MOS IU VINI FAJ!

28/03/2017 06:52

OPINION

 

 

MOS IU VINI FAJ!

 

Viktor MALAJ

 

 

Për mendjen e turbulluar të ndonjë akademiku hokatar që, me gjithë moshën që ka, vazhdon të ëndërrojë për tepsi të mbushura me sheqerpare, për mendjet pasionante dhe tribaliste të disa analistëve provincialë dhe për mendjet pa mend të disa qytetarëve të papjekur e të papërgjegjshëm…

 

 

*****

Përveç atyre që çirren e bërtasin përditë në çadër, është edhe një numër i vogël analistësh “të pavarur” dhe intelektualësh qejfmbetur e postepritës që po bëjnë çmos t’i bindin shqiptarët prej gjashtë javësh se shkaku i protestës dhe i fushimit çadrist është meraku deri në vetësakrifikim për zgjedhje të lira e të ndershme politike.

Po t’iu besonim këtyre misionarëve të mashtrimit dhe përfaqësuesve të së keqes, do të na duhej të bindnim veten se çeta çadriste është një grup njerëzish idealistë të cilët digjen për parime e drejtësi, për respektin ndaj vullnetit të popullit dhe do të ndiheshim fatkeq që këta idealistë të lindur nuk kemi pasur fatin t’i kishim në drejtimin e vendit dhe prandaj duhet të bëjmë çmos t’i mbështesim dhe lartësojmë.

Mirëpo, ja ku shfaqen kryeneç dy faktorë që i tradhtojnë pretendimet, personalitetin dhe kauzën e tyre. I pari dhe më kryesori është fakti se kjo tufë bejlurçinash ka qenë provuar disa herë në punët e shtetit dhe po aq herë ka dështuar me turp, duke i sjellë dëme vendit.

Dështimet e tyre kryesore nuk kanë ardhur për shkak të pamundësive objektive të brendshme e të jashtme, për t’iu dhënë shqiptarëve çfarë dëshirojnë dhe çfarë iu patën premtuar në mënyrë të përsëritur. Dështimet në arritjen e objektivave dhe realizimin e premtimeve elektorale për shkak të pamundësive të brendshme apo ndryshimeve në koniunkturat politike dhe ekonomike globale, janë të pranueshme dhe iu kanë ndodhur partive dhe figurave politike me reputacion dhe kontribute ndërkombëtare. Individë apo forca politike që dështojnë për të tilla shkaqe mbeten të nderuar në histori dhe ruajnë të drejtën morale dhe politike të riprovohen.

Por, jo! Ky nuk është rasti i çadristëve tanë. Ata kanë dështuar sa herë janë provuar kryesisht për shkak të moralit të tyre, të formimit, sjelljes dhe veprimeve të tyre. Ata kanë dështuar pasi sjelljet dhe veprimet e tyre, si në qeverisje ashtu edhe në opozitë, kanë kompromentuar dendur dhe rëndë të gjitha predikimet dhe pretendimet e tyre morale, politike dhe demokratike. Komprometimi ka qenë aq i madh dhe i shpeshtë saqë, për çdo mendje normale dhe për çdo individ që ka respekt për të vërtetën, për veten, për të sotmen e të ardhmen e bashkësisë ku bën pjesë, nuk lë asnjë shteg për të besuar as në sinqeritetin e pretendimeve çadriste dhe as në mundësinë e tyre për vetëndreqje.

Madje, kauza e zgjedhjeve të lira është arma më vetëvrasëse për ta, pasi gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tyre politike ky është parimi që është dhunuar më dendur dhe më dukshëm prej tyre. A mundet pra që të besojmë se dhunuesit e pamëshirshëm të proceseve zgjedhore shqiptare, janë shndërruar, sa hap e mbyll sytë, në të penduar e në engjëj mbrojtës të vullnetit popullor të cilin nuk e kanë respektuar asnjëherë? A na lejohet të besojmë se shkaku i vërtetë i ngujimeve është rreziku i prishjes së zgjedhjeve?

Faktori i dytë që i trondit gjithashtu pretendimet, në dukje të drejta por false në realitet, është sjellja dhe fjalori banditesk i çetës nën çadër. Çfarë mund të presin shqiptarët dinjitozë, shqiptarët që aspirojnë për një jetë më të mirë vetjake, familjare dhe kombëtare, dhe jo shqiptarët që aspirojnë dhe luftojnë për një post apo vend pune që do të mund ta shpërdoronin në favor të xhepave të vet dhe në dëm të popullit, siç kanë vepruar më parë, çfarë mund të presin pra nga një grup çakejsh që bëjnë thirrje për luftë, tërheqje zvarrë, thyerje dritaresh, shpim gomash, goditje me grushte, vrasje, plagosje, gjakderdhje, fund të tmerrshëm dhe muzikë funebër? A mund të jenë këto morali, fjalori dhe sjellja e idealistëve dhe mbrojtësve të “parimeve demokratike”?

E shkuara e tyre, ashtu si e sotmja e tyre, morali dhe sjelljet e djeshme ashtu si morali dhe egërsia e sotme na bindin se çadra e ngritur në mes të kryeqytetit ka si qëllim të shërbejë si bunker për mbrojtjen e një grushti njerëzish mëkatarë dhe të inkriminuar nga goditjet “bërthamore” të një drejtësie shumë më të pastër se kjo e themeluara dhe mbrojtura prej tyre.

Le të marrim vetëm dy raste për ta ilustruar. Para pak ditëve, Prokuroria e Përgjithshme, e drejtuar nga një vegël qorre e kupolës çadriste, ka vendosur pushimin e ndjekjes penale për individët e përfshirë në hartimin dhe firmosjen e Marrëveshjes Antikombëtare të Detit me Greqinë. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e RSH e ka hedhur poshtë si antikushtetuese atë marrëveshje; megjithëse lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare është atribut i Presidentit të Republikës (Kushtetuta e RSH, neni 92/ë) ajo është bërë nga Qeveria; megjithëse me atë marrëveshje firmosej tjetërsimi i territorit të RSH, veglat e caktuara në prokurori prej atyre që betohen se Vetingun mund dhe duhet ta bëjnë vetëm ata, nuk kanë mundur të gjejnë prova fajësie. Hmm! Ka të ngjarë që negocimet, përpilimet, miratimet dhe firmosjet t’i kenë bërë UFO-t.

Arsyeja e ngujimit në çadër nuk është rreziku i “blerjes” së zgjedhjeve, por është “rreziku” që dhallërat e hirrat, shëllirat dhe këllirat në organet e drejtësisë të zëvendësohen me juristë me integritet moral dhe përgjegjësi kombëtare dhe kështu autorët e akteve antikombëtare dhe antipopullore të shkojnë prapa hekurave. Ata janë vërtetë në hall dhe për këtë s’iu vihet faj, por populli shqiptar ka një hall akoma më të madh: si t’i heqë një herë e mirë qafe mashtruesit dhe dhunuesit e vet të paskrupullt.

Ja çfarë i thotë Sali Berisha para pak ditëve një televizioni të Kosovës duke folur për ngjarjet e 1997:

“Ata thyen depot në jug në dy vende, ne pastaj hapëm depot në të gjithë vendin. Dy ishin synimet: Krijimi i ekuilibrave dhe mundësia për Kosovën sepse mendonim t’i infiltronim sa më shumë në Kosovë”.

Fanatikët kokëzbrazur të PD-së e S. Berishës dhe avokatët e tyre të djallëzuar kanë qenë të gatshëm përgjatë 20 vjetëve që të kryqëzojnë, linçojnë dhe poshtërojnë këdo që ka guxuar të thotë se Sali Berisha hapi depot dhe ishte shkaktari kryesor i kaosit dhe kasaphanës brendashqiptare të asaj kohe që iu mori jetën disa mijëra shqiptarëve.

Po tani që protagonisti i akteve kriminale e pohon vetë, çfarë na sugjeron skota e tij e fundërrinave? Si mund të imagjinohet që një Komandant i Përgjithshëm i FA, pasi i dhunohen dy depo armatimi ku mund të ishin një mijë armë, urdhëron hapjen e dyqind depove të tjera dhe mundëson rënien në dorë, kryesisht të banditëve, të rreth një milion armëve?

Për çfarë “ekuilibrash” e ka fjalën ky përfaqësues i së keqes; midis kujt dhe me kë do të krijohej ekuilibri? Si mund të besohet se dorëzimi i armëve tek bandat e rrugës do të sillte “infiltrimin” e tyre në Kosovë? A nuk mund ta bënte shteti ” demokratik ” këtë akt, apo ” atdhetarizmi ” kishte arritur kulmin tek njerëzit e rrugës dhe dhunuesit e shtetit të vet ?

Të gjitha pretendimet e tij janë një mashtrim i paturpshëm. Nëse kemi parasysh sjelljet e tij të atëhershme, dërgimin e fletëthirrjeve tek qindra qytetarë të veriut për mobilizim “për të luftuar në jug dhe pas tri javësh të vishesh polic” (ka njerëz që ende i ruajnë ato fletëthirrje) dhe dërgimin e civilëve nga veriu në zonat e jugut (pati prej tyre që edhe u vranë) si dhe urdhrat për përdorimin e aviacionit, artilerisë dhe LHL kundër popullsisë civile në jug, del qartë se hapja e depove të armatim-municioneve ka qenë një akt nxitës për armiqësi dhe konflikt veri-jug, për hir të kolltukut presidencial të Sali Berishës.

Përpjekjet e protagonistit për të na e pozuar qëllimin e tij në këndvështrime të reja vetëm sa ia shtojnë ngjyrat si akti më i turpshëm dhe më kriminal i veprimtarisë politike shqiptare qysh nga Shpallja e Pavarësisë.

Janë këto dhe dhjetëra krime të tjera të pandëshkuara, që mbajnë në ankth një tufë banditësh politikë, që kanë nxitur gjoja protestën për “zgjedhje të lira”, por që ka si synim futjen e vendit në kaos, pengimin e Vetingut, marrjen e pushtetit politik me mjete dhe procedura antidemokratike dhe pastaj… Hmm, pastaj. Pastaj e di ustai si vepron. E bën “vetingun” siç e ka bërë gjatë jetës së tij politike, në funksion të shpëtimit të lëkurës dhe pasurisë së vet.

Për mendjen e turbulluar të ndonjë akademiku hokatar që, me gjithë moshën që ka, vazhdon të ëndërrojë për tepsi të mbushura me sheqerpare, për mendjet pasionante dhe tribaliste të disa analistëve provincialë dhe për mendjet pa mend të shumë qytetarëve të papjekur e të papërgjegjshëm, këto dhe të tjera krime të çadristëve janë probleme folklorike, letrare, humoristike që nuk çojnë peshë dhe nuk kanë lidhje me çfarë po ndodh.

Këta farë burrash edhe mbahen për atdhetarë, por edhe janë dakord të riciklojnë në pushtet tjetërsuesit e territorit shqiptar, madje i gjykojnë si të përshtatshëm për të qenë themelues të ” Republikës së Re “; edhe mbahen për humanë, por nuk e konsiderojnë ndonjë gjë madhore hapjen e depove të armatimit dhe vrasjen, si pasojë e tyre, të mijëra shqiptarëve; edhe janë për shtetin ligjor, por janë kundër ndëshkimit të autorëve të krimeve më të rënda të këtyre 27 viteve.

Dhe, jo vetëm kaq, por ata janë dakord dhe hiqen sikur besojnë se protesta bëhet për zgjedhje të lira dhe se procesin e Vetingut mund dhe duhet ta bëjnë pikërisht ata që i tremben më shumë atij, që tentuan ta sabotojnë, ta vonojnë dhe ta bëjnë të pavlefshëm me çdo mjet.

Kaq qesharake, po aq sa e dëmshme, është bërë legjenda e “blerjes së zgjedhjeve me paratë e drogës” saqë po na del sikur, jo vetëm zgjedhësit shqiptarë, por edhe kancelaritë perëndimore qenkan blerë prej tyre. Ndërsa përfaqësuesi i BE, z. Flecktenstein pohonte se ishte duke pritur që opozita të sillte qoftë edhe një provë që vërtetonte se paratë e drogës po përdoreshin për efekte zgjedhore dhe, sidomos, se ato mund të përdoren vetëm nga njëra palë, na del një shkrimtar dhe ish -ministër, që pendohet pse pendohet, dhe na thotë se “PD ka dhënë të gjithë argumentet pse nuk duhet të shkojë në zgjedhje..”.

Për çdo mendje të kthjellët PD nuk ka dhënë asnjë argument deri tani. Ajo, thjesht, ka artikuluar një frikë që për disa është e justifikuar dhe për shumicën e shqiptarëve është e rreme. Nuk mund të krijohen qeveri teknike pse dikush ka frikë ose bën sikur ka frikë. Aq më tepër që, siç e tha edhe P.Majko, kush ka paratë dhe vullnetin kriminal për të blerë zgjedhjet e bën këtë si me qeveri teknike apo teknologjike pasi blerja e votimit apo mosvotimit realizohet jashtë dhe larg qendrave të votimeve apo numërimeve.

E mira e vendit, popullit por edhe vetë PD-së e do që ata t’i lënë këto artifice dhe të shkojnë normalisht në zgjedhje. Por, mospjesëmarrja e tyre nuk është antikushtetuese dhe as antidemokratike siç përpiqet të na “trullosë” ndonjë bashkëqeverisës që beson se kemi harruar kur u vendos pluralizmi politik në Shqipëri. Antikushtetuese dhe antidemokratike është falsifikimi apo dhunimi i procesit zgjedhor apo moslejimi i kundërshtarit për të marrë pjesë në konkurrim, siç kanë bërë shpesh çadërngritësit dhe jo mospjesëmarrja vullnetare në proces me pretekste të rreme.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode