NË MITROVICË ËSHTË DETONATORI, NË DUART E FRANCEZËVE, SERBËVE DHE RUSËVE!

28/04/2021 23:25

OPINION

 

 

NË MITROVICË ËSHTË DETONATORI, NË DUART E FRANCEZËVE, SERBËVE DHE RUSËVE!

Afrim MORINA

 

           

Me datën 17. 1. 2017 kam dhënë një intervistë për Klan Kosova, për temën e ridisenjimit të kufijve në Iliridë (Ballkan). Ditëve të fundit, pasi doli në qarkullim një hartë, që, ngërthente në vete thelbin e intervistës së dikurshme, e njëjta gazetare, Blerta Ahmeti, tash në “Albanian.Post”, më mori në intervistë për të parë se çfarë mendoja. Shumë gjëra që i kam thënë në intervistë, por, pasi që më thelbësoret nuk u dhanë për publikun, ndoshta, për shkak të minutazhit që e kishte ndarë me Kryeredaktorin e “Delo-s”. Mu për këtë, për hir të lexuesve të mi dhe të opinionit shqiptar, po e bëj këtë analizë, për ta përfshirë gjithë atë që u tha në intervistë, e, që, nuk keni pasur mundësi ta dëgjoni.

Në fillim, gazetares i them se harta e cila qarkullon në mediat e informimit, pa marrë parasysh ku është publikuar më parë, është produkt i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Serbisë. Vetë, pozita gjeopolitike dhe gjeostrategjike që zënë territoret shqiptare, ua shton lakminë shteteve përreth dhe shteteve mbështetëse të tyre, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, interesi i SHBA-ve. Pra, territoret tona janë një zonë tampon në mes të dy botëve, asaj të Lindjes dhe Perëndimit. Territoret tona, ndajnë dy mentalitete dhe kjo e bën edhe më të lakmuar këtë pjesë të Evropës. Për ta konstatuar një gjë të tillë, është fakti se në hartë veriu i Kosovës është i përfshirë nën Serbi. Mirëpo, për të qenë më bindës për këtë, do të flas për historikun e hartave shqipatre që u gjendën në zyrat apo tavolinat e qendrave të vendosjes.

            Që nga Kongresi i Berlinit e këtej, gjithnjë, Fuqitë e Mëdha, hartën e trojeve shqiptare e kanë pasur në tavolinë për t’u kusuritur ndërvete. Kjo ndodhi pasi franko-gjermanët e krijuan gjuhën e re greke dhe caktuan një përandor gjerman, duke e vendosur në fron të Athinës, me veshje kombëtare shqiptare, sepse, deri atëherë, 1822 (për pesëmbëdhjetë vjet) Athina frymonte shqip, fliste shqip dhe qeverisej shqip. Kjo ndodhi edhe në Konferencën e Paqes, në Paris, pas LDB, nga planet greke, që gjetën mbështetje të madhe aq sa Shqipëria londineze ish-anëtare e Ligës së Kombeve, për pak sa nuk u shly nga harta gjeorgafike.

            Shqipëria kishte tri kohë, në krye të së cilave ishin Abdyl Frashëri, Ismail Qemali dhe Enver Hoxha, që, mbi të gjitha, mision të vetin e kishin çështjen kombëtare shqiptare. Në të tri kohët u derdh gjak, për ta ruajtur kombin dhe territoret.

            Konferenca e Londrës ishte më kobzeza, nga e cila lindën shumë teori për përvetësimin e tokave shqiptare nga serbomalazezët, të mbështetur nga sllavët dhe pansllavistët, në krye me Francën. Në këtë Konferencë patëm një fat, se ajo mori vetëm një vendim, që, Ulqini, pas nëntëdhjetenëntë vitesh t’i kalojë Shqipërisë, ndërsa, veprimet tjera që u ndërmorën, gjoja në frymën e kësaj Konference, ishin veprime pushtuese, ku, gjithë shtetet e Perëndimit, edhe SHBA-ja, gjoja për ta ndëshkuar Perandorinë Turke, terriotoret shqiptare i ndanë në shtetet fqinje, Serbi, Bullgari, Mal të Zi dhe Greqi.

            Serbia, Bullgaria dhe Greqia, asnjëherë, nuk u ndalën së vepruari, vetëm kanë pritur momente të caktuara për të vepruar. Pas dështimit të Greqisë në Konferencën e Paqes, në Paris, doli ideja për Verio Epirin, të cilën u mundua ta realizojë në vitin 1949, por, aty mori goditjen, ndoshta, më të madhe në histori nga shteti shqiptar. Ndërsa, Jugosllavia e krijoi Maqedoninë si njësi artificale për t’i pasur nën kontroll shqiptarët, dhe, më vonë, duke ia marrë Rrethit - Kosovës, Luginën e Preshevës. Kjo, për t’u qeverisur Kosova më lehtë.

            Që nga viti 1990, zgjohen ndjenja fashiste në shtete fqinje për tërritoret shqiptare, se, pas vdekjes së Enver Hoxhës, më lehtë e kanë për t’i ndarë ato sipas kutit të tyre. Për ta arritur këtë qëllim, sollën në udhëheqje të shqiptarëve, në të gjitha territoret, njerëz që ishin të rekrutuar nga sllavo-ortodoksët. Menjëherë, dolën edhe kundërshtarët shqiptarë, duke e parë se tokat tona do të përdoreshin për kusuritje gjeostrategjike e gjeopolitike.

            Kur kam folur, para katër vitesh, i kam pasur parasysh të gjitha këto, dhe, që atëherë, kam kërkuar nga lidershipi shqiptar të jenë më syçelë dhe të bashkuar për kauzën shqiptare, duke përqëndruar vëmendjen në hartat franko-serbo-ruse, serbo-ruse dhe të hartave të tjera që i mbajnë në sirtare, për t’i nxjerrë në kohën e duhur, por, që të gjitha, pikënisje e kanë Veriun e Kosovës. Doli se një hartë e tillë, për të cilën po bëhej intervista, ka gjetur një moment të përshtatshëm, pas dështimit të ndërrimit të kufijve, apo, ndërrimit të territoreve, sipas kutit serb.

Sa është serioze kjo hartë pa autorësi (zaten, projektet nuk mbajnë autorësi)? Pse dyshoj që ky projekt të jetë i Serbisë?

Serioziteti është shumë i madh dhe nuk duhet injoruar, por, burrështetasit shqiptarë duhet ta tejkalojnë veten, vendin ku kanë pushtet, ta tejkalojnë klanin apo subjektin që i ka sjellur në pushtet dhe t’i thërrasin mendjes, sepse, kombi është në rrezik! Duhet parandaluar rrezikun. Intelektualët shqiptarë, kudo që janë, duhet të veprojnë me seriozitetin e duhur kohor, mençurinë profesionale, dhe, pa i nxehur gjakrat, për ta ndihmuar kombin në këtë kohë të vështirë. Serbia, me anë të kësaj harte, jo vetëm që matë pulsin e shtetarëve kudo në botë, interesat e të gjithëve, por, edhe të qytetarëve që jetojnë brenda këtyre trojeve. Se, sa serioz është ky projekt serb, tregon fakti se ajo mundohet të përmbledh territoret të cilat i konsideron të vetat, Veriun e Kosovës dhe Bosnjën “serbe”. Ajo është “dorlirë” për shqiptarët, i jep një pjesë të Maqedonisë. E vetëdijshme se shteteve artificiale u ka ardhur fundi, dhe, nuk ka interes në atë territor. Kjo hartë, gjithë Evropës dhe Fuqive të Mëdha, u tregon se problemi shqiptaro-serb është problem kyç, për të qëndruar paqja në Evropë, porosi e bartur nga Abdyl Frashëri, Ismail Qemali e Enver Hoxha, e, tash, e thotë Serbia përmes kësaj harte, sepse, më në fund, e ka kuptuar të vërtetën historike, dhe kjo e vërtetë duhet të dominojë, por, Veriu i Kosovës duhet t’i takoj asaj, Kosovës.

Mendimi im ka qenë dhe është shteti komb dhe do të ketë këto shtete: Shqipëria, Serbia, Greqia, Bosnja myslimane, ngase, Sanxhaku do të përcakthet të jetë në kuadër të shtetit shqipatar, e Mali i Zi do të jetë pashallëk i Beogradit, siç ka qenë edhe më herët.

Unë e shoh si fillim i një furtune në Iliridë (Ballkan), sepse, flaka e një lufte do t’i përfshijë një mori shtetesh të Evropës Juglindore, por, edhe fuqitë e dy kampeve. Detonatori ështe në dorën vrastare serbe, në Veriun e Kosovës, që të përflakë rajonin! Duhet të bëhemi parzmorë, dhe, tri ditët e menduara serbe, për ta kryer misionin e vet, t’i kthejmë në tri ditët tona dhe ta kryejmë misionin tone kombëtar, se, ka ardhur momenti, që gjithë bota demokratike të dalë në anën tonë, se, vetë serbët po e heqin maskën.

 

Për fund

 

Edhe harta e “Një gruaje të zgjuar”, (lexo: - Bërnabiç me ekipin e vet qeveritar, akademinë dhe kishtarët), sipas Vuçiçit është në vargun e hartave të Serbisë, në hulumtim e sipër, mbështetur nga Franca dhe pansllavistët, për ta ndryshuar mendjen e Evropës dhe të SHBA-ve.

Ne, duhet t’i analizojmë të gjitha, t’i përcjellim me kujdes, se, me borellët e lajçakët nuk duhet të ulemi me duar në xhepa!

Një veprim ndryshe, do t’i përcaktone pushtetarët në grupin e të pamoralshmëve!

 

Prishtinë, 28. 4. 2021

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode