NËNTORI DHE GJAKPRISHURIT

22/11/2019 07:30

OPINION

 

 

NËNTORI DHE GJAKPRISHURIT

Nga Shaqir VUKAJ

 

Madhështia e Luftës Nacional Çlirimtare, krahas tjerave, qëndron në faktin se për herë të parë, mbas Skënderbeut, shqiptarët, nën thirrjen madhore patriotike, “Pa dallim feje, krahine e ideje” u bashkuan, nga Jugu në Veri dhe luftuan në mënyrë të organizuar,  me një udhëheqje, Shtabin e Përgjithshëm të Luftës Nacional Çlirimtare, por që shërbeu njëkohësisht për edukimin e rinisë, për emancipimin e femrës shqiptare, për lidhje e forcimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve etj.

Nga ana tjetër, madhështia e saj qëndron në faktin se ajo na bashkoi me Frontin e madh Antifashist që udhëhiqej nga Britania e Madhe, Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte ajo luftë e bashkimi me koalicionin antifashist që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm që kishin përgatitur armiqtë tanë…

Nuk duhet harruar se ishte pikërisht ajo luftë dhe kontributi i popullit tonë që u imponoi Fuqive të Mëdha të asaj kohe, të njohin faktorin shqiptar dhe kontributin e tij. Vërtetë ne ishin popull i vogël, as 1 milion banorë, por me një ushtri prej 70 mijë partizanësh siç ishte Ushtria Nacional Çlirimtare në nëntor të v.1944, me 28 mijë të rënë në atë luftë, kontributi ynë në raport me popullsinë ishte si i pak vendeve e popujve të Europës.

Vërtet në takimet e Tre të Mëdhenjve, në Teheran, Jaltë e Podzdam, Shqipëria nuk u zu me gojë, por kur u bë bilanci i asaj Lufte të Përgjakshme Botërore, ata e panë se kishin gabuar me Shqipërinë dhe ndryshuan qëndrimin ndaj nesh…

Ishte ajo Luftë e jashtëzakonshme e popullit që na bëri të shkojmë kryelartë e me dinjitet në Paris, në Konferencës e Paqes, në verën e v.1946, aty ku bëhej gjyqi i madh i historisë, jo të jepnim llogari, jo të lypnim lëmoshë, por të kërkonim atë që na takonte dhe që e kishim fituar me luftë, me gjakun e bijve tanë.

Si nderohen antifashistët në Europë

Kudo në botë përkujtohet fitorja mbi nazi fashizmin, madje në raste përvjetorësh me madhështi e festime të jashtëzakonshme. Kudo respektohen veteranët, ata që bënë luftën, pa folur për nderimin e respektin e jashtëzakonshëm për ata që dhanë jetën.

Në ShBA dhe Britani të Madhe data 11 nëntor është shpallur zyrtarisht si Dita e Kujtesës për të rënët për Atdhe, e njohur ose si dita e Lulëkuqeve dhe dita e veteranëve, ku miliona njerëz, bëjnë homazhe në varreza, para përmendoreve, monumenteve, busteve etj. Po kështu në shumë vende të botës, janë përcaktuar data zyrtare si Ditë Kujtese për të rënët dhe veteranët.

Për çdo komb të qytetëruar, dëshmorët janë lavdia e krenaria e tyre, ndër vlerat më të çmuara që nderohen nga të gjithë, pavarësisht nga bindjet ideologjike. Në librat e historisë, enciklopedi e botime të ndryshme, atyre u kushtohet vend i veçantë. Megjithëse po bëhen 75 vjet nga përfundimi i saj, vazhdojnë të shkruhen libra, monografi, të botohen dokumente, të xhirohen filma etj për ta. Kudo neper sheshet e kryeqyteteve e qyteteve të Europës, e më gjerë, sheh monumente, buste e pllakate në kujtim të tyre. Sheshe, rrugë, shkolla e institucione që mbajnë emrat e tyre.

Në shumicën e vendeve demokratike europiane ka institucione shtetërore, institute, qendra studimore, organizate shoqërore etj. që merren me problemet e të rënëve për atdhe. Kudo neper këto vende kanë hartuar libra nderi apo të artë, siç i quajnë disa studiues, me listat e plota e të dhënat kryesore për dëshmorët e tyre… Dhe jo vetëm për të rënët, por për të gjithë ata që morën pjesë në luftë e dhanë kontributin e tyre, luftuan me pushkë apo me mënyra tjera për lirinë e vendit të tyre.

Në Bolonjë, në muret e bibliotekës së qytetit shkruhet:  Emilia Romano 3 milionë banorë, luftuan 14425 partizanë, u vranë 2059 vetë, u plagosën 954 vetë, u arrestuan 6543 vetë, u pushkatuan 2350 vetë, vdiqën në kampet e përqendrimit 829 vetë. Fshati Lidice, afër Pragës, i djegur nga gjermanët si Borova jonë, ku u vranë të gjithë 172 meshkujt, fëmijë e pleq, është kthyer në vend pelegrinazhi për miliona njerëz. Neper qytete e fshatra në Gjermani sheh memorialë e pllaka përkujtimore pa fund, kushtuar ushtarëve aleatë të vrarë aty, madje kudo rrethuar me lule. Në Paris një stacion metroje mban emrin Gi Moke, të një djali 20 vjeçar, i cili para pushkatimit shkroi një letër, njëlloj si ai i riu shqiptar, që një natë para pushkatimit në kampin famëkeq të Prishtinës, shkruante:

“Vritet nga gjermanët Nuri Bushati nga Shkodra. 17 vjeç. Lulëzofsh Atdheu im”.

 

Paradoksi shqiptar

Dhe kur u bë President i Francës, Sarkozi, rekomandoi që letra e Gi Mokesë t’u lexohej nxënësve në të gjitha shkollat franceze. E pra Sarkozi ishte i djathtë, e djaloshi francez komunist. Ndërsa tek ne, njëri nga presidentët pati dekoruar atë që arrestoi dhe çoi para togës pushkatimit Nuri Bushatin, madje para do kohësh, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i dha titullin Qytetar Nderi …

Por Europa demokratike, sa e angazhuar është për të nderuar e respektuar ata që luftuan kundër pushtuesve nazi fashistë e për ata që dhanë jetën në luftë, aq e egër dhe e pamëshirshme ka qenë dhe është kundër kolaboracionistëve e atyre që bashkëpunuan me pushtuesit. Ende pa mbaruar lufta, disa qeveri në emigracion të vendeve të pushtuara, përgatitën bazën ligjore për dënimin e tyre, pa folë për grupet e rezistencës që kishin përgatitur listat përkatëse me emrat e tyre.

Dhe mbi këtë bazë shumica dërmuese e tyre, morën dënimin e merituar. Sipas të dhënave zyrtare, në këto vende, në periudhën 1945-1955, janë zhvilluar qindra mijëra procese gjyqësore. Në Francë janë zhvilluar 170 mijë procese gjyqësore, ku janë dënuar 120 mijë vetë, nga të cilët 4785 me vdekje, pa përmende 4500 të tjerë të ekzekutuar me gjyqe të shpejtuara nga partizanët francezë. Shifrat franceze flasin për mbi 20 mijë kolaboracionistë të ekzekutuar me gjyqe të rregullta, gjyqe të shpejtuara apo pa gjyqe. Si kolaboracionistë, u dënuan heroi i Luftës Parë Botërore, mareshali Peten dhe kryeministri Pjer Laval.

Në Holandë janë dënuar me vdekje 200 vetë, 5000 vetë me burgim të përjetshëm dhe 600 të tjerë deri në 5 vjet burg. Ndërmjet të dënuarve me vdekje ishte ish kryeministri dhe disa ministra të qeverisë kuislinge.

Në Norvegji, megjithëse një popull me rreth 3.3 milionë banorë, u dënuan 37150 vetë, nga të cilët 60 vetë me vdekje, ndërmjet të cilëve ish kryeministri Kuisling, i cili u ekzekutua në sy të turmave që kërkonin me insistim të shihnin vdekjen e tij. Në Danimarkë u arrestuan 20 mijë vetë, nga të cilët 78 u dënuan me vdekje, 62 me burgim të përjetshëm dhe 3641 me mbi 4 vjet burg. Në Belgjikë u dënuan 31831 vetë, nga të cilët 42 me vdekje, rreth 2 mijë vetë me burgim të përjetshëm, ndërsa 5000 të tjerë me burgim nga 10 deri në 20 vjet. Në Austri janë dënuar 13600 vetë nga të cilët 43 me vdekje. Kështu mund të vazhdohet për të gjitha vendet e Europës, por unë përmenda disa prej atyre që konsiderohen ndër më demokratiket…..

Siç thotë një fjalë e urtë, shifrat janë kokëforta.

Dua të theksoj, dhe kjo është më e rëndësishmja, deri më sot, në asnjë prej këtyre vendeve, kolaboracionistët nuk janë rehabilituar. Për këta vende dhe popujt e tyre, ata kanë qenë dhe mbeten tradhtarë të Atdheut dhe askush nuk merret me ta, si rruga më e mirë e më e drejtë për ti zhytur në errësirën e harresës… Dua të kujtoj se në kohën e sotme, në shumicën e vendeve të botës, kolaboracionizmi cilësohet si tradhti kombëtare.

 

Rehabilitimi i kolaboracionistëve dhe shpikësit e “luftës civile”

Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku sulmohet Lufta Nacional Çlirimtare, ku sulmohen partizanët, ata që çliruan Shqipërinë, mallkohen të rënët për atdhe… ku himnizohen, heroizohen e dekorohen tradhtarët, kolaboracionistët e bashkëpunëtorët e pushtuesve nazi fashistë, madje u ngrihen monumente e buste. Nuk gjen vend në Europë si Shqipëria, ku historia falsifikohet haptazi, në dritë të diellit. E mbani mend si u ndryshua data e çlirimit të Shqipërisë brenda pak minutash nga Kuvendi Popullor në v. 1992, veprim i pa dëgjuar në asnjë vend të botës, që parlamenti të caktojë ditën e çlirimit.

Një ndër shpikjet e falsifikatorëve e armiqve të Luftës Nacional Çlirimtare ishte e ashtuquajtura Luftë Civile në Shqipëri.  E për të justifikuar bashkëpunimin me pushtuesit, shpikësit e saj, thonë e shkruajnë se ata, ju kundërvunë Lëvizjes Nacional Çlirimtare sepse donin të luftonin komunizmin. Përralla e broçkulla që nuk i besojnë as vetë ata që i thonë. Antifashizmi dhe antikomunizmi janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.  Nuk gjen kund më antikomunist se Çërçilli, por kur erdhi puna për të luftuar fashizmin, ai jo vetëm u bashkua me Stalinin, por u lidh aq fort me të, sa për shumë probleme këshilloheshin bashkë (lexoni kujtimet e tij dhe do të bindeni…).

Në Francë dhe kudo neper Europë luftonin bashkë komunistë, demokratë, republikanë, mbretërorë, socialdemokratë, anarkistë etj. me të vetmin qëllim, të çlironin vendet e tyre. Në Shqipëri, në krye të luftës u rreshtuan komunistët që e udhëhoqën atë deri në fund dhe kjo është meritë e tyre. Por ata mijëra shqiptarë që morën pushkët e dolën malit për liri, nuk i morën për të instaluar atë sistem që do i zhgënjente më vonë, sepse shumica dërmuese e tyre nuk e kishin as idenë se ç’ishte komunizmi. Ata luftuan për të shporrur pushtuesin. Ndërsa Balli e kolaboracionistët e tjerë bashkëpunuan me pushtuesin. Kjo është historia. Tepër e thjeshtë e tepër e qartë.

Sigurisht, që të ashtuquajturën Luftë Civile, këtë sajesë të pinjollëve biologjikë të kolaboracionistëve e bashkëmendimtarëve të tyre ideologjikë, nuk kanë arritur ta vërtetojnë, me gjithë gënjeshtrat e të pavërtetat që thonë e shkruajnë. E kjo, sepse në radhë të parë bien në kundërshtim të plotë me ato që kanë përcaktuar institucionet e specializuara ndërkombëtare, e që përcaktohen qartë në Konventën e Gjenevës, ku thuhet se, në një vend të pushtuar, nuk mund të ketë Luftë Civile, sepse, në se aty luftohet, lufta mund të zhvillohet kundër pushtuesit, pavarësisht zënkave, grindjeve apo përleshjeve me armë që mund të zhvillohen midis fiseve apo grupimeve rivale, që shpesh nxiten e mbështeten nga pushtuesi. Ata kanë përcaktuar 213 luftëra civile të zhvilluara në botë. Por ata nuk përmendin asnjë luftë civile të zhvilluar në vendet e pushtuara nga nazifashistët, për më tepër në Shqipëri. Përkundrazi, në shumë libra historie, enciklopedi e studime të tyre për Luftën e Dytë Botërore në Ballkan e në Shqipëri, luftën tonë e kanë përcaktuar qartë si Luftë Antifashiste Nacional Çlirimtare e Popullit Shqiptar...

 

E vërteta për Ballin Kombëtar

Kudo në Europë pushtuesit kanë gjetur bashkëpunëtorë, por e veçanta shqiptare është se në shërbim të pushtuesve u vunë shumica e atyre që konsideroheshin si elita e Shqipërisë.

Është shkruar e folur shumë për Ballin Kombëtar e rolin e tij në këtë Luftë. E pinjollët e ballistëve vazhdojnë të shkruajnë edhe sot për gjoja luftën që paska bërë Balli.

Do sjell dy shembuj, se çfarë kanë shkruar ministrat e fashizmit Ernest Koliqi e Kol Bib Mirakaj për Ballin Kombëtar.

Ja çfarë i shkruante Ernest Koliqi në letrën e dt18.7.1952 Karl Gurakuqit për ballistët:

“I shpallin botës se jemë qenë fashista. Po kush e ka mohue? Permendin Shefqet Verlacin pse i biri bashkëpunon me ne. Mos të qëndronte me ne, do ta zdhidhshin edhe atë fajesh, si Mustafa Krujën që iu përul Zogut, Hasan Dostin pse u nënshkrua me Ballin. Si njëqind të tjerët që u kërtylën në të mira, në kohën e Italisë dhe sot i bien mohit. Të gjithë kanë veshë devizë fashiste dhe i kanë shërbye rregjimit, sot të shamë, deri në ditën e fundit. Asnjani nuk dha dorëhjekje. Patriotizmi i tyne filloi kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri atë ditë na u këvyrshin e na durtrokisnin

Ndërsa Kol Bib Mirkaj, në librin “Vetëvrasja e një kombi” botuar në v.2013 shkruan për luftën e Ballit:

“Po, kanë ba disa aksione sporadike me ndonjë grup ushtarësh talianë të mbetun të izoluem, sidomos mbas mbas 25 korrikut 1943, kur Musolini ishte burgosur, pra kur fashizmi kishte ra edhe në Itali, dhe dalja e Italisë së shpejti nga lufta shifej si fakt i pa evitueshëm. Atëherë po, disa prej tyne kanë guximin ta quejnë veten puritanë, superpatriotë dhe ne të tjerëve tradhtarë, kanë kapë pushkën e së bashku me pixhame e pantofla na dolën ilegalë kundër fashizmit që nuk ekzistonte ma” (fq.61-62)

Ndërsa në letrën drejtuar Abaz Ermenjit, figurë e rëndësishme e Ballit Kombëtar, në gusht 1967, Kol Bib Mirakaj i shkruante:

“Keni kalue në anën tjetër kur Boshtit filloi ti rrjedhë kazani, kur u pa se kazani po shterrej, për me mujtë me e nxjerrë veten si puritanë filluet ta ndani kombin në fashista e kolaboracionista me të huejtë, me okupatorin, tue e cilësue veten si superpatriotë. Na queni ne kolaboracionista me të huejtë, me okupatorin, as e kemi mohue, as nuk kemi ndërmend të fshihemi siç po bajnë disa prej jush, se kishit bekimin e Mithat Frashërit me bashkëpunue me fashista, gjoja me sabotue. Ne nuk e mohojmë bashkëpunimin tonë me Italinë Fashiste, për rrjedhim me Boshtin Romë-Berlin. Por asnjë prej jush mos e mohoni bashkëpunimin tuej. Edhe ju bashkëpunuet me të huejtë, madje jeni mburrë për atë bashkëpunim, pra kolaboracionista kemi qenë të dy palët….

Ju e pranuet gjendjen de facto të imponueme nga rrethanat që u thanë, e pranuet, qysh pa kurrfarë hezitimi bashkëpunuet me neve dhe u batë anëtarë te Partisë Fashiste. Mbajtët nenpunësinë dhe fituet të tjera, të reja, nënpunësi deri në shkallë të ministrave, mandej edhe Ministër i Partisë Fashiste Shqiptare, ashtu si unë”.

Më qartë e më shqip nuk thuhet.

 

“Tradhtarët patriotë”

Ndërsa për bashkëpunimin me gjermanët, janë pa fund dokumentet që e vërtetojnë më së miri, së pari ato gjermane, por do përmend vetëm një letër të Komandës së Xhandarmërisë Shkodër të dt.6.1.19944, drejtuar Komandës së Përgjithshme ku thuhet:

“Situata politikisht asht e pëlqyeshme, mbasi ngjarjet që zhvilloheshin në qytet janë ndalue. Në këto ditët e fundit, aktiviteti i Partisë Nacional Çlirimtare asht shumë i pakët, mbasi të gjitha organizatat janë largue nga qyteti me ardhjen e regjimentit “Kosova”, që në bashkëpunim me Ballin Kombëtar kanë mujtë me përmirsue situatën”

Për ta mbyllur me këta “Tradhtarë patriotë” siç i quante historiani Litlehojn në librin “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar nga Gjermania”, dua të kujtoj se ç’farë i shkruante nga Shqipëria, Gjenerali anglez Dejvis, Komandës Aleate në v.1943:

“Këta njerëz janë mësuar të bëjnë rolin e kuislingut me turqit, me italianët, me gjermanët, e tani përpiqen të bëjnë këtë rol edhe më ne, prandaj rekomandoj tu bëhet atyre edhe një paralajmërim i fundit, se mbas lufte, do të dalin para gjyqit si kriminel lufte”.

Disa prej nesh, për të ardhur këtu, kaluam neper Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe pamë mrekulli, një shembull e model se si nderohen e respektohen të rënët për Atdhe. Një gjë shumë e bukur, kuptimplote, kombëtare, edukative e patriotike, që bën krenar këdo që i thotë vetes shqiptar. Shpresojmë që kjo të jetë ndjesë e shenjë pendimi për atë veprim të mbrapshtë, kur u tentua të rehabilitohej Mid’hat Frashëri, veprim i pa dëgjuar në asnjë vend të Europës, ku deri më sot, nuk është rehabilituar asnjë kryetar organizate apo partie që ka bashkëpunuar me pushtuesit.

Hijeshimi i Bulevardit në këtë mënyrë, le të jetë një shenjë e mirë dhe nismë pozitive që na jep shpresë ne, si Organizatë e Dëshmorëve të Atdheut, se do të rritet vëmendja e kujdesi për Dëshmorët e Atdheut dhe do të kemi më shumë ndihmë e mbështetje nga qeveria.

E them këtë sepse vërtetë ne shqiptarët e respektojmë vdekjen si pak popuj në botë, por kur vjen puna për ata që kanë dhënë jetën për Shqipërinë, jemi larg respektit e kujdesit që tregojnë popujt e Europës. Mjafton të shkosh në varrezat e dëshmorëve e të shohësh në ç’gjendje janë, të shohësh bustet e monumentet e tyre, gjendjen e mjerueshme të disa familjeve të Dëshmoreve.  Vetëm në Shqipëri ndodh të hiqen monumentet e bustet e dëshmorëve, tu hiqen emrat e tyre rrugëve, shkollave, shesheve e institucioneve shtetërore, dhe këto të bëhen zyrtarisht nga pushtetarët. (Është tjetër gjë shkatërrimi që u bë në fillim të viteve 90- nga turma të çoroditura).

Nuk ndodh askund që Dëshmorët të fyhen e të mallkohen si në Shqipëri. Nuk dua të ndyj gojën e të parmendë emra, por ja çfarë shkruan një ish kuadër i para viteve 90-të, dhe Sekretar i Këshillit të Ministrave mbas viteve 90-të, në një libër paçavure:

“Dëshmorët janë faqja e zezë e kombit…   dhe në këtë kategori unë do të përfshija edhe Qemal Stafën”. Të njëjtën gjë, përsëriti ditët e fundi një bashkëmendimtar i tij, por në mënyrë më të stërholluar për Qemal Stafën, por që fatkeqësisht është nëpunës i kësaj qeverie.

Qemal Stafa është i paprekshëm, i paarritshëm për idealizmin, patriotizmin, zgjuarsinë, talentin e trimërinë, e që u vra si burrat, me pushkë në dorë, prandaj është e do mbetet simbol i përjetshëm. Të mallkosh Qemalin është njëlloj sikur të mallkosh të gjithë Dëshmorët e Shqipërisë, të të gjitha kohërave.

Por në Shqipëri ndodh edhe më keq. Ka prej atyre gjakprishurve që arrijnë deri aty sa Dëshmorët i quajnë kriminelë, sigurisht që janë pak, me gishta, por fatkeqësia është se gjejnë vend në zyrat e shtetit dhe paguhen nga qeveria me paratë tona, madje për të botuar edhe libra, gjë, që nuk e ka ber asnjë qeveri.

Flasim e shkruajmë për dhjetëra mijëra dëshmorë, por askush nuk mund ta thotë me saktësi sa Dëshmorë kemi, sepse askush, asnjë qeveri, që nga krijimi i Shtetit Shqiptar, nuk është marrë seriozisht me këtë problem. Ka historianë që thonë se nga Lidhja e Prizrenit deri më sot, kemi rreth 50 mijë të vrarë, që mund të quhen pa frikë Dëshmorë të Atdheut.

Kemi mijëra të vrarë për Shqipërinë që nuk i përmendë askush e që duhen nxjerr nga terri i mbuluar padrejtësisht, e mos të shkojnë gjak hupë si thotë populli. Do sjell një shembull të thjeshtë. Në saj të punës tonë si organizatë, kemi gjetur dhe plotësuar dokumentacionin e duhur, për 271 të vrarë në Kryengritjen e Malësisë së Madhe të v.1911 dhe presim që së shpejti të marrin statusin e Dëshmorit. Të tillë kemi me dhjetëra mijëra, në të gjithë Shqipërinë, por kemi në Kosovë, në tokat shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi e Çamërisë. Është detyra e jonë të punojmë, t’i gjejmë e t’u japim vendin që meritojnë, e t’i vendosim në piedestalin e Dëshmorëve të Atdheut.

Sistemimi i të gjitha problemeve që lidhen më Dëshmorët kërkon një institucion shtetëror, të organizuar, me specialistë, historianë e njerëz të përkushtuar. Prandaj po përsëris edhe një herë propozimin që i kemi bërë Qeverisë e Kryeministrit për ngritjen e një institucioni të tillë.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode