NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT?
12/04/2012 06:05
NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT ?
Dilaver GOXHAJ
(Shpëtim Golemi)
Ekstrat: Reagim publik, bërë më 04.11. 2003, rreth deklaratës publike të znj. Izabell Karloviç, Zëdhënësia e UNMIK-ut, Prishtinë, rreth Luftës sonë Çlirimtare: “Ajo çka ndodhi në Kosovë, gjatë viteve të fundit të shekullit që lamë prapa, nuk na ishte luftë, por thjeshtë një konflikt” 1).
Znj. Izabell Karloviç,
Besoj se nuk do të ma merrni për keq, pse po reagoj pak si me vonesë ndaj deklaratës Tuaj të bërë para dy javësh, në të cilën thatë se: “Ajo çka ndodhi në Kosovë, gjatë viteve të fundit të shekullit që lamë prapa, nuk na ishte luftë, por thjeshtë një konflikt”. Kjo vonesë ndodh nga që prita se mos ndoshta do të korrigjoheshit një ditë e do t’i kërkonit të falur popullit tim, për atë deklaratë poshtëruese që Ju i bëtë luftës së tij, në një nga konferencat e zakonshme për shtyp, në të cilat delni çdo ditë, si zëdhënëse e UNMIK-ut. Njëkohësisht, shpresova se të paktën do të kish ndonjë reagim nga politikanët e Kosovës të dalë nga ajo luftë, por fatkeqësisht më zhgënjyen. Me sa shihet, i paskini skopitur keq ose i keni hipnotizuar. Deklarata e bërë nga Ju, është sa e pasaktë aq edhe naivitet politiko-profesionist. Nuk di se kush është ai që u ka bindur për ta bërë këtë lloj deklarate, pasi Ju jini thjeshtë një zëdhënëse, që nuk vini nga radhët e profesionistëve ushtarakë as të rangut të ulët e jo më të rangut të lartë, gjë që nuk më bind se ai është thjesht mendimi i Juaj. Por, meqenëse Ju e morët përsipër ta shprehni publikisht atë shtrembërim djallëzor e qëllimkeq të së vërtetës rreth Luftës Çlirimtare për Kosovën, gjatë viteve 1997-1999, kështu që edhe reagimet tona, natyrisht që do t’u drejtohen po Juve. Ndoshta nuk do t’ju vijë mirë që unë e filloj letrën pak si ashpër, ekuivalente me deklaratën Tuaj, por, lutem, mos e merrni për ofezë, pasi ajo është thjeshtë shprehje e një indinjate kundrejt fyerjes së rëndë që i bëtë Ju jo vetëm popullit shqiptar në trojet e tij etnike, në Kosovë, por gjithë kombit tim, duke u munduar t’i mohoni gjakun e derdhur dhe sakrificat disa vjeçare të bijve dhe bijave të tij.
Por, para se t’ua argumentoj me fakte se ajo çka ndodhi në Kosovë, gjatë viteve 1997–1999, ishte luftë apo konflikt, më duhet t’ju them se Ju, zonjë e nderuar, më vjen keq, por të jeshë punonjëse e OKB-së, dhe zëdhënëse e një administrate të veçantë të saj, në një protektorat të OKB-së, dhe të merni kurajon e të bëni deklarata të tilla të papërgjegjshme kundër një kombi të tërë, të cilat janë në kundërshtim edhe me Karta të ndryshme të vetë OKB-së, tregon se: ose jeni e pa aftë për këtë funksion, ose jini e mbushur me urrejtje kundër popullit tim, në mos jini thjesht një manjetofon (CD) që përsërisni me zë të lartë fjalët që dikush ua flet prapa veshit. Por më vjen edhe keq, pasi, të jesh në një post të tillë dhe të mos dish se cili është dallimi midis luftës dhe konfliktit, është e pafalshme.
Të shohim se çfarë thonë fjalorët për dallimet midis luftës dhe konfliktit
Termi luftë apo konflikt kuptohet në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, në varësi nga niveli i njohurive që kanë në këtë drejtim, për përfshirjen e dy a më shumë palëve në pëplasje të armatosur.
Po t’i referohemi fjalorit “Collins, Cobulled” 2), mësojmë se me termin KONFLIKT kuptohet një mosmarrëveshje ose një diskutim i ashpër rreth diçkaje tepër serioze dhe shumë të rëndësishme midis dy popujve ose midis dy vendeve, dhe që ende nuk kanë arritur të merren vesh. Maksimalisht konflikti përfundon në një luftim ose, më së shumti, në një betejë 3). Pra, kur kemi konflikt të armatosur nuk kemi të bëjmë më shumë se me një luftim apo betejë, ku, kohëzgjatja e tyre nuk mund të jetë më shumë se disa ditë. Mirëpo, kur themi konflikt mund të kuptojmë, sipas gjuhëtarit anglez Horbi, edhe thjeshtë një grindje 4). Kështu që, kur themi luftë as që mund të shkohet ndër mend grindja.
Ndërsa me termin LUFTË, (po sipas këtyre dy fjalorëve), kuptohet një periudhë e gjatë konfliktesh të armatosura midis dy vendeve (shteteve) ose dy popujve, që do të thotë një mori luftimesh ose betejash, ose të të dyjave së bashku, që zgjasin për një kohë relativisht të gjatë, me muaj ose me vite, sikundër ndodhi në Kosovë. Prandaj dhe e ka emrin LUFTË. Dhe ai “konflikti” juaj, në Kosovë, zonjë e nderuar, zgjati plot 19 muaj, dhe jo 19 ditë, sa mund të zgjasi maksimalisht një konflikt.
Po sipas Horbit, ndryshe nga konflikt i armatosur, kur kemi të bëjmë me luftë, duhet të kuptojmë përdorimin e gjithë forcave të armatosura të një shteti me një shtet tjetër, ose ndeshje e gjithë forcave të regullta të armatosura të një shteti me formacionet luftarake të parregullta (sikundër janë ushtritë guerile) të një vendi, apo të një populli që kërkon të çlirohet. Pra, shumatorja e dy e më shumë konflikteve quhet luftë. Si rrjedhojë, lufta është rrjedhoja më e skajshme e një konflikti të armatosur, që karakterizohet nga veprime të shumta e të zjarrta luftarake, të gjera e afatgjata, zakonisht ndërmjet shteteve ose popujve (kombeve).
A trajtohet ky dallim në konventat juridike ndërkombëtare?
Para se t’u referohemi doktrinave ushtarake është e nevojshme të bëjmë të qartë se, ç’është lufta, në kuptimin juridik të saj. Për këtë qëllim do t’i referohemi Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, (14 Dhjetor 1974, Nju York), e cila në Artikullin 1 thekson: “Me termin luftë agresive nënkuptohet përdorimi i forcës së armëve kundër sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të një shteti tjetër”. U pyesim Juve: A e përdori forcën e armëve të të gjithë forcave të saj të armatosura Serbia kundër popullit shqiptar në Kosovë? Nëse nuk e dini, lexoni gjyqin që po i bëhet Millosheviçit në Hagë, e në mënyrë të veçantë dëshminë e gjeneralit Uesli Klark.
Përsa i përket konfliktit të armatosur, për fat të keq, traktatet juridike ndërkombëtare nuk përmbajnë ndonjë përkufizim të veçantë për këtë term. Me sa duket, Ju, znj. Karloviç, jeni instruktuar nga ustallarë të aftë e shumë të aftë, të cilët e dinë shumë mirë se, është e vështirë të shpjegohet ndryshimi i vërtetë mes një konflikti të armatosur dhe luftës, dhe që njerëzit e zakonshëm nuk mund ta bëjnë atë dallim. Në të kundërtën, nuk do ta deklaronit me atë qetësi apostolike. Megjithatë, ne jemi të detyruar, zonjë, t’u sqarojmë, që Ju t’u ktheni përgjigje ustallarëve Tuaj se, ne nuk jemi i atillë popull që ta hamë sapunin për djath, sikundër e hanë politikanët tanë. Të ishim të atillë, Ju nuk do të ishit sot me këtë mision në Kosovë.
Një përkufizim i dobishëm se kur ekziston një konflikt i armatosur, gjëndet në vendimin e Zyrës së Ankimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, në çështjen Nr. IT-94-1-t, datë 7 maj 1997, në paragrafin 561, në të cilin thuhet: “Një konflikt i armatosur ekziston sa herë që ka përdorim të forcës së armatosur ndërmjet shteteve ose dhunë të armatosur të tejzgjatur midis autoriteteve qeveritare dhe grupeve të armatosura të organizuara brenda një shteti. E drejta ndërkombëtare humanitare zbatohet që në nisje të këtyre konflikteve të armatosura dhe shtrihet përtej pushimit të luftimeve, deri në arritjen e përgjithshme të paqes ose, në rastin e konfliteve të brendshme, deri sa të arrihet një zgjidhje paqësore.”5) Bazuar në sa më sipër, në Kosovë nuk pati thjesht “konflikt” midis “grupeve të armatosura të organizuara brenda një shteti (Serbisë)”, ngase Kosova është tokë e pushtuar shqiptare, por pati një ushtri të rregullt çlirimtare, e quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), pavarësisht se ish-Presidenti i atëhershëm i vetëdeklaruar i Kosovës dhe ish-Shefi i opozitës në Shqipëri, me këtë tendencën tuaj, UÇK-në e quanin “grupe rivale të armatosura”6). UÇK-ja, pse ishte një ushtri e rregullt, pavarësisht nga taktikat guerile, prandaj dhe në krah të saj u rreshtua edhe fuqia më e madhe ushtarake e botës, NATO. Nëse UÇK-ja do të ishte thjeshtë “grupe rivale të armatosura”, si mendoni ju, a mundej që NATO të bëhëj aleate më të dhe të bashkvepronin së bashku? Por, nëse do të kish dëshirë të bashkëvepronte me “grupe rivale të armatosura”, do t’i duhej që për secilin “grup të armatosur” të caktonte njerëz dhe mjete të veçanta, si dhe do t’i duhej mjaft kohë për ta vendosur ndërlidhjen. Ndërkohë që me UÇK-në bashkëveprimin dhe ndërlidhjen e vendosi me lehtësinë më të madhe, vetëm disa minuta para se të ngrinte në ajër aviacionin e saj luftarak. Dhe këtë ia mundësoi ekzistenca e komandimit unik të UÇK-së përmes Shtabit të saj të Përgjithshëm, i cili përbëhej ngë ushtarakë profesionistë me akademi të larta ushtarake.
Po doktrinat ushtarake çfarë na thonë?
Sikundër e sqaruam më lart përmes fjalorëve perëndimorë, konflikti është thjesht një mosmarrëveshje. Si i tillë, thuhet edhe nëpër doktrina, konflikti mund të zgjidhet edhe me forma mendore si dhe me dëshirën e mirë, por që, në formën më të skajshme mund të shndërohet në luftë.
Ja se si e trajton Doktrina e Republikës së Shqipërisë. Kur kemi të bëjmë me konflikt të armatosur, thuhet në të, vjen një moment dhe dikur ka një pajtueshmëri midis dy palëve në konflikt, pasi burim i atij konflikti është mosmarrëveshja; ndërsa kur kemi luftë, vështirë se kemi pajtim, pa kaluar dekada apo shekuj7). Dhe kjo është më se bindëse, pasi kështu ka ndodhur në Kosovë prandaj ndërhyri dhe NATO-ja, ngaqë u bind se edhe pas një konflikti 1300-Vjeçar, shqiptarët dhe serbo-sllavët ende nuk ishin pajtuar, për shkak të pushtimeve e të mashtrimeve të mëdha e të papara që u kishin bërë të parëve, shqiptarëve, pra.
Më te,j në atë doktrinë, theksohet se Lufta ka si bazë imponimin me forcë të vullnetit të më të fortit ndaj më të dobëtit, (sikundër i imponohej Serbia popullit shqiptar në Kosovë). Jo më kot serbët e Kosovës thonë se po të ziesh njëkohësisht në të njëjtën enë një thelë mishi prej trupit të një serbi, së bashku me një thelë mishi prej trupit të një shqiptari, as ujët nuk përziehet.
Përsa i përket doktrinës amerikane, atje saktësohet se lufa është një formë e shprehjes së marrëdhënieve në komunitet - në sensin klasik - e vullnetit për të përdorur dhunën e organizuar e të armatosur për të arritur qëllimet e komunitetit8). Mirëpo, që të hysh në luftë nuk mjafton vetëm një motiv i thjeshtë, sikundër në një konflikt, thuhet në po këtë doktrinë. Ndryshe nga konflikti, diçka më shumë është e nevojshme, dhe ato janë vullneti, kurajua, sakrifica, detyra, besnikëria, vendosmëria, motivi dhe emocioni. Me një fjalë, mbretëria e luftës është mbretëria e arsyes dhe e emocionit, ajo është përplasje vullnetesh dhe ambicje të përherëshme9).
Pra, sikundër kuptohet, lufta është një zgjidhje e problemit me përleshje të përgjakshme, e cila është një proces social midis dy kundërshtarëve të papajtueshëm. Si e tillë, Lufta përfshin operacione luftarake në shkallë të gjerë, ndërsa konflikti i armatosur, maksimalisht mund të zhvillohet deri në një betejë.
Dëgjo, zonjë. Në atë përleshjen tonë të përgjakshme ekzistonin dy vullnete të kundërta: Serbia kërkonte të bënte shpopullimin prej ne shqiptarëve, ndërsa UÇK-ja i kundërvuri vullnetit të Serbisë, vullnetin e popullit tonë për të mos mundur ta shpopullonte Kosovën nga shqiptarët autoktonë; e, njëkohësisht, t’i shporrte njëherë e përgjithmonë sunduesit serbë nga Kosova.
Duke qenë se lufta është, thjesht, përplasje vullnetesh dhe ambicje të përhershme midis dy popujve, kuptohet që, kur kemi luftë mobilizohet i gjithë shteti ose i gjithë populli i vendit që është pushtuar; ndërsa, kur kemi konflikt të armatosur, ky mobilizim është i pjesëshëm dhe i përkohshëm. Dhe, mësojeni mirë, në rastin e luftës në Kosovë, jo vetëm që luftohej njëkohësisht në të gjithë hapësirën e saj dhe se ajo luftë zgjati gati dy vjet, por edhe sikur vetëm të marrim për bazë faktin që 55% e popullit shqiptar në Kosovë u shpërngul me forcë nga trojet e veta, nuk ka nevojë për komente të tjera. Dhe të mos harrojmë tjetrën, e nderuara zonjë, që shpopullimet masive as nuk cilësohen konflikte dhe as nuk mund të realizohen gjatë konflikteve. Gjë që na e bën të qartë edhe Neni 8 i Statutit të Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, pika (viii), në të cilin thuhet: “Transferimi, i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, nga Forca Okupuese e pjesëve të popullsisë së saj në territorin që e ka okupuar, apo deportimi ose transferimi i të gjithëve apo një pjese të popullsisë të territorit të okupuar brenda ose jashtë këtij territori, përbën krim lufte”10). E njëjta gjë thuhet edhe në Nenin 7, paragrafi 2 (viii) i Konventës së Gjenevës e 12 gushtit 1949: Urdhërimi i zhvendosjes së popullsisë civile për arsye të lidhjes me konfliktin, bën pjesë në krime lufte.
Përderisa ky veprim i forcave serbe quhet “krim lufte” dhe jo krim konflikti të armatosur, si është e mundur që ju zonjë e quani një konflikt të thjeshtë? Dhe, mos harroni që, Statuti i Romës është plotësuar menjëherë pasi mbaroi lufta në Kosovë, bazuar në krimet e bëra atje nga Serbia.
Po ndërhyrjen ushtarake të SHBA, e cila pati përkrahjen edhe të të gjithë kombit amerikan, edhe këtë fakt do ta rendisni te konfliktet dhe jo tek lufta? Sipas teoricienit ushtarak amerikan, Sam C. Sarkesian, me konflikt kuptojmë përdorimin e një sërë forcash të ushtrisë ose një sërë forcash gjysëmushtarake (luftarake dhe joluftarake) nga pala ndërhyrëse në konflikt, për ta detyruar kundërshtarin, për të pranuar një gjendje të veçantë politiko-ushtarake11). Në rastin tonë, në Kosovë, nuk u përfshi një pjesë e forcave të armatosura serbe, por gjithë forcat e saj, dhe nuk kërkohej nga Serbia që populli shqiptar “të pranonte një gjendje të veçantë politiko-ushtarake”, por që popullsia autoktone shqiptare të largohej përjetësisht nga ato troje, për të cilat poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, pat thënë: Bota që kur është zënë / Shqipëria këtu ka qenë.
Më tej z. Sam C. Sarkesian vijon duke thënë se, lufta, përveç gjithë forcave të armatosur të shtetit ndërhyrës, përfshin edhe një sërë metodash dhe strategjish, përmes të cilave forca ushtarake ndikon në mjedisin dhe veprimin e shteteve të tjera fqinjë e jofqinjë, pa qenë nevoja të përdoret forca ndaj tyre12).
Dhe, faktikisht, Sërbia jo vetëm që përdori gjithë forcën e saj ushtarake kundër UÇK-së dhe popullit shqiptar në Kosovë, por me këtë përdorim, e dinë edhe fëmijët, se ajo ndikoi në mjedisin e gjithë Ballkanit dhe të Evropës, ndikoi në institucionet e BE dhe ato të OKB dhe të Këshillit të Sigurimit, edhe pse nuk kërcënoi asnjë prej atyre shteteve fqinjë. Dhe të ngrihet një botë e tërë në këmbë, duke ndërhyrë kundër forcës serbe me tërë arsenalin e aviacionit të saj luftarak, më i fuqishmi në historinë e njerëzimit, dhe përsëri ta quash konflikt dhe jo luftë, ty znj. Karloviç qofsh, pasi ose jini e marrë ose shtireni si e tillë.
Konflikti, thekson më tej Sarkesian, më së shumti shërben si një lloj “sinjali” për vendet e tjera nga ana e shtetit që përdor forcën, se i kërcënohet sigurimi kobëtar13). Mirëpo, nuk e kemi të qartë, zonjushë, se në rastin e “konfliktit” në Kosovë kujt i kërcënohej siguria kombëtare, neve, shqiptarëve, apo Serbisë pushtuese të trojeve tona etnike? Lutem mos bëni hajgare se çdo gjë ka kufi.
Le t’i referohemi edhe Konventës së Gjenevës
Mirëpo, Ju dhe ata që u kurdisin Juve se çfarë të flisni, mund të shpreheni se këto përcaktime për UÇK-në, të bëra nga z. Gelbard, kanë qenë mendime, thjesht, të një individi. Që Ju dhe të tjerët si Ju, të mos e kini këtë merak, po të citoj një kartë tepër të rëndësishme të OKB-së, që tregon se Ju, dhe ata që u kurdisin Juve, nuk e njihni as atë realitet të Kosovës, por as edhe dokumentat e OKB-së për këto çështje, edhe pse pagën vjetore mbi 100 mijë dollarëshe e merrni në OKB. Një nga ato është Konventa e Konferencës së Gjenevës, e datës 12 Gusht 1949. Atje thuhet: “Sipas marrëveshjeve të Gjenevës, një formacion që zhvillon luftë duhet të ketë katër karakteristikat e mëposhtme, që të mbrohet nga ligjet e luftës: 1. Të jetë i veshur me uniformë (in uniform); duke mbajtur në veshje distiktiv që të njihen ata si ushtarë prej distancës. 2. T’i mbajnë armët haptas (openly bearing arms); duke mbajtur pushkë ose armë të vogla. 3. Të jenë të komanduar nga oficerë (under officers); t’i binden një vargu komandimi, i cili përfundon te një udhëheqës politik ose qeveri. 4. Ta zhvillojnë luftën konformë ligjeve të saj (fighting according to the laws of war); duke mos u angazhuar në barbarizma ose krime, duke mos kryer sulme të qëllimshme kundër civilëve apo të angazhohen në terrorizëm”14).
Dhe UÇK-ja i plotësoi këto kushte qysh në fillesat e saj, ndaj dhe z. Gelbard bëri atë deklaratë për UÇK-në. Zonjushë, ka këshilltarë të saktë Amerika dhe nuk i ka mbledhur nga rruga si UNMIK-u. Por le t’i ballafaqojmë ato katër kushte një për një me UÇK-në.
Kushti i parë: UÇK-ja e kish uniformën e saj me distiktivin e njohur botërisht “UÇK” dhe, që krenohen të 15 milionë shqiptarët në botë. Kushti i dytë: jo vetëm që luftëtarët e UÇK-së i mbanim armët haptas kudo që ndodheshin, por edhe gjatë sulmeve kur hidheshim me guxim e krenari, ditën dhe natën, kundër pozicioneve ushtarako-policore serbe dhe vetëm kundër tyre. Kushti i tretë: në gjithë UÇK-në ishte vendosur qysh në fillim një hierarki komandimi, duke filluar nga komandantët e skuadrave (dhjetëshe), komandant toge, batalioni, brigade dhe zone; përfaqësuesi politik i UÇK-së, e deri te zëdhënësi i saj z. Jakup Krasniqi. Biles kur doli z. Jakup haptas, atëhere u bë edhe deklarata e z. Gelbard, pasi atëherë u plotësuan katër kushtet e Konventës së Gjenevës. Madje, në fillim të muajit Gusht 1998 del në Televizorin Satelitor Shqiptar edhe Kryeministri i ish Qeverisë së Kosovës në ekzil, z. Bujar Bukoshi, dhe deklaroi: “Në Kosovë ekziston vetëm një ushtri e organizuar konform kushteve ndërkombëtare, ajo është UÇK-ja dhe se lufta e saj financohet nga kjo qeveri”. Në të njëjtën kohë, për të patur një politikan, që të mund të kontaktonte me të gjithë faktorin politik shqiptar, madje edhe me palën agresore, UÇK-ja emëron si të tillë një ish kryetar partie politike, me autoritet ndërkombëtar, fitues i çmimit ndërkombetar “Zaharov”, z. Adem Demaçi. Dhe, kushti i katërt, e nderuara zëdhënëse, mësojeni se ne nuk kemi patur as edhe një rast të vetëm që të deklarohet se formacione të veçanta të UÇK-së, qoftë edhe një skuadër e vetme, të kenë ndërmarrë veprime të qëllimshme kundër qëndrave të banuara me serbë apo me shqiptarë, e jo më të bënim terror apo krime të organizuara, pasi e kishim tërë mbështetjen e popullit, me përjashtim të kolaboracionistëve. Ne edhe mund t’i sulmonim kolaboracionistët, pasi na mbronin vendimet e Gjyqit të Nurenbergut, pas Luftës së Dytë Botërore, që po qe se nuk e dini, mësojeni, e megjithatë, duke qenë tepër të disiplinuar dhe ushtri jashtëzakonisht e rregullt, nuk i sulmuam.
Por, Ju e bëtë atë deklaratë edhe për një fakt tjetër, pasi ju dhe ata që u nxitën juve bëni sikur nuk e dini dallimin midis konfliktit dhe luftës. Në po atë Konventë, që përmenda më lart, thuhet: “Konfliktet më të vogla të armatosura shpesh janë quajtur kryengritje”. Dhe më poshtë citohet: “Një luftë, ku forcat në konflikt i përkasin të njëjtit vend ose një entiteti tjetër politik, ajo luftë është njohur si luftë civile”, gjë që, po ta marrim luftën tonë në kuadrin e ish-Jugosllavisë, mund ta quajmë të tillë; ndërsa lufta jonë ishte Luftë Çlirimtare, pasi luftonte një komb i pushtuar nga ushtria e një kombi dhe shteti tjetër, por ne e cituam Konventën që Ju ta tërhiqni atë fyerje dhe jo se nuk e dini se kush është luftë e kush është konflikt, znj. Izabella.
Dallime të tjera mes luftës dhe konfliktit
Megjithatë, ekziston edhe një dallim tjetër i dukshëm mes konfliktit të armatosur dhe luftës. Dhe ky dallim është se, vetëm në rast lufte, palët e përfshira në të e konsiderojnë kërcënimin ndaj interesave dhe vlerave të rëndësishme kombëtare në një masë të tillë sa që besojnë se nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër për mbrojtjen e tyre, përveç përdorimit në shkallë të gjerë të forcave të armatosura ose të angazhimit të të gjithë popullit në luftë. Gjë që kur kemi konflikt të armatosur, pse kemi thjesht një mosmarrëveshje ose një diskutim të ashpër rreth diçkaje tepër serioze dhe shumë të rëndësishme midis dy popujve ose midis dy vendeve, ku, për momentin mund të ketë edhe një shkrehje armësh, por që nuk zgjat shumë, pasi asnjëra palë nuk është përgatitur për luftë. Pra, konflikti është një mosfrenim nervash për momentin, dhe jo një paramendim apo një vullnet për t’u ndeshur me ushtri. Që të ndeshesh me ushtri duhet t’i bësh hesapet mirë, pasi ke të bësh jo vetëm me fatin e jetës së miliona njerëzve, por edhe me fatin e gjithë pasurisë kombëtare.
Si rrjedhojë, shpopullimi i Kosovës, fillimisht 450 mijë shqiptarë gjatë periudhës 1989-1997, a përbënte ai një vullnet dhe kërcënim për tjetërsimin e Kosovës? E parë në aspektin e kundërt, a përbënte ai shpopullim, një vullnet dhe një objektiv parësor të politikës së shtetit të Serbisë? Çfarë mundësie tjetër i kish mbetur popullit shqiptar, pos rrëmbimit të armëve, për ta shpëtuar Kosovën nga tjetërsimi, ndërkohë që politika dhe politikanët shqiptarë të Kosovës, jo vetëm që ishin pajtuar me atë shpopullim dhe tjetërsim të heshtur të Kosovës, por edhe përmes konferencave javore të shtypit mundoheshin t’ia fshihnin popullit dhe kombit shqiptar një vullnet të atillë të Serbisë. Dhe kjo e drejtë për popullin tonë përcaktohet qartë në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, ku thuhet shprehimisht: “Përdorimi i forcës me armë nga njëri prej shteteve kundër një tjetri lejohet vetëm në raste vetëmbrojtje individuale apo kolektive.15)
E nderuara znj. Karloviç, për ta dalluar luftën nga konfliktet e tjera të armatosura, të bëjmë me dije se luftës i shtohet një cilësi tjetër e veçantë subjektive. Dhe ajo cilësi është shpirti luftarak (“animus belligerendi”). Sipas këtij koncepti, një luftë zakonisht paraprihet nga një deklaratë lufte, (por mundet edhe jo, si rasti i luftës së Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik, në 22 qershor 1941). E, megjithatë, populli shqiptar gjeti rastin dhe e bëri atë deklaratë lufte, në 28 nëntor 1997, në mitingun popullor, në prezencën e mbi 100 mijë shqiptarëve të grumbulluar nga e gjithë Kosova, me rastin e lamtumirës së fundit të dëshmorit të parë të asaj lufte, mësuesit Halil Gecit, në Llaushë të Drenicës. Ishin tre luftëtarë të uniformuar të UÇK-së, të autorizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i asaj ushtrie, që e bënë atë deklaratë lufte publikisht, në prezencën e gjithë mediave shqiptare në Kosovë, asokohe, në emër të asaj ushtrie që kish tre vjet që vepronte, deri atëherë, në ilegalitet.
Për politikanin si Ju, lufta, në një shtrirje të kufizuar gjeografike, si në rastin e Kosovës, mund të quhet konflikt, thjesht se morën pjesë dy palë, duke mos llogaritur shtetet pjesëmarrëse të NATO-s, dhe pa e cilësuar se sa kohë zgjati ai “konflikt”. Mirëpo, konventat ndërkombëtare dhe populli shqiptar në Kosovë, si dhe tërë kombi ynë, nuk mund ta quajnë thjesht konflikt, për vet faktin se ajo për ne ishtë luftë për mbijetesë, madje, luftë totale, sepse ajo përleshje, sikundër e ceka më lart, u shtri në të gjithë territorin e Kosovës dhe më gjerë ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre autoktone, të pushtuara nga Jugosllavia. Aq më shumë, për atë pjesë të popullsisë që iu bashkangjit efektivave të UÇK-së si dhe pjesa dërmuese e popullit që u bombardua dhe u përzu me dhunë nga Serbia, duke iu djegur shtëpitë dhe duke u shkatërruar gjithë pasurinë, përfshi edhe të mbjellat, s’mund ta pranojnë kurrë se nuk ishte luftë. Luftë e kaluar luftës.
Por, në një pikë, ti, zonjushë, ke të drejtë. Ata që ikën nga Kosova me këngë dhe me shpresën se UÇK-ja do të shfarosej, të cilët punojnë sot me ju nëpër zyrat e UNMIK-ut, po, vërtetë, për atë kategori njerëzore shqiptare, ajo luftë nuk ka se si të quhet luftë. Këtu kini të drejtë, dhe, më falni e nderuara zonjushë.
Konflikti ndryshon nga lufta edhe nga sasia e palëve pjesëmarrëse në atë ndeshje me armë. Konflikti, zakonisht, është dypalësh. Ndërsa, në Kosovë kemi 20 (njëzet) palë që morën pjesë në atë luftë: kombi shqiptar (por jo shteti shqiptar dhe politikanët shqiptarë), dhe 18 shtetet pjesëtare të NATO-s, nga njëra anë, dhe Serbia në anën tjetër.
Po ta kemi parasysh mbështetjen logjistike që përdori Serbia, e cila, përveç ekonomisë së saj shfrytëzoi tërë pasurinë e Kosovës dhe të qytetarëve të saj, vështirë se mund të ketë një njeri, qoftë edhe me dy pare mend në kokë, të mos e quaj luftë dhe luftë të madhe, atë përplasje të armatosur midis dy kombeve.
Mos ta harrojmë edhe faktin tjetër që në atë ndeshje në Kosovë u integrua mbarë vullneti kombëtar shqiptar, gjithë aftësia ushtarake e popullit ushtar shqiptar në Kosovë dhe politika e tij ushtarake, të cilat janë tregues madhorë të një lufte dhe jo të një konflikti.
Një dallim tjetër karakteristik midis konfliktit të armatosur dhe luftës qëndron në atë se, kur kemi të bëjmë me luftë, mobilizohet i gjithë shteti, ose i gjithë populli (sikundër ndodhi me popullin shqiptar të Kosovës), dhe lufta zhvillohet pothuajse në të gjithë territorin e njërës prej palëve ndërluftuese (edhe në këtë rast, sikundër ndodhi në Kosovë); ndërsa kur kemi konflikt të armatosur, jo vetëm që kemi një mobilizim të pjesëshëm të forcave të armatosura të secilit shtet (secilit vend), por, theksojmë se luftimi apo beteja zhvillohet në një pjesë të territorit të njërës prej palëve në konflikt të armatosur.
Por, do të më thotë znj. Karloviç se në Kosovë nuk u përfshi qindpërqind i gjithë populli. Është e vërtetë, por edhe unë e sqaroj zonjën se ajo gjë e gjallë me dy këmbë, që flasin dhe ngjajnë me njeriun, dhe që nuk interesohen për fatin e kombit, ku rastësisht bën pjesë, nuk bën pjesë në popull, por në bagëti. Besoj se edhe në vendin e saj këtë kriter përcaktimi kanë.
Kur një shtet ka pushtuar një popull të një kombi tjetër, (sikundër ishte pushtimi i popullit shqiptar të Kosovës nga shteti sllav i Serbisë-Jugosllavisë), duke e kërcënuar se do ta zhduki ose do ta përzë nga trojet e veta, në të cilat ndodhet qysh kur ka lindur jeta në tokë, as që nuk mund të mendohet e jo më të themi se në këtë rast kemi konflikt, sikundër bën zonjushëza Karloviç. Përkundrazi, kemi luftë dhe luftë shumë të ashpër, për jetë a vdekje. “Lufta, thotë Klauzeviçi, nuk është një akt i thjeshtë politik (sikundër është konflikti, D.G.), por një instrument i vërtetë i politikës, nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i politikës me mjete të tjera”.
Konfliktet, zakonisht, realizohen në bashkëveprim me organizatat civile dhe nuk parashikojnë përdorimin e forcës. Kjo e fundit mund të ndodhi rastësisht, si rrjedhojë e thellimit të mosmarrëveshjes, ose në rastet e përdorimit të vetëmbrojtjes. Ndërsa, kur kemi luftë, edhe organizatat civile bëhen pjesë e forcave të armatosura apo e ushtrisë guerile.
Kur kemi qoftë edhe konflikt të armatosur, kuptohet që kemi përfshirje edhe të pranisë ushtarake në rajonin e krizës, si për presion ashtu edhe për t’i ardhur në ndihmë një pjese të popullsisë, dhe që përdoren për raste të shkëputura, por, ama, nuk përdoren kurrë njëkohësisht në të gjithë vendin, sikundër u përdorën në Kosovë gjithë forcat e armatosura të Serbisë.16) Ndërsa, kur forcat e armatosura përdoren në të gjithë territorin e vendit, kuptohet që kemi luftë dhe vetëm luftë.
Kur përgjaken me të gjitha llojet e armëve dy kombe, nuk ka se si të jetë thjeshtë një konflikt.
Ndoshta, ju, zonjë, duke qenë pjesëtare e kombit sllav, instinktivisht, dëshironi të bëni një përpjekje që, përmes mohimit të të qenit luftë e mirëfilltë, ndeshja me armë midis shqiptarëve dhe shtetit okupator të Serbisë në vitet 1997-1999, të mund të errësoni sadopak të vërtetat e hidhura dhe të ulta që pasqyruan forcat e armatosura të Serbisë në Kosovë, lidhur me kërkesat morale, shoqërore dhe ushtarake që ato manifestuan në atë luftë. Dhe ju e bëni këtë, ngaqë e dini mirë se vetëm në luftën e armatosur midis dy kombeve dhe jo në konflikt dalin në pah edhe normat më minimale shoqërore, nëse janë ose jo konform kërkesave të caktuara profesionale ushtarake, sikundër janë nderi ushtarak, morali, sjelljet dhe profesionizmi i një ushtrie a i një populli. Profesionizmi ushtarak serb gjatë luftës në Kosovë u tregua i pamjaftueshëm t’i përballonte sfidat e luftës së drejtë dinjitoze e çlirimtare që zhvilloi populli shqiptar në Kosovë dhe Ushtria Çlirimtare e tij (UÇK). Dhe, ky deklarim i imi, si një prej antarëve ushtarakë të shtabit drejtues të asaj ushtrie çlirimtare të asaj lufte, mund të them me siguri të plotë se nuk pati as ngjashmërinë më të vogël midis sjelljes së forcave serbe dhe atyre të UÇK-së në lidhje me trajtimin moral të popullsive respektive në Kosovë.
Dihet nga të gjithë, besoj edhe nga ju, e nderuara zonjë, se, që të zhvillohet një luftë duhet të plotësohen tre kushte: i pari, është shteti ai që do ta përcaktojë armikun; kushti i dytë është shoqëria që mbështet shtetin politikisht dhe psikologjikisht në zbatimin e asaj politike dhe, kushti i tretë, është ushtria ajo që zbaton vullnetin e shtetit.
Për fatin e keq të historisë, në rastin e luftës në Kosovë, në Serbi u harmonizuan të tre këta elementë. Deri sot nuk është bërë publike asnjë fakt që të mohojë mbështetjen totale që i bëri shoqëria serbe, fatkeqësisht, edhe gjithë sllavët, shtetit të Serbisë për të zhvilluar atë lloj lufte në Kosovën e pushtuar shqiptare. Për atë mbështetje nuk është e nevojshme të sjellim fakte të reja, pasi atë e pa e gjithë bota, ku jo vetëm asnjë qytetar i thjeshtë serb nuk u ngrit kundër asaj lufte, por as edhe një intelektual serb në Serbi, Kosovë dhe në gjithë rruzullin tokësor ku ka qoftë edhe një serb apo sllav, që ta dënonte, të paktën, moralshmërinë sociale antinjerëzore të atyre forcave të armatosura serbe në Kosovë dhe veçanërisht për kompetencat profesionale ushtarake për trajtimin jotradicional të mjedisit ku u zhvillua ajo luftë.
Forcat serbe ishin instruktuar nga shteti, duke u nxitur nga shoqëria serbe se, detyra e tyre ishte diçka më tepër se sa zbatimi i taktikave dhe i sjelljeve në luftë, të përcaktuara qartë nga Konventat e Gjenevës lidhur me marrëdhëniet konvencionale ushtarake. Forcat serbe, duke përdorur zjarrin masiv shkatërrues të artilerisë dhe aviacionit ndaj pothuajse gjithë shtëpive të fshatrave shqiptare17); duke rrëmbyer gjithë kafshët, blegtorinë dhe gjithë pasurinë tjetër të tundshme e të patundshme të asaj popullsie vendore; duke mos bërë dallime midis fshatarëve të thjeshtë dhe pjesëmarrësve në UÇK, gjë e cila çoi në masakrimin e atyre civilëve të pafajshëm, duke i groposur në mbi 450 varre masive në Kosovë dhe dhjetra të tjerë jashtë territorit të saj, (ku ende 2500 shqiptarë nuk dihet ku janë), të gjitha këto treguan se ato forca nuk e kishin përgatitjen dhe kulturën e nevojshme për të vepruar në mjedisin shqiptar; cilësitë e tyre barbare nuk përputheshin me qëndrimin ushtarak profesionist të UÇK-së, ndaj dhe u egërsuan edhe më shumë si rjedhojë e ndjenjës së inferioritetit moral dhe profesional. Të gjitha këto janë tregues që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në legjitimitetin e tyre për ushtarakët e forcave të armatosura serbe në Kosovë, të përcaktuara nga ajo shoqëri për institucionet ushtarake të Serbisë.
Bazuar në sa u sqaruam e qartësuam më sipër, kemi të drejtën të arsyetojmë se, qëndrimi i gjithë forcave serbe gjatë viteve 1997-1999, në Kosovë, ku pati devijime në mënyrë të konsiderueshme nga vlerat e shoqërisë europjane dhe asaj shqiptare, si dhe nga kërkesat ushtarake profesionale sipas konventave ndërkombëtare, duke e çuar Serbinë në dobësimin e shpejt të legjitimitetit ushtarak të saj në sytë e gjithë botës demokratike, (falë mediave), ndaj dhe krijoi shumë shpejt dyshime në mbarë komunitetin ndërkombëtar dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtare për qëndrimin joprofesional të ushtarakëve serbë. Ky është shkaku kryesor pse ato organizma ndërkombëtare vendosën të ndërhynin ushtarakisht me anë të forcës ushtarake më të madhe botërore, prandaj dhe ajo ndërhyrje u quajt “luftë humanitare” me bomba, raketa dhe predha aviacioni; rast unikal në historinë e luftërave botërore.
Në rast se do të pranonim se ajo ndeshje e ashpër luftarake midis kombit shqiptar në Kosovë dhe atij serb do të ishte thjesht një lloj konflikti, atëherë si është e mundur kur dy palë rrihen mes veti me grushta dhe pala tjetër asnjanëse të ndërhyjë për t’i ndarë duke goditur me bomba dhe raketa palën më shkaktare të grindjes?! Është një nonsens, apo jo, zonjë? Dhe, mos harroni, zonjushë, se ishte karakteri i drejtë politiko-psikologjik i luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, ai që shkaktoi drejtpërsëdrejti asimetrinë midis shoqërisë civile serbe dhe asaj europiane. Ishte kjo asimetri që e detyroi edhe mikeshën më të afërt dhe më tradicionale të Serbisë, Francën, që të thërriste me të madhe: “Mjaft më! E tepërove Serbi!”, dhe, inicoi me urgjencë dhe befasisht Konferencën e Rambujesë. Apo edhe këtë nuk e dini, e nderuara zonjushë?
Po Doktrina e NATO-s a e bën dallimin midis luftës dhe konfliktit?
Ju mund të më thoni se Klauzeviçi i takon një periudhe para dy shekujve, dhe se kohët kanë ndryshuar. Mirëpo, për të mos u lënë të lodheni aq shumë për justifikim, përveç atyre çka u përmenda më lart, po u citoj “Doktrinën Taktike të Forcave Tokësore të NATO-s”, e cila thotë: “Paqja është një situatë që ekziston në marrëdhëniet midis grupeve, klasave ose shteteve, kur në të nuk ekziston përdorimi i dhunës (direkt apo indirekt) ose kërcënimi për përdorimin e saj”.18) Sipas këtij përcaktimi, a mund të thuhet se Serbia ishte në paqe me shqiptarët dhe as që na kërcënonte fare edhe pse i kish hequr nga punët shtetërore të gjithë shqiptarët, edhe pse u pat mbyllur të gjitha shkollat, edhe pse i nxiste ta linin Kosovën, znj. Izabella?
Shkojmë më poshtë, ku po në atë paragraf, thuhet: “Lufta. Qëllimi i luftës është të angazhojë armikun në luftim derisa t’i imponohet atij vullneti dhe kushtet e caktuara”.19) A ishte ushtria serbe ajo që e përzinte me dhunë këtë popull nga Kosova, apo tytat dhe bajonetat e armëve serbe, e, Ju, zonjë e nderur, i quani buqeta me lule, në rastin kur ato u drejtohen shqiptarëve? A ishte UÇK-ja ajo që e angzhoi ushtrinë serbe në luftime, për të mos e lejuar të bënte shpopullimin e popullit tonë, derisa edhe faktori ndërkombëtar, deshi s’deshi, u imponua të ndërhynte me të gjitha format, deri edhe me forcën e armëve, që ta largonte dhunën e Serbisë prej Kosove? A ishte Zoti Klinton që tha se UÇK-ja po kryen deryrën e forcave tokësore të NATO-s në terren?20) Mos, vallë, NATO-ja hidhte karamele nga ajri, që ju thoni se ishte konflikt joluftarak? Si thoni Ju, kemi patur luftë apo konflikt?
Më poshtë, po në këtë doktrinë të NATO-s thuhet: “Me gjendje lufte duhet të kuptojmë pezullimin ose ndërprerjen e veprimtarisë normale politike e diplomatike midis palëve ndërluftuese dhe fillimi i veprimeve luftarake”21). A ndodhi kështu në Kosovë, znj. Izabella, ku dihet që edhe u krijua një grup diplomatësh ndërkombëtarë dhe që u quajt Grupi i Kontaktit, për të ndaluar luftën në Kosovë, apo, atëhere, do të kini qenë duke bërë plazh jashtë planetit tonë dhe nuk u interesonte që një popull prej 2 milionë njerëz, në planetin e Tokës, po masakrohesh nga ushtria e një shteti super të armatosur, vetem e vetëm pse donin të ishin të lirë dhe të bashkoheshin me trungun amë, që edhe sot, Ju dhe shefat e tu, nuk e lini të shprehet lirshëm për atë dëshirë shekullore, edhe pse kini një rezolutë që e thekson këtë të drejtë? Serbia bënte dhe vazhdon të bëjë mashtrime bisedimesh me disa nga politikanët tanë se, gjoja kish veprimtari normale politike, por nuk ia hodhi as ia hedh dot as popullit shqiptar në Kosovë dhe kombit shqiptar dhe as botës demokratike. Edhe këtë, e keni të qartë, besoj.
Më poshtë, po në atë Doktrinë theksohet: “Kufiri midis konfliktit jo-luftarak dhe luftës, po ashtu është i padallueshëm qartë”.22) Sipas këtij përcaktimi kemi konflikt joluftarak dhe luftë, ku konflikti luftarak thuhet se është luftë. Madje, më poshtë, po në atë Doktrinë thuhet: “Ekzistojnë tre gjendje që ndërthuren me njëra-tjetrën: paqja, konfliktet joluftarake dhe lufta”.23) Besoj se e kuptoni, znj. Izabella, Ju dhe ata që rrinë prapa Jush, se, shprehia e juaj se “në Kosovë kemi patur vetëm thjeshtë një konflikt”, pa e përcaktuar as saktë se çfarë konflikti, është thjesht një nonsens dhe asgjë tjetër?
Ndërsa, po t’i referohemi paragrafit 0104 të po asaj Doktrine, mësojmë se në Kosovë kemi patur një luftë të përgjithshme, sikundër është shprehur edhe z. Gelbard, pasi atje thuhet shprehimisht: “Në luftën e përgjithshme (luftë për mbijetesën kombëtare), veprimtaria normale civile ose është pezulluar ose është vënë në funksion të veprimtarisë ushtarake. Kjo gjendie është e pranueshme vetëm në rrethanat kur mbijetesa kombëtare është vënë në rrezik”.24) Në rast se nuk e keni ditur, zonjë e nderuar, mësojeni që veprimtaria normale civile në Kosovë ishte ndërprerë qysh 6 vjet para se të shpërthente lufta e jonë çlirimtare dhe po bëhej shpopullimi i Kosovës me forma djallëzore. Njëkohësisht, tërë populli shqiptar i Kosovës ishte përzënë nga vendet e punës, në bashkëpunimin Serbi – kolaboracionistë, dhe ishin sjellë serbë të tjerë nga vende të tjera të ish-Jugosllavisë, duke e vënë tërë pushtetin dhe ekonominë e Kosovës në funksion të shpopullimit të saj nga shqiptarët autoktonë. Në këto rrethana vihej në diskutim mbijetesa kombëtare e dy milionë shqiptarëve, ndaj ajo është e pranueshme të quhet gjendie lufte, znj. Izabella, dhe jo konflikt, sipas qëllimit tuaj, pasi “Në konfliktet jo-luftarake - theksohet në atë Doktrinë - do të jenë veprimtaritë politike dhe jo ato ushtarake që do të përbëjnë mjetin kryesor për zgjidhjen me sukses të konfliktit”.25) Sipas këtij përcaktimi, në rast se do t’u besonim Juve, atëherë, do të thuhej se NATO-ja ndërhyri gabimisht me forca ushtarake në Kosovë, pasi shqiptarët kishin thjesht një konflikt të rëndomtë me sebët: e lagu, s’e lagu, ose, thjesht, janë zënë “për mustaqet e Çelos”, sikundër thonë andej nga Jugu i Shqipërisë.
Meqenëse jemi te konfliktet joluftarake, në atë Doktrinë thuhet: “Kundërveprimi minimal ushtarak në një konflikt jo-luftarak mund të jetë përfshirja aktive dhe në thelb jo e dhunshme e resurseve ushtarake të palëve të paanshme në konflikt”.26) Ndërsa, në paragrafin 0107, thuhet: “Kundërveprimi në konfliktin jo-luftarak është operacioni jo-luftarak…Kundërveprimi për luftën është operacion luftarak (bërja e luftës)”.27) Mirëpo, në Kosovë, NATO-ja, si palë e paanshme, ndërhyri ushtarakisht dhe me dhunë të fuqishme për 78 ditë rrjesht, pa ndërprerje, asnjë orë të vetme, për të bërë luftë apo hodhi nga ajri ca karamele me rastin e pashkëve, sipas Jush? Mos, vallë, po sipas Jush, në Kosovë patëm, thjesht, një paradë spektakulare të aviacionit nga ana e NATO-s, apo luftë për jetë a vdekje? Besoj se jini e qartë mjaftueshëm, apo jo?
Dhe, që ta përfundojmë me atë Doktrinë, po citoj paragrafin 0106, ku flitet për kundërveprimin luftarak dhe thuhet: “Në një luftë të përgjithshme të gjithë resurset e një shteti vihen në dispozicion për të siguruar mbijetesën kombëtare, dhe niveli i përkushtimit dhe i angazhimit mbarëkombëtar duhet të arrijë në nivelin më të lartë”.28) Dhe, në fakt, kështu ndodhi me ne. I tërë kombi shqiptar u ngrit në këmbë. Vetëm nga SHBA, Kanadaja dhe Australia mbërritën gati 5 mijë vullnetarë me origjinë shqiptare, për ta shpëtuar Kosovën nga shfarosja dhe shpopullimi. Brenda 2 javësh, në portin e Durrësit mbërritën 11 mijë vullnetarë shqiptarë dhe të huaj, të gjithë nga Perëndimi, për të marrë pjesë në Luftën tonë Çlirimtare, që Ju, zonjë e nderuar, e quani konflikt pa vlerë. Ndër këta 11 mijë vullnetarë pati edhe gjermanë, francezë, italianë, finlandezë, suedezë, norvegjezë, spanjollë e plot të tjerë, gjë që i dha luftës sonë karakterin e një lufte internacionaliste. Dhe, pse patëm të tillë vullnetarë, ata militantët dhe politikanët e LDK-së dhe sivëllezërit e simpatizantët e tyre në Republikën e Shqipërisë na quajtën ne të UÇK-së ushtri komuniste dhe enveriste! Për çudinë e të gjithëve, asnjë qytetar perëndimor nuk iu bashkua ushtrisë serbe, por vetëm rumunë, bullgarë, maqedonas, grekë, ukainas e rusë, i cili është një fakt shumë kuptimplotë. Kjo tregon se, jo vetëm që ai “konflikti” i Juaj ishte luftë dhe vetëm luftë, pasi në konflikte nuk premton koha që të vinë vullnetarë nga shtete dhe kombe të largëta, por vërtetoi se vetë popujt perëndimorë e kanë përcaktuar luftën tonë si luftë, dhe, madje, luftë të drejtë, dhe si të tillë edhe popullin tonë e veçojnë nga të gjithë popujt e tjerë të Evropës Juglindore, duke e quajtur popull perëndimor. Dhe, sikur ta marrim vetëm këtë fakt, ajo ndeshje luftarake serbo-shqiptare ishte luftë dhe jo konflikt.
Më gjej në historinë e luftërave botërore, një mobilizim kaq të shpejtë e kaq të madh, që të vinë e të mobilizohen ushtarë vullnetarë, madje edhe bijtë e të larguarve para 50 apo 100 vjetësh, përveç internacionalistëve. Këtë mobilizim kaq të shpejtë nuk e realizojnë as shtete të rregullta, por ja që e realizuam ne, shqiptarët e shpërndarë me dhunë në të katër anët e globit. Ky është karakteri shqiptar, (por fatkeqësisht politikanët tanë nuk e kanë këtë karakter, pasi ua shpëlajnë trurin të huajt). Dhe këtë e bëmë vetëm e vetëm për të luftuar kundër asgjësimit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë dhe jo për qejf, për konflikt fjalësh, sikundër kërkoni ta denigroni Ju, znj. Karloviç, atë luftë, e ta fyeni këtë komb heroik, vetëm e vetëm pse jeni simpatizuese e serbëve, dhe vetëm e vetëm pse ky komb ka përqafuar fenë myslimane. Nuk u ndalon askush se kë të simpatizoni, por nuk u lejohet aspak, për vendin e punës që keni dhe as për kulturën tuaj, që ta fyeni një popull të tërë, i cili për ta fituar lirinë e tij iu desh të flijonte mbi 2 mijë dëshmorë dhe t’i vriteshin mbi 12 mijë viktima.
Le të hyjmë në analizën konkrete të lufts në Kosovë
Në enciklopedinë “Wikipedia”, ku flitet edhe për luftën në Kosovë, thuhet shprehimisht: “Lufta është një konflikt në të cilin pëfshihen përdorimi i organizuar i ushtrive dhe i forcave fizike midis vendeve të ndryshme ose grupeve të armatosura në një shkallë të madhe”. Po ua jap edhe në origjinal: “War is any conflict involving the organized use of arms and physical force between countries or other large scale armed groups.”
Po e analizojmë këtë përkufizim. A pati përdorim të organizuar nga Serbia të një ushtrie kundër popullit shqiptar në Kosovë? Po, pati. Doni apo nuk doni ju, vetë serbët e pranojnë se në Kosovë përqëndruan 95 mijë forca të armatosura, të të gjitha llojeve. Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe rreth 100 mijë serbë të aftë për pushkë, kolonistë në Kosovë, që iu bashkangjitën totalisht dhe egërsisht asaj ushtrie, si dhe rreth 20 – 30 mijë maxhupë dhe egjiptianë të mashtruar, të fabrikuar në Kosovë, shifra na shkon gati 220 -230 mijë forca të armatosura. Të përqëndrosh një ushtri kaq të madhe, afërsisht sa forcat e koalicionit që pushtuan Irakun gjatë këtij viti (2003), do të thotë se në Kosovë nuk kemi patur thjeshtë një luftë, por një superluftë. Ta them këtë për arsye se Kosova është 40 herë më e vogël në sipërfaqe se Iraku, i cili është 437 mijë km2, ndërsa, Kosova 11 mijë km2 dhe sasia e forcave pushtuese është gati e barabartë, ku në Irakun e armatosur deri në dhëmbë i takonte një ushtar i koalicionit për 83 banorë irakianë, (popullsia e Irakut është 25 milionë, ndërsa e Kosovës 2 milionë), ndërsa, në Kosovën e paarmatosur i takonte një ushtar pushtues për 8 banorë shqiptarë, që do të thotë një raport 10 herë më i lartë se ai në Irak. Besoj se bindeni që ata ushtarë nuk kishin ardhur për dasmë apo për shëtitje në Kosovë, por për të vrarë shqiptarë dhe për ta djegur e plaçkitur Kosovën. Pra, nuk kemi të bëjmë me një konflikt joluftarak, por me një luftë të vërtetë. Besoj se nuk njeh historia e luftërave botërore një përqëndrim kaq të madh forcash kundër një populli të pambrojtur. Pra, kushti i parë, sipas përkufizimit të mësipër, se në Kosovë kishim luftë dhe jo konflikt, besoj se doli shumë i qartë.
Së dyti, atje thuhet “grupe të armatosura në një shkallë të madhe”. Kush ishin grupet e armatosura në një shkallë të madhe, që e detyruan atë ushtri qindra-mijëshe të përqëndrohej në Kosovën e vogël? Ishin grupet e armatosura të popullit shqiptar të Kosovës, që u organizuan fillimisht në grupe të vegjël me nga 5, 7, 10, 15 veta, që ne i quajtëm njësite. Këto grupe të armatosura u krijuan në çdo krahinë të Kosovës, ku në fund të vitit 1997 kishim 42 të tilla, ndërsa, në fillim të vitit 1998, pas luftës heroike të udhëheqësit të saj legjendar, Adem Jashari dhe families së tij, ato njësite u shumuan si në vete por edhe si numër, gjë që lindi nevoja e krijimit të një institucioni për organizimin dhe drejtimin e tyre, duke e ndarë Kosovën në 18 nënzona, ku secila nënzonë përfshinte 200 deri 3000 luftëtarë të armatosur, dhe në muajin Qershor 1998 shifra e plotë mbriti 45 mijë vullnetarë.
Në këtë periudhë ndodhi kthesa e diplomacisë botërore, e cila deri në ato momente pat folur për UÇK-në me gjuhën e Serbisë së Millosheviçit, duke e cilësuar “organizatë terroriste”. Por, kur UÇK-ja u bë një realitet luftarak tepër i gjerë, ishte i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin, z. Robert Gelbard, i cili, në një intervitë dhënë revistës serbe “Evropianin”, në fillim të muajit Qershor 1998, thotë: “ UÇK-ja nuk është grup terrorist. Nga çdo anë që ta marrësh ata janë grup kryengritësish. Në Kosovë, ne tani shohin kryengritjen e armatosur, që është në kufi të luftës së vërtetë. UÇK-ja është shumë larg kushteve ligjore për ta cilësuar organizatë terroriste…Të shprehesh se UÇK-ja bën terror mbi popullin e vet, nga dëshpërimi i disfatave të pësuara, do të thotë të thuash budallallëqe”.29)
Kur ndeshen dy ushtri, ka luftë e jo konflikt
Në vjeshtën e vitit 1998, nga që radhët e “grupeve të armatosura në një shkallë të madhe” po rriteshin në propocion gjeometrik, forca politike që drejtonte luftën në Kosovë u detyrua të kalonte në një shkallë më të lartë të organizimit të saj: nga nënzona, u kalua në zona operative luftarake. Në përbërie të zonave u krijuan brigadat dhe disa batalione autonome. U krjuan 28 brigada me nga 300 deri 2000 luftëtarë secila, të ndara në 6 (gjashtë) zona operative luftarake aktive, ndërsa 2 brigada të tjera, të zonës së 7-të, ende nuk i patëm angazhuar në luftime, por i shfrytëzonim për logjistikë.
Në krye të kësaj ushtrie qëndronte një Shtabi i Përgjithëshëm i saj, ku deri 50% të tij ishim oficerë karriere me akademi ushtarake, dhe të gjitha drejtoritë përkatëse drejtoheshin nga specialistë që kishin diplomuar në Universitetin e Prishtinës apo në ato të ish-Jugosllavisë, gjë që plotësonte 100% kushtin e katërt të Konventës së Gjenevës.
Tash, po u pyes Juve, zonja Karloviç: Kjo ushtri shqiptarësh me 28 brigada dhe kaq e organizuar, e cila krijohet në kushtet e një terrori të ushtruar nga një ushtri qindra-mijëshe, e armatosur deri në dhëmbë, u krijua për t’iu bashkangjitur ushtrisë serbe apo për të luftuar kundër asaj ushtrie barbare 230 mijëshe? Gjithashtu, dua të më ktheni përgjigje dhe të më tregoni se a ka ndonjë qenie të gjallë që kur i vret kush fëmijën apo pjellën e vet dhe nuk rebelohet dhe nuk ndeshet për jetë a vdekje me agresorin? Ajo ndeshje për luftë a vdekje quhet luftë apo konflikt? Si mund të rrinin të qetë e të mos luftonin shqiptarët e Kosovës, për të mbrojtur fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat e tyre, kur ushtria dhe policia serbe ua rrëmbente nga duart për t’ua therrur?
Që Ju, zonjë e nderuar, të ngeleni e qartë plotësisht, dhe, që, nesër ta kini kurajon të kërkoni ndjesë, (po qe se kini kulturën sikundër na hiqeni), unë po u vij në ndihmë për t’u shpjeguar dallimin midis luftës dhe konfliktit, duke u cituar, së pari, Klauzeviçin, teoricienin më të njohur ushtarak të botës Perëndimore, i cili thotë: “ Lufta është thjeshtë vazhdim i përpjekieve me mjetet e tjera”. Si rrjedhojë, lind pyetja: A kish kohë që Serbia po bënte përpjekje të shpopullonte Kosovën, duke organizuar dhe nxitur largimin prej saj të shqiptarëve autoktonë, ku, në bashkëpunim me kolaboracionistët tanë, ngriti me dhjetra agjensi legale e ilegale për ta realizuar atë qëllim shfarosës e djallëzor? Përgjigjia është, Po! Apo, jo? Që kishin atë qëllim tërë ato angjesi legale, e tregon edhe fakti se pse nuk u riaktivizuan ato edhe pasi erdhët në Kosovë ju, UNMIK-asit!
Kur Serbia e pa që populli ynë rrëmbeu armët ngaqë e kuptoi atë përpjekje të saj të fshehtë, atëhere ajo filloi ta bënte shpopullimin me mjete të tjera dhe haptas, me dhunë. Këtë e dini, pasi e pat theksuar disa herë edhe ish Presidenti i SHBA, z. Klinton, por dhe z. Kofi Anan, shefi kryesor i institucionit nga ka dalë Misioni, i cili u paguan juve. Sipas Klauzeviçit, kjo lloj veprimtarie quhet luftë, ndërsa sipas teje quhet konflikt. Të lumtë, je më stratege së Klauzeviçi! Por, helbete, vendi juaj kufizohet me atë të Klauzeviçit. Gjithashtu, dua t’u pyes juve nëse e dini që populli shqiptar, në Kosovë, kish një shekull të tërë i cili vazhdonte të bënte përpjekje që të shkëputej nga sundimi i Serbisë? Nëse nuk e dini, lutem pyetini edhe fëmijët shqiptarë të kopshtit (kindergarden), madje edhe nëpër fshatra dhe do t’ua tregojnë. Në këto kushte, rrëmbimi i armëve nga ky popull për të hequr qafe atë sundim shfarosës, a është “vazhdim i përpjekjeve me mjete të tjera”, sikundër shprehet Klauzeviçi? Dhe, besoj se Ju, tashmë, e kuptoni, këtij populli nuk i kish mbetur alternativë tjetër. Atëherë, sipas Klauzeviçit, a kemi të drejtë ta quajmë luftë dhe jo konflikt?
Po Uesli K. Klark si e cilëson “konfliktin” në Kosovë?
Por, që të mos u mbetet as edhe një dyshim tjetër, për cilindo, përsa i përket asaj se çfarë ka patur në Kosovë, luftë apo thjesht një konflikt qesharak, po u citoj ish Komandantin e NATO-s dhe të gjithë Luftës në Kosovë, Gjeneralin me katër yje, z. Uesli K. Klark, i cili e drejtoi atë luftë. Ja si shprehet ai në librin e tij “Të bësh Luftë Moderne”: “Në të vërtetë neve kurrë nuk na është lejuar që atë ta quajmë luftë. Por, natyrisht, ajo ishte luftë. Ishte kjo një luftë moderne, lufta e parë e luftuar në Evropë pas një gjysmë shekulli dhe lufta e parë e luftuar ndonjëherë nga NATO-ja… Operacioni “Allied Force” ishte një luftë moderne – e kufizuar…Kjo luftë nuk ishte asgjë tjetër, përveç se luftë moderne”.30) Besoj se mbetët e qartë, znj. Karloviç, Ju, dhe ata që u kurdisin Juve, apo jo?
Duke ua përmbledhur disa nga faktet dhe argumentet kryesore, për ta bërë dallimin midis luftës dhe konfliktit, besoj se do të ndërgjegjësoheni dhe do t’i kërkoni të falur popullit tim, për atë ofendim të madh që i bëtë gjakut të derdhur prej tij për çlirim. Në rast se ju nuk e bëni këtë veprim, atëhere na lind e drejta, mua dhe çdo shqiptari të vërtetë, të dyshojmë se edhe shkuarja e forcave të KFOR-it Francez, disa ditë pas deklaratës suaj, tek shtëpia e familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, shtëpia simbol e rezistencës sonë të armatosur kombëtare, e cila është shndërruar tashmë si një Mekë apo si Jeruzalem, për tërë shqiptarët, kam bindjen se mund të mos jetë e rastësishme, dhe se mund të kemi të bëjmë me një skenar të përbashkët, midis UNMIK-ut dhe KFOR-it, për të përdhosur simbolet dhe historinë tonë të re si dhe për të provokuar pulsin tonë. Pikërisht, për këtë arsye, ky veprim i papranueshëm, mund të sjellë reagime të formave nga më të ndryshmet prej shqiptarëve autoktonë në Kosovë dhe përgjegjësia atëhere do t’iu mbetet Juve dhe institucionit që Ju përfaqësoni, zonjushë e nderuar.
Shënim: Kjo letër iu dërgua gjithë gazetave dhe mediave të tjera në Prishtinë, por, përveç trasmetimit të disahershëm nga radio “Kosova e Lirë” dhe futjes në internet nga agjensia e lajmeve “Kosova Press”, asnjë organ tjetër nuk pranoi ta botonte, nga halli se mos na mërzitej zojusha Karloviç dhe shefat e saj, si dhe ngaqë janë aq “të pavarura”. Por, meqenëse kohët e fundit kanë filluar ta tjerrin përsëri këtë lloj “muzike”, e kompletova edhe më shumë argumentimin e të qenit luftë të asaj ndeshjeje midis kombit tonë me Serbinë pushtuese.
30. 3. 2012
Fusnotat:
1) Znj. Izabell Karloviç e bëri këtë deklaratë, në cilësinë e Zëdhënëses së UNMIK-ut, në 20 tetor 2003, në konferencën e radhës së saj për mediat në Kosovë, në Prishtinë.
2) Fjalori “Collins, Cobulled”, botim i Universitetit të Birminganit, viti 2001.
3) Me betejë (battle) kuptojmë një sërë luftimesh të lidhura midis tyre, ( me kohëzgjatje më të madhe se një luftim), që mund të përfshijë forca më të mëdha se në një luftim dhe që mund të ndikojë në zhvillimin e operacionit.
4) Shih fjalorin e A.S. Hornby (Horbi), botim i Universitetit të Oksfordit, Londer 1977
5) Shih ‘Raporti për të drejtat ndërkombëtare 419”, i Dhomës së Gjykime të GJND (https://www.loc.gov/rr/frd/Military_Law/pdf/war_crimes_trials)
6) Intervistë dhënë BBC, 25 maj 1999.
7) Doktrina e forcave të armatosura e RSH, Tiranë 2009, f. 60-61
8) Manuali MFT 3-16-1, Qëndra e Përkthimeve Uushtarake, Tiranë 2005, f. 356
9) Po aty, f. 354 - 355
10) Statuti i Romës, 17 Korrik 1998, (i korrigjuar nga procesverbali i dt. 10 Nëntor 1998 dhe 12 Korrikut 1999)
11) Sam C. Sarkesian: “Përtej fushës së luftimit” (Beyond the Battlefield), ShBU, Tiranë 1995, f. 95
12) Po aty, f.95-96.
13) Po aty, f. 99.
14) PGJ I, Neni 43, paragr. 1 dhe 44 & paragr.7
15) Shih neni 5 i Traktatit të NATO-s
16) Shih Shpëtim Golemi: “Rruga që më çoi në radhët e UÇK”, Prishtinë 2004, f. 82-85
17) Në muajin prill 1999 forcat serbe përdorën edhe LHL në rajonin e Junikut
18) “Doktrina Taktike e Forcave Tokësore të NATO-s”, [ATP-35(B)], Tiranë 1999, paragrafi 0104, neni “a”
19) Po aty, paragrafi 0104, neni “b”.
20) Bill Klinton: “Ne luftën, ju paqen”, “Albania”, Tiranë 2000, f. 82
21) “Doktrina Taktike e Forcave Tokësore të NATO-s”, paragr. 0104, neni “b”.
22) Po aty
23) Po aty, paragrafi 0107
24) Po aty, paragrafit 0104, nenin “c”, pika (1).
25) Po aty, paragrafi 0105
26) Po aty, paragrafi 0106, neni “b”.
27) Po aty, paragrafi 0107
28) Po aty, paragrafi 0106, neni (a), pika (1).
29) Gazeta “Rilindia”, Tiranë, e datës 06.06.1998.
30) Wesley K. Clark: “Waging Modern War”, USA in 2001 by Public AffairsTM, page: XIV, XXV,XXVI