MOS U BËFSH ME TË KAJT (QA) SERBIA!

20/04/2019 19:20

OPINION

 

 

 

MOS U BËFSH ME TË KAJT (QA) SERBIA!

Bedri ISLAMI

 

Këtë fjalë të mençur e kam dëgjuar shumë vite më parë nga miqtë e mi drenicakë.

Dhe, përmes saj janë thënë të gjitha ato që mund të thuhen përmes një fjalie të vetme.

Përse më është kujtuar në dy ditët e fundit?

Nuk e di se çfarë ka ndodhur ditën e shtunë me zotin Nikollë Lesi, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit në një rrugë të bllokuar, apo ka qenë diçka e përgatitur ekstra për të.

Kam dëgjuar dy variantet e ndryshme nga njëri-tjetri: i pari, për ndalim të qarkullimit të tij me makinë në një rrugë të bllokuar për shkak të protestës së 13 prillit, dhe tjetri, nga vetë zoti Lesi për pengimin që i kishin bërë dhe debatin me njerëzit e policisë, i cili ishte zgjidhur pas një telefonate të kryeredaktorit të gazetës “Koha Jonë”, me drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit.

Por, për diçka jam i bindur: zoti Lesi nuk është nga ata burra që lejon ta dhunojë dikush dhe as të ushtrojë dhunë ndaj tij.

Edhe policët, sado të politizuar të jenë, nuk besoj se guxojnë të ngrenë dorë ndaj një gazetari të njohur.

Por, kjo nuk më solli ndër mend fjalën e dëgjuar shumë vite më parë. Ndër mend ma solli reagimi i Berishës, i cili vrapoi të marrë në mbrojtje zotin Lesi, përmes një reagimi “të fortë” dhe “mbresëlënës”.

Mes të tjerave, duke dënuar dhunën ndaj gazetarit, ai tha se: “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal ndaj zotit Lesi, paralajmëroj sponsorët dhe ekzekutorët e tij se do përgjigjeni personalisht për aktin tuaj banditesk, dëshmi e një fundi të shpejtë dhe të tmerrshëm për ju. sb”.

Zoti Berisha është njeriu që në vitin 1997 dërgoi forcat e shërbimit informativ për të djegur dhe e dogji selinë e redaksisë së kësaj gazete.

Ai u vuri flakën asaj pa pyetur se kush është brenda dhe arrestoi një pjesë të stafit të saj.

Njëri ndër gazetarët e dhunuar nga shërbimi i Gazidedes, me urdhër të Berishës, ende edhe sot e kësaj dite, pas 21 viteve, nuk është në gjendje normale shëndetësore.

Berisha ishte njeriu që e nxori këtë gazetë dhe shefin e saj, të njëjtin Nikollë Lesi që e mbron tani si të padëshirueshëm dhe i detyroi që të mbroheshin privatisht për jetën e tyre. Ai dërgoi pjesë të gardës së tij për të rrahur barbarisht gazetarin Edi Rama, shpalli njeri pa vlerë dhe rrezik kombëtar një sërë gazetarësh që sot i servilosen dhe bëjnë thirrje për dhunë.

Tani, duke theksuar se ndaj Lesit është ushtruar dhunë dhe është goditur, ai merr pamjen e qengjit dhe hedh poshtë mantelin ujkëror.

Berisha është një njeri i lexuar që e njeh mirë kanunin dhe e di se një njeri i dhunuar, është i çnderuar.

Meqenëse zoti Lesi është katolik i devotshëm, më lejohet t’i sjell në kujtesë një letër që ati jezuit Domeniko Passi, me 23 prill 1893, i dërgonte gjeneralit të Urdhrit jezuit në Romë, ku mes të tjerave shkruan se: ” Dhe, që ndonjëri të rrëfehet me gisht si i dhunuar, nuk është e domosdoshme që personi të jetë rrahur patjetër me dru a t’i kenë shkaktuar dëmtime e shenja në trup, por mjafton një shuplakë në fytyrë apo një e shtyrë, bile shpesh mjafton të përhapet zëri se filanin e kanë shtyrë, edhe po të mos jetë e vërtetë, dhe ai të përmendet e të përbuzet si i rrahur…”

Nuk po e sjell gjithë letrën e cituar më lart, as se çfarë bën në këtë rast një i dhunuar, që cilësohet edhe si i rrahur, pasi nuk është ky tagri i këtij shënimi.

Berisha që merr në mbrojtje një njeri që besoj nuk ia kërkon dhe as nuk ka ndër mend t’ia kërkojë, e di se ku të çon fyerja, rrahja, dhuna apo një fjalë e rëndë.

“Mos u bëfsh me të qajtë serbi “, thonë drenicakët dhe unë e di kuptimin e gjithë kësaj, ashtu si e di se asnjëri prej tyre nuk është serb.

Dhe jo rastësisht më është kujtuar kjo fjalë e mençur.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode