NEXHMEDIN SPAHIU NË NDIHMË TË SHOVINIZMIT SERB, ME DASHJE... APO PA DASHJE?
24/04/2023 05:23
OPINION
NEXHMEDIN SPAHIU NË NDIHMË TË SHOVINIZMIT SERB, ME DASHJE... APO PA DASHJE?
NGA YLLI MEÇE
Duke ndjekur një emision televiziv prej kanaleve private te një Tv të Kosovës u befasova nga qëndrimi dhe shpjegimet që jepte z. N. Spahiu lidhur me kombin dhe fenë. Madje, ai arrinte deri në atë pikë sa që “Kosovën ta quaj komb më vete”. Edhe pse ai merr pozat dhe rrëmben flamurin e “nacionalistit të flaktë” me deklaratën e tij e dëmton shumë rëndë çështjen tonë të përbashkët kombëtare. Kur shprehem me nocionin “çështje e përbashkët kombëtare” kam parasysh se si Shqipëria e Kosova apo dhe trojet e tjera që i janë rrëmbyer padrejtësisht Shqipërisë nuk kanë aspak dhe absolutisht, madje dhe as që duhet të kenë qëndrime të ndryshme, sepse për shqiptarët ka dhe do te ketë “NJË E VETËM NJË, KOMB SHQIPTAR”. Të pretendosh se Kosova është “komb më vete” do të thotë që t’u heqësh atyre formimin historik nder shekuj, përkatësinë etnike që është vazhdimësia e shpirtit të tyre përqark territorit me tokën amë, t’u heqësh shqiptarëve të Kosovës gjuhën, doket, zakonet, ritet, kulturën, të cilat janë pikërisht këto e vetëm këto tipare të një populli të vetëm që formojnë këtë komb, por dhe që e bëjnë atë të dallueshëm nga të tjerët. Por “teoria e dy kombësive shqiptare” është një teori të cilën asnjë shqiptar qoftë dhe ai më indiferenti atdhetar nuk do e pranonte përveçse”çetnikëve”, “UDB”- shëve dhe reaksionarëve shovinistë të Serbisë që ende dhe sot nëpër skutat e errëta qajnë me ulërimë për humbjen e “Nashu Kosovo”. Të jetë aq i paditur z. Spahiu që të ngatërrojë nocionin shtet me komb?! Edhe shteti është e natyrshme që veprimtarinë e vet e shtrin “në një territor te caktuar, mes kufijve të caktuar”, që do të thotë se në rrethana të caktuara historike ai mund të jetë cunguar (sikurse u cunguam ne me 1913-tën nga Fuqitë e Mëdha të Evropës). Vërtetë, shteti është si një tërësi institucionesh drejtuese e sunduese e që shtrin veprimtarinë e vet në territor, por, ja që pjesë të kombit tonë ende dhe sot ndodhen jashtë shtetit shqiptar, apo dhe anasjelltas deri në vitet e para shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë turke, por, kjo s’do të thoshte se shqiptaret ishin turq, me qenë se u myslimanizuan forcërisht. Më 1939-tën Shqipëria u pushtua nga Italia dhe fashizmi e bëri bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por, dihet se paria e vendit shkoi dhe i dha “Kurorën e Skënderbeut” mbretit italian duke u bërë pjesë e mbretërisë së Italisë, mos, vallë, ne që na futen me forcë brenda kësaj mbretërie do quheshim”latinë”? Po kështu vepruan dhe nazistët gjermanë. Ata, madje, vendosën dhe në qeverinë kuislinge shqiptarë nga trojet tona sikurse bënë me R. Mitrovicën, Xh. Devën etj. Pavarësisht pushtimit, fashistët duke e ditur dhe njohur mirë se “Dardania” historikisht ishte tokë shqiptare, për ta bërë të pranueshëm pushtimin i mikluan shqiptarët me ”marmelatën e nacionalizmit kombëtar” dhe shumë shqiptarë, asokohe, ranë preh e kësaj propagande mikluese. Por, në fund të fundit, fashistët nuk u bënë gjë tjetër sepse te ne (në Kosovë) u ndërrua vetëm pushtuesi nga ... në italian apo gjerman. Shembujt e mësipërm shërbejnë për të kuptuar më drejt nocionin “komb” dhe dallimin nga nocioni “shtet”. Po, pse Serbisë i intereson që Kosova të quhet komb dhe pse në Tv. Nexhmedini ngre problemet e përkatësisë fetare. Nëse Kosova do konsiderohet “komb” më vete , atëhere, kjo do të thotë se kosovarët e Dardanisë nuk janë aspak shqiptarë, por dhe gjeografikisht toka e tyre (jonë) nuk konsiderohet më si vazhdimësi e jetës historike te këtij trualli me Shqipërinë, pra Nexhmedini indirekt bën thirrje që as Shqipëria s’ka pse të këmbëngulë nga pikëpamja nacionale bashkimin e gjithë trojeve shqiptare, por nga ana tjetër i le hapësirë orekseve shoviniste të Serbisë D. Mihajlloviçit, K. Peçanakut që nëpërmjet A. Vuçiçit të ri kërkojnë përsëri Kosovën. Dhe, nuk është e rastësishme që reaksioni serb aktualisht po këmbëngul kaq shumë, sepse, sa të ketë altoparlantët e vet si puna e Nexhit apo ndonjë tjetri nëpër televizionet tona, domosdo, që do u ringjallë shpresat për ta rimarrë Kosovën. Pse, mos, vallë, kot doli nga goja e Vuçiçit shprehja ”Ne do të kthehemi përsëri në Kosovë”?!.. Në diskutimet e tij, ai gjen rastin të hedhë baltë mbi kryengritjen e rinisë studentore të Kosovës në pranverën e vitit 1981, e cila u shtyp me zjarr e hekur nga egërsia serbe, duke u shprehur se kjo lëvizje masive, kjo kryengritje udhëhiqej nga idetë e E. Hoxhës dhe ndaj nuk fitoi, sepse, kur ne u mbështetëm te Amerikanët, më 1999-tën, atëhere, fituam (citimi i tij). Mjerani nuk e kupton se dhe pa qenë E. Hoxha, shpirtin kryengritës të një populli të pushtuar, kurrsesi, s’mund ta mbash të lidhur nën vargonjtë e skllavërisë. Ideja se lirinë Kosovës ia fali Amerika , është e gabuar dhe tejet nënshtruese. E vërteta është se në fillesat e para, Amerika dhe vetë Evropa, nuk e donin luftën e bijve tanë në Kosovë dhe këto, që të mos bie në përsëritje të artikujve të mëparshëm, janë të dokumentuara. Amerika ndërhyri kur e pa që ishte një fenomen i parikthyeshëm mbrapa. Sigurisht, që, s’duhet mohuar që ata “ndihmuan”, por, më shumë për interesa të veta, duke i dërguar mesazhe të qarta Rusisë... ”këtu janë kufijtë e influencave tona strategjike” Po, a do fitonte Kosova pa Amerikën? Sigurisht që po dhe në mënyrë të padiskutueshme. Natyrisht, lufta do ish më e gjatë, do kishim më shumë dëshmorë djegie shkatërrime, por, dhe urrejtja do bëhej edhe më e madhe. Nexhi ...! Janë ligje të luftës këto që s’janë as në dorën tënde dhe as në timen. Por, nga ana tjetër, këto ide të tuajat i shkojnë për shtat Serbisë, sepse, ajo, me këtë rast, deklaron se ne Kosovën na e mori Amerika (sikur te ish një plaçkë tregu kjo toka jonë), se, po të ish për ju... do ju kishim ende nën pushtimin tonë, ndaj dhe ne do të vijmë përsëri aty. Kështu që unë ju pyes me cilët jini ju z. Nexhmedin, a nuk e kuptoni se me këtë rast ose nga padituria e juaj (që unë nuk e besoj te jini i tillë) ose nga djallëzia e juaj (këtë e besoj më shumë), ju i shkoni në mbështetje shovinizmit serb? E, ç’do të donte më shumë Serbia se sa një tellall nëpër Kosovë. Ju pyes, po sikur të mos kish fare Amerikë, si do bënin dardanët shqiptarë të Kosovës, do t’i luteshin Allahut t’u falte lirinë pa luftë?!
SOT