NË DY PËRVJETORËT E “BASHKIMIT TË KOMBEVE TË EVROPËS”
10/05/2020 05:52
OPINION
NË DY PËRVJETORËT E “BASHKIMIT TË KOMBEVE TË EVROPËS”

Afrim MORINA
Sot e shtatëdhjetepesë vite më parë, merret dita e ngadhënjimit ndaj fashizmit, dhe, festohet! Po, sot, mbushen shtatëdhjetë vjet kur Robert Shuman, Minister i Jashtëm i Francës, deklaroi shumë qartë dhe hapur se “bashkimi i kombeve të Evropës kërkon eliminimin e opozitës shekullore”. Si moto, tingëllon bukur. E lakmueshme për të gjitha kombet. A qëndron kjo, në realitet? A i ndejti besnik Franca kësaj nisme, nga edhe buroi Bashkimi Evropian?
Jo vetëm Franca, por, shumë shtete, nuk i ndejtën besnike kësaj motoje. Të jenë të barabarta të gjitha kombet, në këtë Evropë, që, për disa ishte njerkë e shkuar njerkës! E tillë ishte dhe është për ne shqiptarët. Gjatë gjithë historisë kemi qenë të sulmuar nga monstrumet e saj, dhe, në fund, i kanë hyrë hartës tonë me thika, duke e bërë copë-copë. Pas LDB, Evropa u shndërrua në borizane të dy pakteve politiko-ushtarake. Edhe sot, është borizane e këtyre dy taborreve. Në vend se të forcohet, gjithnjë e më tepër, ajo, po shkon drejt degradimit të saj. Tashmë, e ka harruar moton e të barabartëve, se, vetë Francës, zëdhënëse e saj, nuk po i konvenon kjo. Politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht.
Evropa, asnjëherë nuk doli jashtë motos së Maltusit: “Të drejtë për të jetuar nuk keni, e nëse mund të jetoni, jetoni”, të paktën, për ne shqiptarët. Kjo, mëse miri e vërteton heshtjen e saj, gjatë sundimit dyzetepesëvjeçar, sa ishim nën regjimin titist e millosheviçian. Vriteshin e syrgjynoseshin shqiptarët, zhdukeshin e burgoseshin shqiptarët dhe Evrpoa nuk na llogariste si komb. Ajo e mbështeste moton e Maltusit dhe përkëdhelte Titon e Millosheviçin. E njëjta gjë po ndodhë edhe sot. Ata, që mendojnë se ka ndryshime në politikën evropiane, gabojnë. Ajo e ushqen garniturën e Millosheviçit, madje, i bashkangjitet në “dhimbjen” e saj. Ajo, po mundohet t’ia “shërojë” plagët Serbisë, që nga Rambuillet e deri më sot. Mëkatarja më e madhe e këtij mosrespektimi të motos së saj, Franca, edhe më tepër po i fryn zjarrit.
Por, shqiptarët, e morën këtë moto si të vërtetë dhe të zbatueshme. Shqipëria londineze, ua lexonte letrat në xhep, evropianëve. E dinin se nuk kishte asgjë prej kësaj motoje. Se ishte një lojë e pistë dhe nuk kishte të bënte me realitetin. Evropa, i kishte ndërmarrë të gjitha veprimet, për ta përmbysur pushtetin në Shqiprinë londineze. Rekrutonte mercenarë, dhe, me ndihmën e propagandës së verdhë, dhe, të kolonës së pestë, arritën, që, në vitin 1990, ta përgatitnin terrenin për ardhjen e tyre në pushtet. Qëllimit, ia arritën, por, Shqipëria londineze nuk i plotëson kriteret për të qenë komb Evropian!!! Hajde, logjikë, hajde(Sic!) Për të qenë komb i saj, duhet t’i falë Greqisë territor, se, nuk numërohen ato që ia dha Evropa! Për ta pranuar Shqipërinë londineze si komb evropian, ajo duhet ta përfillë moton, “ku janë eshtrat e një ushtari” armik, duhet të jetë tokë e vendlindjes së tij. Shqipëria londineze nuk duhet të jetë komb në kuadër të Evropës, se, ajo përbën në vete edhe kombet e tjera!!! Pra, nuk është shtet komb!
Evropa, po na e thotë këtë! Po, po na thotë, ndërsa, ne, ende kemi punë me neofashizmin që ka ngritur kokë në Shqipërinë londineze, për rehabilitimin e baballarëve, dajallarëve e dhëndurëve, me farë e me fis! Nërsa, në Kosovë, veprohet se si t’ia heqim etiketën neofashizmit serbosllav! Po, këto dy probleme i kemi. Evropa po bën sehir dhe po ndihmon në të dyja anët. Në Shqipërinë londineze, për t’ia plotësuar kërkesat e marrëveshjes, se i ka ushqyer, rekrutuar, paguar dhe orientuar si të veprohet. Në Kosovë, se ka kaluar koha e urrejtjes, luftënxitjes, dhe, serbët, nuk janë ata të para njëzet vitesh, dhe, duhet të ndodhë pajtimi. Falë, vetë i dëmtuari! Bëhi burra, na thonë evropianët, në këtë shtatëdhjetepesëvjetor të ngadhnjimit ndaj fashizmit. Duhet falur, se, nuk bën t’i humbë fara, që, me mund e kultivoi Pashiçi, Tito, Millosheviçi, ndërsa, shumë bukur, sot, po përkujdesen Vuçiçi e Daçiçi.!!!
Kjo është “Evropa e bashkimit të kombeve”! Edhe në këtë përvjetor të ngadhënjimit ndaj fashizmit dhe vënien e themeleve të “bashkimit të kombeve”.
Prishtinë, 09. 5. 2020