e sistemit të arsimit të të gjitha shkallëve; Kalimin në monedhë të përbashkët; Lehtësimin apo suprimimin doganor etj., etj., të cilat asnjë rezolutë ndërkombëtare nuk mund t’ju bëhet pengesë. Pas realizimit të këtyre masave përgatitore, do të krijoheshin mundësitë edhe për një Union të përbashkët, gjer edhe për bashkëqeverisje, si pragu i kalimit plotësisht në “Bashkimin e Kombit në një shtet të vetëm”! Kjo rrugë, ndonëse e vonuar, mbetet përsëri një mundësi. Por ajo që mund dhe duhet të arrihet në një kohë shumë të afërt, është realizimi i një “Lidhje të Dytë të Prizrenit”, e cila do të merrte në dorë fatet e kombit për ndërtimin e shtetit. Lidhjen e Parë të Prizrenit nuk e pengoj gjendja e copëtuar në katër sanxhaqe, ku na kishte “stacionuar” pushtuesi otoman. Aq më pak mund të ndodhë kjo me “Lidhjen e Dytë” të ditëve tona. A nuk është vetë BE që po mundohet të krijojë një si punë “unioni” me shtetet e Ballkanit pereëdimor, si paradhomë e hyrjes në BE?!
Lidhja e Parë e Prizrenit, me gjithë sakrificat e patriotëve tanë, për rrethana historike dështoi në misionin final, Bashkimin Kombëtar. Por “Lidhja e Dytë”, nëse realizohet sot, ka kushte e rrethana optimale për të mos dështuar. Jam i sigurt se, nëse realizohet kjo Lidhje, me atdhetarizmin e Lidhjes së vitit 1878, suksesi do të ishte i plotë. Në këtë rast, shqiptarët do të arrinin të ngrinin shtetin e tyre legjitim dhe me autoritet, si në vitet e lashta të Teutës e të Gentit, ku vendasit ishin zotër të trojeve që u kishte blatuar natyra bujare.
DITA