MOS I LËNDONI KRIMINELËT POLITIKË! PËRGJIGJE NJË LEXUESI TË DITËS QË MË SHKRUANTE PSE MERREM ME SALI BERISHËN

20/08/2022 07:49

OPINION

 

 

 

MOS I LËNDONI KRIMINELËT POLITIKË! PËRGJIGJE NJË LEXUESI TË DITËS QË MË SHKRUANTE PSE MERREM ME SALI BERISHËN

 

Nga Viktor MALAJ

 

 

Në kohë, vende dhe sisteme të ndryshëm politikë termi “kriminel politik” ka marrë kuptime dhe interpretime të ndryshme. Gjatë sundimit të regjimit njëpartiak të para vitit 1990, fatkeqësisht, përveç spiunëve, terroristëve e sabotatorëve, brenda termit të mësipërm u futën edhe individë që u akuzuan dhe dënuan për “agjitacion e propagandë”, domethënë individë që kishin dhe shprehnin pakënaqësi kundrejt regjimit dhe udhëheqjes së tij, megjithëse në të shumtën e rasteve kishin të drejtë dhe nuk bënin thirrje për përmbysje me dhunë të atij sistemi.

Si në shumë aspekte të tjera të jetës social-politike, pas vitit 1990 ne kaluam në ekstremin tjetër. Në emër të lirisë dhe pluralizmit politik, gjithfarë matrahulësh dhe banditësh u angazhuan në veprime kriminale, të rrezikshme për vendin dhe shoqërinë shqiptare, dhe sapo ndjenin ndonjë kërcënim nga veprimi i ligjit, edhe ashtu i dobët, fillonin dhe vazhdojnë t’i justifikojnë aktet e tyre kriminale me pretekste politike, duke keqpërdorur pozitat apo veprimtarinë e tyre si maska dhe alibi të veprave të zeza që kryejnë ndaj shtetit dhe shoqërisë në emër të pluralizmit politik.

Qysh në dhjetor 1990, filluan veprimtaritë e dhunshme si bastisjet, djegiet dhe shkatërrimet e dyqaneve, fabrikave e deri muzeve, dhunimet e rendit në përmasa alarmante e deri aktet kriminale kundrejt institucioneve dhe punonjësve të policisë. Shumicën e këtyre akteve e kryenin elementët keqbërës ordinerë, por nën frymëzimin dhe mbrojtjen e gangsterëve rioshë politikë. Dalëngadalë, u krijua psikoza dhe bindja se, mjafton të jesh i angazhuar me ndonjë forcë politike apo të veprosh nën emrin dhe për llogari të saj, dhe do të mund të “justifikosh” çfarëdo akti kriminal.

Nëse dikush guxon të të akuzojë apo, “larg qoftë”, të të arrestojë për veprimtarinë antikushtetuese, antinjerëzore dhe imorale, atëherë nxjerr nga xhepat e ligësisë dhe vendos në gjokset e mashtrimit parullën “i burgosur politik”.

Themeluesi i teorisë dhe praktikës së alibive politike për krime ordinere dhe antipopullore, si për shumë vepra të tjera të errëta, mbetet Sali Berisha. Ata që dogjën Shkodrën, Elbasanin, Kavajën e Fierin në dhjetor 1990, ata që i vunë zjarrin pjesërisht godinës së MPB në maj 1991, ata që sulmuan Akademinë Ushtarake në Tiranë apo postën e policisë në Kamzë në vitin 1991, sapo nisi të vepronte ligji mbi ta, u morën në mbrojtje dhe u shpallën të “persekutuar politikë” nga Babai i Kaosit dhe zjarrvënësi i Shqipërisë, Sali Berisha.

Një lexues i gazetës Dita shkruante një ditë poshtë shkrimit tim se po merresha gjithnjë me S. Berishën. Po, është e vërtetë. Shqipëria ka pasur dhe ka, fatkeqësisht, një numër tmerrësisht të madh individësh të padenjë politikë dhe, madje edhe të inkriminuar, në pushtetin dhe opozitën e sotme, por Sali Berisha, jo vetëm simbolizon njeriun më të pafytyrë, më agresiv dhe më të rrezikshëm të këtyre 32 viteve, por ai vazhdon ende me këmbëngulje “misionin” e tij të dhunshëm të instalimit të përçarjes, urrejtjes dhe konfrontimit edhe tani pak përpara se të na lërë “shëndenë”.

Nën frymëzimin dhe drejtimin e tij u krijua modeli i kriminelit politik i cili, duke mospërfillur asnjë normë morale të shoqërisë dhe asnjë ligj të shtetit, nuk ndalet përpara akteve çnjerëzore e kundërshoqërore dhe pastaj vetëdeklarohet politikan dhe e përdor mantelin politik si alibi për krimet ordinere, kërkon imunitet nga ligji dhe fiton mbrojtjen partiake me deklarata dhe protesta gjoja në emër të demokracisë dhe lirisë së fjalës. Krimineli politik fyen, shpif, mashtron, kërcënon, falsifikon dhe dhunon procese zgjedhore, sulmon institucionet, iu vë atyre zjarrin, vjedh pasurinë shtetërore (në të vërtetë të popullit) dhe, madje, vret edhe njerëz dhe, pastaj, thotë: “Po më sulmoni për arsye politike”.

