MUND TË PËRSËRITET SKENARI I KRIMESË, JO VETËM NË BOSNJE, POR, EDHE NË KOSOVË!
14/09/2016 16:33
OPINION
MUND TË PËRSËRITET SKENARI I KRIMESË, JO VETËM NË BOSNJE, POR, EDHE NË KOSOVË!
Nga Sejdi VESELI
Sipas të gjitha gjasave, ka marrë udhë realizimi i një skenari serbomadh në shtetin e brishtë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë veprime në shërbim të realizimit të atij skenari janë duke u zhvilluar gjysmëlegalisht dhe në heshtje.
Qëllimi është mëse i qartë!
Serbo-çetnikët, nën udhëheqjen shpirtërore të Kishës “Shensaviane”, risynojnë realizimin e aspiratës së tyre të kahershme, nga e cila nuk kanë hequr dorë kurrë. Për nga pesha dhe rrezikshmëria për popujt fqinjë, joserbë, realizimi i këtij synimi mund të konsiderohet si hapi i parë drejt krijimit të Serbisë së Madhe. Serbo-çetnikët, këtë herë, kanë përgatitur një skenar të veprimeve taktike, shumë më ndryshe nga ai i fundshekullit të XX, ngase, edhe rrethanat e sotme dallojnë për shumëçka nga ato të atëhershmet.
Sipas atij skenari, me siguri, të miratuar dhe mbështetur edhe nga rusët, udhëheqja e të ashtuquajturës “Republika Srbska” ka marrë vendim që me 25 shtator të vitit 2016, ta organizojë një referendum, e bindur se do ta fitojë legjitimitetin për t'u shkëputur nga shteti i brishtë i Bosnjës dhe Hercegovinës, për të ndërmarrë, më vonë, hapin e dytë, bashkimin me Serbinë.
Në këtë drejtim, e kanë fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, me çka e kanë “legjitimuar” mbajtjen e referendumit.
Ashtu, si nga shtetet përreth dhe nga Bashkësia Evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet ndërkombëtare, me në krye Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk e kanë bërë as edhe një reagim serioz në raport me rrezikun që po i kanoset jo vetëm rajonit, por edhe Evropës. Të „mençurit“ e politikës evropiane dhe nënbishtat e tyre, sidomos, ata të Ballkanit, ndihen të relaksuar përballë këtij realiteti, se gjoja „distancimi“ i Serbisë nga synimet e klanit të Dodikut, qenkan përjashtim i çfarëdo rreziku!?
Përballë kësaj sjelljeje plot mirëbesim ndaj shovinistëve serbo-çetnikë, domosdoshmërisht, të imponohet dyshimi: A thua, vallë, mos nuk e njohin mirë mendësinë e mykur serbo-çetnike të Beligradit zyrtar, apo, mos këta të “mençur” e kanë shndërruar në monedhë për kusuritje në pazarllëqet e tyre edhe territorin e Bosnjës, ngjashëm me atë të trevave etnike shqiptare.
Mendoj, se, përgjigja në këto dyshime nuk është diçka e vështirë!
Së pari, siç duket, nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë se edhe Serbia po e luan rolin e saj të përcaktuar në atë skenar, të ngjashëm me shumëçka me atë të Krimesë, ku, si Kryetari, Tomisllav Nikolić, ashtu dhe Kryeministri Aleksandar Vučić, janë deklaruar para medieve, se gjoja „distancohen“ nga synimet e mikut të tyre shpirtëror, Milorad Dodik. Është me interes të theksohet ngjashmëria e sjelljes, jo vetëm e shtetarëve serbiajanë, por, edhe e mujsharëve ndërkombëtarë karshi „distancimeve“ të Slobodan Milošević-it, ndaj Milan Martić-it, Radovan Karadžić-it..., para se të fillonte kasaphana në Kroaci dhe Bosnje;
Së dyti, mund të besohet me bazë se është bërë ndonjë pazarllëk i mujsharëve ndërkombëtarë me Serbinë, me shpresë infantile, se, duke i lejuar asaj, tani, ta aneksojë Republika srbska, dhe, nesër, Zajednicën në Kosovë, helbete, do ta shkëpusin nga prehri i ngrohtë i Rusisë.
Së treti, nënbishtet e tyre te verbëruar nga miopia politike, shpresojnë së koti, se, mos, këtë problem do ta zgjedh Bashkësia Ndërkombëtare. Por, sipas të gjitha gjasave, ata harrojnë, pse jo edhe qëllimshëm, se Bashkësia Ndërkombëtare nuk është dëshmuar, apo as që ka dashtë të dëshmohet, se është e zonja të zgjedh as edhe një nga problemet e shkaktuara nga konfliktet e përgjakshme në Botë, që ndodhin jo edhe pa fajin e saj, siç janë p.sh. konflikti ndërmjet dy shteteve koreane, problemi palestinez, situata e pasigurisë në Afganistan, lufta në Irak, në Siri, në Liban, në Libi, në Jemen... etj., nga ku rrjedhin lumenj gjaku nga palët ndërluftuese dhe gurra lotësh nga popullata e pambrojtur dhe e pafajshme, civile. Po të ishte ndryshe, nuk do të ndodhte masakra e boshnjakëve të Srebrenicës, në korrikun e vitit 1995, para hundëve të „paqeruajtësve“ të SFOR-t holandez, apo, nuk do të ndodhte spastrimi i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës nga shqiptarët, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, që e kryen falangat serbo-çetnike „Rojet e Urës“, para hundëve të KFOR-it francez dhe policisë unmikistaneze!...
Në vend të përfundimit të këtij opinioni, po i jap vetës të drejtën ta shprehë drojën time: Nuk është larg mendësh të pritet që pas këtij “distancimi” Serbia të shpërblehet me diçka të ngjajshme, siç ishte Marrëveshja e Dayton-it, ku, pas gjenocidit ndaj kroatëve dhe, sidomos, ndaj boshnjakëve, t’i dhurohej 49% e territorit, sa dyfishi i popullatës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, apo, siç ishin Marrëveshjet: e Rambujesë, e Kumanovës dhe ajo e Konçulit, e, edhe Plani i Ahtisarit, të gjitha këto, të favorshme për Serbinë dhe shumë të dëmshme për shqiptarët, denigruese dhe ofenduese për luftën kundër-pushtuese të UÇK-së dhe UÇPBM-së, për dëshmorët, invalidët e luftës, viktimat civile, fëmijët e masakruar, gratë e përdhunuara!...
Prishtinë, 14 Shtator 2016