MISIONI I URTAKËVE KOMBËTARË, 3
08/12/2021 06:53
LIBËR NË VAZHDIME, 3

MISIONI I URTAKËVE KOMBËTARË
Filozofi politike
Tjetërsimi
Trajtesa e problemeve, kudo në botë, është varur prej të fortëve ekonomikë dhe ushtarakë. Kjo ka ndodhur që nga lindja e pronës private, e, po ndodhë edhe në ditët e sotme. Sa harë që ka dalë në pah drita e flakadanit, në planin social apo në atë kombëtar, menjëherë, të gjithë janë bashkuar për ta fikur, që drita e tij të mos shihet më larg. Janë tubuar kundër flakadanndezësit, pa dallim feje e kombi, pa dallim ngjyre e race, që i kanë ardhur në ndihmë vetvetes, për të shpëtuar nga “apokalipsi”
Në këtë rrugëtim, janë tjetërsuar pasuritë e kombe, janë tjetërsuar kultura e bërës të histrorisë, që, para pasardhësve të vet, të dalin si shpëtimtarë të njerëzimit, e, në të vërtetë, kanë qenë të “mallkuarit e botës”, siç do t’i quante Franc Fanoni. Si rrezultat i kësaj lufte kundër flakadanëve, përmes lojës së qirinjve, që filluan të ndezen nëpër altarë fetarë e politikë, kemi shumë kombe, gjuhë, kultura, doke e zakone të zhdukura, dhe, sot, krenohen me bëmat e tyre. Kjo u ka mundësuar zgjerime territoresh, krijimin e perandorive dhe lënien në trashëgimi pasardhësve të tyre monumente të mëdha, që sot trajtohen si kultura arkitektonike, manastire, xhami, e, lagje pushimoresh (Taxh Mahalla), për personalitet e caktuara të kohëve, në të cilat kanë jetuar.
Ndër popujt (kombet) që ka rënë viktimë e pushtuesve, në të gjitha format, qoftë të tjetërsimit, qoftë të asgjësimit, qoftë të përvetësimit, jemi edhe ne shqiptarët, që, edhe sot, shihen reliktet tona, si dëshmi nga artefaktet. Siç e thamë edhe më lart, se, të gjithë janë bashkuar për ta ndihmuar njëri-tjetrin, qoftë përmes “vllazërisë” ekonomike, qoftë përmes “vllazërisë” fetare, dikur, por, janë aktivë edhe në ditët e sotme. Ne, nuk kishim një llojë vllazërie të tillë dikur, por, as sot, dhe, sa herë përpiqemi t’i ndezim flakadanët, pa marrë parasysh në cilën fushë, por, që trajtohen nga këndi kombëtar, të mallkuarit e botës lidhin miqësi ndërvete, për të na penguar, përmes qirinjve, duke i ndezur në foltoret politike e fetare, që t’i fikin flakadanët tanë.
Mjerimi më i madh është, se, edhe në ditët tona, ku, shumë të vërteta kanë dalur në shesh, po gjejnë qirinjndezës në mesin tonë, madje, edhe pa para e pushtet, vetëm për ta ruajtur “traditën e të parëve”, që nderuan pushtues, sipas tramakut të ofruar. Këta të mjerë, ende nuk e kuptojnë, se, më shumë po shkruajnë e po flasin të tjerët për ne, në zbulimin e të vërtetës së dikurshme e të sotme, por, po i fryejnë buzët si zurlaxhinjtë, për t’i fikur flakadanët, duke i shpallur miq të këtij apo atij shteti, ideologjie sociale e fetare, ata. Kjo kategori nuk po janë në gjendje të mendojnë, se sikur paraardhësit e tyre, do të flaken edhe këta, madje, edhe kanë nisur t’i flakin, se, më, nuk ua kanë nevojën të huajt.
Gjithë kjo luftë e shpallur, edhe zyrtarisht, kundër flakadanëve tanë, nga “tanët”, është e pashpjeguar, dhe, edhe pse i dime, pak a shumë, nga vijnë yshtjet, nuk po jemi në gjendje të dalim publikisht, për t’ua sqaruar pasardhëve tanë, se, këtu kanë gisht edhe “miqtë” tanë, që jemi në gjendje ta bëjmë të pabërën kundër vetvetes, historisë, personaliteteve kombëtare, vetëm e vetëm që të jemi në llupën e tyre. Kjo llupë është shumë më e madhe, se sa na mund ta marrim me mend, sepse, ata na vështrojnë nga të gjitha poret e jetës, na e nuhasin edhe frymëmarrjen, për të bërë analiza në laboratorët e tyre, dhe, pastaj, rezultatet i shpërndajnë nëpër të gjitha këndet e inreresit politiko-ekonomiko-fetar, duke i sugjeruar, se, si të veprohet, deri ku mund të shkojnë, për të mos e kaluar cakun e interesave, e, në anën tjetër, me ne qeshin si me budallain. Jo vetëm se qeshin, por, edhe rrahin gjoks për të mirat që na i kanë “bërë”, e bëjnë, kur e kanë parë, e shohin, sheshazi, se gjaku ynë kombëtar po tregtohet, që u japin shpirt qirinjndezësve, për të shpërndarë ushujëza, për ta pirë gjakun tonë, edhe të njomakëve.
Për hir të një kothere buke, që na e gjuajnë, ne, heshtim, dhe, në heshtje u japim fuqi qirinjndezësve, për t’i shuar flakadanët, që të mos shihet rruga e drejtë, se, prishim interesat miqësore me shtete mike, madje, edhe me ato globale, prandaj, duhet të lëshojmë pe dhe të mos merremi me “cikërrima”. Duke mos i përfillur “cikërrimat” kombëtare, lajkat e bijve të “etërve dinakë” (Migjeni), çdo ditë e më tepër, në sytë tanë kemi tjetërsime, rasti i pushtetit maqedonas, serb e malazez, mospërfillje e të drejtës së shtetit komb nga evropianët dhe SHBA-të, kemi rënë në letargji si komb. Kjo, se duhet dëgjuar të fuqishmit e taborit të Maltusit, edhe ata që kanë pikëpamje të teorisë së Adam Smithit. Sipas këtyre, ne, duhet të heshtim, madje, edhe t’i luftojmë në mënyrë kolektive, të gjithë flakadanndezësit, për t’ua lëshuar dritën qirinjve, që, si komb, të gjunjëzohemi pranë altarëve dhe t’i ndezim qirinjtë, për t’i turpëruar kohët e lavdishme, për t’i luftuar urtakët dhe luftëtarët flakadanndezës, me një fjalë, për ta zhbërë historinë tonë të përgjakur, se, kështu na sugjerojnë miqtë tanë.
Përkundër të gjithë këtyre maskarenjve, nuk duhet ndalur luftën tonë të shenjtë, të drejtë, me plotë argumente, dhe, t’u themi miqve e armiqve, yroq, se, ne kemi nevojë par flakadanë, e, jo për qirinj, ne kemi nevojë për parlament mendjeje, e, jo të gjunjëzohemi para altarit, pa marrë parasysh kush mban fenerin për tymosje të trurit, që të mos na lejojë ta shohim veten tonë. Pa ngurim, duhet të ngritemi në këmbë, të japim kushtrim, e, ju, të tjerët, që doni të ruani miqësi me armiqtë tanë shekullorë, që i mbushen trojet tona me varre, të të gjitha moshave e gjinive, madje, edhe të feve, për hatër të mikut të madh, të paktën, mos i merrni në shenjestër flakadanndezësit, por, lerini që t’ua shpjegojnë flakadanndezësve të kombeve të tjera, gjendjen ku jemi, pse jemi kështu dhe ku duhet të arrijmë, që, ata, ta bartin dritën e flakadanëve në mesin e vet. Duke na mbështetur në këtë drejtim, ata, mbështesin edhe kombin e vet, se, një ditë, do të ndalën thasët e plasmasit, të mbushur me kufoma, jo për shpëtim kombesh, jo për ruajtjen e dinjitetit, por, për profit, qoftë maltusian, qoftë të smithian.
Historia nuk njeh që shqiptarët të kenë qenë në ndonjë nga këta taborë dhe të tillë jemi edhe sot. Prandaj, pse injorohemi, pse pengohemi, duke na kërcënuar me teorinë e të fortit ekonomik, e, mbështetur të fortin maltusian?
Shqiptarët, përballë dy filozofive
Është realitet i të gjitha kohërave dhe të sotmes, se, në trojet tona, i kanë ladruar kuajt të mallkuarit e botës, duke bërë eksperimente, se, deri ku mund të arrijë logjika e sëmurë e maltusianëve dhe adamistëve, sepse:
Ne, gjithnjë, kemi qenë në thumbin e të parës, si komb fisnik, urtak, besmirë, punëtor, luftëtar, këshilldhënës, dhe, kjo u ka munguar të tjerëve. Dhe, si racë e dalluar, i kemi penguar racat e tjera të rrahin gjoks për këto virtyte, prandaj, edhe janë munduar të na gjunjëzojnë, poshtërojnë, me çdo gjë që u ka ardhur për dore, vrasje, djegie, syrgjynosje, etj.
Të dytët, që bëhen se nuk na urrejnë si racë, por na ndihmojnë që të kemi shëndet më të mirë, na ndihmojnë që të ndihemi si ata, në kulturë, gjuhë, tradita, për të harruar kush jemi dhe ku gjendemi, në tokën tonë apo të “Tuç Markut” (Drama “Toka jonë”). Ata, asnjëherë, nuk na thanë se këtu jemi për shkak të pasurive që ka toka e nëntoka juaj. Nuk e morën mundin të ndërtojnë fabrika për purpunimin e të mirave materiale dhe të shkolloheshim ne, e, të bëheshim të aftë për ta marrë përsipër të ardhmen tonë, por, në emër të të fortit ekonomik, (gjithnjë duhet nënkuptuar, se këta janë edhe të fortët ushtarakë), kishin ngritur fabrika në vendet e tyre, ku i transportonin të mirat materiale për përpunim, e para, dhe, e dyta, luftonin për ta mbajtur nën kontroll këtë hapësirë bukur me peshë gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Që të dyja këto fillozofi, gjetën hapësirë në territorin tonë kombëtar, sidomos, pas Luftës së Parë Botërore. Kjo, sepse, pas kësaj lufte, kemi kategorizimin e shtresave legjitime të klasave të qytetarëve tanë dhe joshjet për pushtet nga të huajt. E para, se u vunë në pah apetitet e feudalëve, të cilët mundoheshin, me çdo kusht, të zinin pozita në pushtet dhe ta legjitimonin forcën e vet ekonomike, që, përmes saj, ta merrnin edhe pushtetin. Të dytët, që kishin apetite pushtetare, pa marrë parasysh forcën ekonomike, hulumtonin punëdhënës te fqinjët, apo, edhe te ish-pushtuesi-Turqia, të vinin në shërbim të tyre, pa zgjedhur mjete dhe pa “kursyer” asnjë pllëmbë të trojeve tona, pasuritë tona, vlerat tona, etj., për kërmbim pushteti. Kjo kategori do të kërkohej më shumë, sidomos, prej shteteve fqinje, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, të cilat, veç ishin të orientuara në rrugën filozofike të Maltusit. Njerëzit pa tru, do të ngarendin pas tyre, se, fqinjësia ua mundësonte më tepër për të manovruar dhe për t’i luftuar luftëtarët e lirisë, që, në hapësirën e robëruar kombëtare, nuk pushonin së luftuari për liri dhe bashkim kombëtar. Si shpërblim merrnin poste politike dhe ofiqe, nga punëdhënësit. Njëkohësisht, i përdornin edhe për qëllim pushtimi të tokave tjera shqiptare, të Shqipërisë londineze.
Kjo sorollatje e kësaj kategorie do të jetë shumë aktive, sidomos, gjatë Luftës Nacional-Çlirimtere, duke u rreshtuar në anën e pushtuesve fashistë e nazistë, si produkt i drejtpërdrejt i filozofisë maltusiane. Këta nuk mendonin, se, edhe punëdhënësi i tyre do t’i shfrytëzojë për sa kohë i nevojiten dhe do t’i lërë në baltë. Përkundër mposhtjes së kësaj filozofie, të rekrutuarit filluan të hulumtonin punëdhës të rinj, së pari, për ta shpëtuar kokën, dhe, pastaj, të shohin nëse mund të përfitonin diçka edhe ekonomikisht, sepse, kishin kaluar në anën e të fortëve ekonomikë. Ata, asnjëherë, nuk do ta kuptojnë, se, edhe këta të fortët ekonomikë do ta mbështetnin Maltusin, për qëllime gjeopolitike e gjeostrategjike, dhe, do t’i përdorin mish për top, me premtime marramendëse. Këta tradhtarë e kuislingë, jo vetëm se u rreshtuan në taborin e të fortit ekonomik, por, shumë prej tyre u rreshtuan edhe në taborin e “nuk ke të drejtë për të jetuar…”, që nënkuptonte armikun shekullor shqiptar, që kishte bërë e bënte elaborate, se, si t’i shfaroste shqiptarët nga faqja e dheut, si t’i dëbonte prej trojeve të tyre autoktone. Këtë kategori, ata, e përdornin për grykë pushke, në emër të njohjes së territorit nga vinin, për t’ua lehtësuar veprimet konkrete në hartimin e projekteve, që, herë-herë, i mbështeste të fortët ekonomikë, për të qenë më afër tyre, për realizimin e projektit të tyre, për ta futur nën ombrellë gjithë territorin shqiptar.
Edhe pse histroria na ka mësuar mjaft, se si t’i dallonin këta dy filozofi, fatkeqësia më e madhe ishte, se këtë më shumë e kuptoi vegjëlia, sesa “intelektualët” kosmopolitë, filozofi që do t’i bashkonte të dyja rrymat. Ky avaz, është edhe sot e kësaj dite, i cili po mundohet ta humbasë peshën dhe dinjitetin e luftëtarëve të lirisë. Shqiptarët, siç kanë ditur përherë të çajnë rrugën drejt historisë së lavdivshme, “me shpatë në dorë” (E.H.), do të dinë edhe sot, në këtë mjegullnajë, që po mundohen t’ia humbasin rrugën të dy këto filozofi.
(Vijon)