Krimineli i sotëm politik dhunon lirinë e të tjerëve nën maskën e qenies “qytetar i lirë” për veten e tij; shkel mbi dinjitetin e të tjerëve me pretekstin se po shpalos personalitetin dhe mendimin e vet, ndonëse i mungojnë të dy; manipulon dhe dhunon proceset dhe rezultatet zgjedhore dhe del e thotë se “Libofsha ishte një buqetë me lule për demokracinë”; vjedh taksat e qytetarëve nëpërmjet tenderave e koncesioneve dhe thërret: Rroftë liria e demokracia!; sajon gjithfarë incidentesh dhe përplaset fizikisht me forcat e rendit dhe pastaj thotë se “na kanë provokue”; vret njerëz të pafajshëm, ditën me diell, pa vendim gjyqësor, dhe pastaj del e shpall si “krime makabre” vrasjet e bëra dikur nga shteti shqiptar me vendime gjykate kundër njerëzve të armatosur dhe vrasësve të punonjësve të shtetit etj.etj.

Përveç partive politike, kriminelëve politikë iu kanë ardhur në ndihmë deri tani edhe organet e korruptuara dhe të inkriminuara të prokurorisë dhe gjykatave.

Një bandit politik udhëhoqi në vitin 1998 djegien e komisariatit të Tropojës dhe, megjithëse ishte arrestuar për këtë akt, iu vu kandidatura për deputet nga PD dhe u lirua nga akuzat (megjithëse ishte terrorist) me pretekstin se ka fituar imunitet pasi u zgjodh si anëtar parlamenti. Cili vend demokratik iu jep imunitet terroristëve të tillë si i sipërpërmenduri apo si drejtuesit kryesorë të PD-së që sulmuan institucionet kryesore të shtetit me tanke, mitraloza dhe flakëhedhës në shtator 1998?!

Sali Berisha dhe kupola e partisë së tij vetjake, e quajtur PD, janë thjesht një celulë terroriste dhe, po t’i lejonin kushtet e brendshme dhe të jashtme, ata do i vinin flakën Shqipërisë dhe shqiptarëve sa herë të ndjenin rrezikun e humbjes së pushtetit apo të pamundësisë për marrjen e tij në rrugë demokratike. Filozofia, morali dhe retorika e tyre politike dominohen nga urrejtja dhe dhuna. Pa përmendur thirrjet dhe kërcënimet e panumërta të Berishës për dhunë, duhet të kujtojmë këtu pohimet e J. Topallit në 2005 se “Ka faj Berisha që nuk ju dha plumbin (socialistëve)!” apo se “Po, shqiptarët duhet të rrëmbejnë armët…” ( në 2017 ).

Pas Sali Berishës, i cili iu bënte thirrje shqiptarëve në 2016 për rrëmbimin e armëve “për t’u mbrojtur”, edhe Ilir Meta nuk ka përtuar të fusë në fjalorin dhe sjelljen e tij thirrjet për armë dhe dhunë. Madje, edhe kur ishte President i vendit dhe supozohej me Kushtetutë të ishte simbol i unitetit kombëtar, herë pas here përsëriste dhe kërcënonte shqiptarët duke iu kujtuar vargjet e një kënge dibrane ku bëhej fjalë për rrëmbim e përdorim armësh.

Mirëpo, ndërsa kënga dibrane fliste për përdorimin e armëve dikur kundër pushtuesve turq dhe sllavë, Presidenti i vendit aludonte për përdorimin e armëve të një pjese të shqiptarëve kundër pjesës tjetër. Pse? Me qëllim dhe në shërbim të pushtetit vetjak dhe familjar, të pushtetit të pafund në kohë dhe përfitime e privilegje.

Një individ politik i padenjë si Fatmir Mehdiu, megjithëse i implikuar rëndë në aferën korruptive që çoi në tragjedinë e Gërdecit (të cilën, vetë Berisha e ka quajtur një “krim shtetëror”), ku humbën jetën 27 njerëz dhe 300 të tjerë u plagosën, ka arritur t’i shpëtojë përgjegjësisë penale nëpërmjet keqpërdorimit të “imunitetit parlamentar”.

Po kështu, një halabak politik si E. Salianji, megjithëse u dënua me burgim nga gjykata e shkallës së parë të Tiranës, u rizgjodh deputet dhe tani, për turpin e njerëzve të paturp të gjykatave shqiptare, vazhdon të jetë i lirë dhe, madje, t’i japë popullit leksione mbi moralin, ligjin, demokracinë e drejtësinë.

Rasti më i fundit dhe mjaft domethënës është ai i një zonje pa dinjitet me emrin Adriana Kalaja, një bredhëse postesh e privilegjesh politike, dhe jo vetëm, e cila i ka ndërruar deri tani nja katër parti, derisa ka përfunduar tek Fronti i Shpëtimit Kombëtar të non-gratave. Kjo politikane sheshesh dhe gjahtare përsheshesh, që ka të ngjarë të jetë i së njëjtës ADN me Kalanë e viteve 1991-1992 që i vuri zjarrin Shqipërisë në përpjekje për të paralizuar jetën ekonomike e sociale të vendit dhe pastaj për të vjedhur pasuritë e sindikatave (Bashkimeve Profesionale), u bë mbrojtësja dhe glorifikuesja e një akti kriminal që dënohet gjithkund dhe gjithmonë nga njerëzit me dinjitet e moral.

Shtetasi Qani Muça plagosi me armë zjarri në Tiranë një punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, të quajturin Ilirian Gavelliu sepse, së bashku me të tjerë, kishin shkuar për t’i prishur banesën e ndërtuar pa leje dhe ku do të ndërtohej një vepër publike. Madje, autori ishte shprehur se “këta duhen vrarë të gjithë, sepse janë kriminelë”. Pasi autori u dërgua në burg, juristja dhe avokatja (çfarë ironie!) A. Kalaja shkroi: “Nëse do të kishim vepruar të gjithë që nga 2013 ashtu siç veproi Qani Muça banditët nuk do të ishin bërë miliarderë e më pas të blinin votën, shoqërinë civile, pluralizmin dhe demokracinë… Respekt dhe vlerësim për Qani Muçën. Të lumtë pushka!- thotë populli”.

Vini re deri ku kanë mbërritur punët tona si popull. Një nënë, grua, motër dhe vajzë përkrah dhe vlerëson lart një vrasës vetëm pse vrasësi qëlloi kundër një punonjësi të shtetit që avokatja dhe aspiruesja për pushtet e privilegje nuk e pëlqen. Sipas karakterit dhe moralit të saj, ne shqiptarët duhet të rrëmbejmë armët dhe të vrasim njëri-tjetrin sa herë, me ose pa të drejtë, nuk na pëlqen një qeverisje.

Zonja në fjalë bën pjesë në stanin e të gjithë atyre shqiptarëve pa mend që prej 32 vitesh justifikojnë dhe lavdërojnë aktet terroriste të bandave mesjetare të viteve 1945-1955, të cilat, për të kthyer pushtetin feudal të bajraktarëve fshiheshin nëpër shpella ose shkonin në Jugosllavi dhe pastaj, për llogari të të huajve vinin dhe vrisnin deputetë, mësues apo vajza të reja fshatare që kishin guxuar të thyenin normat e kanunit dhe të shkonin nëpër aksione ndërtimtare apo që aktivizoheshin për zgjidhjen e problemeve që pengonin emancipimin e rinisë.

Qëndrimi i kësaj zonje me mbiemrin kala dhe me mendjen guralec është në të njëjtën gjatësi vale me komandantin e saj non-grata që ka vrarë shqiptarë të pafajshëm dhe është betuar të vrasë sërish dhe, pastaj, na shfaqet i çuditur dhe i pezmatuar pse anglo-amerikanët e kanë certifikuar si “minues i demokracisë dhe favorizues i korrupsionit madhor në Shqipëri”. Ndërsa ajo, pasi u procedua penalisht, “u pendua ” dhe tha se “ka dashur të thotë diçka tjetër” (vini re: shprehjet “respekt dhe vlerësim për Qani Muçën. Të lumtë pushka” paskan edhe kuptim tjetër si p.sh.: Turp të ketë Qani Muça! T’u thaftë dora!), ishte nëna parti ajo që i doli në krah avokates së krimit.

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun e PD-së, znj. Jola Hysa shpalli publikisht se “PD dënon thirrjen në polici të avokates Adriana Kalaja. E konsiderojmë një akt të qartë politik pa asnjë bazë ligjore. Deklarata është nxjerrë jashtë kontekstit…”.

Pra, një parti politike që është vetëquajtur “demokratike”, që ka sunduar Shqipërinë disa herë dhe dëshiron ta sundojë përherë, nuk dënon thirrjet për rrëmbim armësh dhe për vrasje, por “dënon” vënien para përgjegjësisë ligjore të atyre që i bëjnë këto thirrje dhe thirrjeve kriminale u bën “interpretim letrare dhe linguistike”.

Ky rast, fatkeqësisht i ri, por jo i vetmi, dëshmon shumë për moralin e çetës politike pa moral dhe për faktin se si banditët dhe kriminelët politikë të këtyre tri dekadave kanë gjetur vazhdimisht frymëzim dhe mbrojtje nga forcat politike. Gjithashtu, kjo tregon qartë se një popull “me mend në kokë”, sado që me të drejtë është i pakënaqur me gjendjen dhe qeverisjet aktuale, nuk duhet kurrsesi të bjerë në prehrin e grupeve politike në thelb terroriste dhe kriminale. Detyra e tij historike është të dalë mbi forcat e sotme politike, në pushtet dhe opozitë, dhe të mbështesë e inkurajojë vetëm individët e ndershëm dhe me integritet moral, brenda apo jashtë partive politike.

DITA

 

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode