NË EMËR TË KUJT POPULLI FLISNI?!
06/04/2018 07:55
OPINION
NË EMËR TË KUJT POPULLI FLISNI?!
Arben DUKA
Më në fund reforma në drejtësi po funksionon. Keqbërësit po përballen seriozisht me ligjin. Drejtësia është xhelati i keqbërësve. Direkt pas vendimit të gjykatës për zjarrvënësit dhe sulmuesit e policisë, dolën në ekrane Lulëzim Basha dhe Monika Kryemadhi duke kërcënuar në unison për destabilizimin e vendit dhe futjen e tij në kaos. Të dy flisnin në emër të popullit! Po si guxojnë këta zjarrvënës dhe karrigethyer të flasin në emër të popullit?!
Populli u’a ka vënë notën dhe u’a ka varur me kohë teneqetë. Shumica dërrmuese e popullit shqiptar janë kundër dyshes më qesharake të politikës në këto njëqind vitet e fundit. Ka mijëra shqiptarë që nuk e duan as Ramën, por nuk janë kurrsesi as me Bashën dhe as me Kryemadhin!. Populli është me Shqipërinë, e këto dy kokat e mëdha të SHQUPIT dhe LSI-SË janë për destabilizimin e Shqipërisë.
Taksa e Rrugës së Kombit qe e nxituar, e pa studiuar dhe mjaft e rëndë për xhepat e boshatisur të shqiptarëve. Tani qeveria është tërhequr nga ajo taksë dhe po negocion me grupet e interesit dhe është e sigurtë që ajo do të ulet dhe për një shtresë të caktuar mund të hiqet fare. Gjithë revolta është bërë kundër kësaj takse. Dhe ne, këtu në gazetë, kemi qënë kundër kësaj takse më përpara se një grusht kuksianësh të protestonte me urët e zjarrit në dorë. Të plagoste katërmbëdhjetë policë dhe të digjte një investim me një dëm kolosal, para që prapë do dalin nga xhepat tanë. Ata dhunuan ligjin dhe për këtë duhet të përgjigjen para ligjit.
Vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, janë shumë korrekte. Presioni i rrugës kësaj radhe nuk funksionojë dhe ky është një ogur i mirë, se reforma në drejtësi ka filluar të funksionojë. Në Vendime e Gjykatës nuk hyn dot as Zoti vetë, jo më Basha e Kryemadhi, që papritur u bënë me kauzë. Gjersa qeveria po reagon për taksën në fjalë, që është dhe molla e sherrit, përse karagjozët e opozitës e ftojnë popullin për mosbindje civile.
Po cilit popull i drejtohen xhanëm, se populli që njoh unë e do Monika Kryemadhin siç do kripën në sy!. Thirrja kryesore është mospagimi i taksave, domethënë bllokimi i shtetit. Nëse s’paguhen taksat nga populli buxheti i shtetit nuk do ketë lekë për të paguar mjekët, mësuesit, pensionistët, rrogëtarët e të tjerë, e të tjerë. Në këtë situatë kaosi, që ëndërron dueti qesharak Basha-Kryemadhi, hapi i parë i qeverisë duhet të jetë ndalimi i menjëhershëm i fondeve shtetërore që përfiton PD-ja e LSI-ja.
Ndalimi i menjëhershëm i rrogave dhe përfitimeve të tjera për deputetët e opozitës. Sekuestrimi i godinave shtetërore, ku ato zhvillojnë aktivitetin e tyre politik, aktivitet që synon destabilizimin e vendit. Heqja e makinave dhe oficerëve të gardës që ruajnë kokat e opozitës. Këto duken si masa radikale, por janë krejt normale për një qeveri pa buxhet.
Është e natyrshme se njerëzve të përfshirë në mosbindjen civile, t’u ndërpritet çdo shërbim komunitar dhe shtetëror, t’u ndërpritet energjia elektrike dhe uji. Të mos u jepet kujdes shëndetësor, të mos u pranohen fëmijët në kopshte, çerdhe dhe shkolla publike, të mos lejohen të lëvizin në rrugët publike. Ja pra ky është kaosi që sjell mosbindja civile. Biles ka dhe më keq. Nëse larg qoftë, vdes ndonjë prej tyre të mos lejohet varrimi në varrezat publike.
Kjo është një ide cinike, ekstreme, antinjerëzore, por këto janë pasojat. Lulin dhe Monikën i kemi pasur tetë vjet në pushtet dhe e dimë se ç’mall janë, po ja që guxojnë të aspirojnë prapë pushtetin, duke abuzuar me hallet e mëdha që populli vërtetë ka. Po shumë nga këto halle i ka dhe nga qeverisja ordinere, dhe korrupsioni galopant i PD-LSI në tetë vjet grabitje dhe babëzi! Kryemadhi flet në emër të popullit, po në fakt ajo është bërë figura më e urryer popullore dhe me sjelljen e saj si ekstremiste e djathtë po turpëron dhe Presidentin e Vendit!.
Shqipëria është djegur tri a katër herë, po kësaj radhe jo besa. Këtyre fundërrinave të historisë u janë verbuar sytë nga urrejtja për Edi Ramën dhe në emër të kësaj urrejtjeje janë gati të nxisin lumpenin, për të shkatërruar sërish Shqipërinë. Edi Rama është Kryeministër legjitim, por Shqipëria nuk është pronë e tij. Shqipëria është pronë e gjithë popullit dhe pikërisht popullit i del detyra ta ruajë atë si sytë e ballit. Askush mos guxojë të mbajë në gojë emrin e Sovranit, dhe më shumë nga të gjithë Berisha-Basha dhe Kryemadhi.
Populli jemi ne dhe nuk jemi me këta të tre. Këta janë varrmihësit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe një ditë do përgjigjen para popullit për krimet që kanë bërë dhe po bëjnë dhe kanë në plan të bëjnë. Populli mban shënim çdo ditë. Askush nuk do t’i shpëtojë dot ndëshkimit popullor. Drejtësia vonon, po s’harron!
DITA