NGA NEKTARI I VARGJEVE LIRIKË TË VITEVE ’90-të

08/06/2020 08:11

NEKTAR POETIK

 

Nga Arben DUKA

 

NGA NEKTARI I VARGJEVE LIRIKË TË VITEVE ’90-të

 

Veç ty…

Me shpirt t’i fala pa ngurim,
veç ty çdo gjë që pata,
me ty e shkurtër më është dita,
dhe më e shkurtër nata.

Në gjirin tënd të ëmbël gjeta,
dhe lule-dhe polen,
me ty e shkurtër më është jeta,
po vdekja kurrë s’më vjen…

Malli im…

Të rënda janë malet e thepisur,
dhe rërë e oqeanit pambarim,
i rëndë është fati-thes i grisur,
po jo si malli im.

I hidhur është helmi i nepërkës,
e hidhur gotë e mbushur me pelin,
e hidhur është ikja e një foshnje,
por jo si loti im…

Ti nuk e di…

Ti nuk e di se sa të dua,
ti nuk e di se ç’je për mua,
o ylli im në kraharuar,
për ty unë vdes duke kënduar.

Ti nuk e di-po e di unë,
se ç’do të thotë zjarr e furtunë,
dhe kohë s’kemi as për gjumë,
se jeta është e shkurtër shumë.

O ylli im në kraharuar,
për ty unë vdes duke kënduar!

Për Prokop Zisin…

Miku im që s’ta ndjej më,
atë shpirt e atë zë,
miku im që kurrë s’flije,
si m’u trete nëpër yje?!..

Ç’të të them e ç’të më thuash,
ti ike që të mos vuash,
unë mbas teje mbeta gjallë,
të mbytem në këtë mall.

Të vuaj si Jezu Krishti,
gjersa të më dalë shpirti…

I pasur s’jam…

I pasur s’jam e s’të jap dot,
flori e xhevahirë,
i pasur s’jam-po s’qaj me lot,
se jam njeri i mirë.

S’të fal flori e xhevahirë,
po ti mos më vur faj,
se sot të gjesh njeri të mirë,
nuk është aspak kollaj.

Po ti mos qaj!…

Burime rodhën sytë e tu,
dhe lotët u bënë lumë,
burime rodhën sytë e tu,
se ishim dashur shumë.

Po ti mos qaj për dashurinë,
e dhimbjeve të mia,
se ti-o yll-në të vërtetë,
je vetë dashuria.

Po ti mos qaj për dashurinë,
për drithërimn’ e saj,
se dashuria-dashurinë,
jo-kurrë s’mund ta qajë!

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode